KËSHTJELLA NË RUAJTJEN E KUFIJVE LINDOR E JUGLINDOR TË VENDIT


 

KËSHTJELLAT NË MAT

Mati dhe Dibra janë dy krahina të rëndësishme në luftën e popullit tonë me Skënderbeun në krye kundër pushtuesve osmanë. Mati ka qenë krahinë e principatës së Kastriotëve. Në këtë principatë kishte disa fortesa e kështjella. Në një dokument që bën fjalë për dështimin e kryengritjes së Gjon Kastriotit në vitin 1430 dëshmohet se …osmanët pasi pushtuan vendin rrafshuan për tokë të gjitha kështjellat e tij me përjashtim të dy fortesave që i mbajtën për vete.

Në veprën e Barletit gjejmë se Skënderbeu pas çlirimit të Krujës i mbetej vetëm një punë, por e një mundi e vështirësie të veçantë, rrethimi i qyteteve të tjera që kishin rëndësi fort të madhe për mbretërinë e fituar. Këto qytete pas Krujës e Petrelës ishin Petralba, Stellushi, Stefigradi. Ndërsa Petralba, Guri i Bardhë e Stelushi gjendeshin në Mat, Stefigradi ndodhje në Dibër. Skënderbeu u nis nga Petrela për në Petralb që ishte një qytet në Mat, siç thotë Barleti se i ndërtuar mu në një mal të vogël por që si trembet, përveç urisë, asnjë fuqie armike.

Rënojat e Petralbës, që nuk është gjë tjetër veç përkthimi në latinisht Guri i Bardhë, duken akoma edhe sot mbi një majë mali pranë këtij fshati. Pozicioni i kësaj kështjelle të quajtur nga vendasit kalaja e Skënderbeut, është një vend strategjik. Prej saj mund të shikosh gjithë luginën e Matit, deri aty ku bashkohen me lumin e Vrakës, kurse përballë Qafa e Buallit dhe drejtimi për në Dibër. Prania e një qyteze ilire në fshatin Xibër pranë Gurit të Bardhë vërtetojnë se kjo kështjellë është ndërtuar në mesjetë. Ajo bënte pjesë në principatën e Kastriotëve. Atyre u përkiste dhe kështjella e Stellushit për të cilën Barleti thotë se … nga madhësia nuk mund të lavdërohet, por nga mbrojtja natyrore e vendit, … është një mal në fushat e Matit, i lartë në mes të një lugine të bukur. Kjo kështjellë kontrollonte e mbante nën vrojtim një tjetër rrugë që vinte nga Dibra.

 

KËSHTJELLAT NË DIBËR

Barleti duke shkruar për kështjellat shqiptare e veçon Krujën ku thekson se … nuk kanë për themelues asnjë që të zihet në gojë nga të vjetërit. Ai tregon se këto kala u ngritën në maja të larta malesh dhe duke ju përshtatur vendit ato qenë në përgjithësi të vogla, por të forta prej natyre dhe të rrethuara me mure të fuqishme. Kështjella e fundit në këtë drejtim ishte Stefigradi. Kjo gjendet në kufirin lindor të Lidhjes Shqiptare dhe si e tillë ishte nën trysninë e vazhdueshme të ushtrive osmane deri sa u pushtua me tardhëti. Barleti thotë se ajo ishte ndërtuar … si një fole shqiponje në një mal të lartë … i dukshëm nga të gjitha anët dhe i barabartë pothuaj me Stellushin, po ti vish rrotull. Me humbjen e Stefigradit në bregun e majtë të lumit të Drinit, Skënderbeu ndërtoi një kështjellë të re, atë të Modricës. Ajo u ndërtua në një lartësi sunduese e cila kishte një fushëpamje të mirë në drejtim të ardhjes së armikut e që kryente të njëjtat detyra që kishte Stefigradi. Lidhur me pozicionin e saj Barleti thotë se ishte një mal thikë e rrëpirë, i cili për shkak të lartësisë, vështronte përpara tokat e osmanëve në një hapësirë të madhe. Rënojat e Stefigradit sot janë indetifikuar në fshatin Koxhaxhik në jug të Dibrës, ndërsa Modrica mendohet të jetë fshati Moduc në luginën e Drinit. Të dy këto kështjella gjenden jashtë kufijëve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, në Maqedoni.

Me Skënderbeun dhe me luftërat që u bënë në këto krahina lidhen dhe disa kështjella të zbuluara nga ekspeditat arkeologjike. Zbulimet e bëra në Gurin e Pishkashit në Librazhd, i njohur në popull si “Sofra e Skënderbeut” ose “Maja e Skënderbeut”. Në gërmimet e bëra janë nxjerrë materiale që i përkasin periudhës së mesjetës. Këto kështjella me pozicionin e tyre strategjik mund të jenë përdorur nga Skënderbeu megjithëse burimet bashkëkohore nuk i përmendin. Por dimë se në atë zonë janë zhvilluar disa beteja  nga ushtria e Skënderbeut. Nga pozicioni i tyre në kufijtë lindor të vendit vështirë është se janë lënë pa u shfrytëzuar nga Skënderbeu, si pika vrojtimi për betejën e Torviollit dhe pritt e Mokrenës që janë zhvilluan në vitet 1444, 1445 dhe 1462.

