Ushtaraku dhe intelektuali i gjurmëve të fisnikërisë


Kur mëson gjurmët e një ushtaraku, apo intelektuali, duket sikur je përpara një kurore luleshumë, përpara një bukurie a pasurie të çmuar. E kjo pasuri janë gjurmët… Vetëm gjurmët, dëshmi e djersës, përkushtimit e humanizmit, vetëm gjurmët e korrektësisë, urtësisë e paqëtimit, e lartësojnë njeriun dhe bëjnë që të rrezatojë fisnikëria.

Kështu të ndodh kur mëson për birin e Lisit të Matit të barotit, major Rifat Haziz Malajn. Kisha dëgjuar për këtë ushtarak dhe intelektual, më kishin folur me gjuhën e shpirtit ushtarakë lisdanë e intelektualë. Dhe prej kohësh mbaj peng se si të gdhend, qoftë dhe pak radhë. Shembulli dhe vepra e njerëzve të mirë, të zot e vitalë si Rifat Malaj, nuk mund të skaliten me një shkrim modest si ky, sepse mund e duhet të shkruhen monografi, poema, esse, e pse jo, triologji jete. Sepse këto u bëjnë nder brezave që do të vijnë, se këto dëshmojnë e lartësojnë vlerat e një treve, vlerat e çmuara të kombit.

-Është intelektual i rrallë, i përkushtuar, ushtarak i përvojave, i thjeshtë dhe i talentuar, dashamirë për njerëzit, i lidhur ngushtë me familjen, shoqërinë, miqësinë e kohën. Shok me virtyte, me prova pune e guximi, me fëmijë të kulturuar, me dashuri e krenari të zjarrtë për traditat, ushtrinë ku shërbeu dhe Lisin që e lindi dhe e burrëroi, -thotë biri i Shkallës së Xibrit, mjeku Kurt Kurti.

Emri dhe puna, shembulli dhe drejtësia, guximi dhe maturia e Rifat Malajt janë shkruar në sytë dhe zemrat e kolegëve, në frontet ku ai ka shërbyer. Ata dëshmojnë dritën e fisnikërisë.

* * *

Rifat Haziz Malaj u lind më 14.09.1950 në fshatin Lis të Matit. U rrit dhe u edukua nga një familje e urtë, bujare e punëtore, me plot vështirësi ekonomike. Të parët e familjes Malaj, gjyshi dhe stërgjyshi, emigruan në Turqi për çështje ekonomike, me të cilët lidhja nuk u arrit.

Familja në Lis iu kushtua bujqësisë e blegtorisë, gjithnjë e vlerësuar për mikpritje dhe urtësi, për vlera të çmuara nga rrethi shoqëror e miqësor. Haziz Malaj, së bashku me bashkëshorten, Shyqyrie Malaj (Ballabani), rritën dhe edukuan 10 fëmijë, 6 djem e 4 vajza. Që të gjithë jetojnë, të martuar e me fëmijë. Rifatin, djali më i madh, me interesim të familjes e për zgjuarsinë që kishte, më 1964 e dërgojnë në gjimnazin e Burrelit e më pas në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, dega e kimisë.

Rifat Malaj ishte ndër më të dalluarit në mësime. Më 1970 fillon detyrën oficer aktiv në Burrel, komandant toge, deri shef kimie në brigatë e divizion. Ushtarak i kudondodhur, pranë ushtarëve, pranë llogoreve, në ballë të oficerëve, gjithnjë i palodhur, studiues, organizator e komunikues i rrallë, njohës i mirë i profesionit, i terrenit dhe i traditave.

Përkrah e në ballë të shokëve u rrit emri i Rifat Malajt. Në vitin 1996 doli në reform me gradën major. Gjurmët e shkollimit e të punës, të provave prej ushtaraku të denjë, flasin shumë, rrezatojnë fisnikëri e dritësim të vlerave njerëzore dhe intelektuale.

* * *

Ushtarak e prind shembullor, gjithnjë i thjeshtë e virtuoz, i dashur dhe i prerë aty ku e do puna dhe drejtësia. Ka tre fëmijë si yje, siç i thonë fjalës, secili i dalluar dhe i përkushtuar. Jo më kot në lagje e më gjërë të thonë: “Si fëmijtë e Rifat Malajt! Lum Rifati që ka pozitën dhe pasurinë më të çmuar, fëmijtë e kulturuar e të zgjuar!” Dhe vërtetë fëmijët janë e mbeten pasuria më e madhe, pozita më e lartë, sepse ata lartësojnë prindërit, veten dhe kohën.

Së bashku me Jetën, mësuese e nderuar, bijë e mësuesit Abaz Fizmani të Suçit, rritën dhe edukuan tre fëmijë. Vajza Albana ka mbaruar Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Në vitin 1999 filloi mësimdhënien në shkollën e Komësisë, ku është dalluar në edukimin e nxënësve. Djali i madh, Agroni, është me akademi ushtarake dhe akademi sportive. U caktua oficer në Gardën e Republikës deri në vitin 2013. I shquar për pasion e sedër, korrektësi e përgatitje për komandim dhe operativitet.

