Kafja e fundit


Nga Shaqir Skarra

Më fal miku im Nehat, që kafen e mëngjesit të datës 21 korrik nuk e pimë bashkë!. Unë të pashë nga larg që po vije drejt lokalit. Ishe me gjithë gruan (Zanën). Ecje ngadalë, me atë ecjen karakteristike tënden si gjithmonë. Ora ishte 10 para dite, piku i vapës dhe ti me një kapele në kokë as që doje të ia dije për vapën përvëluese të korrikut. Ishe i lumtur dhe lumturia juaj dukej në sy. Sapo kishe përfunduar analizat dhe kishe vendosur që kafen këtë mëngjes ta pije me gruan.
U takuam rastësisht bashkë dhe më ftove sinqerisht, ashtu siç dije të ftoje ti gjithmonë, me fisnikëri dhe bujari por unë nuk ndalova të pija kafen me ty. Kisha lënë një tjetër takim por më shumë doja që të mos ta prishja këtë lumturi, këtë gëzim që kishe të cilin e shprehje në mimikën e fytyrës. E ku ta dija unë se pikërisht kjo do të ishte kafja e fundit që do të pinim bashkë?.Eh sikur ta kisha ditur!.
Ndaj sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë, mua ende më rëndon pesha e gabimit që bëra. Tek po hedh këto pak radhë për ty, miku im Nehat, lotët më tradhëtojnë e pesha e gabimit që bëra atë ditë, që nuk qëndrova me ty ende më rëndon mbi supe.Edhe po të qëndroja, nuk do ta besoja kurrsesi se do të ishte kafja e fundit që po pinim bashkë. E pinim kafen çdo ditë në Laprakë, qëndronim me orë të tëra duke biseduar dhe as i ndienim orët që kalonin ashtu duke qëndruar të dy bashkë.
Atë ditë korriku si për çudi dhe inat të fatit nuk qëndruam bashkë. Kishe për të bërë koronaren më datën 29, por ja që vdekja tinzare nuk të priti më gjatë. Ajo kishte qenë fare pranë atë ditë të 21 korrikut, dhe ti miku im ndjeheshe pak i lodhur por i lumtur se po i jepje një kafe gruas. Ti ishe dhe mbete një familjarë i mirë, dilje shpesh me gruan dhe me vajzën për kafe.
Atë ditë të fundit të jetës tënde siç duket kërkove të rrije vetëm me gruan, ndaj dhe unë nuk ndalova. Tre ditë më parë ishe në Grevë, u çmalle me vendlindjen, me vëllanë e njerëzit e tu. Pas tre ditësh që u ktheve nga Greva dolëm dhe bashkë për kafe, dolëm vetëm me Ademin dhe Fejzën. Siç duket zemra ta ndiente e kërkoje të çmalleshe me të gjithë, se të gjithë i doje. I doje vërtet njerzit miku im Nehat, i doje dhe respektoje shumë të gjithë. Nuk dije të flisje e të shaje njeri se njerëzit për ty ishin të gjithë të mirë, nuk dije të kishe mllefe e të mbaje inate, jo, këto nuk ishin në natyrën tuaj.
Jo vetëm unë por jemi shumë që kur ti ike në parajsë, ne miqve të tu na mungon prania juaj, na mungon buzëqeshja, çiltërsia, mënyra e komunikimit, sinqeriteti.
Tek ti miku im ishin gërshetuar mjaft bukur të gjitha vyrtytet më të bukura njerzore.
Kur dal vetëm në mëngjes në Laprakë, hedh shpeshherë sytë nga rruga, më duket sikur do vish, sikur të kam pranë dhe e paskam vështirë miku im, e paskam mjaft vështirë. prania jote si imazh është gjithmonë pranë nesh, kudo, në rrugë e kafene.
