Cubat e Dibrës


“Ti mor kros i Korkonikës,
A s’i ke njohun cubat e Dibrës”?
Ta çojnë mallin për grikë t’Radikës.
Për grikë t’Radikës e Llokopojë,
Na lshoi zoti veri e vdorë,
Nuk e pamë shoqi shojnë.
Tridhet vetë çi patëm shkue,
Për haber tre vetë kan’ pshtue.
Ene di, n’at’ Gramë na mbetën,
As xhenazet nuk ua xhetëm,
Vjen Elezi, çiçe vetëm.

Elezi, kur ua pat tregue ngjarjen katundarëve, u pat thanë se secili prej shokëve të tij, pjesën e parave e ka pasë me vete, por mbi të ranë dyshime të mëdha. Vetë puna i bani katundarët me besue se të hollat nuk kanë qenë nda rrugës. Ato i kanë mbajtë me radhë dhe ma në fund i ka marrë Elezi, si ma i fortë, sepse Elezi, përnjiherë u ba pasanik i madh. Ai bleu shumë tokë buke në Lisiva dhe ndërtoi një shtëpi të madhe aty. Pastaj, bleu tokë në Sllovë prej shehlerëve dhe ndërtoi edhe atje nji shtëpi. Bleu lopë dhe kuaj. Elezi u ba bash aga. Të gjitha këto nuk mbaroheshin me 50 napolonat e pjesës së tij. Ai u nda me vllazni, të cilët i la në Lisivadhe dhe vetë duel me banue në Sllovë. Në Sllovë, Elezit nuk i qitën pengesa, se ishte dibran e jo lumjan, edhe sepse ishte i fortë e deshën ta përdorin kundër Dacajve. Edhe Elezi, që kishte ardhë rishtas në atë katund për të përfitue sa ma shumë e me qëllim që katundarët ta bajnë pjesëtar në kullota, në pyje, në bjeshkë, nuk ngurroi të dalë kundër Dacit, aq ma tepër që parësinë n’atë krahinë deshte ta ketë për vete. Dhe me të vërtetë, nuk vonoi t’i vijë grada çaush. Rinia e Elezit në këtë fillim nuk qe hiç e rregullt. Ai sillej keq me katundarët.
Nji ditë, bashkëfshatarit të tij Can Mehmetit, i lypi cucën për nji djalë në katundin Venishtë, të cilin e mbante sejmen me vete. Mbas shumë bisedimesh, Can Mehmeti i tha:
– Unë nuk e jap!
– Ti nuk e jep, po unë e kam dhanë! – iu përgjigj Elezi dhe u ngrit e doli prej shtëpisë së tij.
Cana, për t’u mbrojtë prej Elezit, muer cucën dhe iku te Dullë Ahmeti, në Zall- Kalisë, por ky nuk e mbajti ndore, duke i thanë:
– Or Canë, unë për të marrue e shoh se marrohem tue mos të mbajtë ndore, por Elezit nuk ia kam takatin.
Atëherë Can Mehmeti shkon po atë natë ke Murat Daci e ky e mbajti, por me kusht, derisa të vinte vëllai i tij Cena nga Prizreni. Kur erdhi, Cena i tha të vëllait se do të kishte qenë nji gja ma e lehtë ta kishte përzanë që në fillim, siç bani Dull Ahmeti. Tani, ky ka bujtë në shtëpi tonë. Këtë e din gjithë bota. Pra, mbasi e mbajte, mos e lësho, veç ta dish se kjo punë ka me na qitë telashe, se Elezi asht beter.
Elezi, si e mori vesh se ku asht Cana, i çoi fjalë Cen Dacit me ia dorëzue me gjithë cucë. Ky i tha lajmëtarit:
– Shko e thuej Elezit se na ka rritë bashkë nji nanë. Unë nuk e thirra Can Mehmetin të më vijë ndore, por ai erdhi vetë. Tash për mue, asht turp me ta dhanë. Kur ishim të vegjël, hanim përshesh me nji tas e nuk ziheshim. Tash, si të duesh me u zanë, nisja. Unë të lutem me e falë!
Elezi e fali. Can Mehmeti shkoi në shtëpi të vet. Can Mehmeti ishte prej lagjes Ratke. Cena i dha shtëpi e tokë në Ceren.
Por, nji ditë, Elezi po shkonte për në Sllatinë. Ai kishte me vete Sufë Xhelilin dhe atë djalin prej Venishte. Rasti e solli që në anën e kundërt po vinte Can Mehmeti. Elezi i thotë venishtasit:
– Q’ai, asht babaxhishi it! Vrae, ne merri cucën!
Venishtasi shtiu në Can Mehmetin, por nuk e kapi. Ky shtiu nji herë në ta, plagosi Sufë Xhelilin dhe iku zabeleve. Muer familjen e iku vrap ke Cen Daci. Elezi i çon fjalë Cen Dacit:
– O çomë Hasanin, o mëshihu se kemi pushkë!
Cena iu përgjigj:
– Unë t’u luta me ma falë. Ti na preve në besë. Tash je i lirë, si të duesh!
