Takimi i fundit me Rexhep Smaçin


Kurrë nuk e kisha menduar se do të shkruaja një ditë për vdekjen tënde Rexhep! Por ja që ndodhi dhe e paskam mjaft të vështirë, mjaft të pa mundur, pasi lotët në të tilla momente nuk komandohen dot.
Të ikësh fare pa pritur, befasisht në një moshë të bukur ku ende prisnin të gjithë nga ti edhe më shumë, ndarja jote nga kjo botë gënjeshtare na la pa fjalë të gjithëve. Ashtu si për vetë moshën tënde që premtonte jetë, e them sot edhe nga dhimbja, me pikëllim të thellë, se me ty jeta u tregua shumë e pa drejtë, shumë tinzare dhe të mori shpejt nga kjo botë krejt e rrejshme.
U bënë njëzet e ca ditë që jemi pa ty, njëzet e ca ditë që na mungon Rexhep, njëzet e ca ditë që nuk po e dëgjojmë më atë zilen e shpeshtë të telefonit. U bënë njëzet e ca ditë Rexhep që na mungon buzëqeshja jote, bujaria jote, fisnikëria jote, modeli yt i veçantë i të qenit njeri.
Ajo dita e gjashtë shtatorit kur mora vesh për vdekjen tënde ishte e vështirë për mua. Ishte e vështirë se nuk na e krijove edhe njëherë mundësinë të takoheshim siç takoheshim shpesh te Veri, të çmalleshim, të iknim me kujtesën tonë në kohë e vite të largëta, të kujtonim vitet e rinisë, të bëheshim sado pak nostalgjik për vendlindjen tonë të dashur, Shumbatin. Eh! U desh përsëri Veri që unë të marr vesh për vdekjen tënde. Takoheshim shpesh te Veri unë e ti Rexhep. Më binte shpesh zilja e telefonit dhe në ekran shfaqej emri yt Rexhep! Po tani atë zile dhe atë emër në telefonin tim nuk do ti dëgjoj më, ndaj e kam të vështirë sot të shkruaj, ti them dy fjalë zemre, shpirti e malli Rexhep.
U takuam edhe para pesë muajsh bashkë, qëndruam gjatë, i ramë cep më cep fshatit me kujtime, projektuam diçka të mirë dhe të bukur në dobi të fshatit, por ku ta dija unë se ai do të ishte takimi i fundit?
U ndjeva në faj Rexhep, sinqerisht u ndjeva në faj. Unë e dija se je në spital por nuk munda të vija të të shikoja qoftë edhe njëherë të vetme në të gjallë. Jo, nuk munda. Nuk mund ta pranoja që ta shikoja ashtu shtrirë në një dhomë spitali, mikun, shokun, bashkëfshatarin, intelektualin e kompletuar, njeriun e mirë, fjalë pak e model Rexhep Smaçi.
Nejse ky mund të jetë edhe një justifikim i kotë por sinqerisht ndjehem me faj dhe ndaj ky shkrim le të shërbejë edhe si një pendim i madh për mua por tashmë ajo që u bë nuk zhbëhet.
U lindëm të dy në një fshat të bukur, me njerëz fisnik e bujarë por varfëria ishte ulur këmbëkryq në vatrat tona.
Ti ishte ndryshe, Rexhep, ishe krejt ndryshe nga fëmijët e atij brezi. Ishe ndryshe se ishe i heshtur, i qeshur, i dashur me të gjithë e nxënës i shkëlqyer në mësime. I doje njerëzit shumë, e doje jetën!
Por le të dalim edhe njëherë tek shkolla që edhe në momentet e fundit të jetës tënde kur ishe i shtruar në spital mundoheshe t’ju jepje këshilla të gjithëve për shkollën dhe dobinë që kishte ajo .
