Vajzat dibrane të volejbollit rikthehen në elitë


Sezoni i ri do ta gjejë skuadrën e volejbollit të vajzave në kategorinë superiore. Ky sukses është festuar me ndeshjen e fundit përballë Minatorit të Rrëshenit, luajtur në pallatin e sportit ‘Bashkim Lala”, në Peshkopi, në një ndeshje përmbyllëse plot emocione, ku i pranishëm ka qenë edhe një grup i RTSH që përgatiti reportazhin e radhës.
Rezultati i pastër 3-0, nxori në pah vlerat e ekipit që spikati me lojtare të tilla si kapitenia Seferi, por edhe Zebi, motrat Hidri, Xhelili, Stermilla, Xhediku, Kovaçi, Jashari, të cilat nën drejtimin e trajnerëve pasionantë Femi Bulku dhe Afrime Salkurti ia dolën mbanë. Ky është një sukses i merituar që është festuar edhe në parketin e pallatit të sportit dhe kryebashkiaku Muharrem Rama ka deklaruar se do të bënte më shumë për këtë sport dhe këtë skuadër, që ngre lart emrin e Korabit dhe të Dibrës në arenën kombëtare.
Cilësitë e mira të vajzave kanë lënë gjurmë të pashlyeshme kujtese, veçmas në ndeshjen përcaktuese që Korabi arriti të siguronte këtë sukses në Vlorë, përballë Flamurtarit vendas. Të mbështetura fuqishëm edhe nga tifogrup “Arbërit”, vajzat dibrane dolën në lojën e tyre dhe mposhtën kundërshtarin brenda në shtëpi, duke guxuar dhe fituar me meritë.