Rruga Burrel-Stelush-Peshkopi, një projekt që do rigjallërojë turizmin


Kohë më parë jemi njohur me 45 kërkesat për Dibrën, “zbuluar” nga kryeministri Rama, të bëra publike po prej tij. Mbetemi vetëm në leximin e tyre dhe asgjë s’mund të heqim, veçse të mendojmë se cila nga ato duhej të vendosej më parë, e cila më pas. Sidoqoftë, kryeministri i ka në dosjen e tij dhe shpresojmëtë jenë të parat konsiderata të punës së tij. Ajo që na vë në dilemë është tjetër gjë: A janë këto kërkesa vetëm për dibranët (bulqizakët), apo edhe për matjanët (klosjanët)?! Ndoshta kjo do të përbënte një temë më vehte, por i përmbahemi asaj që cituam në titullin e shkrimit: “Një kërkesë shtesë për dibranët”. E kemi fjalën për zonën e Katër-Grykëve deri në Muhurr, Mbas-Dejen deri në Lurë, pllajat me fshatrat e banuara rreth maleve të Dejës, Runjës dhe Balgjajt, ku përshkon rruga Burrel-Stelush-Peshkopi dhe disa nga resurset që përfshihen në këtë zonë.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, ish-kryeministri Berisha, në prani të shumë matjanëve, preu shiritin e inagurimit të rrugës Ura e Matit-Lis. U pëshpërit në atë kohë, se vetë Sali Berisha, edhe pse mburrte arritjet e qeverisjes së tij, për rëndësinë e kësaj rruge, nuk ishte shumë i lumtur, për faktin se rruga ishte premtuar të përshkonte Vigun, Kalanë e Stelushit në hyrje të Qafë-Murrës, në qendrën e ish-komunës Selishtë dhe të lidhej tek Ura e Drinit, në Muhërr me Peshkopinë. Gjithë kjo, sipas projektit, ishte me një gjatësi prej 52 km, projektuar nga specialistë të fushës dhe e propoganduar me entusiazëm nga përfaqësues të komunitetetit, deputetë dhe ish-kryetarë komunash. Pra, u inagurua një segment prej 10 km, ndërkohë që aritmetika na nxjerr diferencën prej 42 kilometrave, në të cilat jo vetëm nuk u bënë punime dhe asfaltimi i premtuar, por në gjithë këto vite, rruga nuk ka patur asnjë lloj mirëmbajtje nga Enti Kombëtar i Rrugëve. Si për inatë vitet e fundit, kjo rrugë, nga nacionale që ishte, ka kaluar rrugë rurale, në varësi të pushtetit vendor, ku përveç bordero-pagesave për ca “tanët”, pushteti as që kujtohet, nëse ka apo jo rrugë.

Dëshmitë dhe realitetin nuk mund t’ia fshehim publikut, pasi ai e ka jetuar, por as brezave të cilëve u nevoitet, madje e kanë dhe ëndërr. Rruga Burrel-Stelush-Peshkopi është projekt dhe realizim i kohës së Zogut, vazhdim i rrugës Krujë – Qafë-Shtamë – Burrel, realizuar thuajse e tëra me forcën e krahut. Kjo rrugë plotëson gjatësinë prej 2437 km, të bërë në atë kohë në shkallë vendi. Këtu nuk ka as pak nostalgjizëm, por jemi para një realiteti, që kurrë nuk është njohur dhe pranuar, sa e rëndësishme ishte dhe është kjo rrugë?

