Çfarë i kemi borxh Gjergj Kastriotit?


Nuk mund të debatosh, të hedhësh ide të ndryshme për një figurë mbarëkombëtare, me vlera të shumta në kuadrin e ujdhesës ilirike, të kontinentit evropian e më tej, pa studiuar imtësisht dokumente, shkrime, libra historik, folklor etj., të mjaftueshëm, të historikërkuesve, bashkangjitur me toponomistikën gjeografinë dhe të dhënat arkeologjike.
Këtij strategu të madh ushtarak, politikani të urtë, atdhedashurues me aftësi të mëdha kompromisesh politike e ushtarake, i cili i ka dhënë emrin shekullit të pesëmbëdhjetë i janë kushtuar me qindra vepra, artikuj, poema, poezi, piktura, sonate etj. Megjithatë akoma Gjergj Kastriotit i jemi borgjëlinj ne shqiptarët me institucionet kërkimore në fushën e historiografisë, Universitetet etj., por edhe çdo intelektual e patriot shqiptar kudo që jeton për të zbuluar me vërtetësi, seriozitet e argumente gjithë veprimtarin e tij të vrullshme luftarake, politike, diplomatike, ekonomike, fetare, etj.
Historianët shqiptarë luftuan me dije, këmbëngulje, vullnet, patriotizëm,me penë e dokumente dhe arsyetime mbi fakte për ta kthyer në atdhe që nga Frang Bardhi “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”.Venecia 1636 kundër boshnjakizimit të tij nga prifti kroat Joan Tomko Margnaviçit, e më rradhë historiani Fan S. Noli kur e donin serbët dhe grekët pastaj e kërkonin bullgarët, turqit, Malazezët me Stefan Zanoviçin etj., dhe pothuajse atdhetarizimin e këtij strategu luftarak e heroi kombëtar e kemi kthyer ne atdheun natyral. Përfundimisht, historiografia shqiptare këtë borxh ia ka shlyer Kastriotit të madh.
Por, mbetet ende për të bërë që të kthehet përfundimisht në mjedisin natyral, brenda kufijve të dhunuara të kombit shqiptar. Një fillesë e kësaj lufte për të përcaktuar mjedisin natyral të kastriotëve e gjejmë në: “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) mbretit të shqipënisë (1412- 1468) (Boston 1921) në të cilin shkruesi i saj Fan Noli thekson: “….Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës ose nga një fshat i quajtur Kastria, qe ndodhet a ne Mat, a në Mirdite a në Has, Drinit;…(Vepra 4; Shkr. hist. f.. 67; Tiranë 1989).
Shkëndinë e parë e hedh Eugjenio Barbarik në: “Albnia” Roma 1905 ku shkruan Kastriotasit e kanë origjinën nga Mazrekat e Kastrati i Shkodrës. Më pas historianit Aleks Buda “Historia e Skenderbeut në dritën e studimeve të reja.” në: Bul.i inst. Të shk. nr. 3,4 Tirane 1951; ai ngjitet në Mazrekat e Hasit të Kukësit i përkrahur me artikuj e botimin e librit “Tedeli i Kastriotëve është Hasi.” Tirane 2006, të Prof. Dr. Shefqet Hoxha, e akoma flamurin e kesaj historie e ngren dhe e tund edhe sot Prof Dr. Jahe Drancolli me shkrimin “Origjina kosovare Gjergj Kastriotit Skenderbeut.” Prishtine 2018. Në Mazrekat në afërsi të Prizrenit.
Në bregun e djathtë të Drinit lind një mendim i formës së prerë, ku e shpreh Shkrimtari Haki Stërmilli në librin “Dibra në prak të historisë”Dorëshkrim i vitit 1940 i cili shkruan:“Mbi origjinën e fisit të Skënderbeut, flet vetë fjala “Kastriot” që asht emni i familjes së tij.”
