Një  herë  në  njëqind vjet  lind Dibra e Madhe…
MahmudHysa


Jeta i ka të papriturat e saj dhe shpesh na befason edhe atëherë kur nuk e pret. Kështu ndodhi me mësuesin tim të klasës së tretë të vitit shkollor 1952/53, në Shkollën “Skënderbeu”, sot shtëpia e Zimi Hames. Ishte një çun i ri. Mësues me përkushtim. Energjik. Kurrë nuk u ul në katedrën e tij. Nga fillimi i orës e gjer në fund të saj, vetëm se fliste, për të na dhënë dije në të gjitha lëndët, duke e mbushur dërrasën e zezë me sqarim. Kur mbaronte ora, shkuma i dilnin nga goja.

Mësuesi im vdiq para një viti në moshën 82 vjeçare. Për vdekjen e tij më lajmëroi Dr.Afrim Maqellara, që ishte edhe mjek familjar i tij. Edhe pse kaloi një vit që s’është më, në Dibrën e Madhe ku lindi dhe hodhi shtat, shpeshherë kur kalojmë nga bulevardi, kthejmë kokën në dyqanin e Ilmiut, ku ai bënte pushimin dhe ç’malleshte me shokët. Po kush ishte mësuesi im, që doktoroi në vitin 1980 në Universitetin e Prishtinës dhe fitoi të gjitha titujt e gradat akademike deri në profesor i rregullt. Prof.Dr. Mahmud Hysa u lind në Dibër të Madhe më 1934. Filloren e mbaroi në vendlindje, tetëvjeçaren në Tiranë, të mesmen, normalen në Shkup dhe Tetovë për tre vjet, sepse ishte nxënës ekselent. Pas mbarimit të normales punoi një vit shkollor në Forinë të Gostivarit, sipas emërimit të Ministrisë së Arsimit. Vitin tjetër transferohet në Dibër. Studimet i vazhdoi në Beograd në Fakultetin Filozofik, Dega e Albanologjisë, ku u diplomua në vitin 1957. Pas diplomimit ligjëroi në tetëvjeçare në Dibër, gjersa u hap gjimnazi. Vitin e parë në gjimnaz punoi vullnetarisht bashkë me Prof.Nehat Bellçishta, Bardhyl Cami, Muhamet Paçuku, Zhivko Sarevski etj., pa të cilët nuk do të hapej gjimnazi si shkollë e mesme në Dibër. Hapja e gjimnazit ishte një sihariq për Dibrën, sidomos për ata nxënës që nuk kishin mundësi financiare të shkolloheshin jashtë qyetit. Këtu Prof. Hysa dha një kontribut shembullor se si duhet të punojë një pedagog kur ka vullnet të ligjërojë edhe lëndët jashtë specializimit. Gjenerata jonë, po edhe ato pas nesh, në mungesë të profesorëve për disa lëndë si histori, psikologji, logjikë, rendin shtetëror etj., ai i ligjëronte shkëlqyeshëm, sepse edhe i tillë ka qenë gjatë gjithë shkollimit. Ai shpesh na thoshte se për këto lëndë unë përgatitem një ditë më parë sikur të jem para profesorëve. Kjo na jepte vullnet. Dhe ne, të gjeneratës së parë, me plotë bindje themi se çdonjëri të ishte regjistruar në akademi apo fakultet për gjuhë dhe letërsi, të gjithë do të kishin suksese…

Prof. Hysa nxori gjenerata e gjenerata, të cilat dhanë dritë për kombin, që aq i mungonin. Por rezultatet e profesorit janë edhe në veprat studimore që arrijnë mbi 25, përmbledhje të veprave të shkrimtarëve shqiptarë dhe botërorë . Shkrimet e tij shkencore janë me qindra e qindra të shpërndara nëpër gazeta e revista. Jetonte me letërsinë dhe për letërsinë, duke kontribuar në mënyrë dinjitoze me një stil të veçantë. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume. Si profesor në Prishtinë në vitin 1990 u kyç në aksionin për pajtimin e gjaqeve, që i printe Profesori i nderuar i folklorit Anton Çeta. Sukseset nuk munguan edhe pse policia serbe i përcillte në çdo hap. Në një rast, në bisedë me shkrimtarin e madh Ibrahim Kadriu ndër të tjera do të shprehet: “…Kemi marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve në Krushë të Madhe, në Drenicë, në Rugovë, Rahovec e shumë vende të tjera, por si pajtimtar i gjaqeve kam qenë në Smirë të Vitisë, ku i pajtova mbi 20 gjaqe… Mbajta fjalimin qendror dhe e kreva pajtimin.”