Dibranët dhe matjanët i njohin mirë faktet dhe kohët, me rrugë, pa rrugë. Bëhet fjalë për rrugë para e pas çlirimit të vendit, ku lëvizja e njerëzve shpeshtohej dhe plotësimi i nevojave të tyre bëhej më i mundshëm. Rruga e parë automibilistike me Dibrën, nuk ishte e paqëllimëshme për ta kaluar nëpërmjet Stelushit. Zona u gjallërua. U shtuan më shumë lidhjet e bashkëpunimit midis fshatrave e zonave për punë dhe interesa të përbashkëta, si dhe ato miqësore. Në monizëm gjithë kjo zonë, meqenëse u përshkua nga segmente rrugore, u përfshi në projektet për menaxhimin e industrisë së pyjeve-kullotave, gjeologji-minierave, tregetisë etj. Nisur nga Vigu e Mbas-Deja, Lura, Balgjaj e Prati i Selishtës, punonin mbi 3000 punonjës në sistemin e industrisë, pa llogaritur bujqësinë e blegtorinë. Sot gjithkush mund të shtrojë pyetjen: “Ç’bënin kaq shumë njerëz në “këto male”? Pyjet e virgjëra të gjithllojshme shfrytëzoheshin dhe mirëmbaheshin sipas traditës e ligjit. Me shtimin e kuadrove pyjorë ndër vite, kur lënda e drurit u bë burim të ardhurash, kjo zonë pati interesimin e qeverisë, u shtuan rrugët dytësore dhe u rrit kujdesi për mirëmbjtje të vazhdueshme. Pas kërkimeve gjeologjike nisën shfrytëzimin minierat e kromeve në Balgjaj, Kacní, Mbas-Dejë dhe miniera e Gurit të Kuq në Muhërr. Nga shfrytëzimi i gurit gëlqeror të zonës u përfitua lëndë e parë dhe sasi e konsiderueshme gëlqereje që u fut në ndërtim për qytetet Peshkopi e Burrel dhe ndërtimet për entet e familjarët që numerikisht u rritën në 4-5 dekada. Studimet gjeologjike vendosën një sëri piketash për minerale të rralla. Objektet e ngritura në formë pallatesh në Vig, Vanas, Balgjaj, Kacnì, Mbas-Dejë i dhanë zonës më shumë jetë dhe mundësi turistike për t’u shfrytëzuar, pavarësisht se turizmi i mirfilltë nuk aplikohej. Në shpatin e liqenjve të Lurës u ndërtua kampi i pushimit. Në këto pllaja e gryka ishin me dhjetra baxho për përpunimin e bulmetit dhe mali kishte gjallërinë e tufave. Këto nuk i cilësojmë si nostalgji e kaluar, por si një nxitje e detyrim që të imponohej prej njerëzve, të cilët edhe në kushtet e një vështirësie të sistemit, i jepnin jetë zonës me forcë e kurajo, por edhe me shpresë. Kepi i Bizës dhe pyjet e Xhelasit kanë qenë të përmendura për dhitë e egra, kaprollët, gjelin e egër e një shumëllojshmëri faune, që e gjeje rrallë në vendin tonë. Shpërdorimi i pyjeve dhe zjarret që vijnë prej “ligësisë”, afër e larg, thuajse e kanë degraduar ekosistemin e këtyre anëve, aq sa shtetarët nuk e kanë për gjë të shkarravisin deri dhe projektet e rrugës duke i lënë në sirtare pluhurash, të prishin muret mbajtës ekzistues, paçka se të shumtat kanë qenë të bëra me gurë mermeri të gdhendur nga duart e arta të puntorëve, specialistëve, mjeshtërit e zonës.

Pas viteve ’90, siç shpresohej në nisiativën e lirë, këto zona nisën të gjallërohen. Banorët iu futën punës, me plot besim nisën të shtojnë tufat me blegtori duke i kushtuar rëndësi malit e kullotave si pasuri e trashguar me vlerë të madhe. Të huajt u bënë vizitorë të përvitshëm. Megjithëse pushteti e la në dorë të lirë, nga ku pati vetëm shkatërrime, të huajt nuk i ndahen kësaj zone për çdo vit, që do të thotë se këtu ka se çfarë tërheq, ndaj duhet rikthyer edhe vemendja e qeverisë. Deri më tani palët qeverisëse kujtohen vetëm në kohë fushatash! Ku janë sipërmarrësit e politikës që rrahin gjoksin? Ku janë vendasit e “zgjedhur”, forca e përfaqësimit, që e njohin zonën, njohin klimën, favoret e mëdha që ka falë perëndia për njerëzit e kësaj ane? Të gjitha këto harrohen, kur nuk njeh përgjegjësinë e votës për sipërmarrjen që bën dhe nuk njeh përgjegjësinë ligjore para institucioneve të shtetit, duke u kthyer në tradhëtor, jo vetëm të votuesit, por të kolegëve e subjektit politik që i përket.

