Velenja e Sllovenisë, shembulli që duhet ndjekur për zhvillimin e Bulqizës


Në maj 2018, me një grup teknikësh të servisit të fabrikës të prodhimit te elektroshtëpiakëve “Gorenje” të udhëtonim për në Velenjë, Slloveni. Rrugë e gjatë, por e bukur. Në mëngjes pasi lanë kufirin, kalojmë me radhë qytetet e bukura dhe të sistemuara të Tivarit, Budvës deri tek trageti për në pjesën tjetër të Malit të Zi. Pas një orë tjetër udhëtimi jemi në Kroaci. Nga ballkoni i Dubrovnikut, qytetit të vjetër, magjepsesh nga bukuria dhe kaltërsia e detit. Ndalojmë për pushim dhe nuk ngopemi me bukuritë e kësaj qendre të madhe turistike, por dhe mënyrën se si janë ruajtur në shekuj këto pasuri të lashta. Lamë Dubrovnikun për të vazhduar udhëtimin tonë. Ura e bukur e varur me radhë qytet pas qyteti përmes Kroacisë. Pasi dolëm nga kufiri me Kroacinë për në Slloveni, udhëtuam përmes fshatrave sllovene. Një natyrë mrekulluese, gjelbërim i paparë, fshatra të vegjël dhe të bukur,ndërtuar gjithçka si në përralla. Rruga zgjati më shumë se zakonisht pasi ishim të detyruar të ndalonim herë pas here për të fotografuar këtë natyrë fantastike realizuar nga dora dhe mendja e njeriut të ditur dhe punëtor. Fusha të mbjella, kodra të veshura më së miri me pyje e gjelbërim. Dalëngadalë po i afroheshim qytetit të Velenjës, ku do të qëndronim për disa ditë për një seminar të organizuar nga fabrika Gorenje.
Velenja shtrihet në verilindje të Sllovenisë midis kodrave të gjelbëruara të luginës së Shalegut. Kufizohet me alpet Kamnik-Savinja dhe malet e Pohorjes në lindje, 400 m mbi nivelin e detit me një popullsi prej 25 000 banorë. Qyteti filloi të popullohej në fillim të viteve ‘50 të shekullit të kaluar me hapjen e një miniere qymyrguri i ngjashëm me qymyret e Fushë Kosovës për sa i përket fuqive kalorifike. Në këtë minierë u punësuan rreth 2000 punëtorë, kryesisht meshkuj. Për punësimin e grave drejtuesit e minierës menduan të ndërtonin një fabrikë për prodhimin e elektroshtëpiakeve, fabrikë e cila njihet me emrin “Gorenje”. Sot ajo ka rreth 10 000 punëtorë, me një teknologji bashkëkohore dhe eksporton në të gjithë botën.
Pak fjalë për qytetin, zhvillimin e tij, njerëzit dhe mjedisin qe e rrethon.
Miniera është komplet e mekanizuar. E gjithë sasia e qymyrit nxirret me 300 punëtorë. Teci është shndërruar në një gjigant të prodhimit të energjisë elektrike, mbulon rreth 50% të kërkesës për energji elektrike në gjithë Slloveninë. Niveli i ndotjeve 0. Gropa e dikurshme ku merrej qymyri është kthyer në një liqen shumë të bukur me ujë të pastër si kristali.
Në Velenja ka vetëm 5% papunësi sipas statistikave zyrtare. Nuk njihet asnjë krim penal, mjedisor e administrativ. Qytetarët janë korrekt dhe shume mikpritës. Jashtë kohës së punës studiojnë e marrin pjesë në veprimtari shoqërore, shkencore etj. Qyteti është harmonizuar midis lashtësisë, ku kalatë, kishat dhe ndërtesat e vjetra ruhen me fanatizëm, projektit modern, lulishteve dhe gjelbërimit të pafund.
Në qytet ka 6 shkolla fillore, 8 shkolla tetëvjeçare, 7 shkolla të mesme, një shkollë muzikë, universitet, qendra kulturore dhe institucione të tjera në shërbim të komunitetit. Velenja është një nga qendrat më të zhvilluara ekonomike dhe e pajisur me infrastrukturë rrugore moderne. Lidhet me autostradat e Sllovenisë dhe me Austrinë.
Në qytet shërbimet janë shumë sociale, transporti urban është falas. Qytetarët mund të përdorin biçikletat bashkiake pa pagesë.
Patëm rastin të ngjitemi në malin e qytetit 1000 m mbi nivelin e detit. Gjithkund rrugë asfaltuar dhe pisha shekullore. Në maj të malit shërbime tregtare dhe fusha sporti. Sipas ritit të vendasve në majën më të lartë ishte një kuti çeliku, brenda saj një bllok dhe stilolapsa ku gjithë secili shkruante emrin dhe adresën nga vinte. Këtë eveniment të rëndësishëm do ta mbyllte një darkë e improvizuar në shtëpinë e shoqëruesit tonë.

Bulqiza
Kur pashë e preka nga afër zhvillimin e Velenjës mendja më shkon tek Bulqiza. Me modesti mund të them se kam një pjesë të vogël të jetës time. Atje pata rastin dhe privilegjin të njoh njerëzit që punuan dhe punojnë me heroizëm e vetëmohim. Njoh historinë e këtij qyteti, pasuritë përrallore të nëntokës, mentalitetin e këtyre njerëzve punëtorë, bujar, arsimdashës dhe me kulturë.