Veprimtaria letrare e Prof. Hysës është shumë dimensionale. Ka shkruar për ngjarjet e realitetit politik në Kosovë e Maqedoni. Librat me tema të tilla janë: “Prokrusti modern”, “Orët e liga” dhe “Një Kosovë e Vogël në Dibër të Madhe”, i cili është si dokument i vetëm i rëndësishëm për shqiptarë të Kosovës në pranverë në vitit 1999.

Prof. Hysa sa herë takoheshim më pyeste për dibranët në Amerikë . Edhe ai ka njerëzit e vet atje. Miq, fëmijë të Nehatit, Atliut, Edipit, me qindra nxënës. I dhimben dibranët në Amerikë, në vendlindjen e re. Sa herë ka shkruar për shqiptarë e Amerikës me theks për dibranët. I dhimbeshte Dibra, Dibra e Madhe që zvogëlohej vazhdimisht, por e mbante shpresa se një ditë ky trend do të ndalet. Megjithatë, në një shkrim për gazetën “Fakti”, që shtypeshte dikur, do të shprehet: “Ka jo me qindra, por me mijëra njerëz në Dibër, por jo vetëm në Dibër edhe në viset tjera te banuara me shqiptarë që jetojnë në shtëpinë e vet si në shtëpinë e huaj, shtëpi vetëm për pleq e plaka apo shtëpi vetëm për minj…” New Yorku ka dibranë sa dy Dibra… Të jesh larg Dibrës përmallohesh, të shkosh në Dibër pezmatohesh…” Ka të drejtë Profesori. Unë këtë e ndjej në lëkurën time, sepse me një përllogaritje, atje më dalin më shumë se sa në Dibër vëlla, fëmijë, nipër, mbesa, kushërinj etj., janë me qindra e qindra, të shpërndarë në New York, Conektiukum dhe New Jersi.

Në një bisedë rasti me z.Ruzhdi Lata, shokun dhe mikun më të ngushtë, recensent dhe redaktor i disa librave shkencorë të Prof. Hysës, u pajtuam se profesori ka pasur (singotme) parandjenjë për jetën e tij. Unë ia kujtoj rastin e vdekjes të Prof. Eminit. Në fjalën mortore me rastin e vdekjes së Prof. Emin Pustinës, që e kishte titulluar “Lamtumira e enciklobedistit të njohur kombëtar” në pesë faqe përfundon: “Dhe ne shokët, dashamirët, bashkëpunëtorët, bashkëqytetarët, mësuesët, arsimdashësit, kemi pasur një goditje të rëndë, një shok, një sulm, pse sot duhet të ndahemi nga një njeri, i cili më shumë vepronte, mendonte dhe krijonte se sa fliste”. Pushon për disa sekonda. I përlotur heq fletët nga duart. Duke soditur dheun mbi varr shpërthen: “Shok-vëlla Emin, tani e kam radhën unë, se kam mbetur i vetëm nga gjenerata jonë. Heshtje varri siç thoshte Migjeni. Xhemati e shikonte i habitur… Ndoshta kishte një parandjenjë se po i “sosen” ditët, e pyes z.Latën që është edhe teolog, kryetar i Dibrës.

