Funeral i të gjallëve apo jetë e të vdekurve?


Nga prologu i librit:

Ky është një roman i ri i imi, personazhet enigmatikë të të cilit kanë rastisur po aq dembelë sa edhe autori. Të paktën, deri tani, më shumë mendojnë sesa flasin. Do më duhet të rri në cep të skenës, nganjëherë të hyj e të dal mes tyre, t’u zë vendin në kolltukun e preferuar, t’ua ndërpres në mes kuvendimet pasionante apo t’ua ndez me dru të lagur oxhakun rreth të cilit ulen kur unë nuk e kam mendjen te ata, por te botuesi im, akoma imagjinar. Në ndonjë rast do më duhet të hyj edhe në dhomën e tyre të gjumit me një qiri në dorë dhe me njëqind mendime të padenja në kokë.

Gjithçka nisi një ditë prilli kur njoha Evën, një piktore e sapodivorcuar. I shoqi ishte bindur që ajo e tradhtonte me dy karakteret e përhershëm të pikturave të saj dhe trupi gjykues, pasi kishte shqyrtuar imtësisht krijimtarinë e piktores, i kishte dhënë të drejtë. Një çift të cilit Eva i kishte kushtuar tërë jetën e saj të artit. Karakteret kishin filluar të plakeshin bashkë me Evën. Në vizatimet e para ata ishin aq të rinj dhe në të fundit flokët e tij ishin rralluar dhe balli rrudhosur, ndërsa gjysma femërore e çiftit kishte humbur ndriçimin e syve. Ngjyrat sa vinin e zbeheshin dhe kish qenë ky momenti kur Eva kishte humbur komunikimin me ta. Telajua nuk u përgjigjej më pyetjeve që ajo i bënte. Sa më shumë detaje shtonte në portretet e tyre, aq më shumë ata refuzonin t’i flisnin. Dhe, natyrisht, për një artist kjo është e tmerrshme.

Kështu, pasi kishim bërë dashuri për herë të parë me Evën, i premtova vetes se duhej me domosdo ta nxirrja atë grua të bukur nga dëshpërimi që i kishte falur heshtja e dy karaktereve të paemër të pikturave të saj.

I bajatepsur nga përditshmëria dhe i bajalldisur nga njerëzit e lëshova veten në krahët e një ideje që feksi pa shumë bujë brenda meje. Vendosa t’ia vjedh Evës dy karakteret e pikturave të saj dhe t’i shndërroj në personazhe të romanit tim për të zhbiruar më thellë drejt asaj që Eva, edhe pse krijuese e tyre, nuk dinte për ta. Letërsia, ndryshe nga piktura, të jep mundësi të bësh çfarë të duash me personazhet e tu dhe t’ua ndryshosh fatet e destinin sa herë të duash, disa herë edhe kundër dëshirës së tyre.

Evës iu duk shpresëdhënëse ideja.

Fillimisht m’u desh t’iu gjeja një emër personazheve të mi të rinj, aq të vjetër për Evën. Vendosa t’i quaj Maria dhe Martin. Por nuk mund t’i lija vetëm. Druaja që mund të bija në grackën e heshtjes së tyre edhe unë. Unë nuk do e lë Marien time të shkojë vetë drejt shinave si Ana e Tolstoit. Të paktën, jo përpara se të më ketë dhënë të gjitha shpjegimet që në telajo ia ka refuzuar Evës për shumë vite me radhë. Kurse me Martinin gjërat janë më të thjeshta. Personazhet meshkuj zakonisht janë të bindur dhe shumë rrallë shfaqin tendencën për t’i ikur nga kontrolli autorit. Më duhej edhe një personazh i tretë, i cili jo vetëm do të thyejë heshtjen e çiftit, por do më shërbejë mua edhe si informator. Hë për hë nuk di asgjë për këtë personazh që e kam pagëzuar Marko. Dhe, për të shmangur ndonjë ndërlikim të paparashikueshëm të ngjarjeve brenda dhe jashtë romanit, kam vendosur që Marko të hyjë në librin tim në trajtën e një të vdekuri. Nganjëherë njerëzit fillojnë të jetojnë pikërisht kur nuk janë më. Ndoshta edhe Marko.

Paskëtaj Eva do të çlirohet nga heshtja vrastare e karaktereve të saj dhe, me pak durim më shumë, mund të bëhet krejtësisht e imja.                    

Artan Gjyzel Hasani