“Zerja”, suksesi që vjen përmes traditës


“Jufkat Zerja” po bëhen të njohura brenda  jashtë vendit, ndërsa po kërkojnë suksesin edhe në përpunimin e frutave dhe bimëve mjekësore. “Te Zerja” në hyrje të Peshkopisë po kthehet në një pikë referimi për produktet origjinale bio dhe traditës etnografike të Dibrës

Sapo hyn në qytetin e Peshkopisë, ngrihen dy ndërtesa, nje restorant dhe një punishte për përpunimin e frutave, prone e familjes se nderuar Zerja. Kalimtarë të shumtë, që shkojnë në të dy anët e rrugës, ndalojnë për një moment makinat për të shijuar kafen, picat dhe ushqimin e restorantit që servir Flamuri me familjen e tij. Më pas hedhin vështrimin në  punishten e famshme, ku gjen fruta e perime të përpunuara e konservuara në mënyra të ndryshme dhe ti nuk mund të ikësh pa marrë e provuar diçka.

Feta Zerja, babai i dy djemve, Fatosit dhe Flamurit, punoi një jetë të tërë si shofer dhe nuk arriti të bëjë prokopi të madhe. Jo se punoi pak, jo se nuk kishte dëshirë, por aq lejonte koha, sistemi. Nga gjithë ajo punë, bashkë me të shoqen, Lumen, përfituan nga një pension të vogël, sa për pleqëri. Familja trashëgonte jo pak tokë në Ravna, mbi pesë hektarë. Aty kishin dhe pemtore, të cilës do ti shërbenin akoma më mirë, po qe se do ta kishin afër. Me kursime të mëdha, diku nga viti 1993,  ndërtuan një shtëpi të thjeshtë. Më pas e përshtatën për një lokal pune. Në fillim pak i frekuentuar, pastaj gjithnë e  më shumë,  deri sa ditët e sotme është një ndër lokalet më të preferuara në Peshkopi. Një pishinë që kënaq fëmijët në stinën e verës dhe katër shtëpi druri përqark për mysafirët e rastit, janë një vlerë e shtuar për restorantin e tyre, tashmë të njohur. Flamuri, djali i vogël i Fetait, është dhe menaxheri i restorantit. Ndihet i qetë e i kënaqur me punën. Klientela e tyre, në shumicën e rasteve, janë familje që vijnë të qetësohen me një drekë apo darkë. Shpesh, gëzimet e tyre mendojnë ti kalojnë këtu në këtë vend, që Zoti e ka bërë të bukur dhe njerëzit ia kanë shtuar akoma më shumë vlerat dhe bukurinë.

 

Jufkat Zerja

 

E shoqja e Fetait, nënë Lumja, gatuante shpesh jufka në lokalin e tyre, për miq e klientë. Nusja e madhe e familjes, Dashja e ndihmonte shpesh. Kur panë se jufkat e bëra në mënyrë artizanale, pëlqeheshin shumë, menduan ta shtojnë dhe pak prodhimin. I ftollonin me shkopinj, i thanin në çarçafë dhe kënaqeshin me ato pak fitime. Nuk e dinin se  do të arrinin të prodhonin 150 kilogramë në ditë, duke u vënë etiketën  e famshme “Jufka Zerja”. Nënë Lumja nuk ka më fuqi dhe biznesin e filluar e vazhdon nusja, Dashuria me familjen e saj.

– Edhe pse teknologjia është përmirësuar, shumica e proceseve janë natyrale – thotë Dashja, menaxherja e re, qoftë në prodhimin, por dhe tharjen e tyre.  Ajo nuk trembet për shitjen e prodhimit. Problemi është a do të jetë në gjendje të punojë e të prodhojë. Klientela e saj është e larmishme, që nga dibranët e këtushëm, deri te ata matanë kufirit, që nga Struga e Shkupi, deri në Itali, Kanada dhe Amerikë. Gjithë familja i është përkushtuar biznesit, që sa vjen dhe zgjerohet. Fabiani, djali i madh i familjes, është në përfundim të masterit për inxhinieri, por ky fakt, jo vetëm që nuk i rrit mendjen, por e bën më të mendueshëm e të përgjegjshëm. E sheh aty tek makina e brumit, teksa pret petën e rradhës duke e dërguar më tej për ta prerë në rrypa e shirita. Po kështu punon motra që ka mbaruar për mjekësi dhe bën specializimin në Turqi, apo vëllai i vogël Albi, që merret me ambalazhimin dhe paketimin e prodhimit. Këto dhe punëtore te tjera të punësuara punojnë si një ansambël harmonik për vite me rradhë. Shpesh, mashtrues dhe falsifikatorë, përdorin emrin e mirë të “Jufkës Zerja” për të shitur prodhimet e tyre, jo dhe aq cilësore. Përveç anës negative për vetë prodhuesin e vërtetë, kjo tregon dhe njëherë atë vlerë dhe atë nivel, atë besueshmëri te konsumatori që ka krijuar kjo markë.