Po të shfletosh sot të gjitha regjistrat në shkollën nëntë vjeçare “Hasan Leka” Shumbat, nga viti në vit emri yt shënon vetëm notën dhjetë, nuk e njeh fare nëntën. Por në një shkollë të zgjedhur e të kërkoje bursë për ty ishte një tabu, ishte e vështirë. Atëherë ishe ende fëmijë e nuk e kuptoje, por vite më vonë e kuptove dhe ti se kishe një “kleçkë” të vogël. Të parët e tu diku kishin “gabuar”, “kishin shkelur në kallo” shtetin e ndaj edhe ti duhej të paguaje nga ky haraç. Njolla e zezë në biografi të ndiqte pas si hije e zezë kudo ku hidhje këmbën, por ti nuk u dorzove, nuk u përkule, me forcë, vullnet dhe kurajo vazhdove shkollën e mesme në Sllovë. Ishte larg shkolla nga shtëpia jote, rrugë e vështirë, mbi një orë, në ditë me diell e borë , stuhi e furtunë por ti kurrë nuk mungove, kurrë nuk e le një orë mësimi pa zhvilluar, dhe në fund të katër viteve rezultatet ishin shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët. E mbarove shkollën e mesme me rezultate të larta që siç do të shprehej vite më vonë Naim Plaku, mësues i asaj shkolle ”nxënës si Rexhep Smaçi do të mbeten gjithmonë, ndër vite krenaria e asaj shkollës”.
Dhe megjithatë nuk e more mundin dhe sakrificën tënde, nuk ta dhanë vlerësimin. Kishe kusure Rexhep! Kishe kusure shumë që duhej ti paguaje ti në atë moshë të re që sapo e kishe filluar jetën. Po thuaj gjysma e klasës tënde vazhduan studimet e larta. Ishin me nota shumë e shumë poshtë teje. Por ty , njolla e zezë në biografi të ndiqte si fantazmë, të ndiqte kudo.Ti e e kuptove më vonë edhe pse ishe i ri në moshë por ishe i pafuqishëm për ta hequr ndaj e luftove gjithmonë me heshtjen tënde , me zgjuarsinë tënde, me kurajon dhe forcën tënde dhe në fund përsëri ti fitove. Të gjitha përpjekjet që bënin dështuan me turp.
Të dërguan në minierën e kromit në Bulqizë ku u njohe në moshë të njomë me ato zgafellat e frikshme të nëntokës. Nuk di se pse e bënë këtë. Ishte stash, ishte dënim për atë që kishin bërë të parët e tu apo….. Nejse ti si gjithmonë i urtë, i sjellshëm, i bindëshëm pranove me “dëshirë” për të vajtur në Bulqizë. Jeta ishte ndryshe këtu, jo si në Shumbat. Kishte lëvizje qyteti, kishte gjallëri si ditën edhe natën. i shikoje minatorët kur dilnin nga galeritë që nuk njiheshin, ishin sterrë nga pluhuri dhe lagështira e nëntokës. U fute dhe vetë nëpër këto galeri, u fute në një kohë kur duart i kishe të njoma e pa kallo, kur shpatullat e tua ishin tepër të njoma për të shtyrë atë vagon me mineral kromi mbi shina. Punove shumë, djersite, u lodhe, vrave ndonjë gisht e këmbë nga pakujdesia por nuk u tërhoqe përballë vështirësive. Jo pak, jo një një muaj, jo një vit por katër vjet derdhe djersën tënde nëpër galeritë e frikëshme të Bulqizës. Të binte vagoni me mineral kromi nga shinat, të fikej kandili me karbit dhe ashtu , në errësirë, i vetëm dhe pa asnjë pranë i vendosje shpinën e njomë vagonit mbushur plot me mineral kromi. Lodheshe, djersiteshe, vriteshe dhe më së fundi vagonin e vendosje përsëri në shina. Duhej realizuar norma, bile dhe tejkaluar. Paga e jote ishte ndihmë edhe për familjen në fshat. Besoje shumë se një ditë do të dukej drita në fund të tunelit. Besoje se do të vinte koha edhe për ty birin e mirë të Shumbatit ,do të vinte koha të futeshe në uaditoret e universitetit. Kryebiseda jote kudo e nëçdo situatë universiteti ishte. Në punë në galeri, në dhomë, nëpër rrugët e Bulqizës në kohë të lirë, në kafene me miq e shokë.
Ëndëra për të vazhduar universitetin u bë pjesë e pa ndarë e jotje Rexhep në ato katër vite në minierën e kromit. Bile e dhe shokët e tu që punonin në të njejtin front e bënë shqetësim të tyre, por hija, hija të ndiqte pas. Askush nuk e shikonte se ishte e pa dukshme kurse ti po. E ndjeje shumë, e shikoje, e kishe pranë bashkëudhëtare në jetën tënde. Eh kjo lufta e klasave deri ku i kishte shtrirë metastazat e saj?.
Dhe megjithatë besoje shumë se do të zbardhte drita edhe për ty Rexhep, dhe në fakt nuk ishe gabuar . Dështuan të gjithë përballë vullnetit tënd, përballë forcës tënde, përballë zgjuarsisë tënde. Kishe fituar tashmë të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë në Tiranë, një ëndërr që të kishte mbetur prej vitesh në sirtar.
