“Frymëzimi im” i Dhurim Nazifit


E njoh nipin tim Dhurimin si njeri me natyrë gazmore, i qeshur, me humor të mprehtë, i qejfit, i valles e i këngës në tavolinat familjare. E kam për zemër. Por, kur rastësisht më lanë në dorë disa poezi të shkruara vite më parë, u befasova, më bënë shumë përshtypje, më lanë mbresa. Me kohë u kthjellova e mendja më tha: “Selami, mos u çudit shumë, gjiri ynë i familjes është shtrat për të lindur poetë, artistë dhe njerëz”.

Duke lexuar vargjet e Dhurimit nuk është e vështirë të krijosh në mendje imazhin e autorit. Vargjet e Dhurimit e marrin nismën nga ngjarjet e jetuara, nga emocionet, frymëzimi i çastit, ku Dhurimi trupvogël dhe i imët i ka kthyer ato episode nëpërmjet vargjeve me shumë ndjenjë e dashuri në art.

Ndjeshmëria e tij, prirja natyrale, bëjnë që vargjet e tij të kenë naivitet, melankoli, delikatesë e pastërti, disa herë protestuese, me një protestë të qytetëruar e plot edukatë. Po pa lëshim e me qëndrim moral të qartë e pa mëdyshje.

Vargjet botohen pa iu nënshtruar redaktimit, duke dashur të mbeten këto vargje siç janë, të pastra, të virgjëra e me një stil që është i Dhurimit. Në fund të fundit janë vargje që kanë gjetur rrugën e shpërthimit si nevojë shpirtërore.

Dhurim! Nëse unë jam kënaqur e gëzuar shumë, akoma më shumë janë kënaqur prindërit, familja, fëmijët, të cilët nesër do të jenë krenarë për ty. Po pse jo edhe të gjithë ne.

Selami Nazifi

Pastroju, o flladi im

Dimër ish at’herë, acar i vërtetë

Kur fryni lehtas për ne flladi pranveror

Shiu pushoi dhe u shpërndanë retë

Të gjithë njer’zit morën

ushqimin shpirtëror.

Në revolt’ dy gishte, të gjithë ngritëm lart

Dhe diktatorin njëzëri e dënuam

Europën në nuk donim ta kishim larg

Për këtë ideal së bashku luftuam.

Por sot të drejtohem ty fllad i dikurshëm

Përse merr me vete grimcat e acarit?

A nuk të duket ky një veprim i turpshëm

Të vishemi trashë në mes të beharit?

Pastroju, pra, o fllad e fry prapë si dikur

Kur palltot i hoqëm në mes të dhjetorit

Grimcat e acarit kanë veç një flamur

Jo të Europës, por të diktatorit.

Qyteti im

Të dua qyteti im

Në dëborë, diell dhe shi

Çdo pëllëmb’ më mbush me frymëzim

Dhe frym’ i qet’ marr veç tek ti.

Kur largohem ndonjëherë

Për pun’ pune a pushime

M’duket vetja si i mjerë

Se jam larg vendlindjes sime.

E kur kthehem, lumturohem

Porsi foshnja npreh’r të nënës

Zotit lart i përgjërohem

T’jem me ty n’çdo rrahje t’zemrës.

Shtrat’n e vdekjes një dit’ kur t’zë

Ndoshta n’lindje a n’perëndim

Amanet për eshtrat do lë

T’më prehen veç n’qytetin tim.

Lypësi

Në cep të trotuarit qëndron ulur

Mban një xhaketë të vjetër

dhe një shkop në krah

Njërën dorë shtrirë për t’u lutur

Me shpresën se dikujt do t’i bëjë gjynah.

Përpara syve të tu jeta e gjallë

Me dallgët e saj ti shpeshherë je ndeshur

Ndalet pran’teje ndokush në të rrallë

Por ndonjëherë dhe të kanë përqeshur.

Del çdo mëngjes e largohesh në mbrëmje

Sheh gjithçka por s’trembet kush na sytë e tu

I dëshpëruar shpesh ke thënë me mendje

Kjo botë qenka e keqe veç për mua.

Kur paturpësisht dikush t’ka akuzuar

Ti vetëm qesh pak e me vehte belbëzon

Të kollarisurit po marrin me dy duar

Ndaj një dorë e shtrirë për lutje

s’më turpëron.

Prej mendimeve të mia

s’dua të vuaj

Për mendimet e mia dje më denoncove

Pse s’më pëlqente komunizmi

Sot je përsëri ti që prapë m’u afrove

Të mësosh ç’mendoj për këtë demokraci.

Por unë mendimet prapë i kam të lira

Ruaj demokracinë si delet bariun

Por ti që bukën han veç me pun’ të ndyra

S’je gjë tjetër veç kafshë me fytyrë njeriu.

Unë vërejtje kam për demokracinë

Derisa te njerëz si ty ajo të mbështetet

Vuajta dje pse fjala nuk kish lirinë

Sot s’pranoj mendimi pa shprehur t’më mbetet.

Qeveritarët

Ju që betimin bëni para flamurit

Dhe merrni emrin qeveritarë

Mos luani rolin e të korruptuarit

Se djersa e popullit ka për t’ju vrarë.

Parlamentarit

Ti që dje më vure prangat mua

E për idetë e mia më the tradhtar

Sot vjen t’më kërkosh votën dhe thua

Demokracinë e dua si çdo shqiptar.

Kur të shoh në sallën e parlamentit

Një grusht të fuqish, si Migjeni kërkoj

Të të godas si vaporin dallga e detit

Dhe se prapë në pranga

prej teje do përfundoj.

Prindi dhe hapat e fëmijës

Çdo shkelje e fëmijës në dërrasë të kalbur

Është për prindin një thikë në zemër

Kur e sheh të hedhë veç hapa të matur

Të çliron nga vitet e të zgjat jetën.