 

TË TJERA PRODUKTE

 

Dy vëllezërit Zerja, Fatosi dhe Flamuri kanë në pronësi rreth pesë hektarë tokë, nga e cila mbi gjysma është pemtore. Vetëm qershia zë mbi dy hektarë tokë. Dashurie Zerja, menaxherja e përpunimit të frutave e perimeve, jo vetëm që i njeh me varitete, por është në gjendje të flasë dhe për cilësitë dhe vlerat e secilit lloj. Ajo zakonisht përdor tre llojet që gjenden në fermën e saj, qershinë e zezë, Burlatin dhe Napolon.  Këtë të fundit e vlerëson mbi të gjithë, për aromën, konsistencën, duke dhënë komposto dhe reçelna të mrekullueshme. Në pemtoren e tyre ndodhen dhe tetë dynymë kumbulla, duke pasur kaq shumë forma përpunimi. Reçeli, kompostoja, lëngu dhe glikoja janë prezente përherë në raftet e dyqanit të tyre. Dashuria i ka të memorizuara të gjitha në kokë, formulat dhe teknologjitë e çdo produkti që përpunon, sasinë e sheqerit që duhet futur, sasinë e ujit, sasinë e frutave, kohën që duhet për të vluar, apo për tu zier, deri dhe detaje, si ngjyra që duhet të marrë produkti përfundimtar. Në këtë mënyrë përpunohen dhe dardhat, mollat, por ftoin e vlerëson si mbretin e frutave për komposto dhe reçel. Ndoshta fortësia e frutit i jep një epërsi të lehtë mbi të tjerët, por në fakt është vështirë të bësh një klasifikim real e të pikëzuar, pasi çdo njëri prej tyre ka vlerat dhe avantazhet e veta. Nuk di pse mu kujtua dhe po bëj një paralelizëm me grindjen e ngjyrave të ylberit, ku secila pretendonte se ishte më e mira dhe më e dobishme. Në fund u bashkuan me mendimin se ylberi nuk mund të formohej dhe nuk kishte kuptim pa njërën prej tyre. Po të quhej ftoi mbreti, çfarë do të thoshte kumbulla, që aq shumë vlera ka për tretjen dhe lufton kolitin? Po molla, për të cilën thuhet se një kokërr prej saj të konsumosh në ditë, nuk është nevoja për doktor? Pa le pastaj kur të zemëroheshin perimet e frutat e pyllit. Ndaj, secila veç e veç dhe të gjitha sëbashku, janë ai grup ushqimor me vlera, kalori, vitamina, mikroelementë e gjithçka tjetër, që janë aq të domosdoshme për organizmin e njeriut. Ka vite që Dashuria dhe familja e saj përpunojnë kumbullat në hoshaf, sipas traditës së vjetër. Pasi i thajnë, i përvëlojnë me finjë dhe i shpëlajnë sërish, duke qenë të gatshme për konsum. Kaq shumë kërkesa ka për këtë kategori malli, saqë i shet vetëm nëpërmjet telefonit. Mos lemë pa përmendur lajthitë dhe thanat e shumta që gjenden në pemtoren e kësaj familje. Lajthitë shiten të thata, kurse thana bëhet komposto, reçel dhe sidomos lëngu që quhet narden, një aperitiv i mrekullueshëm.

Të paktën një dynym nga toka që disponon, familja e Fatosit i mbjell me perime. Të gjitha gjenden aty, speci, domatja, patëllxhani, qepa, hudhra, kungujt e deri te erëzat. Ata jo vetëm që i ka për konsum familjar, porse përpunohen në forma të ndryshme turshishë, marinatash, apo fërgesa të gatshme. Isha prezent në momentin Kur Makbulja, bashkë me Aishen dhe Mimozën, dibrane që jetojnë në Tiranë, ndalën makinën dhe pasi pasi pinë kafetë, bënë një furnizim në dyqanin e punishtes Zerja. Kaq tunduese ishin vazot e qelqit me reçelna dhe komposto, sa nuk dije kë të zgjidhje më parë. Lëngjet brenda tyre të kuq, më të errët, të verdhë të çelur apo të mbyllur, sikur të magjepsin. Zonjat blenë jufka, vazot e qelqit që përmendëm, trahana, gjizë me spece, apo turshi të stinës dhe u nisën për në Tiranë. Të lumshin duart zonja Dashe, bashkë me familjen. Nderon veten, por pse jo dhe Dibrën, si një ambasadore e traditës dhe vlerave të saj. Punishtja jote u bëftë një fabrikë e mirëfilltë, ku të punësohen sa më shumë njerëz!