Të nesërmen, Elezi rrëmbeu 13 krenë lopë të Cenës tue kullotë në fushë dhe i preu të gjitha në oborr që ta shohin bota. Cena nji ditë mbas, mblodhi miq e shokë dhe i rrëmbeu Elezit 150 dhi e 60 krenë lopë nga nji stan që e kishte në Gramë. Elezi u doli në pritë, por as nuk mundi me vra njeri, as nuk mundi me mbrojtë gjanë e tij. Cena mbajti 13 lopë, sa i kishte marrë Elezi dhe gjithë bagëtinë tjetër, ua fali lumjanëve të tij. Meqë Cenën filluen me e ndihmue lumjanët, Elezin filluen me e ndihmue Reçi e Dardha dhe gjithë ata dibranë që i urrenin Dacajt. Kështu u ndez zjarr gjithë krahina. Nuk shtihej pushkë vetëm në njerëz, po edhe në lopë e në qe. Kjo erdhi ngaqë shamata filloi me vjedhje bagëtish e Elezi kishte mbetë i damtuem. Gjithashtu, prisheshin të mbjellat e njenit e të tjetrit. I zemëruem nga këto gjana, Murat Daci hapi nji llogor në nji kodër buzë Drinit, karshi Reçit e Dardhës dhe nuk linte njeri me nxjerrë kokën jashtë n’ato dy katunde e jo ma me mbjellë. Kështu, u mbyll nëpër kulla nji krahinë e tanë.
Dacajve u ndodhi nji fatkeqësi. Nji ditë Murati, duke gjujtë, plagosi nji lepur, i cili shkon e ngordh në bahçe të Mustafë Litës, në katundin Ploshtan. Ky e merr, e rrjep shpejt e shpejt dhe e fut në kusi. Çapat, duke kërkue, mbas ere, e çojnë Muratin drejt e në dhomë të Mustafë Litës. Ai e rrëmben lepurin nga kusia dhe ikën. Prej këtij inati, Mustafa e ban mik Elezin tue fejue djalin e vet me nji cucë të tij. Mustafa, nxjerr njerëz në Ceren dhe e vret Murat Dacin. Mustafa e vrau Muratin në Ceren, me dorë të Ibish Litës. Kjo solli si rrjedhojë që një pjesë e lumjanëve të cilët shkonin pas Mustafë Litës, të largohen prej Dacajve. Cen Daci ra ngushtë. Ai, siç thamë, ishte oficer në Prizren. Tash i duhej me u largue nga nëpunësia dhe të vinte në shtëpi për të udhëheqë luftën kundër Elezit, i cili e kanoste me shfarosje familjen e tij. Mirëpo këtë punë nuk mund ta bante, sepse balanconte Elezin, i cili gjithashtu ishte çaush, d.m.th., ia priste rrugën Elezit me përdorë qeverinë kundra Dacajve.
Lufta kundër Elezit mbeti në dorë të djalit të Cenës, Mahmut Dacit II. Megjithëse Cen Daci nuk i linte djemt’ e vet me ba pushkë e u thoshte se këto punë do t’i zgjidhim me qeveri, ky, ishte nji djalë 16 vjeçar, shumë nopran. Sa u vra Murati, filloi menjëherë nga veprimet. Nji natë, i hyni Elezit në grazhd të lopëve dhe ia muer kaun që e ruante për pastërma për dimën. Nji herë tjetër, ia rrëmbeu qetë e mëdhenj në stan dhe i solli në shtëpi. Nji ditë, i hyni në avlli mbrenda dhe u fsheh në turën e druve. Ishte ramazan. Ai qëndroi aty, gjithë ditën, i fshehun. Priste të vijë akshami e të çelin iftar e t’i vrasë të gjithë në sofër duke ngranë bukë. Kur u afrue koha e ramjes së daulles për çeljen e iftarit, u hap porta dhe doli mbi shkallët, shehu i Vleshës i cili filloi të thërrasë ezanin e faljes së akshamit. Tue rrotullue kokën sa andej këndej, ai e sheh Mahmutin që kishte pasë nxjerrë jashtë gjysmën e trupit dhe tash përpiqej me u strukë prapë në vend. Shehu e mbaroi ezanin duke u dridhë nga frika dhe filloi me e përbetue Mahmutin:
– Pash’ Zotin! Për hatër të teqeve, për hatër të vorreve të mira, mos ban gja sonte!
– Or sheh, nuk bane mirë që ma bane kët’ rixha, – u përgjigj Mahmuti, por na nuk e kemi ba zakon me ua prishë teqeve. Sonte t’i fala, por mos u kallxo se kam qenë unë këtu, se, po u kallxove, do të vras edhe pse je sheh, do të vras!
Ai po bahej gati me ikë, por porta u hap përsëri. Ismeqari nxori në krye të shkallëve nji tepsi të madhe me byrek për t’u ftohë, se ishte aq e nxehtë sa nuk mund të vihej në sofër, ndërsa agjënimtarët, nuk mundeshin me durue gjatë pa ngranë. Si e vendosi tepsinë përdhe, shehu i vu dorën në gjoks ismeqarit dhe e futi mbrenda:
– Mos dilni asnji jashtë, – u tha, – se e keni Mahmutin në turrë të druve!
Mahmuti, rrëmbeu tepsinë e byrekut dhe iku.
Kur shkoi në familje të vet, e vu në sofër e u tha:
– Hani, u baftë mirë byreku i Elezit!
– Mos fol ashtu, magjar, – ia priti Ahmet Daci, – se këtu kemi miç jabanxhi e kujtojnë se për njimend!
– Në mos besofshi, pritni nesër haberin, – u tha Mahmuti.
Nji ditë tjetër, Mahmuti ishte fshehë mbas do shkurreve, në nji kodër dhe ia kishte ngulë sytë kullës së Elezit. Ishte shumë larg, por ishte nishantar i mirë. Priste mos lëvizte njeri, andej, në sharishan të kullës. Në nji frengi të ngushtë i duket sikur lëviz nji hije. E ven pushkën në sy dhe e shpërthen. Nuk vonoi dhe u ndigjuen britmat e grave. Kishte vra djalin e Elezit, Ibrahimin. Kështu, çunaku e pagoi mixhën e vet, Muratin dhe ia thurën kangën:

