Dy Dibrat, të ndara në kufi, por të lidhura në rrënjë


Në përfundim të vitit të vjetër tanimë 2018 dhe nisjes së një viti të ri 2019, realizova një udhëtim të mrekullueshëm në Dibër. Ky ishte një udhëtim fantastik, që kishte me vete emocionin, dashurinë dhe zemrën e bardhë e atdhedashurinë për vendlindjen. Në fakt, u nisa herët nga Tirana, për shkak se doja të isha sa më shpejt në Dibër dhe gjithashtu ta vizitoja sa më mirë, duke mos më rrëshqitur prej syve as edhe detaji i vendeve në Dibër që do të vizitoja. U nisa prej shtëpisë sime dhe ngadalë mbërrita në stacionin e furgonave. Pyeta se ku shkon furgoni për në Peshkopi, e aty rezultoi se njëri niste të udhëtonte që në orën 05.40 minuta. Për 10 minuta piva një kafe të shpejtë. Më shikoi kafja, edhe për shkak se ishte ftohtë, dimër dhe kishte erë, e se ftohtësia e motit, përzier me ngrohtësinë e pijes, më ngrohën barkun, por edhe zemrën e shpirtin. Pasi e piva kafen, shpejt hipa në furgon dhe mes asaj dallge ere që frynte, vijoi udha.

Udha për në Dibër
dhe Rruga e Arbrit
Edhe pasagjerët në furgon në fakt dhe kushdo fliste për Rrugën e Arbrit. Të gjithë dibranët duan që të bëhet ajo rrugë, që është historike për dibranët, por edhe për shqiptarët në tërësi. Ajo rrugë, e cila pritet të bëhet për 2 vjet dhe të gjithë shpresojnë se do të bëhet, po pritet me shumë entuziazëm. Duke qenë se po bëhet tanimë Rruga e Arbrit, udha e vjetër lë shumë për të dëshiruar. Kalojmë autostradën deri në Milot, kthejmë dhe sapo hyn në rrethin e Matit, nisin menjëherë vështirësitë. Rruga është e vjetër dhe e shkatërruar, me një infrastrukturë të dëmtuar, thuajse është si në kohën e komunizmit, pa vendosur kush dorë. Makina e ka vështirë të ecë dhe rruga shkon shumë orë. Një mërzitje që nuk e meritojmë. Shpresojmë që shpejt do të rregullohet Rruga e Arbrit dhe se atë rrugë të keqe dhe më e shkatërruara në Shqipëri mos ta shohim më.
Ndërsa gjatë udhëtimit, sigurisht u ndala tepër të bluaj me mendje për Rrugën e Arbrit. Kjo sepse pranë Bulqizës shikoje edhe pjesë që po ndërtoheshin prej rrugës historike dhe me shumë rëndësi për dibranët veçanërisht. Ajo rrugë është shpresë për të gjithë dhe se Tirana e Dibra do të ishin vërtetë afër, ashtu sikundër kanë qenë afër në mikpritjen reciproke. Një projekt që nëse gjen mbështetje dhe të ketë iniciativë gjithashtu, do të jetë një realizim i madh.

Ndalesa në Peshkopi
Pasi udhëtoj goxha kilometra, mbërrij në kryqëzimin e Maqellarës dhe se prej andej morëm rrugën për në Peshkopi. Rrugës, tanimë që e kanë zgjeruar dhe që kanë bërë ndryshime me rëndësi, mund të shikojë fshatra të tërë, si Grezhdani, Dovolani, Erebara, Herbeli etj. Ndërsa rruga bëhet gjithnjë dhe më e bukur prej pemëve që janë fare pranë rrugës kryesore. Ndërkaq, pasi ke udhëtuar ca, arrin në qytet. Nga larg sheh tek valëvitet një flamur kuq e zi, shqiptar dhe një qendër tregtare të madhe. Pallatet dallohen që nga larg, ndërsa merr dyshezën e famshme. Ngadalë mbërrin në qytet dhe vazhdon e sheh atë imtësisht.
Sigurisht që gjëja më e bukur që ka Peshkopia ka qenë dhe mbetet bulevardi. Në të, të radhitura figura me rëndësi për kombin shqiptar, deri te Skënderbeu, kurse dallohet ndër të tjera edhe emri i Naim Plakut, pasi pikërisht emrin e tij mban qendra e kulturës në qytet. Naim Plaku është ndër penat e rralla të Dibrës, një talent i jashtëzakonshëm, një gjeni i lindur për letra, poezi dhe entuziazëm patriotik, e mbi të gjitha një njeri i nderuar. Kurse bulevardi është vërtetë qendra e gravitetit në Peshkopi, teksa njerëzit bisedojnë dhe dalin lirshëm të shëtisin nëpër të. Edhe pse bën ftohtë, sa duket muhabeti iu pëlqen njerëzve dhe ata dalin e bisedojnë e kështu shëtitjet marrin një kuptim tepër të bukur. Gjithashtu, rinia dhe ata që vijnë nga emigrimi ishin dendur në qytet e se Peshkopia kishte marrë vërtetë ngjyra të mira. Jeta zhvillohej në qytet, kurse edhe kafenetë ishin thuajse të mbushura plot. Atmosfera e Vitit të Ri ndihej në ajër.

