“Vendimi për dhënien në përdorim të ujërave termale do të anulohet”


Dua të ndaj sot me ju një shqetësim madhor të zonës që përfaqësoj, shqetësim i cili, falë vullnetit të Kryeministrit Rama dhe përpjekjeve të përbashkëta, duket se ka hyrë në rrugën e zgjidhjes.
E kam fjalën për një vendim të marrë nga Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë, i cili më datë 11 Dhjetor 2018 vendosi për miratimin e lejes për përdorim të ujërave termale në qytetin e Peshkopisë, subjektit “Nesimi-Construction-78”. Duke qenë se respektoj të drejtën e biznesit, nuk dua të ndalem te subjekti dhe te përfshirja apo angazhimi i tij në politik. Dibranët e kanë këtë informacion.
Të prekur nga ky vendim, disa qytetarë dhe biznesmenë të zonës më kontaktuan menjëherë, duke përcjellë shqetësimin e tyre si pranë meje, po ashtu edhe pranë Kryetarit të Bashkisë Dibër, z.Muharrem Rama.
Personalisht, pasi komunikova edhe me kryetarin e bashkisë, i cili me siguroi që vota e përfaqësuesve të Dibrës në bord ka qenë kundër vendimit, e përcolla menjëherë shqetësimin dhe kërkova informacion mbi këtë vendimmarrje pranë zyrës së Kryeministrit, përpara se çështja të bëhej publike. Dhe, menjëherë, mora një përgjigje prej tyre, ku më siguruan që çështja do të trajtohej me përparësi maksimale dhe me njoftuan që është ngritur një grup pune për shqyrtimin në detaje të kësaj vendimmarrje. Kjo është e vërteta.
Ndërkohë, banorët dhe biznesi vendas më kërkuan një takim urgjent, pasi shqetësimi dhe ndjeshmëria e çështjes ishte shumë e lartë. Por, pikërisht për të qenë shumë e përgatitur dhe e qartë, bashkë me përfaqësues të grupit të punës, ekspertë të agjencisë të menaxhimit të burimeve ujore dhe me kryetarin e bashkisë, organizuam një dëgjesë publike, ku ju bëmë me dije vullnetin e qeverisë për ta anuluar këtë vendimmarrje. Sigurisht, në bazë të procedurave ligjore dhe argumenteve të qenësishme.
I falënderoj banorët dhe biznesmenët e zonës, të cilët edhe pse mes një presioni të madh për shkak se kjo vendimmarrje i cenon drejtpërdrejtë, kanë mbajtur me ne kontakte të vazhdueshme dhe korrekte.
Këmbëngulja jonë për ta kundërshtuar këtë vendim dhe për të mbështetur kërkesat e drejta të qytetarëve dhe biznesmenëve dibran mbështetet në disa arsye të rëndësishme:
Së pari, më lejoni të theksoj se personalisht që në krye të herës isha kategorish kundër kësaj vendimmarrje dhe ndaj të njëjtin shqetësim me të gjithë qytetarët dibranë, të cilët prej disa ditësh kanë ditur që të kërkojnë të drejtën e tyre përmes reagimeve qytetare, duke nisur me përcjelljen e problematikës pranë meje dhe autoriteteve lokale, vullnetin për të marrë pjesë në takime dhe dëgjesën publike të organizuar për këtë rast, më kërkesa të drejtuara qeverisë përmes portalit shqipëriaqëduam.al, si dhe me protesta paqësore që nuk kanë cenuar asgjë nga prona dhe interesi i përbashkët publik.
Së dyti, më lejoni të theksoj se qendra e ujërave termale në qytetin e Peshkopisë është një nga pasuritë më të mëdha të mëdha të këtij qyteti, cenimi i së cilës do të kishte pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike për të gjithë qytetarët. Figurativish, është “si me i marrë detin Vlorës”.
Së treti, vendimi i marrë nga Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë cenon në mënyrë direkte aktivitetin e rreth 30 hoteleve të ndërtuar në rrethinat qendrës balneare dhe që mirëpresin me mijëra vizitorë/turistë çdo vit në sezone të caktuara. Përveç këtyre bizneseve, janë mbi 500 familje të cilat përmes shërbimeve të ndryshme përfitojnë nga prania e këtyre vizitorëve.
Së katërti, nuk duhet harruar fakti se një problem i përbashkët për të gjitha bizneset e kësaj zone është se ato janë investime të bëra në kushte të vështira financiare e me shumë sakrifica prej tyre. Dhënia për përdorim e ujërave tek një biznes privat mund të çojë në falimentimin e të gjithë këtyre bizneseve, por pse jo, brenda një periudhe të shkurtër mund t’i hapë rrugë edhe një situate monopoli të administrimit të njërës nga zonat më të rëndësishme të qytetit.
Çështja e pestë që nuk duhet neglizhuar në këtë rast është se vendimi i Këshillit Kombëtar të Ujit cënon edhe punën e së paku 400 personave që janë punësuar në këto biznese, në një moment kur kërkesa për vende pune në Dibër vijon të jetë akoma e lartë.
Shqetësimi im i gjashtë ka të bëjë më atë se dhënia për përdorim e ujërave termale do të ndikojë në rritjen e çmimeve që do të aplikohen ndaj vizitorëve në këtë qytetet, shumica e të cilëve janë besnikë dhe e vizitojnë qytetin pothuajse çdo vit, falë kjo edhe vlerave kurative që ka kjo qendër. Llixhat tona nuk janë luks, por domosdoshmëri për ata që i vizitojnë. Dua të sjell në vëmendje se për momentin çmimet e aplikuara nga hotelet e zonës janë ndër më të ulëtat në vend dhe rajon.
Por, më e rëndësishme është se kjo vendimmarrje nuk është konsultuar me asnjë nga grupet e interesit.
Për të qenë e vërtetë deri në fund, menaxhimi dhe administrimi i kësaj pasurie nuk është bërë asnjëherë ashtu siç duhet dhe situata ka nevoje për një analizë të thellë. Por, plani për rehabilitim e zonës për ta shndërruar atë në “luginën e shërimit” duke integruar të gjithë elementet e turizmit, qofte kurativ, por edhe agro-malor, ekziston dhe bashkia Dibër është në përpjekje për të gjetur donatorë për këtë projekt madhor.
Gjëja më e rëndësishme që dua të ndaj sot është që, përkundrejt skepticizmit dhe mosbesimit të shumicës, dua të bej me dije që pardje është lëshuar një shkresë zyrtare drejtuar Prefektit të Shkodrës, nga ku i kërkohet të thërrasë në mbledhje të jashtëzakonshme Këshillin e Basenit Ujor Drin-Bune, ku do të trajtohet projekt-vendimi i anulimit të vendimit nr. 4, datë 11.12.2018. U bëj thirrje ta realizojnë këtë mbledhje sa më shpejt.
Një tjetër kauzë e fituar nga qytetarët me qytetarët. Faleminderit Kryeministrit, faleminderit Kryetarit të Bashkisë dhe Prefektit të Dibrës për punën e mirë në ekip.