Por këto shkrime për dhjetëra vjeçar nuk e shqetësuan aspak Fakultetin e Historisë në Universitetin e Tiranës, as historian të tjerë. Filluan kërkimet e Hazis Ndreut nëpërmjet toponimeve dhe gojdhënave, si dhe të intelektualëve, historianëve Dibranë si Murta Koltraka, Rakip Sinani, Ali Hoxha, Moisi Murra, Hilmi Sadiku, Arkeologu Iliaz Kaca, Fatos Daci, Besnik Këbej etj. të cilët kanë dalë me përfundimin se Kastrioti i Dibrës si nga pikëpamja dokumentare, strategjike, toponomastikës dhe gojëdhënave të shumta të përcaktonin Kastriotin si vendbanim i Gjon Kastriotit. Kjo tezë u përkrah fuqishëm nga Prof. Kristo Frashërit, nëpërmjet disa artikujve dhe së fundi me librin e tij të fundit “Skënderbeu” Jeta dhe vepra, Tiranë 2002.
Por, nuk është e lehtë që të thyhen matjanët, të cilët me lagjen Kastriot në fshati Shqefën, me disa toponime e kërkime të tjera në fushën e historisë i shtyjnë historianët Qamil Alushi dhe Mexhit Demiri të shkruaj librin “Skënderbeu” nga M. Barleti tek O. Schitt.” Tiranë. 2000. E përkrahu idenë e dëshirën e matjanëve për të patur heroin Kombëtar në gjirin e tyre, historiani Ferit Këputa me librin: “Origjina e Kastrioteve është Mati”, Tirane 2007, i cili arrin në përfundimin se Kastriotët janë matjanë.
Nuk mund të heshtin historianët e intelektualët Mirditor, nisur nga Kastria e tyre e përmendur edhe nga udhëtari francez Ami Boue “Turqia e europës.” Paris 1840, e ushqyer me plotë devotshmëri e vendosmëri sublime nga historiani Mirditor Preng C. Leshi në librin e tij “Polemika për Kastriotët”, Tiranë 2010, ku thekson origjinën e tyre, Kastratin e Kastriotëve në fshatin Vig të Mirditës, të shoqëruar me një seri artikujsh e duke shfrytëzuar një literaturë të gjerë.
Ende pas gjashtëqind e pesëdhjetë vjetësh vendorigjina dhe vendlindja janë në një mjegullnaje pikëpamjesh, idesh, faktesh të palidhura, të padokumentuara e vërtetuara bindshëm.
Në këte endje merimangash është origjina e Vojsava Tribaldi, nëna e Gjergjit, ku edhe sot e kësaj dite i mëshohet origjinës serbe. Ndër studiuesit që e nxjerrin Vojsavën sllave, mund të përmendim: J.Ivanov, Q, Radojiçiq, M. Dinić, R. Mihalqiq, M. Shuica, B. Petrovski dhe S. Dimitrov. Prof. Kristo Frashëri, në lidhje me këtë do të shkruaj: “… mbiemri Tribalda nuk është me origjinë sllave por ilire. Ndër shkrimtarët e hershën, Gjon Muzaka e thotë shkoqur se Tribaldët qenë shqiptar.” “K. Frashëri,”Skënderbeu”. F. 71; Tiranë. 2002)
Një tjetër ide mbi prejardhjen është:“Gjergj Kastrioti u lind nga nëna shqiptare Vojsava (Vaissa-vajzë) Tribalda, me fe asokohe ortodokse, e bija e Gërgur Tribaldës nga Gësradeci – Pollog, i shpallur zot i Pollogut në kishën e Leshës (Leshkë/Leshok), Tetovë, princ nga dinastia e Topiajve, dhe baba katolik shqiptar.” shprehur nga historiani Nelson Qirjako,” Prejardhja e Vojsava Tribalda-Kastriotit.” Konica.al. 5 Shtator, 2017.
Dhe një origjinë tejtër nga studiuesi Preng C. Lleshi citon arbëreshin Gavril Dara i Riu dhe shkruan: “Ndër këta, të parët, prindërit e mi, që emërtohen gjer më sot Mërkuri e Njani i Dharenjëve, gjërinj (gjini, fis, gjak-shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së jëmës së tij, së biljes (bijës-shënimi im), së Prenkut të Mirditëve”.në artikullin “Dara: Vojsava, nëna e Skënderbeut ishte halla e Lekë Dukagjinit.” Nacional Albania 25.04.2016.