MAHMUT DACI II
(Kanga e parë)

Çai Cen Daci, nji burr i zi,
Elez Ndreun po e kërkon n’xhixh.
– Unë n’xhixh sun jom tuj t’ardhë,
Se ke nisë bidat nëpër arë.
– T’asht mbushë mendja se je zengin,
Hallin tim or Elez, s’ma din!
Për në paça gjal’ me armë,
Këtë punë do ta çojm’ kadalë.
Mahmut Daci nji gjalë drague,
Muer manxerkën termal tue shkue.
Po shkon rrugës tuj menue:
“I lutet zotit me e pagjue,
Të tana dertet me ja mbarue”.
Çfar’ i dojke zemra, ia dhanke zoti,
Elez Agës iu vrake voci.
N’kullë të gjatë, ke s’i din hall topi,
N’kullë të gjatë, kat e m’kat,
Sharapulli u mbush me xhak,
Kanë dalë gratë tue rrafë shuplakat
Po i thonë miçt: – Ka qenë taksirat!
– Taksirati, si m’hini n’kullë?
– Sojt po t’vjen, or Elez, Daci n’udhë!
– Unë n’udhë Dacit sun i vete,
Se Mahmuti m’vret opete.
Him Elezi kishte thanë:
– Kam lan babë e kam lan nanë,
M’a ban xhakun elb e tërshanë!
Ahmet Daci nji burrë i xhanë:
– Thuej Elezit, sun më more nëpër kamë,
Nëpër kamë sun më more,
Can Mehmeti m’ka ra ndore.
Kollaj qenka me u ngatërrue,
Zor na qenka me u shkatërrue!

Që nga fillimi, deri në pajtim, kjo shamatë kushtoi 36 xhenaze. Nga Dacet u vra Murat Daci dhe u plagos i biri i tij Shaqiri, që asht gjallë edhe sot.
Populli do të përjetësojë në këngë edhe shumë ngjarje të tjera të kësaj periudhe…
Për më shumë, lexoni në librin “Rrëfime dhe këngë popullore”