Udhëtim në Dibër të Madhe
Pasi pashë Peshkopinë, gjerë e gjatë dhe vura re disa pjesë edhe mundimi në qytet, sidomos te pjesa e tregut, teksa edhe probleme ka, u nisa për në Dibër të Madhe. Në një ditë mendova të shikoj dy qytetet më të rëndësishme të Dibrës, Peshkopinë dhe qytetin që ka emrin e qarkut dhe që ndodhet përtej kufirit dhe ashtu veprova. Taksisti që pajtova më shoqëroi rrugës dhe më tregoi shumë. Rruga për në Dibër të Madhe ishte më e rregulluar. Ndërsa qyteti m’u duk mrekulli. Vërtetë bukur.
Shtëpitë janë të rregulluara mirë, kurse edhe rrugët kalojnë anash tyre. U ndala në një vend ku ka të rinj dhe se ata janë vërtetë energjik, ndërsa kanë marrë edhe nga kultura perëndimore dhe ndoshta prej faktit se njihen lidhjet e Dibrës së Madhe, familjeve në këtë zonë me Amerikën. Të rinjtë dhe njerëzit ishin të sjellshëm dhe silleshin mirë me ata që vinin nga Dibra e Vogël, sidomos. Nuk mungonin edhe flamujt kombëtar shqiptarë të varur nëpër shtylla. Shoferi më tha se dibranët në Dibër të Madhe janë më patriotë se ne të Dibrës së Vogël, ndërsa përtej kësaj, m’u duken njerëz të mirë e se atmosfera ishte pozitive. Më tutje, pashë teksa diku ndërtohej një shtëpi dhe se ishin thuajse 20 punëtorë, e kjo ishte një punëtori për t’u pasur zili. Dibra e Madhe është vërtetë bukur dhe aq sa qëndrova mora përshtypje shumë të mira. Një qytet i vogël, pa telashe, rrallë dëgjon tmerre dhe krime e me njerëz pozitivë në tërësinë e vet. Ndërsa është qytet gjithashtu strategjik, pasi në Ballkan aty ndodh të arrijnë shtetas të huaj, emigrant apo udhëtarë të ndryshëm, kurse është edhe disi i veçuar prej qyteteve të tjera ose larg e ka qytetin më të afër të mundshëm. Pasi po kthehesha për në Pikën Kufitare në Bllatë, ku kalova me kartë identiteti dhe po ashtu dola me kartë identiteti, kisha marrë përshtypjet më të mira të mundshme për qytetin historik, për atë vend që mbeti jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, por përbën një zemër të madhe të shqiptarisë. Një qytet, që mbeti jashtë hartës së Shqipërisë në dallgët e shumta të historisë, por se kulturalisht mbeti dhe është shqiptare.

Dy Dibrat, lidhur në rrënjë
Ekziston një shprehje: “Bota le të na dijë të ndarë, ne jemi të lidhur në rrënjë”. Shpesh herë kjo shprehje është përdorur për Shqipërinë dhe Kosovën, sidomos në kohën që Kosova ka qenë nën robërinë e Serbisë. Por se i tillë rast vlen edhe për Dibrën. Ndërsa bota për fatet e saj i ka vendosur ndarë, dy Dibrat janë të lidhura në rrënjë. Dibranët në të dyja anët e kufirit siç më thoshte një burrë që e njoha dhe bisedova me të rrugës, kanë parime, në të shumtën, janë njerëz dinjitozë dhe nuk janë së koti. Ndërsa kulturalisht ngjajnë dhe janë thuajse njësoj, por se thjesht i ndan një kufi, një vijë që nuk duhet, një vizë që është shënuar në padrejtësinë e madhe ndaj kurrizit të shqiptarëve dhe të popullit shqiptar.

Ikje nga Dibra
dhe dy fjalë për Bulqizën
Pasi ika praktikisht nga dy Dibrat, një natë qëndrova në Bulqizë. Qyteti që sot për sot mban rezistencën e madhe të njeriut me natyrën, të njeriut me mbijetesën, të njerëzores me punëtorinë e madhe dhe ku puna është gjak, djersë dhe kripë. Një qytet me halle shumë dhe probleme që nuk mbarojnë kurrë, por me zemrën e bardhë, një vend me zemra nënash që qajnë dhe kanë shpirtin plot me mall për fëmijët nën tokë dhe ata përtej tokës së shqiptarëve.