Ti uleshe për herë të parë në auditoret e universiteti, shokët e tu kishin përfunduar, kishin filluar punë sipas profileve. Katër vjet të shkuan kot Rexhep, katër vite bëre një shkollë të vështirë nëpër zgafellat e Bulqizës. Më së fundi erdhi dhe dita e shumë pritur.
U nise atë mëngjes shtatori drejt Tiranës me një valixhe të thjeshtë druri por punuar bukur e me shije nga një dorë mjeshtri që punonte drurin. Vetëm pak rroba dhe asgjë më shumë. Me vehte more dhe mallin për nënën, babain motrën dhe vëllanë.
Këtu ndryshonte çdo gjë Rexhep, ndryshonte metropoli shqiptar me Bulqizën e frikshme dhe me Shumbatin tënd që nuk e ndërroje me asgjë në botë. Jeta studentore vërtet e bukur. Gjatë asaj periudhe lexoje shumë, studioje shumë dhe kur u ktheve me diplomën e shkollës së lartë në vendlindje ishe një ndër studentët më të mirë të Dibrës që kishit mbaruar në atë vit.
Ishte viti 1988 dhe fill pas përfundimit të shkollës të dërguan në kooperativën bujqësore të Fushë-Çidhëns, në detyrën e vështirë shef i zyrës së planit. U largove nga Fushë-Çidhne me vlerësimet maksimale, me përshtypjet ma të mira nga të gjithë si nga fshatarët por edhe nga kuadri. Erdhe në Ndërmarjen bujqësore Shumbat dhe atë Kastriot. Edhe këtu qëndrove kuadër dinjitoz, qëndrove mbi të gjitha njeri.
Pas viteve nëntëdhjet u vra frika për të gjithë, u largua ajo njolla që të ndiqte si fantazmë. Fillove punë në policinë financiare në Peshkopi, në audit në prefekturë por ti ishe po ai Rexhep, punëtor, i heshtur, kurajoz, i drejtë, i rregullt në marrëdhënje me punën dhe të tjerët se kështu ishe brumosur herët, se i tillë ishte karakteri yt.
Jeta e njeriut është si një udhë.Në fund të kësaj “udhe” të shkurtër apo të gjatë, të lehtë apo të mundimshme, të dështuar apo të sukseshme, njeriu përllogarit “faturën” e tij përmbyllëse, duke nxjerrë bilancin përfundimtar të viteve të jetës së tij. Se si del vlera e bilancit, pozitiv apo negativ, kjo varet nga vetë njeriu, se sa kova me dhe ka mbartur ai ndër vite për të ndërtuar “malin” e tij.
Në atë që po mundohem të shkruaj dëshiroj të nxjerr në dritë jetën e një njeriu me kontribut të gjatë, në të mirë të vendit, të zhvillimit dhe të emancipimit të shoqërisë, të dibranit Rexhep Smaçi.
Karakteri i njeriut formohet e forcohet në përpjekje për të arritur gjithmonë më të mirën, duke u kacafytur shpesh me të keqen e cila ka për detyrë “të zërë rrugën”. Të të mundojë e të të lodhë shumë që ti të dorzohesh, por ti Rexhep nuk ishe i tillë, nuk u dorzove kurrë nga rruga e minuar ku shkelje se e hidhje hapin me kujdes.
Rexhep, e njohe mirë jetën, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë nga hiçi për të arritur më vonë shumë në formimin tënd, do ti falnin , për të ndërmarrë më pas veprime që në fund të fundit do të ishin si një shtërngatë për ti dhënë vetë jetës drejtimin e duhur.
Gjërat më të bukura apo ato që të dëshpërojnë në jetë nuk mund të dëgjohen, të shihen ,as të preken.Ato vetëm mund të ndjehen. Brezi yt Rexhep dhe i shokëve të tu ishte i vështirë , përjetuam kohra shumë të vështira por që në fund të fundit ato që deshën të mbesin njerëz përsëri njerëz mbetën, ashtu siç mbete dhe ti Rexhep.
Karakter në gjëra të vogla apo mëdha do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti ti bësh.
Je i vyrtytshëm kur ndërmarjen e guximshme e bën vetiu e jo kur ta kërkojnë të tjerët. Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme të Rexhep Smaçit, gjen njeriun e bindur për të kryer veprime të guximshme, pa e ditur se ai ato i bën nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist.
