Shkolla që i dha frymëmarrje minierës


Bulqiza para vitit 1942 kishte dy lagje Kola dhe Dëriçe, pjesë të fshatit Vajkal. Më 1945 u hap një dhomë mësimi me 4 klasë, e cila shërbeu edhe për kursin kundër analfabetizmit. Më 1953, pesë vjet pas hapjes së minierës, filloi shkolla 7-vjeçare pa shkëputje nga puna, kryesisht për punëtorët e minierës, me një mësues. Më 1955 u ndërtua shkolla me 4 dhoma mësimi,u hap rruga për shkollën 7-vjeçare me shkëputje nga puna, rreth 100 nxënës, ku jepnin mësim 8 mësues.(B.Lami Rruga e Arbërit Prill 2012)

Për 20 vjet qyteti u rrit 30 herë, më 1968 kishte 3268 banorë, numri i nxënësve u shtua, u zgjeruan shkollat fillore dhe 8-vjecare prandaj shkolla e mesme ishte kërkesë e kohës dhe detyrë e ditës.

Pesëdhjetë vjet më parë, më 1 tetor të vitit 1967, një shkollë e mesme pa shkëputje nga puna hapi dyert në qytetin minatorëve me tre degë miniera, gjeologji, elektro-mekanikë. Më 1970- 1971 dolën 34 elektromekanikë,21 teknike miniere e 26 gjeolog. Nxënësit punëtorë si Shefqet Deriçi, Nuredin Dervishi, Faik Shehu, Hasan Deda, Fitore Cani u bënë mjeshtër të vërtetë të prodhimit, një pjesë prej tyre kuadro si Zenel Deriçi, Hysen Voka, Lutfi Loka, Panore Kolloshi, Hasan Gjini, Kapllan Alia, Hysen Hoxha, Abas Deda, Isuf Kurti, Esat Keta, Sabri Cara etj.

Më 1969-70 filloi mësimin shkolla profesionale e Minierave me shkëputje nga puna. Për minierën dhe arsimin e qytetit të minatorëve ishte një ngjarje e madhe. Të rinjtë e fshatrave Zerqan, Shpenzë, Fushë-Bulqizë, fshatrave të afërt me Bulqizën, u jepej mundësia e shkollimit në arsimin e mesëm. Koha do të vërtetonte se shkolla i dha gjallëri e frymëmarrje minierës gjithë jetës kulturore e fiskulturoro-sportive qytetit.

Më 1973 u ndërtua godina e re, përballë spitalit, u siguruan kuadri mësimor i specializuar, laboratorë të fizikës, kimisë,  bashkë me bazën materiale që nevojitej për mësim. Fillimisht shkolla ishte e bashkuar me 8-vjeçaren. Drejtues shkolle ishin Myfit Dervishi – drejtor,  Zymbyle Zeneli e Jonuz Muça –zëvendësdrejtor. Mësuesit e parë ishin Bashkim Lami, Sabri Abdiu, Sejfulla Shehu, Hasan Lami, Hamit Dervishi, Andrea Simo, Ilir Belegu. Lëndët profesionale i jepnin inxhinierët e gjeologët më të mirë të minierës: Jorgo Kola, Agim Dobi, Koço Gushi, Bashkim Lleshi, Vasil Gruda, Hamza Gurra, Rustan Loka, Burhan Lohja, Hasan Bekteshi, Artan Ceka, Fatjon Tuku, Përparim Hoxha etj. Me zgjerimin e shkollës , hapjen e degëve të reja duheshin kuadro të tjerë prandaj erdhën mësues të rinj e me energji, si Zija Ndrukaj, Bedri Karapici, Fatmir Zaraliu, Arben Sinoimeri, Hajri Mandri, Bedrie Dani etj. Në ish shkollën e Vjetër u instalua baza Prodhuese me torno, kombinat druri,  saldatriçe me oksigjen, ku punonte mjeshtri Vehbi Konesha, një punishte çiftelish me mjeshtrin Nazmi Gjoka nga Dushaj i Fushë-Bulqizës. Baza prodhuese i dha ndihmë shkollës me të ardhurat që siguronte. Tornoja prodhonte materiale të imta, për nevojat e minierës. Çiftelitë i merrnin institucionet kulturore të rretheve Mat, Kukës, Mirditë, si dhe shtëpitë e kulturës së fshatrave të rrethit Dibër.

Shkolla profesionale e Bulqizës krijoi e grumbulloi një eksperiencë, falë ndihmës së përhershme e të pakursyeshme të minierës e gjeologjisë, të drejtuesve e kuadrove të saj, si Todo Manço, Llambi Gegprifti, Martin Cukalla, Bujar Pata, Thanas Deda, Ismalil Losha, Bajram Puca, Sefedin Qorlaze, Nazmi Përkola etj.

