Miti i vendlindjes dhe braktisja e dhimbshme


Një oxhak me gjurmët e nxime të zjarrit dimnor në faqet e gurëve të gdhendur. Duket si një kull që veç vajton e ndjen dhimbjen therëse të kohës. Përqark mure prej guri e balte të shembura barbarisht. Gurët, dheu i shkërmoqur, hithrat, kixhlat, barishte gjithëfarëshe rrinë si të shpërvjelura me një hije trishtimi të përshpatuna përkundruall gjurmëve të mureve me pamje trishtuese. Në ish dhomën e fëmijëve tanima gërmadha tmerrëndjellëse duket trupi bardhërosh i mështekzës, me kurorën lozonjare që e ledhaton era. Dëgjohet fëshfërima e gjetheve formëzemrash me një tingëllim vajtues e trazues plagësh të gangrenizuara.
Nuk u rrëzua nga gjylet e topave të turkut kjo shtëpizë. Nuk u dogj nga zjarri përvëlues i njerëzve të egërsuar të brigjeve të dnjestrit. Nuk e shkatërroi forca e tërmetit shtatë ballësh, nga lëvizjet e tremuna të shtresave gjeologjike të tokës. Jo, fatmirësisht! Por, përkundrazi një forcë e brendshme shpërtheu marrëzisht. Ajo shkriu si me llavë vullkanike, trurin e njerëzve, ju varrosi zgjuarsinë, ju trullosi ndërgjegjen si dhe ju preu limfën jetëdhense, këtyre malësorëve kreshnik e kryelartë dhe tmerri vazhdoi, duke terrorizuar, kafshët, zogjtë, pyjet, shteruar ujëra përrenjsh, lumenjsh, liqenesh dhe….
Kasolleve filluan t’iu kalben dërrasat, e të mbijnë mbi ato kapelet e këpurdhave, shtresat e myshqeve duke u bamun streh krimbash, mizash, grenzash, fluturash, larvash… Tjegullat u thyen, humbën ngjyrën e kuqërremtë ndërsa qeprat, trenët, demët nuk e mbajtën ma peshën e vet. Ato filluan të zhurmojnë idhnueshëm marshin funebër të vdekjes. Të ulurijnë në humnerat e pafundme të zhdukjes duke formuar grumbuj të paform tmerrëndjellëse lendësh të pakuptimta. Skelet bishash të shfarosuna nga forcat e shumta të natyrës së egërsueme duken këto qindra shtëpi e kasolle, ish streh jete njerëzish. Po ku janë vallë? I shfarosi malarja, turbekulozi, kolera, zia e bukes apo…?
Ato njerëz dikur krenar e kryenalt tërhoqën kambët zvarrë me shpirtin të vrarë egërsisht me zemërat plagosun përgjakshëm, ikën, ikën, diku larg. Macet e qentë mbetën të vetmit besnik trojesh, votrash zjarmi, sofrash buke, hambar misri, magje mielli. Ato hidhnin një hap të lothshëm të vrarë, të vaget, dhe kthenin kokën, herë pas here duke vë- shtruar prapa. Nga shtëpia me dritare, oxhaqe e dyert e hyrjes me kyçin e mbyllur. Nga përroi ku gurgullon uji i kthjellët me drurët e shkurret ku cicerojnë zogjtë. Nga shpatet e maleve me pyje lisi, mështekënash, ahu, lajthie thanash e arrash. Nga lëndinat e gjelbërta me lulet e shumta erëkandshme që iu ngjajnë sixhadeve të thuruna në razbuj nga nanat, duar arta e shpirt artistesh. Nga qielli ku bluja e thellë humbëte diku, duke marrë ngjyrën e murrme të reve që do të sillnin shiun bereqetë shumtë. Por ato e kaluan mullirin me lugun e drujt, urën prej dërrasash e pastaj qafën e malit, ku u shpalos një botë krejtësisht tjetër. Edhe pse ishte kamxhik mjerimi e kullonte kupa, kupa helmi, cfilitje, vuajtje duke fjetur asfalteve të qyteteve lluksoze ato nuk mundeshin me u kthye mbrapsht.