Kreu dhe specializime në Egjipt, Itali dhe Turqi. Nga viti 2013 e në vazhdim kryen detyrën e drejtuesit të OSHE-së për pesë rrethe, me qendër në Burrel. Shembulli dhe shpirti krijues, takti e lidhja me njerëzit, kanë bërë që ai të dallohet dhe si kryetar i PS-së Mat e koordinator politik për njësitë qeverisëse Mat e Klos. Me pasionin prej intelektuali të vendosur ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë dhe Master Shkencor për Marrëshënie Ndërkombëtare.

-Agron Malaj, -thotë specialisti i nderuar i elektrikut në Dibër, Jashar Uka i Luznisë, -është kuadër i kohës, i prerë, i duruar dhe mjaft korrekt, modeli i drejtimit, shembëllimi i korrektësisë së fjalës, i punëve të realizuara.

Së bashku me bashkëshorte Aldën, e familjes së Kujtim Gjokës, kanë tre fëmijë: Melisën, Enesin dhe Inën. Tek Agron Malaj i Matit zë vend shprehja: “Bëm baba, të të ngjaj”. Ai i ngjan të atit, Rifatit, por dhe kohës e dajave. Tek ai rrezatojnë fjala e shembulli, shkenca dhe tradita, kultura e lartë, kërkesa e llogarisë, durimi dhe rreptësia. Ndaj dhe dallohet në krye të punëve.

Fëmija i tretë i Rifatit është Fatosi, i cili ka përfunduar Fakultetin Ekonomik për administrim biznes në Tiranë. Është administrator i kompanisë “Global, Siguri, Grup”, që merret me aktivitet ndërtimi e tregëti gazi, intelektual që mëson e vepron çdo ditë, kurdoherë në ballë të punëve, i thjeshtë e vetveprues, organizator e shpirtbeharë, duke rrezatuar kulturën e familjes, kulrurën e shkollimit.

* * *

– Njeriu, -thotë filozofi Sami Frashëri, -nuk është i përjetshëm, ndaj le të përpiqet të jetë e palodhshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë.

Rifat Malaj ka një jetë epopè për diturinë në frontin e ushtrisë, një jetë epopè e plot frute në edukimine fëmijëve, ka prova jete e nderim për shokët e miqtë. Kujtimet e major Rifatit shpërfaqin plot emra, ngjarje, episode, moment, prova, shembëllim prej intelektuali të shquar e lisdan i nderuar, prova shembulli e fjale, prova guximi. Lum kush mbart në shpirt e jetë dashurinë dhe nderimin për shokët, miqtë, për gjurmët e jetës, gjurmët e mirësisë. E Rifat Malaj kujton me krenari shokët e llogoreve, ushtarakët e nderuar që nuk jetojnë më: Binak Kërtoçi, Agim Likmeta, Nazif Barhani, Allaman Hystuna, kuadrot gjurmëlënës Muharrem Muça, Gani Elezi, Hysni Gegolli, Kadri Domi, Sefer Duka, Agim Gjyla, Hidër Kola, Besim Gjika, Shefqet Hysa, Xhemal Gjunkshi, Dan Dedja e plot të tjerë. Të paharruar mbeten dhe shokët e gjimnazit, të cilët Rifati i kujton me krenari, si Qemal Lena, Bajram Barlika, Kurt Kurti, Halil Peci, Hajdar Cakoni, Fiqiri Bushi, Filloreta Zervoi, Selim Demiri, Aleksandër Shalësi, Bardhyl Kondi e të tjerë.

Çdo emër ka një histori, një kujtesë, rrezaton dritë e mirësi te Rifat Malaj. Vërtetë shokët e miqtë janë drita e jetës, janë si vetë krahët e shqipes, janë pasqyra njerëzore, e cila gdhend provat, djersën, shpirtin, diturinë. Janë ata që të çmojnë e lartësojnë më fort edhe se diplomat.

-Rifat Malaj, -shprehet kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, kryeredaktor i gazetës “Mati”, poeti Hamdi Hysuka, -është ushtarak i provave të drejtësisë e guximit. Ai ka udhëhequr, ka vepruar e gjithnjë ka ndihmuar, ka mbrojtur të vërtetën. Me sinqeritet e drejtësi mbrojti të vërtetën për gjeneral Alfred Moisiun kur erdhi me dënim në garnizonin ushtarak të Burrelit.

Dhe Alfred Moisiu, ky gen i atdhetarisë shqiptare, gen i ushtrisë çlirimtare, nuk e harroi guximin e nderimin e Rifat Malajt. Lum kush ndan drejt, lum kush vepro për drejtësi!

-Alfred Moisiu, -thotë diku në kujtime Rifat Malaj, -ishte dhe mbetet një model në sjellje, kulturë, një mik i familjes. Mirësia shprehet me mirësi. Këtu i ka rrënjët e drejta, e vërteta, rrezatimi i fisnikërisë. Rifat Malajn e gëzojnë e krenojnë edhe gjashtë nipër e mbesa, dashuria për vendlindjen, Lisin, atje ku tek ish-kulla do të ndërtojë përsëri shtëpinë, atje ku flakëron zjarri i mallit për brezat, për traditat, fisin e lisdanët e nderuar. E thonë faktet, provat, puna, se Rifat Malaj është ushtaraku dhe intelektuali i gjurmëve të fisnikërisë.