Në minierën e kromit, së bashku me ndërtim minierën, gjeologjinë dhe ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve punonin mbi 6000 punëtorë, 200 gra në fabrikën e pasurimit, shumë të tjerë në arsim, shëndetësi, komunale N/bujqësore etj. Qindra minatorë, të rinj e të reja, teknikë, inxhinierë miniere, gjeologë, me një punë të mirëfilltë vetëmohuese dhe shkencore i dhanë zhvillim të paparë minierës në Bulqizë, Batër, Tërnovë, Balgjaj e në shumë pika të tjera. Studiuan shkencërisht dhe me përpikëri zonat mineralmbajtëse të trevës së Dibrës për t’i vënë në shërbim të shoqërisë e në dobi të atdheut.
Inxhinierë të talentuar si Bujar Pata, Fatmir Beqiri, Sefedin Shabani, Jorgo Kola e shumë të tjerë të shpjegonin me imtësi për çdo cep të minierës. Shfytëzim në galeri të gjata pa fund, kate dhe nënkate në një thellësi disa metra nën nivelin e detit. Poshtë qytetit të Bulqizës, një qytet tjetër ku punohej me sakrifica dhe heroizëm nga nxirrej minerali i kromit. Ky brez shkencëtarësh dhe ato me të rinjtë e viteve ‘80 i lanë qytetit të Bulqizës dhe Shqipërisë një pasuri të paimagjinueshme e cila pas viteve ‘90 u shpërdorua nga administrimi i keq, privatizimi pa kriter nëpërmjet koncensioneve pa studim për zhvillimin e kësaj pasurie fitimprurëse.
Bulqiza para viteve 80 trashëgoi plagë të mëdha sociale, si strehimi, punësimi, shkollimi, mekanizimi i minierës, përmirësimi i kushteve të punës, sigurimit teknik në punë, etj. Vërtet filluan të bëhen disa ndryshime, si rregullimi i fjetoreve, ngrohja qëndrore e qytetit, ndërtimi i pallateve me kontribut vullnetar, ngritja e një ndërmarrjeje ndërtimi vetëm për Bulqizën. Këto masa e zbuten disi nevojën për strehim, por ishin ende të vogla krahasuar me kërkesat e minatorëve të shumtë të ardhur nga Zerqani, Shupenza, Maqellara etj. Sistemimi i tyre nëpër godinat e punëtorëve linte shumë për të dëshiruar, nuk plotësoheshin as kushtet me minimale për jetesë. Parulla ‘Kromi çan bllokadën’ ishte vetëm parullë për të rritur moralin e punëtorëve. Megjithëse një punë heroike ku minatorët përqafonin të afërmit dhe shokët e tyre para se të futeshin në minierë me përshëndetjen e zakonshme mirë u takofshim në përfundim të punës. Në galeri nuk dallohej kush ishte minatori, kush ishte brigadieri, inxhinieri apo drejtori. Kuadrat ishin pranë punëtorëve të interesuar për shëndetin, jetën e punëtorëve, argëtimin dhe zgjidhjen e problemeve.
Me zgjerimin e minierës, perspektivën që ajo kishte në fronte të hapura e të gatshme për prodhim pas vitit 90-të për ironi të fatit filluan të largoheshin nga miniera disa figura publike dhe shkencore, të cilët ishin shtylla e organizimit dhe prodhimit. Si në gjithë Shqipërinë filloi të ulet prodhimi, të keqadministrohej puna, të shtoheshin humbjet etj., dhe miniera shkoi keq dhe më keq. U mbyll shërbimi gjeologjik, ndërmarrja e ndërtim minierave, po shfrytëzoheshin vetëm frontet e hapura duke i mbyllur perspektivën minierës. U bë koncensioni i parë, i dyti, i treti duke ndërruar disa herë pronar. Koncensionari i fundit duket se diçka po bën për prodhimin, kushtet e punës dhe hapjen e perspektives ne minierë.
* * *
Krahasuar me Velenjën e Sllovenisë, Bulqiza dhe simotrat e saj Rubiku, Ballshi, Memaliaj janë shumë larg në kohë, cilësi, mentalitet dhe siguri. Nuk mund të vazhdohet me këtë mentalitet drejtimi. Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes qyteti dhe qytetarët me këtë pasuri që ai qytet mbartte në trupin e vet të drobitur. Duhet të ndryshojë mentaliteti i vetë shtetit për këtë pasuri kombëtare e cila nuk është e pafundme. Kapacitet intelektuale nuk mungojnë, fuqia punëtore e specializuar jo. Ka ardhur koha që të mendohet dhe veprohet ndryshe që pasuria kombëtare të vihet më mirë në shërbim të njerëzve, që institucionet të mendojmë më shumë për qytetarët, të merren masa të rrepta për shfrytëzimin me kritere shkencore të kësaj pasurie. Duhen gjetur mundësi punësimi për gratë, duhet organizuar më mirë jeta sociale e kulturore në qytet. Për këtë përvojë ka në Velenja dhe në gjithë Europën.
Mjafton dëshira e mirë për të bërë diçka më shumë e më mirë për qytetin dhe për njerëzit. Rruga e Arbërit rrit shpresën te qytetarët dhe i jep një zhvillim të ri rajonit verilindor e në veçanti qytetit të Bulqizës. Këtij investimi të madh që tashme ka marrë udhë duhet t’i paraprijmë me studime e projekte jo vetëm në Bulqizë por dhe për gjithë rajonin. Pasuritë dhe resurset që ka rajoni i Dibrës dhe i Matit duhet të vihen gjithnjë e më mirë në funksion të rritjes e mirëqenies së popullit. Pushteti qendror dhe ai vendor duhet të mendojnë që projektet të jenë për perspektivën, afatgjata në unitet me kërkesat e shoqërisë dhe të njësive vendore qe administrojnë bashkitë në këtë rajon.