Të strukur të ndrydhur, të vuajtun nga ece jaket për të kërkuar ndonjë qoshkë fjeteje apo çfarëdo lloje pune. Sa për të rrojtur gjallë. Edhe me pak para të paguara, edhe pse me shumë punë të lothshme deri në raskapitje e urie ligështuese. Të cfilitur nga punërat e randa e shfrytëzuese gjer në palcë. Ato, dikur malësor kreshnik do vazhdonin kështu rrokullimën e jetës. Pa natyrën e bukur, bujare të shëndetshme, qetësuese. Pa vëllain, motrën, nanën, edhe ato diku të syrgjinosun. Një jetë e pakuptimë, krejtësisht artificiale. E megjithatë, duhesh jetuar. U ndërrue gjuha, u lidhën miqësi të reja, lindën fëmija. Një transformim kryekëput psikologjik, marrëdhëniesh, sjelljesh, bashkëpunimi e njerëzillëku.
Por, mendja, hera herës fluturonte duke kundruar vendlindjen. Aty ku bora iu vinte plisin e bardhë maleve. Atje ku luginat e shpatet vallëzonin nën të ftohtin e acart, shtërngatat e shirave. Atje ku dëgjohesh qyqja e këndonte bilbili ëmbëlsisht, ku ahet ngriheshin si kollona akropolesh. Atje ku ndonjëherë kandili i moçëm prej bakri llamburiste si shigjet me pakëz dritë. Atje ku mësuesi iu mëkonte shpirtin e kryeneqësonte krenarinë me emërat e vendlindjes me historitë e bajlozave, ciklopëve e legjendave me shtojzovalleve. Atje ku qumështi e mjalti binin erë lulebliri e shegji, gështenje dhe kamomili apo aroma drethëzave ledhatonte hundët e pastra nga ajri i kandshëm i luginave, mbuluar nga e gjelbërta e mështekëzave elgante.
Endesh në fshehtësi jeta. Kuptimi i secilës ishte rrokullisur përkundruell mëngjeseve të zhumshme të sertënueme e të egra. Vështrimi bridhe në kulla te nalta prej xhami dhe hekuri e miliona makinash që iu ngjanin mizave përdhese, mijëra fije telash, minaresh, antenash, lypsarësh me duart e mpira thatanike që kërkonin lëmosh. E mallnimi ju ngujon shpirtërat, iu trazon lotët e kripura të hidhërimit e dashurisë së jetës rinore të shkatuara nga ngacmimet e realitetit të ri. Duke iu sjellur në çdo qelizë trupore një torture si ato që ndjenin skllevërit nga vula me hekur të nxehtë në krahët apo shpinërat e ashpërtuara. Që nuk lanë asnjë trashgimtar se ligjet e shtetit ishin gatuar më shtazarakët se të gjitha kohërat e jetës njerëzore mbi këtë dhe. E vërteta e hidhur rrinë djallëzisht e strukur nën lëkurën e ligjeve të padukshme por, vepruese e me tensione dhimbje të lotueshme edhe në kohërat e sotme.
Kyqi po ndryshket, therrimërat e tijë, uji i formuar nga shirat do t’ia përcjell me plotë dëshire qimeve thithëse të mështeknës, apo qërshisë, manit, bredhit, pishës që tanima hijeshojnë këto gërmadha të vajtueshme. Për t’i gëzuar e shijuar sadopak gradishtarët që kanë mundur t’iu rezistojnë tallazeve të kohërave makabre në trojet e tyre. E kështu malësori i shekullit të njëzetë e njëjtë, varros e zhvarros vetëveten, ndërsa natyra ka vazhduar misionin e saj, ka kryer detyrën e saj, ka ndjekur ligjësitë e saja të hekurta, por, kurrë si këto kyqe që ndryshken, grryhen, shpërbëhen, transformohen. Dhe asnjëherë si malësorët kryelartë që jetonin kundruell Kallabakut, Korabit, Tomorrit, Dejës, Dhëmbelit, Nërmeçkës, Gramozit, Jerzecës që historia i zhuriti, shkërmoqi si shkëmebenjt e këtyre maleve me shpate të thepisura. Atëherë…