Ardhja e demokracicë në Shqipëri ishte shpresë e madhe. Mundi dhe ekonomia, për të cilat populli thoshte “po ikën si uji nën urë”, mendohej se do të shkonte te mundçarët, punëtorët hallexhinj dhe djersëhumburit, te fëmijtë e tyre, të cilët pse rriteshin në këto vende me pasuri të rralla, mirëqenia u kalonte tangent, për s’dihet se ku!

Ç’PO THEMI?!

Kush nuk ka dëgjuar për Malin e Dejës, Balgjajn, Runjën dhe pllajat që shtrihen midis këtyre maleve, të banuara që në hershmëri apo dhe të pasura e piktoreske? Shumë kush që nuk e ka njohjen e duhur për këto zona, do të shpreh edhe habi: si  ato u lidhën që në fillim me rrugë makine! Habia më vjen edhe tani, pikërisht tani që po shkruaj, disi s’po më bëjnë duart, pasi shumë gjëra nuk dua t’i besoj. Vendlindja ime është Vigu, ngjit me Kalanë e Stelushit, që fëmijë, ende pa shkruar, brezat më parë na folën për Kalanë, historinë e Skënderbeut, të nënës e babës së tij, të nip Hamzait, si e tradhëtoi duke treguar vendin se nga mund të merresh kalaja prej pushtuesëve, si kërcei me kalin për të kaluar Përroin e Shalcës, në anën tjetër të malit, ç’ishin arat e bashtenat e Kastriotëve, si ishin të emërtuara, pse quhej Guri i Vashës, si i zbrapsi këtu forcat turke të kryesuara nga Dervish Pasha, lidhjet e familjes së Kastriotëve me fshatrat e zonës etj. Zbulimet arkeologjike të vitit 1967 në Varosh, kur unë isha nxënës në tetëvjeçre, do të më pasuronin gjithçka thuhej për të parët tanë autoktonë në këto zona.

Stelushi (Istellus), është Kalaja më e madhe në Qarkun e Dibrës, vendbanim i Kastriotëve, e njohur nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, që kanë shkruar e mbrojtur desertacione për punët studimore-shkencore. Me Stelushin lidhen pronat, ngritja dhe lulëzimi i familjes së Kastriotëve, puna e marrëdhëniet me fise e shtete të tjera, luftrat dhe trimëritë për mbrojtjen e flamurit e dinjitetit të kombit shqiptar. Të gjitha rrugët e njohura të karvaneve të herëshme kalonin në këtë qytezë. Këtu ishte pazari, selia e familjes, spahijtë dhe adaletet (dokumentet e shtetit, nga ai i Arbërit). Këtu janë gjetur gjurmë të shtetit mesjetar ilir, relike e bazorelieve që flasin sikur “me gojë”, për jetën dhe funksionimin e të parëve tanë, nën organizimin e një shteti të mirëfilltë, me lidhje të gjata në perëndim e lindje. Nëpërmjet dhjetra kishave që e rrethonin Stelushin, gjejmë gjurmët dhe format e besimit mbi fenë, si ka vepruar ajo në kushtet e luftrave dhe mungesës së predikuesëve, por edhe shpërndarjes së popullsisë. Këtu është Shën-Trinia, së cilës i përket shkrimi i parë shqip, Formula e Pagëzimit më 1462, shkruar nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli. Mu në majë të Malit të Shën-Mërisë, ku sot janë antenat e operatorëve televizivë, ka qenë e vendosur Këmbana e Kishës, lidhëse e orientuese për kishat Mat e Dibër dhe më gjërë. Në atë vend u mblodh kuvendi i vitit 1596, për organizimin e luftës kundër pushtuesëve turq, me mbi 1500 delegatë dhe që përgatiti 6 vite më vonë Kuvendin e Dukagjinit, 1601-1602, me pjesëmarrje e përfaqësim nga gjithë trojet shqiptare. Këtu e përgjatë  Shkallës së Deshëve, mbeti vijë ndarëse ku pushtuesit serbë, më 1913, nuk u lejuan të depërtonin më në thellësi të Matit. Pikërisht këtu është aksioni i parë i çetës partizane të Matit, shtator 1942, në pritë kundër fashizmit. Stelushi, Kalaja e Çidhnës dhe objekte për rreth janë shpallur “Monument Kulture”. Këtu është vendi që zoti e ka bekuar me bukuri e pasuri, por që njerëzit me pak njohje e vizion, i kanë kthyer shpinën, duke e lënë në harresë e prapakrahëve, në “dorën” e disa ekspeditave të pamëshirëshme.