Afro dy muaj të ndanin nga përvjetori i lindjes, por vdekja tinzare nuk të priti ta festoje këtë përvjetor me familjen, me gruan, me djalin, me vajzën, me nipin dhe mbesën që ti i deshe fort. Jo, nuk ishte e thënë ta festoje edhe këtë përvjetor pa zhurmë e salltanete se i kishe merak shumë dum-dumet kur bëheshin në ditlindje.
Linde më 23 shtator të vitit 1955 në Grevën e bukur të Dibrës, për të cilën ti miku im Nehat ishe i lidhur shumë, ishe i dashuruar me vendlindjen. Greva ishte dhe mbeti dashuria e madhe e jetës tënde. Për Grevën kohët e fundit botove dhe librin historik “Greva e Dibrës”, një libër ky mjaft voluminoz dhe shumë i arrirë. Kështu që ia dhe një mjet identifikimi vendlindjes tënde të dashur. Çdo rrjesht, fjali, fjalë , paragraf e faqe e këtij libri është shkruar me pasion e skrupulozitet shkencor. Në të gjen histori, gjeografi, filozofi,letërsi,etnografi, folklor dhe një mori dokumentash të pa ndriçuara ma parë dhe të pa trajtuara deri më sot, me përkushtimin e një mësuesi, kimisti, biologu e pse jo shkencëtari.
Me mjaft art e ke përshkruar relievin e natyrën e bukur të Grevës, lartësitë dhe pjerrësitë, malet e bjeshkët, tokat dhe burimet, florën dhe faunën. Me një gjuhë mjaft të pastër e plot metafora dhe me mjaft ëmbëlsi të fut në botën e emocioneve e cila të ndjek nga rrjeshti në rrjesht, nga faqja në faqe deri në fund të librit.
Dhe nëse diku tjerr histori, nuk e bën aspak për nostalgji e as për të të shuar kureshtjen por për të treguar e mësuar se si e qysh e pse, është falur jeta nga banorët e Grevës pa hezitim kur atdheu ka qenë në rrezik. Për të thënë atë që dihet pak, apo aspak. për të nderuar dëshmorët, ata që dhanë jetën për këtë liri që gëzojmë ne sot.
Me modestinë tuaj na thua se ky libër është jo vetëm një vështrim i shkurtër gjeografik-historik por edhe etno-kulturor e etnografik. Në fakt është një libër i një lloji krejt të veçantë i cili do të shërbejë edhe si model nga shumë njerëz të penës. Siç duket është vërtet një libër i rrallë, i shkruar me mjaft kulturë, i cili lartëson dhe hijeshon krejt botën e brendëshme, si ideoartistike ashtu edhe psikologjike. Është një enciklopedi, që të ndriçon,lartëson, edukon e të pasuron mendjen e shpirtin dhe të zbukuron bibliotekën tënde.
Miku im Nehat! mbetesh objektiv si në përshkrimin bukur, por edhe në vlerësimin e plotë të figurave të ndryshme historike të Grevës. Nuk përpiqesh për të na dhënë me ca penelata bardh e zi, por ashtu në fakt siç kanë qenë në jetë.
Një analizë të përsosur dhe me mjaft fakte dhe argumenta shkencor, duke u bazuar në burime historike të botuara, autori analizon të gjitha luftrat kundër pushtuesve të huaj, të gjithë pjesmarrësit në këto lufta, të gjithë të rënët, humbjet, djegjet dhe masakrat e pushtuesve të huaj mbi popullsinë e Grevës.
Shkollën fillore e tetëvjeçare i përfundove në vendlindje. Shkollën e mesme në qytetin e Peshkopisë duke e bërë rrugën çdo ditë në këmbë nga Greva deri në qytet. Në vitet 1973-1976 përfundove me rezultate të larta Institutin pedagogjik Shkodër, dega bio-kimi.