 

FRUTA TE THATA, BIMË MJEKËSORE

 

Lajthitë dhe arrat janë vetëm disa prej frutave të thata që i gjen zakonshëm në vitrinën e dyqanit. Hoshafi i kumbullave, është një tjetër produkt, por siç e përmendëm është vështirë ta gjesh, për shkak të kërkesave të shumta. Ka kohë që Dashuria po studion me shumë interes bimët mjekësore, duke i futur natyrshëm në koleksionin e saj. Dëllinja dhe boronica, zakonisht të thara, blihen nga banorët e zonës, duke i ndihmuar dhe ata në njëfarë mënyre. Ajo jo vetëm i mbledh, por u njeh pak a shumë dhe vlerat e funksionet. Gjen aty qeska me bishta qershish, që përdoren në problemet e veshkave, sherebela shumë efikase në traktin e frymëmarrjes, hithra shumë efektive kundër artriteve e problemeve te tjera reumatizmale. E pyeta nëse ke njohje me lulen e shtogut, dhe mu përgjigj se akoma nuk e kishte në koleksionin e saj të preferuar. Unë kisha provuar një lëng të mrekullueshëm të përftuar nga lulet e tij dhe i thashë që mund ta eksperimentonte. Jo vetëm që i pëlqeu ideja, por kërkoi të mbjellë dhe një rrënjë shtogu në pemtoren e saj. Ndoshta, ca vite më vonë e gjithë pemtorja mund të gjendet e rrethuar me drunjtë e shtogut, si një kurorë e bukur me lule të bardha.

Disa njerëz vizionarë dhe gjumin e bëjnë të pakët e të trazuar. Ditën punojnë dhe në momente të caktuara të natës, meditojnë çfarë i mungon biznesit që posedojnë dhe si mund të përmirësojnë ndonjë difekt. Vërtet u habita kur brenda dyqanit, pashë një pavjon të vogël, ku ishin ekspozuar veshje popullore të traditës dibrane. Shumica ishin të zonës së Kalasë së Dodës, meqë zonja në fjalë ishte mbesë, nga ky vend me tradita. Këmisha e fustane të qëndisura e të zbukuruara, çentro të punuara me dorë dhe me grep, veshje burrash dhe veshje grash. I thashë se të tilla veshje shumë të bukura i gjen dhe në ekstremin tjetër të Dibrës, në Gollobordë. Bile atje ka dhe punë të bëra me tezgjah, qylyma me zbukurime antike, çorape të mahnitshme me figura e si me fije ari. Ju zgjua kureshtja për të shkuar deri atje, bashkë me të shoqin, Fatosin, një shofer i talentuar, që ka trashëguar profesionin e babait të tij. Këtij këndi të ri, Dashuria mendon ti shtojë dhe elemente të tjerë.

Një djalë i ri nga fisi Gjura i Ushtelenxës, ësht mjeshtër i punimeve në qeramikë. Vazo, pjata, vorba e plot enë të tjera, të zbukuruara e të punuara me shumë kujdes e dashuri. Një pjesë të këtyre punimeve, do të jenë në dyqanin e saj.

Dashje pa dashje ky dyqan po shërben si pikë grumbullimi, si ekspozitë, si objekt turistik, si vend relaksi e kënaqësie, si vend ku evokohet e kaluara dhe antikja. Por përmasat e dyqanit, sado i madh që është, janë tepër të vogla për të përfshirë projektet që gëlojnë në kokën e zonjës së nderuar. Atë e kanë ndihmuar, me ndonjë ndihmë modeste CNVP-ja, AGRITRA Vizion, SNV, AZHBR-ja si dhe shoqata e fondacione të ndryshme. Por ajo duhet mbështetur më shumë, pasi dhe ajo po ndihmon mjaft dhe të tjerët. Duke tërhequr prodhime e punime të zonës e më gjerë, Dashurie Zerja po bëhet de fakto një kryetare e zonja e grave fermere dhe të atyre të traditës.