Përurohet Zyra e Informacionit Turistik në Peshkopi


Peshkopia ka një Zyrë të Informacionit Turistik në bulevardin kryesor. Zyra e Informacionit Turistik në Peshkopi u hap në kuadër të projektit “Dibra: Turizëm dhe Traditë” (D2T), financuar nga USAID Albania dhe Ambasada Suedeze në Tiranë, zbatuar nga ALCDF në parteritet me Bashkinë Dibër.

Në këtë ceremoni morën pjesë qytetarë të Dibrës, përfaqësues të autoriteteve vendore, shoqërisë civile, grupeve artistike, biznesmenë dhe aktorë të tjerë lokale.

Në një atmosferë festive u organizua ceremonia e përurimit të kësaj Zyre. Përfaqësuesja e ALCDF znj. Lindita Manga përshëndeti të pranishmit në emër të projektit dhe ftoi kryetarin e bashkisë për fjalën e mirëseardhjes dhe përfaqësuesit e donatorëve USAID Albania dhe Ambasadës Suedeze për fjalën përshëndetëse.

Kryetari i bashkisë z. Muharrem Rama vlerësoi projektin dhe punën e bërë për hapjen e Zyrës së Informacionit Turistik dhe punën e stafit të angazhuar në këtë projekt. Gjithashtu, ai falënderoi donatorët dhe theksoi që “turizmi do të jetë sektori prioritar për bashkinë, ndaj bashkia do të vazhdojë të mbështesë nismat dhe projektet që zhvillojnë turizmin.

Përfaqësuesja e USAID në Shqipëri, Znj. Catherine Johnson, shprehu mbresat e saj për peizazhin fantastik të natyrës në Dibër dhe mikpritjen që gjeti në Rabdisht dhe kudo që ka takuar dibranë. Pikërisht, këto vlera janë baza e zhvillimit të turizmit, theksoi ajo, duke besuar që së shpejti shumë vizitorë do vijnë në Dibër, pasi Dibra do të jetë një destinacion turistik.

Edhe Shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim të Ambasada Suedeze, Znj. Birgitta Jansson, vlerësoi punën e bërë me cilësi për rinovimin e Zyrës së Informacionit Turistik. Ajo shprehu vlerësimin për mjedisin e bukur të Dibrës, frymën e bashkëpunimit mes aktorëve dhe kujdesin që duhet të kenë të gjithë banorët për ta mbrojtur dhe kujdesur për këtë mjedis të mrekullueshëm që ka Dibra. Zyra e Informacionit do të jetë ambasadori më i mirë i Dibrës për të promovuar turizmin, theksoi ajo.

Takimi u shoqërua me një larmi veprimtarish artistike nga grupi i valleve, nga grupi i cirkut dhe një koktej me gatime tradicionale dibrane. Pllakatin e Zyrës së Informacionit Turistik e hapi kryetari i bashkise Dibër dhe dy përfaqësueset e donatorëve.

Vizita në mjediset e Zyrës së Informacionit Turistik dhe shënimet në librin e mbresave mbyllën këtë ceremoni.