“Më jeni borxhlinj deri në fyt”, kërkon me zanin kumbues Heroi ynë kombëtar: Reposhi vëllai im vdiç si murg në malin e shenjtë Atos apo si princ?
“Sipas studiuesit të njohur kroat, Milan Shuflaj, mbi varrin e Reposhit, i varrosur në brendësi të objektit kryesor të manastirit të Hilandarit, në kishën e Shën Mërisë, është gdhendur identifikimi historik “Duka i ilirëve.” (Pirro Prifti, Reposh Kastrioti – e verteta për famijen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti” 25.10. 2018by Rrjetat in Dossier.
Akoma historianët shqiptar nuk njohin as gjeneologjit më të thjeshta të vëllezërve të mi si Reposhi, Stanishi, Kostandinin dhe Gjergji, të motrave,Mara, Jela (Gjela), Angjelina, Vlaitsa dhe Mamica.
Paçka se turbullira, mjegullnaj hedhin në historinë e Kastriotit të Madh edhe profesorë që kane një jetë të tërë me veprimtarinë e shumanshme dhe jetën e tij. Dhe ja: “Pretendimet e Hazis Ndreut, të Adem Bungurit dhe të Myzafer Bislimit për ekzistencën e mureve të një kështjelle në Koxhaxhik dhe të varreve të ushtarëve të Skënderbeut janë vetëm dëshira dhe deklarime të tyre të papërgjegjshme, që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën.” (Prof. Asoc. Dr. Kasem Biçoku Tirane; “Shtrirja lindore e zotërimeve të Kastriotëve.” në “Akad. Shk e shqip. “Skënderbeu dhe evropa.” f. 73- 74; Tiranë 2006 )
Profesor dr. Adem Bunguri për të vërtetuar edhe pohimet Marin Barletit (1510) ndërmerr tri ekspedita me historianë e të tjerë, përkatësisht në Shtator 1993, në Prill 2006 dhe të tretën më 10 Korrik 2007 duke u ngjitur tek kalaja e Koxhaxhikut në lartësinë 1160 m., ku bëri kërkime arkeologjike në sipërfaqe, matje të ndryshme, skicime të mureve etj., dhjetëra fotografi të natyrave të ndryshme. Shkroi studimin historik: “Kalaja e Koxhaxhikut (Dibër)” në revistën “Studime Historike” (Nr. 12); Viti i LXV(XLVIII), f. 26-56; Tirane 2009” të shoqëruara me 27 fotografi, 6 skica dhe mbi 57 autor të huaj e vendas të cituar.
Dhe ja njëri nga përfundimet e studimit historik:”…kalaja e Koxhaxhikut është dhe ruan pjesë të sistemit të dikurshëm fortifikues, të ndërtuar me mure gurësh të lidhura me llaç gëlqeror, që mund të shihen nga kushdo që ka dëshirë të merret me studimin e kësaj kalaje.” ( Po aty f. 48)
Arkeologu Adem Bunguri i kryen studimet e tija sipas parimit te babait të historisë, Herodotit, i cili thoshte: “E dëgjova, e shikova, e shkrova.” Kjo ndodhi edhe me zbulimin e gushtit të vitit 2018, i ndihmuar nga banorët vendas të Bulqizës, ai ngjitet në lartësinë 1000 metra tek “Shkami i kullës së Skënderbeut” ku zbulon fortifikimin e një çisterne uji me gurë e gëlqere të shekullit të 15-të e të tjera elementë arkeologjik që dëshmonin për një fortifikim të legjendarit Gjergj Kastrioti në betejat e zhvilluara në Vajkal kundër Ballaban Pashës (Në Prill-Gusht 1465).
A nuk është detyrë e Institutit të Kërkimeve Arkeologjike të kryejnë kërkime të tilla edhe tek Kulla e Gjonit, Pusi i Gjonit, Kisha e Gjonit etj. në Kastriot të Dibrës për të vërtetuar studimet historike të deritanishme të origjinës së Kastriotëve dhe kjo mund dhe duhet të arrihet nga “…… bashkëpunimi midis studiuesve të historisë dhe atyre të arkeologjisë, veçanërisht kur është fjala për momentet të karakterit arekologjiko – historik.” (A. Bunguri po aty f. 49).