Shkollës i hapeshin dyert dhe i plotësoheshin të gjitha nevojat për bazë materiale, pajisjen e kabineteve mësimore, realizimin e praktikave, ekskursionet mësimore, transportin e nxënësve e shoqërimin me personel inxhiniero-teknik gjatë praktikave mësimore sistemimin e mësuesve me familje dhe atyre beqarë në hotelet e punëtoreve. Vetë qytetarët, familjarët prindërit mësuesve u krijuan një ambient të ngrohtë e dashamirës, që padyshim ishte pjesë e suksesit dhe rezultateve të mira që e shoqëruan shkollën profesionale të Minierës. Puna plot pasion e mësuesve dhe nxënësve të shkollës i dha frytet e saj.

Në frontet e Minierës u shquan teknikët e rinj si Ilmi Manjani, Mustafa Lami, Bashkim Toçi, Kujtim Manjani, Kadri Zeneli, Hysen Terziu, Fadil Hidri, Islam Uka, Destan Loca, Hajdar Pasha Shpëtim Ferruku etj.20% e nxënësve të shkollës mbaruan Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, ku një pjesë e tyre u bënë drejtues të Minierës si Vehbi Musta, Agim Vargu, Kujtim Gjoka, Fadil Cani, Gëzim Dauti, Petrit Deva, Kujtim Alliu, Afrim Okshtuni etj. Inxhinierë të Pasurimit dolën dhe vajza, si Llomi Kola, Rolanda Dervishi, Luljeta Krosi, Luiza Tuma Natasha Velia, Albana Alla etj. Një grup që mbaruan shkollën e mesme të Bulqizës shkuan në Kinë për të rritur shkallën e kualifikimit, duke u përgatitur për fabrikën e Pasurimit(1971-1972),disa te tjetër në vitin 1977-1978 shkuan në fabrikën e Kalimashit në Kukës për të dhënë eksperiencë e përvojë të fituar në fabrikën e Bulqizës.

Në vitet 1980—1990 shkolla bëri emër shumë të mirë midis shkollave të mesme profesionale në shkallë vendi. Kjo u arrit  në saj të ndihmës së madhe që dha fakulteti Gjeologji-Miniera, shkolla e mesme Përrenjas , mësuesit specialist të shkollës e në veçanti Zija Ndrukaj, Mustafa Sadiku, Hajdar Kacani, Zaim Trupja, Asllan Pata etj. Për 15 vjet Osman Miha (Drejtor) me kolegët e çuan me  përpara traditën e shkollës, punoi me vullnet e pasion për konsolidimin e rritjen e cilësisë në procesin e mësimdhënies. Si autor hartoi tekste mësimore, si Makinat e Transportit I, II (për klasën III-IV; Art-Miniera etj, qe u përdorën në të gjitha shkollat e mesme të minierave të vendit tonë.

Në vitin shkollor 1976-1977 u hap dega e Agronomisë, lëndët profesionale i dhanë Nazmi Puca, Mustafa Kashari e Pëllumb Toska. Në vitin shkollor 1980-1981 u hap shkolla e mesme e përgjithshme, e cila vazhdon të plotësojë nevojat e qytetit me njerëz të ditur. Me përgjegjësi e me përkushtim shkrinë përvojën e tyre mësuesit Nafie Jella, Hajri Mandri, Besa Kata, Bashkim Novaku, Medin Karaj, Sami Rama, Flamur Gjymyshka, Diana Çule, Hamdie Beqiri, Bilbil Bardulla, Nafie Cani, Mukades Muça, Flora Asllani, Shemsi Qoku, Rami Hoxha, Ilir Disha etj.

Në shkurt të vitit 1989 shkolla e mesme e përgjithshme u nda nga Shkolla e mesme profesionale. Detyrën e drejtorit për profesionalen e mori Sadik Damsi,  ndërsa në të mesmen e përgjithshme  u caktua Agim Fejza. Pranë shkollës së minierave u regjistrua një klasë në degën elektrike, e cila u mbyll më 1998. Në vitin 1992 drejtor i shkollës së Minierave ishte Myrteza Kadria; 1995-1996 Zija Ndruka, më 1996-97 për degën Elektrike përgjegjës Afrim Biçi dhe 97-98 Ferit Lala. Këtu mbyllet cikli i shkollës së Mesme Profesionale në Bulqizë, duke mbushur plot 31 vjet.

Gjatë viteve 1967-1998 nga shkolla Profesionale e Bulqizës kanë mbaruar pa shkëputje nga puna në degën Miniera 476 teknikë, gjeologë 64, elektromekanikë 34, agronomë 61. Me shkëputje nga puna bilanci më i suksesshëm kështu në degën Miniera 533, shpim 318, degën elektrike 62. Nga shkolla e Bulqizës kanë mbaruar fakultetin e Minierave e të Gjeologjisë 90 inxhinierë; u zgjodhën 2 deputet të Kuvendit Popullor Dilaver Deda e Kujtim Gjoka. Shkolla ka patur një ansambël artistik i dalluar në shkallë rrethi me këngëtarë e instrumentistë të njohur si Lulzime Gjoka, Hide Jangulli, Jeta Mazari, Dëfrim Mandri, Fllanxa Qupi,  Azem Teta,Myrteza Gjoka, Selim M  Aliu, Fatime Gurra, etj, disa ekipe sportive, pjesëmarrës në spartakiada lokale dhe kombëtare.