Kam parasysh këtu veprimtari të tij , të cilat kur i sjellim e i ballafaqojmë me atë çka bëjmë ne të sotmit, për vendin, për flamurin të cilit i këndojmë nga mëngjesi në darkë e nga darka në mëngjes, të duket sikur atdheu është në dorë të intrigantëve të cilët të drejtët dhe idealistët i marrin për naiv e budallenj.
Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të vyrtytshme, në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Rexhep Smaçi i ngjan pa dyshim i ngjan, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë qoftë partie, qoftë administrative si një premtim të mundimit për të arritur deri aty.
Janë vetë sfidat ata që e bëjnë jetën interesante e këto sfida nuk munguan as në jetën tënde Rexhep. Ti nuk ishe vetëm një ëndërrimtar për ti kryer punët ashtu siç duhej. Kishe edhe bindjen se brenda vetes fshihej forcë, durim dhe pasion për të gjetur fjalën me të gjithë.
Thonë se fati nganjëherë troket në derë. Erdhi koha të krijoje familje Rexhep. Duhej një vajzë e mirë si ti dhe vërtet e gjete.
Vjollca Nesimi nga Rabdishti ishte natyra jote, karakteri yt, ishte njeri i përsosur që edhe sot pas kaq vitesh këdo që të pyesësh në Shumbat për Vjollcën nuk dinë të thonë fjalë tjetër por njeri i përkryer që edhe kur ishte me punë në Peshkopi, mjaft ti thoshin se jemi nga Shumbati dhe nga zyra e saj nuk doli asnjë pa përfunduar punë.
Por ja që pikërisht në kohën që familja jote ishte konsoliduar, me shtëpi dhe punë ishit të dy,vajza e madhe Erida e mbaroi shkollën e lartë dhe po bën specializime në Gjermani, Elsa mbaroi dhe kjo për ekonomi si dhe masterin, djali yt Erioni sapo përfundoi gjimnazin, vdekja e pa pritur nuk të priti më gjatë.
E la Vjollcën me lotët në sy e rrobat e zeza veshur si dhe me detyrimin e përgjegjësinë më të madhe për vazhdimin më tutje për fëmijët. Dhe jam i bindur se ashtu si ti, edhe vetë Vjollca do ta shtojë edhe më shumë merakun e shqetësimin dhe fëmijët do të vazhdojë ti edukojë ashtu siç i edukove ti.
Jeta dhe vdekja qenkan të dyja bashkëudhëtare në të njejtën udhë, dhe ne bashkë me to ecim çdo ditë, por kur vdekja merr dhe moshat e reja kjo është vërtet tragjedi, por nuk kemi forcë, duhet ti bindemi fatit të gjithë.
Ti ishe në një moshë që familja, shoqëria prisnin më shumë prej teje por nuk ishte e thënë. Si njeri i ndershëm, i vendosur, i sinqertë dhe me zë të mirë, të drejtë e të pa epur nëpër kohë, i çmuar dhe i mirënjohur kudo ku punove, meriton jo vetëm nderim për shumë çka por edhe ngushëllim të veçantë me këtë rast.
Dhëmbja për ty nuk i takon vetëm bashkëshortes tënde, Vjollcës, fëmijëve të tu, vëllait, Petritit, motrës, Violetës por të gjithëve se ishe dhe mbete i mirë me të gjithë. Unë edhe sot tek po hedh këto radhë për ty Rexhep e ndjej shumë mungesën tënde. Aty jam ulur tek ajo tavolina që rrinim gjithmonë bashkë, aty do të ulem gjithmonë. Vije pas pune i lumtur dhe më tregoje dhjetat që kishte marrë Erida në shkollën e mesme dhe përsëri nuk ishe i kënaqur. “Ka mundësi për më shumë, jep edhe më” më thoje mua por buzëqeshjen nuk e fshihje për këto rezultate të larta të vajzës tënde. E dije mirë rëndësinë e shkollës, kujtoje vitet e tua, vuajtjet dhe sakrificat që kishe bërë për tu arsimuar e ndaj kërkoje tek fëmijët shumë e më shumë. Sot imazhin e mirë të babait fëmijët e tu nuk do ta shlyejnë kurrë nga kujtesa. Vdekja jote është vdekje fizike se shpërtërisht ti nuk ke vdekur, do të rrosh gjithmonë në kujtesën tonë.
Lamtumirë miku, shoku dhe njeriu i mirë Rexhep Smaçi!