Në fakt nuk e mendove se pas përfundimit të shkollës do të përfundoje në fshatin e thellë të Zall-Reçit në fillim si mësues në shkollën e mesme dhe pastaj drejtor po në këtë shkollë. Ti nuk e dija se ku binte Zall-Reçi, nuk kishe qenë më parë, por duke punuar e drejtuar në këtë shkollë e fshat të largët të Dibrës, shpejt u familjarizove duke u bërë njeri më i respektuar nga vendasit, ndër të gjithë kuadrot jabanxhinj që ishin në ato vite në Reç.Në këtë shkollë punove edhe me gruan tuaj , Zanën. Të dy bashkë punuat e jetuat në këtë fshat më në skaj të Dibrës.
U largove nga Reçi me përshtypjet më të mira duke i mbajtur deri vonë lidhjet e tua të ngushta me prindër por dhe nxënës e ish nxënës.Nga Reçi erdhe në Melan, në Grevë, në Peshkopi dhe kudo punove me pasion e dashuri për profesionin e bukur të mësuesit por edhe si drejtues.Vetëm pesë vite punove si mësues e 23 vite me radhë drejtor në shkolla të ndryshme të Dibrës.Ti dhe modelin më të bukur e të qënit drejtues e menaxher i mirë në një institucion arsimor. Jo vetëm kaq por modelin tënd e dhe edhe në fushën e mësimdhënjes.
Për dy vite punove pranë Këshillit të Qarkut Dibër. Për 4 vite (2006-2010) ishe drejtues i Entit Social Kulturor të Ushtrisë dhe i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Tiranë, institucione këto në mvarësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vitet 2010-2014 ke punuar në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Durrës.
Ke kryer një sërë kualifikimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë në fushën e arsimit, pushtetit lokal dhe mjedisit. Për dy vite drejtove dhe botove “Gazetën e Qarkut Dibër”, organ i Këshillit të Qarkut Dibër (2004-2006).
Ke botuar mjaft shkrime e artikuj të ndryshëm në shtypin lokal, në gazetën e atëhershme “ushtima e maleve”. Që në ato vite u njohëm bashkë por njohja ma e madhe e jona vazhdojë pas viteve 2000 për të mos u shkëputur kurrë, veçse na ndau data 21 korrik 2022 por fizikisht se shpirtërisht nuk ka datë që na ndan ne. Do mbetesh në kujtesën time ai Nehat që ke qenë; i dashur, i respektuar, i kulturuar.
Ike shpejt Nehat, ike shpejt nga kjo botë e rrejshme. Ike pa i mbushur shtatëdhjetë vite, pa e festuar shtatëdhjetë vjetorin e ditlindjes tuaj.
I lumtur është ai njeri që gjatë gjithë jetës së tij bën më të mirën e mundëshme dhe mbetet i nderuar e i kërkuar nga ata që e njohën.
Ti, miku im Nehat për aq sa bëre je një i tillë, intelektual emër mirë . Dhe për këtë nuk kishe nevojë për vlerësime e nderime nga qeveritë, nga institucionet.
Ty miku im Nehat ato ti kanë dhënë mijra e mijra nxënës që sot në fakt punojnë e drejtojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, brenda e jashtë vendit, dhe vlerësime të tilla nuk janë pak të cilët gjithmonë të thoshin “Mësues Nehati, dhe kështu do të vazhdojnë përsëri.
Dituria është pasuri që fitohet me përvojë, por edhe kur kërkesat ndaj vetes qëndrojnë të ingranuara, në lidhje të pa ndërprera me përparimin e teknikës dhe të shkencës në shkallë botërore. Dhe ti kurrë nuk u mjaftove me ato dije që more në shkollë por lexoje shumë, lexoje vazhdimisht libra të ndryshëm artistik, studime e enciklopedi.
Të vdesësh fare pa pritur, befasisht në një moshë të bukur ku ende prisnin të gjithë nga ti edhe më shumë, ndarja jote nga kjo botë gënjeshtare na la pa fjalë të gjithëve. Ashtu si për vetë moshën tënde që premtonte jetë e jeta, e them sot edhe nga dhimbja me pikëllim të thellë se me ty u tregua shumë e pa drejtë, shumë tinzare se të mori shpejt nga kjo botë krejt e rrejshme.