Në vitin 1987, 82% e brigadierëve, normistëve, përgjegjësve të sektorëve, ndërtim Miniere, Gjeologji, 95% e punëtorëve të fabrikës së Pasurimit, kishin kaluar nga bangat e shkollës së mesme profesionale (Osman Miha, Kujtime në dorëshkrim, 1989). Teknikët dhe inxhinierët që dolën nga kjo shkollë përbëjnë armatën e punonjësve të kualifikuar në minierën e Kromit “Todo Manço”. Në çdo sektor, nivel, galeri e pus, gjen mundin djersën, rregullin, disiplinën, kulturën e punës të nxënësve që dolën nga kjo shkollë. Ata vazhdojnë t’i japin frymëmarrje Minierës edhe në ditët e sotme. Pas viteve ’90 shumë nga ish nxënësit u bënë biznesmenë,ndër ta Bukurosh Koçi, Latif Miha, Luan Manjani, Eduart Keta etj.

Në shkollën profesionale të Bulqizës kanë dhënë mësim 160 mësues, Një pjesë e tyre kanë kontribuar gjatë gjithë karrierës, si Jonuz Muça, Emir Gjapi, Sejfulla Kata, Nafie Jella, Medin Karaj etj., mësuesit specialist inxhinierët Oman Miho, Jorgo Kola, Mustafa Sadiku, Asllan Pata, Hamdi Haka, Zaim Trupja, pa harruar inxh.Zija Ndruaj që e shoqëoi shkollën e Minierave për 32 vite. Në historikun e shkollës kanë zënë vend shumë mësues vendas dhe të ardhur që me punë e sakrifica kanë mbresa e kujtime të pashlyeshme. Ata u bënë pjesë e gëzimeve të qytetarëve e minatorëve dhe morën me vete respektin shoqëror, miqësinë që do të vazhdoj për shumë kohë.

Mbyllja e shkollës së Minierave për 20 vjet do të krijonte një boshllëk që nuk do të jetë e lehtë për ta rikuperuar. Kaluan afër dy breza, maturanti i vitit 1973, në vitin 2010 mbushi moshën 55 vjeç. Në vitin 2020, më shumë se gjysma e teknikëve të Minierës, dalin në pension. Kush do t’i zëvendësojë ata?Në vitin 2014-15 u hap përsëri shkolla e Minierave, që padyshim është një vendim me rëndësi, që kërkon shumë përpjekje për të fituar kohën e humbur .Dikasteri që mbulon shkollat profesionale duhet të japë shumë ndihmë, përkrahje e mbështetje në këtë shkollë. Mbështetje gjithashtu duhet të japin bizneset në fushën e kromit. Është në interes të tyre ta ndjekin nga afër shkollën, të sponsorizojnë veprimtaritë e saj, praktikat mësimore, pajisjen me bazë materiale për zhvillimin e mësimit sa më normal. Për t’i zgjatur jetën bizneseve të kromit, atyre u duhet që herë pas here të zgjedhin e të marrin në punë punonjës të kualifikuar, inxhinierë e specialist të aftë. Burimi kryesor është shkolla e Minierave. Do të ishte me shumë interes që në vitin e parë të shkollës, ata të kontaktonin me prindërit, nxënësit, t’i ndiqnin gjatë zhvillimit të mësimit, praktikave, kualifikimet, deri në moshën e punës. Kjo do të rriste më shumë interesin e qytetarëve për të vazhduar shkollën e mesme të Minierave.

Aktualisht në shkollën e mesme të Minierave vazhdojnë 114 nxënës, të ndarë sipas klasave: klasa 10 ,18 nxënës, klasa 11 , 38 nxënës, klasa 12 , 23 nxënës dhe klasa e 13 ka 35. Aty punojnë inxhinierët  specialist Naxhi Plaku, Leonard Kazanxhiu, Nexhmedin Marku dhe Luljeta Dervishi. Zyra arsimore e Bulqizës, (siç na tha Kujtim Kërkuti, inspektor) ka dhënë një ndihmë të veçantë e të specializuar për hartimin e planeve e programeve mësimore. Drejtoresha e shkollës mesme të Përgjithshme, Fllanza Skarra (sot shkollat janë bashkë), është optimiste për mësuesit e degës Minerare, pasi janë të motivuar, punojnë për të realizuar objektivat që shtrohen sot para shoqërisë për shkollat profesionale.

Urojmë suksese bashkë me  50 vjetorin e shkollës!

  • Ish zv.drejtor i shkollës Minierave(1974-78)