– Me të vërtetë e kam pasur mik dhe shok të mirë Prof. Hysën, – fillon rrëfimin z.Lata. Me Profesorin unë shpesh këshillohesha. Na lidhte interesi për të kaluarën, të tashmen dhe ardhmërinë e Dibrës në shumë lëmi, në veçanti arsimimi i dibranëve. Prof.Hysa ishte i prerë. Ai që nuk shkollohet, nuk është dibran. Ai duhet të trajtohet si mësues i madh i Dibrës dhe i gjithë trojeve shqiptare. Pasuria më e madhe e Prof.Mahmudit ishte libri, studimi dhe shkrimi me vepra shkencore. Ishte vital dhe vitaliteti i tij u tregua me krijimtarinë studimore që nuk u ndal deri në ditët e fundit të jetës. Shkroi shumë vepra, të cilat më janë të njohura dhe gjenden nëpër të gjitha bibliotekat. Takimi i fundit është shumë interesant. Amanet ma la që të varroset në Dibër, sepse pa Dibrën, ai nuk jetonte. Kjo ishte ditë e diell, pesë ditë para se të largohet nga kjo jetë. Atë ditë m’i kishte sjellë të gjitha librat që i kishte botuar, bashkë me disa artikuj që i kishte botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme. Të njëjtën ditë pasdite më sugjeron të shëtisim disa nga fshatrat e Dibrës. Nuk ia prisha. Hypëm në makinë dhe ia filluam nga fshati Krifcë që ka mbetur me një shtëpi, në Hame me tre kryefamiljarë, Banjisht, Bllatë, Spas, Sollokiç dhe Bohmovë. Në të kthyer vizitojmë bregun e liqenit dhe objektin e ri të gjimnazit, që është me të gjitha kushtet bashkëkohore të një shkolle të mesme. Zemra iu bë mal. Kujtonte vitet 1960/61, kur u hap gjimnazi,në Shkollën “Hoxhë Vogli”me bankat e filloristëve ku u jepte mësim gjeneratës të parë të gjimnazit. Krahasimi ishte si dita me natën. Vizituam edhe të gjitha lagjet ku ai e kishte për zemër të pijë ujë në çezmë në Budulecit. Edhe në këtë shëtitje foli për jetën e tij, sidomos për shkollimin në Tiranë, pastërtinë e gjuhës shqipe… Në  postin që e kam si kryetar i komunës, këshilltar kryesor e kam pasur zotni Mahmudin. Kërkesat e tij, që të kemi një Dibër ndryshe, ishin shumë të mëdhaja, sepse e deshte qytetin të përparojë, të ketë punësime, të mos largohet rinia, sepse e ngritëm një Dibër në Amerikë. Thuajse binte në depresion kur përmendej emigrimi. U gëzoheshte punimeve në infrastrukturë në qytet. Personalisht jam krenar që Dr.Hysën e kam pasur shok dhe mik të mirë, sepse në shoqëri me të kam mbaruar një fakultet të dytë. Dhe mirë bëra që ia plotësova dëshirën e fundit për Dibrën, sepse ndoshta sikur e ndjente vdekjen se i është afruar, – përfundon z.Lata.

Edhe miku i ngushtë, shkrimtari Ibrahim Kadriu, në komemoracionin kushtuar Prof. Hysës foli gjerë e gjatë për krijimtarinë studimore, me qasje për letërsinë dhe përmendi se profesori ditën e vdekjes kishte bërë shëtitjen e fundit në sheshin e Prishtinës, të cilin e krahasonte me Tiranën, kryeqytet i Shqiptarëve. Kjo na shtyn të mendojmë se ai ka pasur një parandjenjë se do të largohet nga kjo botë pa bërë zhurmë.

Ndaj mund të themi se Prof. Hysa tashpërtash është i papërsëritshëm, emri i tij nuk do të harrohet sa të jetë jeta, njerëzit e tillë i ndriçojnë veprat, do të mallëngjehet Dibra e Madhe ku lindi dhe u rrit, do të mallëngjehen nxënësit e studentët ku ai shpërndau dijen. Do të mallëngjehemi të gjithë dhe përgjithmonë.

Në varrim e përcollën gati gjithë qyteti i Dibrës, miq, shokë , nxënës e studentë, thujase nga të gjitha trojet shqiptare si nga Shqipëria, Kosova, Maqedoni gjer edhe nga Presheva. U varros në lëndinën pranë shokëve të idealit si: Prof. Emin Pustina, Bardhyl Cami, Lutfi Marku etj.

Kortezhi ishte i gjatë, nga rruga e Peshkopisë gjer të çezma e varrezave, që përcilleshte nga një re e zezë nën qiell.