Ajo dita e 21 korrikut kur nga zëri i telefonit dëgjova Dorin që fliste me ngashërime e zë të dridhur, dhe kur mora vesh për vdekjen tënde ishte e vështirë për mua. Më merrje shpesh në telefon e numri yt ishte bërë si një ndër numrat më të rëndësishëm të mi.Atë pasdite kur pashë se në ekranin tim doli emri yt u shtanga, u tremba dhe ende pa mbaruar bisedën Dori, telefoni im ra në tokë. E si mund ta besoja atë gjëmë që dëgjova nëpërmjet telefonit. Ne dy -tre orë kishte që ishim takuar bashkë. Po tani atë zile dhe atë emër të mirë e të dashur për mua në telefonin tim nuk do ta dëgjoj më, ndaj e kam të vështirë sot të shkruaj, ti them dy fjalë zemre, shpirti e malli Nehat!
Në këto momente që po mundohem të shkruaj dëshiroj të nxjerr në dritë jetën e një njeriu me kontribut të gjatë, në të mirë të vendit, të zhvillimit dhe të emancipimit të shoqërisë, të dibranit fisnik, bujar dhe intelektual i kompletuar Nehat Daci.
Karakteri i njeriut formohet e forcohet në përpjekje për të arritur gjithmonë më të mirën, duke u kacafytur shpesh me të keqen e cila ka për detyrë “të zërë rrugën”, të të mundojë e të të lodhë shumë që ti të dorzohesh, por ti Nehat nuk ishe i tillë, nuk u dorzove kurrë nga rruga e minuar ku shkelje se e hidhje hapin me kujdes e maturi.
Miku im Nehat! E njohe mirë jetën, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë nga hiçi për të arritur më vonë shumë në formimin tënd, do ti falnin , për të ndërmarrë më pas veprime që në fund të fundit do të ishin si një shtërngatë për ti dhënë vetë jetës drejtimin e duhur.
Gjërat më të bukura apo ato që të dëshpërojnë në jetë nuk mund të dëgjohen, të shihen ,as të preken.Ato vetëm mund të ndjehen. Brezi yt Nehat dhe i shokëve të tu ishte i vështirë , përjetuam kohra shumë të vështira por që në fund të fundit ato që deshën të mbesin njerëz përsëri njerëz mbetën, ashtu siç mbete dhe ti Nehat.
Karakter në gjëra të vogla apo mëdha do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti ti bësh.
Je i vyrtytshëm kur ndërmarjen e guximshme e bën vetiu e jo kur ta kërkojnë të tjerët. Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme të Nehat Dacit, gjen njeriun e bindur për të kryer veprime të guximshme, pa e ditur se ai ato i bën nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist.
Kam parasysh këtu veprimtari të tij , të cilat kur i sjellim e i ballafaqojmë me atë çka bëjmë ne të sotmit, për vendin, për flamurin të cilit i këndojmë nga mëngjesi në darkë e nga darka në mëngjes, të duket sikur atdheu është në dorë të intrigantëve të cilët të drejtët dhe idealistët i marrin për naiv e budallenj.
Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të vyrtytshme, në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Nehat Daci i ngjan pa dyshim i ngjan, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë qoftë partie, qoftë administrative si një premtim të mundimit për të arritur deri aty.
Janë vetë sfidat ata që e bëjnë jetën interesante e këto sfida nuk munguan as në jetën tënde Nehat. Ti nuk ishe vetëm një ëndërrimtar për ti kryer punët ashtu siç duhej. Kishe edhe bindjen se brenda vetes fshihej forcë, durim dhe pasion për të gjetur fjalën me të gjithë.
Sot imazhin e mirë të babait, fëmijët e tu nuk do ta shlyejnë kurrë nga kujtesa. Vdekja jote është thjeshtë vdekje fizike se shpirtërisht ti nuk ke vdekur, do të rrosh gjithmonë në kujtesën tonë.