Guri i Bardhë, Stellushi, Stefigradi e Modrica gjenden në Mat e në Dibër dhe mbronin jo vetëm këto krahina, por dhe kufijtë lindor e jugor të Lidhjes Shqiptare, si dhe drejtimin për në Krujë. Në ballë qëndronte Stefigradi dhe më vonë Modrica. Kur këto ranë në duart e osmanëve me tradhëti, kështjellat e brendshme e Gurit të Bardhë dhe Stellushi ishin në vijë të parë për mbrojtjen e kufirit lindor të vendit.

 

DY DIBRAT PËR SKËNDERBEUN PATËN NJË RËNDËSI TË VEÇANTË

Lidhja e Lezhës kufizohen nga veriu nga zotërimet e Dukagjinëve e të Zaharisë në lindje nga dy Dibrat të cilat për Skënderbeun patën një rëndësi të veçantë. Rëndësi merrnin dhe krahinat e Mokrës, Ohrit dhe Struga të cilat shërbenin si pikë nisje të ushtrive osmane. Këto toka nga veriu e verilindja kishin si mbrojtje malësitë që ishin gati të pakapërcyeshme. Nga lindja siç tregojnë burimet e shumta osmane dhe bizantine vinin rrugët kryesore të fushatave armike për të pushtuar vendin tonë. Në këto rrugëkalime kishte kështjella të shumta që mbyllnin drejtimet strategjike për në Krujë.

Skënderbeu i kushtoi një rëndësi të veçantë qëndrueshmërisë së kështjellave. Ato duhej të ishin kudroherë të gatshme për të përballuar dhe mposhtur çdo fushatë të forcave osmane. Kështjellat siguroheshin jo vetëm me forca por dhe me armatime e ushqime të bollshme. Në to kishte puse e sera për grumbullimin e ujit të pishëm. Sipas rëndësisë së kështjellës Skënderbeu caktonte komandantët e forcave që të mbronin ato. Në rrethimin e kështjellave osmanët për pushtimin e tyre përdorën të gjitha format, rrugët dhe mënyrat. Ata përdorën të gjitha mjetet e kohës duke përfshirë artilerinë e rëndë, duke u gjendur përballë një qëndrese të fuqishme nga forcat që mbronin kështjellat të cilët sulmit të forcave osmane ju përgjigjën me mbrojtje aktive. Skënderbeu synonte që ti mbanin forcat osmane sa më larg mureve të kështjellave duke i goditur me shigjeta dhe gurët që hidhnin balistat e katapultat. Kur osmanët u afroheshin mureve kundër tyre ata lëshonin gurë, ura të ndezura, ujë të nxehtë dhe hunj me majë të mprehtë. Asnjë kështjellë nuk u pushtua me sulme nga osmanët, as nga paaftësia e luftëtarëve por vetëm me tradhëti. Bashkëkohësit etij dhe kronistët osmanë ishin të detyruar të pohonin se kështjellat shqiptare ishin të pathyeshme sepse i mbronin luftëtarë trima e të vendosur dhe se ishin të fortifikuara mirë. Në veprat e Barletit shohim qartë kujdesin e madh që tregonte Skënderbeu për fortifikimin e qyteteve dhe të vendosjes në to të gjithçkaje që i nevojiteshin luftëtarëve dhe popullsisë që ishte e strehuar për t’u mbrojtur dhe luftuar.

Gjatë rrethimit të tyre në përputhje me taktikën që përdorte Skënderbeu nuk i linte që të përballonin të gjithë peshën e sulmit të forcave osmane nga garnizoni që ishte në kështjellë. Ai kundërsulmonte forcat osmane në shpinë duke i vënë midis dy zjarreve, i gjakoste e raskapiste, u ulte moralin dhe ngjallte panik në radhët e forcave osmane duke lehtësuar punën e forcave që mbroheshin në kështjellë duke mundësuar heqjen e rrethimit. Sulltanët duke ndeshur në një qëndrueshmëri të fortë dhe në një moral të lartë të ushtrisë shqiptare harxhuan forca të pallogaritshme për marrjen e tyre. Edhe pse u muarën me tradhëti Stefigradi dhe Modrica, kështjellat e tjera në mënyrë të veçantë Krujën nuk mund ta pushtonin edhe pas rrethimeve të gjata. Kështjelllat shqiptare veçanërisht Krujën osmanët nuk e mposhtën dot me anë të forcës së armëve. Ato ranë në duart e osmanëve pas sulmeve të gjata atherë kur i mundi uria, tradhëtia e pas vdekjes së Skënderbeut.

Në luftën e pabarabartë shumëvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesit osmanë, kështjellat e fortifikimi i tyre e justifikuan plotësisht kujdesin që u tregua nga Skënderbeu dhe shtabi i tij për to. Ato i shërbyen më së mirë strategjisë e planeve taktike të tij për mbrojtjen e vendit.