Vetëm konstato e premto, apo ndrysho edhe realizo?


Të konstatosh apo të premtosh njëra anë më e thjeshta, më e lehta, të ndryshosh edhe të realizosh është e vërteta, dritësimi, vlera më e mirë intelektuale. Është sa e çuditshme, aq edhe e dhimbshme, sa e kuptueshme, aq edhe e vështirë, sa hyjnore në dukje, aq edhe çnjerëzore në praktikë fakti se si ky popull të gjithë ne u besojmë llafollogëve, të pabesëve, servilëve, gënjeshtarëve, hipokritëve, formalistëve, ngjyracakëve e mbi të gjitha karrieristëve. Përse?!

U mbushën plot 105 vite (fakt ky) që populli i Katër-Grykëve të Dibrës ish me rreth 7 mijë banorë, tani rreth 3 mijë banorë, është prerë në besë nga të gjitha qeveritë. Përse? Gjatë 105 viteve ky popull në vlera të çmuara në histori, me dhjetëra dëshmorë e prijsa popullorë, bazë për Mat e Dibër e më gjerë, i urtë e dashamir, një nga nëntë malet e Dibrës e bajrak me Mat, ka mbetur në harresë. 105 vite vetëm një sekretar komiteti ekzekutiv në Dibër, Haxhi Rama, vetëm një zv.kryetar komiteti ekzekutiv Sefer Ramadan Manreka, vetëm një punonjës i thjeshtë në Ministri të Bujqësisë Ibrahim Manreka. Stop. Asnjë deputet, asnjë drejtor, ndonëse ka në dhjetëra e qindra kuadro të lartë, të aftë, krijues e me plot vlera. Nuk është fjala të kritikojmë qeveritë, sepse ata edhe ish të votëbesuarit kritikojnë dhe e demaskojnë vetveten, i kanë ecur në hile, në heshtje e me bërryla si i thonë fjalës Katër-Grykëve të fisnikërisë, Katër-Grykëve të Dibrës. Nëse vështrojmë në histori ndihmesa e Katër-Grykëve, në periudhën e Skënderbeut, gjatë dhe pas, Katër Grykët kanë qenë vend betejash, strehëz për prijësat popullorë të Dibrës e të Matit, lidhje të ngushta me Abdyl Bej Frashërin, Iljaz Pashë Dibrën, Ismail Bej Vlorën, Ahmet Begun, udhëheqësat e qëndresës kundër fashizmit qëndrestarë në të gjitha betejat kundër turqve, serbëve, malazezëve, italianëve. Trimëria e Molla Limanit, prijësit popullor në Nish (Molla Liman Ndregjonit), Molla Bajramit (Haxhi Bucit) që u vra me babë e djalë kundër serbëve, qëndresa e Kurt Strakës, Shaban Margjokës (si Mic Sokoli), Ismail Nikës etj.

Po kështu Katër-Grykët edhe në LANÇ qëndruan, siç i ka hije. Më e çmuara është ajo që Katër-Grykët (Murra) dhe Lukani pritën e mbajtën Hebrejt, Llan Destan Ndregjoni, e Ymer Ndregjoni. Në Katër-Grykë u strehuan prijësit e lirisë. Janë disa baza lufte (disa të pa vëna nga lufta e klasave në monizëm).

Fakt i vërtetë: Edhe në monizëm edhe në të ashtuquajturën demokraci, Katër-Grykët kanë mbetur të harruara. Janë pa rrugë (qysh rruga “Fashizmi” 1938, 1939, janë pa pyje (me pyje të shkatërruara, janë të harruar, të tradhtuar. Dihet se qysh në 1945 janë ndërruar disa kryetarë komune, por secili ka nënshkruar vetëm pabesinë për popullin martir të kësaj zone martire. Përse? Secili është treguar servil i partisë shtet e në demokraci, servil i partive e i qeverive ka udhëhequr, ka bërë sikur punon dhe ka vënë bishtin në shpinë duke ikur për Tiranë, Durrës a gjetkë. Pra, si mund të nderohet një dezertor, një votëshpërdorues, një servil partish, kur popullin e vet e lë në rrugë gropa-gropa të paparë në histori më keq se në Somali, Afganistan a Siri? Të votëbesuarit, të vetëtradhtuarit vetëm kanë konstatuar, vetëm kanë premtuar! Një popull e një trevë nga në të mëdhatë e Dibrës e të Matit (Katër-Grykët) është harruar gënjyer e pushkatuar nga të gjitha qeveritë. Rruga e Arbërit vërtet është kryevepër, por s’ka të bëjë me Katër-Grykët, Qafëmurrën, Lunarën, Selishten, Muhurrin. Nëse hapet rruga Vinjoll-Muhurr mbi 80% e makinave Tiranë-Dibër do të lëviznin nga kjo rrugë, e cila shkurton mbi 36 km në kalimin Mat-Lis, Vinjoll-Qafëmurrë-Selishtë-Muhurr.