Gjergjit, komandantit të madh, i jemi borxhlinj edhe se data dhe vendlindja, ende nuk janë përcaktuar, edhe pse shkruhet nga ndonjëri apo tjetri studiues më 6 Maji 1405, ndërsa vendlindja në Sinën të Dibrës, po kështu është e pa dokumentuar të gjetura në arkivat turke, venciane apo napolitane, etj. Ndërkohë kur çelësi i gjetjes së saj është zbuluar, por, kanë munguar kërkimet në arkivat turke, përkushtimi, serioziteti dhe nënvleftësimi nga historianët e studimeve mesjetare apo të epokës së Kastriotëve. Dhe ja po hedhim pak dritë mbi të vërtetën: “Në një orë mësimi kur u përmend emri i Skënderbeut, nxanësit e kombësive të ndryshme e pyetën mësuesin, se ku kishte lind Skënderbeu. Ai u përgjigj me një fjali të shkurtër: Skënderbeu ka lindur ne Çelias (Toponim në Kastriot të Dibrës së poshtme. S.M.)” Kujton Sul Brunga nga Gjurë Lura, i shkolluar në Stamboll ne vitin 1906. (Shkëputur nga libri i H. Ndreu, “Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbërore.” f. 26; Tiranë 1996)
Kanë kaluar mëse 113 vjet dhe akoma nuk është vërtetuar vendlindja. Edhe pse historianët shqiptar kanë cituar ato pak historian e udhëtar turq, si: Osman Evlija Çelebi, Kronisti Ibn Kemalit, Enveriut, Hoxha Saded, Sollakzadesë e Mynexhimbashit, Nedim Ahmet, Neshriu, Aliu, Haxhi Kallfa, Kronikat anonime osmane, H. Inalcik etj. Studiesi Mit’hat Frashëri në artikullin në revistën “Diturija” të vitit 1928,”Burime të historisë shqiptare” shkruan: “….në godinën e parë ( Pranë Bab-i-Alise S.M) mund te jenë 350 000 akte, gjashtëdhjetë e sa mijë prej të cilëve lidhen me kohën para motit 1225, nëpallatin Enderun-it (Top-Kapi) pandehet se janë 600 000 akte; gjithë kadastrat e para qenkan kataloguar dhe ruajtur mirë, por, të dytat në një gjëndje të keqe, të kalbura, të grisura, shumë dokumente të moçme janë bërë si brum dhe si thengjillë, duke u kalbur karta e ngjitur mellani.”
Po te ngjitemi në piramidën e kohës do të kemi një tjetër vështirësi “Në shekullin e 15-të janë ndonjë 40 Iskanderbenj dhe ju duhet te gjeni fillimisht se cili prej këtyre është Iskenderbeu juaj.” shkruan Prof. dr. Sh. Sinani në nje vizite pune në arkivat Osmane. Ndërsa e kundërta paraqitet në vendet perëndimore ku nga 300 libra mbi Skënderbeun 92 janë botuar nga historian- shkrues arbëresh e italian, dhe më tej:
”Qindra, për te mos thënë mijëra dokumente të tjere të një rëndësie të dorës së parë erdhën nga Arkivi Sekret i Vatikanit, nga arkivat e Romës, të Napolit, të Venecias, të Firences, nga biblioteka Laurenziana dhe Muzeu Correr, nga biblioteka Grotferrata-s, nga bibliotekat kroate, hungareze, austriake.” (Prof. Dr. Shaban Sinani “Gjergj Kastrioti si protoganist i rilindjes europiane.” në “Skënderbeu nga Barleti tek O. Schmitt.” f. 305; Tiranë 2009.
Shtrohet pyetja sa studime historike monografi, dokumente të mbledhura nga autor shqiptar apo turq janë shkruar në Turqi ku heroi ynë kombëtar kaloi fëmijrin, shkollimin dhe si komndant ushtarak?? E kundërta ngja në Itali, ku vetëm albanologu i shquar Zef Valentini, për marrëdhëniet e Venedikut me Shqipërinë dhe Kastriotët ka shkruar 24 volume me dokumente venedikase që gjenden tashmë në bibliotekën e Firences, Itali.
