NJERI E KUADËR I MIRË, PUNËTOR I PALODHUR


postmortum


 

Në fillim të muajit nëntor, krejt papritur u nda nga kjo jetë në moshën 75 vjeçare Gani Lami, person i njohur e i respektuar në tërë zonën e Bellovës e në mbarë Dibrën, Hero i Punës Socialiste. Nuk ishte i sëmure, përkundrazi, i shëndetshëm e plot gjallëri, por një atak e ndau Ganiun nga jeta dhe gjiri i ngrohtë i familjes. U nda nga jeta Ganiu në një kohë kur ai po u gëzohej  nipërve e mbesave të vogla, kur djemtë e tij kishin akoma nevojë për fjalën e tij të ngrohtë e të mençur dhe metodën e organizimit të punës e të jetës në familje.

Ganiu lindi në fshatin Zagrad me 1942 në një familje të varfër fshatare, por të ndershme e patriote, që përkrahu e ndihmoi LANÇ. Vetë xhaxhai i Ganiut, Maliqi, atëherë i ri në moshë, rroku armët e u bashkua me shokët në Brig.18  Sulmuese në luftë për çlirimin e vendit. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshat, Ganiu iu fut punës në bujqësi për të ndihmuar sadopak familjen e tij të varfër. Pas formimit të kooperativës bujqësore me 1967, Ganiu u dallua si punëtor i palodhur në brigadë, si aktivist shoqëror. Ishte në kulmin e moshës, rreth 25 vjeç. Në punë e sipër Ganiu u dallua edhe për aftësi organizative, për sensin praktik të organizimit të punës dhe për komunikim të ngrohtë me njerëzit. Si i ri i shkathët dhe punëtor i dalluar, Ganiu fitoi respektin e fshatarëve, të brigadës dhe, pa bërë 2-3 vjet punë si punëtor i thjeshte, u zgjodh nga brigada e fshatit brigadier në fillim të viteve ‘70. Këtë detyrë Ganiu e kreu me sukses për rreth 20 vjet rresht. Falë aftësive të tij drejtuese e menaxhuese si dhe vullnetit të tij për punë, shpejt brigada e arave e Zagradit me brigadier Gani Lamin, u bë brigada më e dalluar në Bellovë dhe nga më të dalluarat në rreth. Ai arriti të marrë nga 400 kv patate për ha dhe nga 40 kv grurë për ha. Po ku i arriti këto rezultate Ganiu? Jo në fusha pjellore, por në shpate e pllaja malesh. Këto rezultate në prodhim Ganiu i ruante dhe i rriste nga viti në vit falë punës së tij organizuese, farërava të zgjedhura, drenazhimit të tokës e punës shkencore  në prodhim. Për punën e palodhur të Ganiut e arritjen e rezultateve të larta në grurë e patate ka shkruar shtypi i kohës. Shpesh ka folur dhe media e kohës, ku Ganiu përmendej si flamurtar i arritjeve të rezultateve të larta në prodhim.

Me punë e shpirt sakrifice, me sjellje prej babaxhani e masoviku Ganiu fitoi respektin e dashurinë e punonjësve dhe të mbarë shoqërisë në fshat e kooperativë. Në fund të viteve ‘70 Ganiut ju ngarkua dhe detyra e sekretarit të byrosë të partisë në kooperativë. Edhe këtë detyrë Ganiu e kreu me devotshmëri e përgjegjësi mbi 10 vjet e ca deri në fund të viteve  ‘80 të shekullit të kaluar.

Duke kontaktuar shpesh e për ditë me kuadro të Partisë e të pushtetit në rreth Ganiu përfitoi shumë, u aftësua si kuadër, bëri si të thuash një shkollë të dytë, fitoi nga arti i takimit me njerëzit. Ai s’kishte shumë shkollë, po vetë jeta dhe puna e shkolloi dhe e aftësoi si drejtues masovik i punëve të partisë e të bujqësisë në kooperativë. Ai ishte njeri i thjeshtë si gjithë të tjerët, i dashur e i komunikueshëm me të gjithë. Po t’i drejtoheshe Ganiut për një hall a problem, ai bëhej si i thonë copë për ta zgjidhur hallin, tregohej i gatshëm e i papërtuar për të ndihmuar.