Ç’U BËNË PROJEKTET?

Na qëlloi të rrugëtojmë drejt Burrelit me Bujar Karoshin, djalin e Dibrës, që banon në Tiranë. Ka ngritur e drejton një studio grafike dhe, së bashku me intelektualë të Dibrës, përgatit e nxjerr gazetën mujore “Rruga e Arbërit”. Tymi i zjarreve anë e kënd shpateve, që larojnë me vatra të mëdha, të zeza, kish pushtuar edhe luginën e Matit, që në Grykë të Shkopetit. “Na lodh biseda, na këput po aq sa vapa me tymnajën, që nuk i ndahet këtij vendi për asnjë çast”! Gjithë këto vite të “demokracisë”, kjo zonë është folur e përfolur. Me vlerat e saj është luajtur dhe spekulluar prej njerëzve të veshur me pushtet. Ajo që të ngjall keqardhje, mëri e inatë, është pasimi i qeverisjes dorë më dorë te të paditurit. Shumë nga vlerat janë tjetërsuar dhe po humbin. Bujari është nga Fushë-Aliaj, mu në buzë të Drinit, 12 km nga qyteti i Peshkopisë. Ndërkohë, ai thotë se nuk ka rrugëtuar asnjëherë në jetën e tij, nga Muhurri për në Burrel, në xhaden e vjetër. E çuditëshme, kur kjo rrugë është sa gjysma e rrugës Peshkopi-Bulqizë-Burrel, ndërkohë nëpërmjet rrugës nga Selishta e Muhurri, hapur para 80 vitesh, shkelën së pari herë gomat e makinës në Dibër.

-Sa janë si unë, -thotë Bujari, i pizhmanuar dhe si humbës i gjithë këtyre viteve.

Vërtetë dibranët kanë lëvizur shumë edhe me familje në këto vite, por dibrani është punëtor, është i lidhur me pronën. Të shumtët nuk i kanë lënë tokat djerrë, por as pemët, aq më tepër pemët që i kemi në traditë.

-Të jetë funksionale kjo rrugë, do ishte vërtetë një mundësi dhe fitore, -shton ai në bisedë.

Nuk vonon të theksojë se popullsia e Dibrës ka qenë dhe është mbi 60% përgjatë Drinit, në perendim të qytetit të Peshkopisë, që do të thotë se asfaltimi e mirëmbajtja e kësaj rruge ka qenë lehtësuese dhe mjaft favorite për zhvillimin e Dibrës.

-Po lobojmë shumë për Rrugën e Arbërit dhe s’kemi arritur, veçse zhgënjimin deri më tani, -dëshiron të prononcohet Bujari, si një nga kuadrot dibranë, që është lodhur duke ngritur zërin e shkruar për ‘të. Kjo nuk don të thotë se rruga nga Qafë-Murra, për të cilën bisedojmë, të lihet në shkatërrim. Kjo për qeverisjet e këtyre viteve ka qenë dhunti. Ka një shtrat me taban të sigurtë, nuk do shpenzime, përveç shtresës së asfaltit, shkurton ndjeshëm kohën në lëvizjen e njerëzve të zonës dhe nxit në drejtim të resurseve.