Dhe se fundi, a nuk është historiani shqiptar me banim ne Firence Ilia Karanxha që ka zbuluar se autori i vërtet i themeleve të albonoligjise shqiptare dhe të jetës së Gjergj Kastriotit nuk është i ashtuquajturi Marin Barleti, por, Marin Beçikemi? Ky historian me këmbëngulje, sakrifica e kërkime në mëse njëmbëdhjetë vjeçare në te gjitha arkivat e bibliotekat italiane të përmendura më sipër. Me të cilat ai kërkon të bëje një revolucion në historiografinë kastriotiane, duke shkruar tre libra studimor një seri artikujsh me mbi 1000 faqe, duke trajtuar:”…..një argumet jo të thjeshtë aq më tepër që në këtë çështje mplekset historia kastriotiane, gjithë historiografia e shkrojtur mbi Skënderbeun, mplekset biografia e hamendësuar e Barletit dhe ajo e dokumentuar e Beçikemit, mpleksen aspekte filologjike, ambienti venecian për periudhën kur kanë ndodhur ngjarjet…” (FB. Ilia Karanxha 20.09.2018)
Duke futur borxh historianet shqiptar mëse një shekull të mashtruar keqas nga histori shkruesi italian Apostol Zeno, historiografia shqiptare, me Akademinë e Shkencave në krye ende nuk janë të përgatitur të përballojnë zbardhjen e së vërtetës, e cila është një sfidë e përgatitur me mençuri, me një arsyetim te hekurt, fakte të gjalla e kokëforte nga dokumente e shkrues të historisë së mesjetës nga intelektuali I. Kalanxha. Kështu që, edhe pse bëjnë konferenca e simpoziume deri me rastin e 550 vjetorit të ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriotit, fatkeqësisht nuk kanë arritur as të shpien Kastriotët e Gjergjin e tyre në mjedisin historik natyral te jetës se vrullshme të tij, luftave e gjenologjive të familjes se Kastriotëve në të dy kontinentet.
Përse vallë historiografia shqiptare, politikanë e studiues të fushave të etnografisë, kulturës, artit, arkitekturës përdorin emrin Skënderbe, kur dihet se ai me këtë emër u pagëzua nga Sulltani, për motive turqizimi e islamizimit të tij ku: “Morfologjikisht “Skënderbej” është një kompozitë që përmban një emër të përveçëm turk: “Iskënder”, shqip “Skënder” dhe një titull te fituar për merita lufte (turq. “bey” sot në kuptimin Zotni) ( Po aty, f. 312; Prof. dr. Sh. Sinani); dhe me tej: “…..pra emri Skënder. Lidhet ne mënyrë të drejtpërdrejt me variantin oriental Iskënder të emrit të Aleksandrit të Madh.” (Dr. Dritan Egro, “Skënd.ident.i ndrysh apo titul. Turk.-osm.” në:”Skënderbeu dhe evropa.” f.119-120, Tiranë 2006). Por ky emër nuk ishte e vërteta e prejardhjes të një familjeje të krishtere epiriote ose shqiptare apo dhe e vetë Gjergjit lindur dhe fëmijëruar në fshatin Kastriot të Dibrës se vogël në Shqipëri. Qëllimi i tyre më i largët, ishte varrosja e këtij kombi, asgjësimi fizik, kulturor, etnografike prandaj për t’a kthyer në mjedisin historiko-natyral duhet të shkruhet e të thirret Gjergj Kastrioti, ndryshe ne mbetemi në preherin rrënqethës, drithërues të sundimit të sulltanëve, të kulturës, të fesë e vendimeve të tyre në më shumë se gjashtë shekuj.
T’iu mbyllim shtigjet sulmeve e dyshimeve duke i paguar borxhet kalorësit triumfator e legjendar kundër turqëve, Gjergj Kastriotit, për të qartësuar momentet kryesore të origjinës, jetës e veprimtarisë së tij luftarake, politike, diplomatike e fetare, nëpërmjet kërkimeve në arshivat turke dhe të tjera, të shoqëruara me kërkimeve arkeologjike për qartësim e bindshmëri të fakteve, si binom i domosdoshëm e shkencor për historiografinë kastriotiane.