Edlira Haxhiymeri, Pedagogia e përkushtuar për arsimin dhe shoqërinë


Edhe pak ditë na ndajnë nga 7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe nuk mund të kalojë pa shkruar për një prej emrave më të njohur, më të dashur dhe më të respektuar në fushën e mësimdhënies, prof. Edlira Haxhiymerin. Mbi tridhjetë vite në mësimdhënie si pedagoge, studiuese e sot pedagoge me kohë të plotë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale nuk është pak. Për mua nuk është hera e parë që shkruaj për prof.Edlira Haxhiymeri. Para dhjetë vitesh kam bërë një intervistë me të, të cilën e botova në gazetën “Rruga e Arbërit” si dhe në librin”Trokitje në portat e Dibrës”. Tani shoh se ky portret rri ngushtë brenda kësaj kornize. Them rri ngushtë, sepse shenja ma e madhe e suksesit për një mësues është kur ai guxon për t’i zgjeruar kufijtë e tij të dijes dhe të mësimdhënies, për të kontribuar ca më shumë sesa në hapësirën e një shkolle. Profesoreshë Edlira i ka kaluar me kohë tashmë këto kufij.
Në të gjitha udhëtimet që bënte jashtë vendit, profesoreshë Edlira kthehej që andej e ngarkuar plot me libra. Ajo flet, shkruan, diskuton, është unike dhe nuk do të mbajë asgjë për vete. Ajo është tepër e revoltuar nga ajo që ndien dhe shikon, prandaj dhe proteston.
Po kush është Edlira Haxhiymeri? Ka lindur në Tiranë nga dy prindër dibranë, Tahir dhe Nustrete Haxhiymeri. Tahiri, si një pasardhës i familjes së Iljaz Pashë Dibrës (Qokut) ishte dhe mbeti si pedagogu që bëri më shumë për ato studentë dibranë që u shkolluan në ato vite në Tiranë. Ndërsa nëna e saj, Nustretja, ishte bijë në fisin e njohur të Shehlerëve.
Edlira, si një cucë dibrane, që në fëmijëri e ka ndjerë dhe përjetuar ndjenjën e fortë të dashurisë që vetë prindërit i kanë ushqyer për vendlindjen. Përfytyrimi i saj për Dibrën është si qyteti më i bukur, më i pastër, më mikpritës dhe më me traditë se çdo qytet tjetër. Fati, puna, detyra e saj ia krijuan mundësitë që Edlira të vizitonte qytete vërtet të bukur dhe madhështorë të botës, si në lindje, ashtu edhe në perëndim, por kur kujton Dibrën, rruga e kthimit i bëhej edhe më e shkurtër se sa ajo që kishte vajtur. Ky lloj vlerësimi shkonte deri atje saqë nuk e mendonte që jetonte në kryeqytet, por kryeqendra e vendit për të duhej pa dyshim që të ishte vendlindja e prindërve të saj, Dibra.
Edlira është shkolluar në Tiranë. Studimet universitare i ka kryer për Gjuhë Angleze dhe është specializuar për Psikologji. Që nga viti 1987 është pedagoge në fushën e Psikologjisë. Ka mbrojtur gradën “Doktore e Shkencave” dhe ka fituar titullin “Profesore e Asocuar”.
Sa më shumë inteligjent që të jesh, aq më shumë duhet të mësosh. Për Edlira Haxhiymerin, të arsimoheshe do të thoshte të ishe e aftë për ta kuptuar sa më mirë jetën, për të qenë e gatshme në përballjen me sfidat që ajo të afron, në rrugët që shpesh s’kanë vetëm lule por edhe gjemba.
Dhe jeta e saj mori një rrjedhë krejt ndryshe, – se siç shprehet vetë Edlira, – ishte një ëndërr e kahershme e prindërve të saj që të shkollohej e të bëhej mjeke. Me gjithë dëshirën e madhe që kishin prindërit, Edlira u rrit me ndjesinë e madhe për të qenë mësuese.
Sot, kur ka mbi tridhjetë vite në fushën e mësimdhënies, thotë me humor:
“Sidoqoftë, mjeke apo mësuese, i lidh bashkë të dyja profesionet puna me njerëzit. Arrita që në fund të kisha një profesion që i bashkon të dyja, ëndrrën e prindërve të mi dhe ëndrrën time. Kjo nuk ishte zgjedhja ime, por fati e deshi kështu. Jam e kënaqur dhe ndjehem krejtësisht e plotësuar në profesionin tim. Nuk jam ndjerë asnjëherë keq. I jam përkushtuar profesionit. Jam përpjekur të bëj më të mirën dhe ky profesion më ka shpërblyer”.
Edlira kujton vitet e bukura të gjimnazit, shoqërinë, aktivitetet si dhe një dëshirë në rritje për të lexuar, në mënyrë të veçantë libra të ndaluar. Ka qenë kjo periudha që më ka mundësuar njohjen me të gjitha kryeveprat e letërsisë dhe që, për fatin tim të mirë, u thellua më tej me studimet universitare në gjuhën angleze.