Siç mëson nëpërmjet shkrimeve e librave, tek bisedon me intelektual vendas, kur kalon në këto anë, kjo rrugë nuk u bë shtegtisht, por e mirëstudiuar në vlera e resurse. Pllajat e Pratit, të Runjës e të Vanësit, të  Bizës që lidhen me liqenjtë e Lurës, Xirja e Linosi, Kroi i Bardhë e Kroi i Araut, shpatet me aromën e dredhëzave e mjetrave, boronicat, gjithllojshmëria e drurëve, e bëjnë këtë vend përrallor. Fatkeqësisht dora mjerane, prej vitesh ka goditur me ashpërsi, por pritet një dorë e butë njerëzore, që njeh dorën e zotit, t’ia  përsëri, gjithçka ka humbur ky vend, si pasuri të brezave që vijnë, vlerë e krenari për Shqipërinë. Këtë e bën dashuria dhe ndërgjegjia e njeriut me kokën mbi supe, por kur të mos ketë mbi shpinë militantët pa mend në kokë që, sa t’u lëshojë zërin partia e vet, të lëshohen me të katra.

Në këtë barbarizëm kanë dorë, të përzgjdhurit militantë partish, ndonjë edhe sot nëpër njësitë administrative, skelete të komunave të mëparëshme, thuaj në daç të ish-kooperativave bujqësore. Është kjo arsyeja, pse populli i zonës me raste, duke mos ditur tjetër, bën lojë me alegorinë e tij.

-Mos ma pe kaun (mëzatin) sot?

-Jo për besë! A i ke dhanë zabelit?

-S’dijë kah ka morë.

-A e ka kmonën?

-Padé, ku e ka ngatërru… a, ndoshta i ka hi’ noj shtupë xhethi….

S’ka nga ata burra tani, që ta kapi fjalën pa e nxjerrë në buzë, -të thonë burrat e “vendit”!

Gjithë këto vite kontaktet e njerëzve që kanë tentuar të bëjnë një sipërmarrje, qoftë edhe në fushën kulturore apo historike, kanë gjetur pengesën në naivitetin e drejtuesëve komunalë dhe përfaqësuesëve të vet, të cilët kur është puna për të kërkuar votë, “të lahen e të lyhen”, ndryshe marrin autoritet bajraktari, duke u kthyer në “fallso” e të papërgjegjshëm, ku shumica e kanë patur mendjen ose kanë dashur të mësojnë si vidhen e përvetësohen 2 lekë të “fakirit” popull, siç e kanë kthyer e paragjykuar menjëherë pas zhvatjes së votës!

Këto janë dialogjet e bisedave me banorët e zonës për drejtimin dhe organizimin gjithë këto vite, por … “me kë e ke”(?), pyesin përsëri veten banorët, të lodhur e krejt siklet nga një qeverisje bajate, shpërfillëse, që s’e mori asnjëherë përgjegjësinë e duhur për menaxhimin e pasurive dhe drejtimin e vendit. Projektet në fjalë janë bërë e ribërë. Janë bluajtur në “garroçe” deputetësh, por veçse në kohë premtimesh, deri sa është arritur marrja e mandatit. Thuhet, se 3-4 muaj më parë dy bashkitë, Dibër e Mat, kanë dorëzuar projekte të reja për rrugën në fjalë.

-Janë dorëzuar! -të thonë si me gjysëm zëri, por… mèken për ta thënë me plot gojën: Të gjithë të kontribojmë për rrugën, për zonën që ta ripërtërijmë me gjithçka të bukur e të mundëshme. Duhet ndalur dora e lirë e njerëzve të pandërgjegjshëm, të afërt me qeverisësit mediokër që nuk njohin ligj e shpirt, godasin sa munden pasurinë e mbi 50 mijë hektarëve të ekosistemit që mbulon zonën, me pasuri mbi e nën tokë, me histori brezash që na mbajtën gjallë e me krenari si komb. Kërkesa për të ndërhyrë në këtë vend parajse, mendoj se ia vlen të regjistrohet si pikë e 46-të, në kërkesat ndaj kryeministrit, për qarkun e Dibrës, me shpresë se do të ketë vullnetin dhe interesin të vejë rrogatarët në punë, për ndjekje të çdo projekti të mundshëm. Shpresa, vullneti dhe mbështetja e popullit të kësaj zone është e madhe.

* Këshilltar i Bashkisë Mat dhe Qarkut Dibër