Në sa e sa takime, para shumë e shumë deputetëve populli i Katër-Grykëve ka ngritur si problem parësor rrugën automobilistike, Vinjoll-Muhurr. Zotimet, premtimet e bëra janë dëshmi sesi i zgjedhuri, i votëbesuari e baltos veten, sesi le një popull, një trevë nga më të mëdhatë në Republikë si Katër Grykët, pa rrugë. Pra, me sa sy e faqe dërdëllis në parlament a qeveri për turizëm? Për pyjet, kur pyjet e Katër-Grykëve janë prerë janë në kuotën zero, kur në minierë të Kacnisë vidhet kromi më i mirë në Ballkan e populli s’ka as rrugë, as objekte social-kulturore, as shkolla me palestra, as internet, a laboratorë? Këtu, s’është fjala të demaskojmë dikë, apo të kërkojmë qiqra në hell. Jo, kurrë jo! Këtij populli ish kryetarët e votëbesuar, ish deputetët i kanë ecur në hile, kanë konstatuar, janë zotuar dhe nuk kanë bërë asgjë. Të çudit fakti se si deputetët kanë mbyllur celularët, nuk vijnë në zonë të ulen, të veprojnë, të ndryshojnë. Pra, çfarë i duhen deputetët a ministrat një populli kur ai mbetet i harruar, i tradhtuar?! Zona më me vlera të rralla turistike si Prati, 11 liqejtë e Kacnicë, Vanasi, Rynja, Bena, Kanonet e Selishtës të lumit Murrë, Sheshi i Kacnisë e plot të tjera.

Faktet dëshmojnë se të gjithë ish drejtuesit në Katër-Grykë janë vënë në krye dhe secili ka vënë bishtin në shpinë si i thonë duke ikur në Tiranë, Durrës a gjetkë. Po zotimet? Po rruga si mos më keq? Po pyjet e rrënuara? Po miniera e Kacnisë? Po turizmi në ndihmë të zonës e të popullit?! Pra, e vërteta flet kjo nuk kërkon dëshmitarë. Populli i Katër Grykëve është vrarë e rivrarë nga të gjitha qeveritë. Një popull fisnik, trim e bujar, i harruar, pa rrugë, pa pyje, pa minierë, ndonëse i ka të gjitha meritat e pasuritë që ia rrëmbejnë qeveritë e hajdutërisë. Koha dhe e vërteta, tashmë e pranon se ky popull në zgjedhjet e ardhme nuk do të votojë, s’ka përse voton, s’ka nevojë për deputet-lanet, për qeveritarë gënjeshtarë e të pa vlerë. Është dëshmi e aktualitetit se të gjithë të votëbesuarit deri më sot vetëm konstatojnë, zotohen, por askush s’ka realizuar apo ndryshuar asgjë. Katër-Grykët, një popull, një zonë e harruar, e tradhtuar nga të gjitha qeveritë. Koha thërret në skenë guximtarët, të urtët, të mirët, ata që u thonë ndal karrieristëve të pabesisë. Është moto e jetës, e ditës: Vetëm premto e konstato, apo ndrysho edhe realizo?! Lum kush bën ndryshimin, lum kush thotë aq sa bën e bën, atë që thotë! Këtu është çelësi i vlerës, çelësi i dritës së votëbesimit.