Fama e tij si brigadier i dalluar, me rezultate të larta në kulturën e patates qe përhapur jo vetëm në Dibër, por në gjithë Shqipërinë. Për punë të mirë e arritje të rezultateve të larta në prodhim, Gani Lami si njeri i thjeshtë i punës, në fillim të viteve ’80 fitoi titullin e lartë Hero i Punës Socialiste.

Aq shumë u aftësua Ganiu, saqë në fund të viteve ‘80 kreu dhe detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore Bellovë për dy vjet rresht. S’kishte kuadër e inspektor në rreth që të mos e njihte e respektonte Ganiun. Ai me punë e mirësjellje fitoi jo vetëm titullin e brigadierit të dalluar në punë, por dhe titullin e drejtuesit masovik, të dashur e të papërtuar në popull. S’kishte gëzim e hidhërim në fshat apo zonë që Ganiu të mos e ndante me banorët e zonës ku punoi e drejtoi për rreth dy dekada.

Në çdo hall e vështirësi ai u gjindej pranë bashkëfshatarëve të tij. Pas prishjes së sistemit socialist Ganiu shkoi pas djemve, la vendlindjen, fshatin e tij të dashur, Zagradin, e shkoi me banim në Sukth të Durrësit. Iku, si i thonë fjalës, me lot ndër sy, se pjesën më të bukur të jetës e kaloi në fshat, ia kushtoi zhvillimit e përparimit të fshatit, të ekonomisë bujqësore, elektrifikimit të zonës në fund të viteve ‘60, ndërtimit të objekteve social-kulturore në  fshatra në fillim të viteve ‘70, hapjes së tokave të reja e deri tek eksperimentimi shkencor në kulturat bujqësore. Ganiu la Zagradin, la Bellovën në këto 15 vitet e fundit, por ai kurrë nuk i shkëputi lidhjet me fshatin e zonën ku u lind, u rrit, ku u edukua  e u formua si njeri e kuadër. Për çdo sëmundje apo vdekje në zonë apo në Peshkopi Ganiun e kishe pranë. Vinte që nga Sukthi dhe takonte e ngushëllonte bashkëfshatarët e zonës në çdo fatkeqësi familjare, duke lehtësuar dhimbjen e tyre. Ai kaloi 15 vjet në Sukth, por kurrë nuk i ndërpreu për asnjë çast  lidhjet e tij me fshatin e zonën.

Unë, autori i këtyre radhëve, në shkurt të 2006 bëra një operim të vështirë në Tiranë. Ndenja në spital rreth një muaj e gjysëm. Pasi dola nga spitali, u ktheva në shtëpi. Nuk kaluan shumë ditë dhe  Ganiu më erdhi në shtëpi për vizitë. Nuk e prisja, se me Ganiun s’jemi një fis, por jemi nga dy fshatra të ndryshëm. S’më lidh asgjë me Ganiun, përveç mbiemrit. M’u bë qejfi, se ai respektonte e vlerësonte njerëzit e kuadrot e zonës. Sa herë që Ganiu vinte në Peshkopi nga Durrësi, takohej e përshëndetej me njerëzit. I pyeste për shëndetin e familjet e tyre. Edhe pse tranzicioni i gjatë e i vështirë i përçau e i degdisi njerëzit brenda e jashtë Shqipërisë Ganiu nuk e humbi sensin e njeriut të dashur, popullor e babaxhan.

Kush dëgjoi se ka vdekur Ganiu, u step, u hidhërua e u habit se ai ishte i shëndetshëm, i gjallë e dinamik, i dashur e i komunikueshëm me njerëzit. Kështu e kanë fundin njerëzit e mirë e zemërbardhë. Ata vdesin papritur, pa vuajtje e mundime.

Ganiu ishte i dashur dhe i respektueshëm me njerëzit, por dhe banoret e zonës, të vjetër e të rinj, e donin dhe e respektonin atë. Këtë dashuri, respekt dhe keqardhje për vdekjen e tij të papritur e tregoi dhe varrimi i tij në Sukth me 3 nëntor, ku kishin ardhur shumica e banorëve të zonës së Bellovës, por dhe nga Peshkopia, Tirana e Durrësi për t’i dhënë Ganiut lamtumirën e fundit.

I paharruar qofte kujtimi yt, o Gani Lami, o njeri i dashur e i thjeshtë, o punëtor i palodhur e masovik popullor.

Le të shërbejë ky shkrim si një homazh për jetën e këtij njeriu të respektuar e të nderuar nga shoqëria.