E lindur dhe e rritur në Tiranë, në metropolin shqiptar, por e lidhur shumë ngushtë me Dibrën, me vendlindjen e prindërve të saj, me origjinën e bukur, për të cilën ajo ndjehet krenare. Fëmijëria e saj ka qenë e bukur dhe e qetë, e rritur dhe e mbushur me dashurinë dhe kujdesin e prindërve e sot nga fëmijëria e dikurshme ende kujton gjithë nostalgji vizitat e përvitshme që bënin në Dibër. Kalonte atje pjesën më të madhe të pushimeve verore. Kujdesi i gjysheve, njohjet dhe rrethi i gjerë i njerëzve që e rrethonin, vizitat tek llixhat, në Dri, por edhe në fshatrat përqark për të takuar miq e të afërm të të dy familjeve, i bënin pushimet verore të veçanta dhe i jepnin mundësinë të preknin nga afër realitetin për të cilin prindërit i flisnin vazhdimisht.
Në fakt, ndjen mall dhe është nostalgjike për Dibrën. Sa herë ka mundësi, shkon pa asnjë mëdyshje. Megjithëse të afërmit dhe familjarët e saj janë larguar prej kohësh nga Dibra dhe pak të njohur i kanë mbetur ende atje, ajo gjithmonë e shikon atë si një qytet shumë të afërt dhe domethënës në konstitucionin e saj personal. Ka shumë mall për rrugët, për bulevardin me blirë, për pazarin, llixhat dhe gjithçka që i kujton fëmijërinë, prindërit dhe gjyshërit e saj. Përpiqet të frekuentojë të gjitha aktivitetet dibrane, pasi është edhe kryetare e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe është e pranishme në të gjitha ndryshimet që pëson qyteti i Peshkopisë.
Këdo që takon dhe ka pak lidhje me Dibrën, (e pranon dhe vetë se është pak lokaliste), fillon ta shikojë pozitivisht dhe me ndjesi të veçantë. Është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet vazhdimisht që këtë ndjenjë të bukur për Dibrën dhe dibranët ta përcjellë sadopak edhe tek djali i saj.
Një mësues i mirë i respekton nxënësit e tij. Në një klasë të një mësuesi të mirë, idetë dhe mendimet e secilit person vlerësohen. Nxënësit ndjehen të sigurt për të shprehur ndjenjat e tyre dhe mësojnë të respektojnë dhe të dëgjojnë të tjerët. Ky mësues krijon një mjedis mikpritës për të gjithë studentët. Sot, ish studentët e saj, që janë bërë vetë pedagogë, Edlirën e marrin si model.
Prej vitesh punon si aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave dhe fëmijëve. Është autore e shumë teksteve dhe studimeve mbi probleme sociale që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Ka drejtuar shërbime në komunitet për grupe sociale në nevojë dhe është hartuese e disa projekteve për shërbime sociale. Jep vazhdimisht kontribut në median e shkruar dhe atë elektronike për çështje të ndryshme sociale. Është njëkohësisht bashkëpunëtore pranë dy universiteteve të huaja, universitetit “Clemson” në shtetin e Karolinës së Jugut, në Amerikë dhe në Universitetin e Europës Juglindore në Maqedoni. Më gëzon sinqerisht dhe më le pa mend energjia e madhe e prof. Edlirës.
Ka plot njerëz të zgjuar ky vend i bërë me kujdes nga Zoti, por si shpjegohet që qeveritë, radhë-radhë, bëjnë sikur nuk i shikojnë? Prof. Edlira Haxhiymeri nuk ka nevojë për qeveritë, por vetë qeveritë kanë nevojë për të. Ky personalitet i shkencave shqiptare është i pazëvendësueshëm. Ajo ka diçka nga të parët e saj. Shqipëria ka shumë zanafilla dhe njëra prej tyre është atje në Dibër, tek i madhi Skënderbe, tek Iljaz Pashë Qoku, paraardhës i vetë Edlirës, te Vehbi Dibra e plot të tjerë.
Profesoresha ka punuar si pedagoge vizitore në GVSU, Michigan, SHBA (1997-1998). Ajo është pedagoge në distancë në Universitetin “Clemson, SC”, SHBA. Ka kontribuar për krijimin e Programit Bachelor në Punë dhe Politikë Sociale në UEJL Maqedoni dhe vazhdon të kontribuojë në zbatimin dhe fuqizimin e këtij programi.
Gjatë 15 viteve të fundit zonja Edlira Haxhiymeri ka mbajtur pozicione të rëndësishme në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit, zv. Rektore e Universitetit të Tiranës dhe zv. Ministre e Arsimit në Shqipëri.
Ka marrë pjesë në mbi 100 konferenca shkencore në bashkëpunim me bashkëpunëtorë të huaj dhe vendas. Në pamje të parë profesoreshë Edlira Haxhiymeri dukej shumë e rëndë, por studentët, sapo e shikonin se po futej në oborrin e fakultetit, nuk fshiheshin pas pemëve e gjelbërimit, përkundrazi i afroheshin pranë, bisedonin shtruar dhe komunikonin lirshëm si me një mike të njohur prej vitesh.
Ekspertiza e profesore Edlira Haxhiymerit përfshin punën me grupet sociale, kryesisht viktima të pambrojtura të dhunës në familje dhe trafikimit; çështjet gjinore; praktikë e avancuar e punës me fëmijët dhe grupet e të rinjve; sjellja njerëzore dhe mjedisi social, trajnimi i profesionistëve që kontribuojnë për çështjet sociale; monitorimi dhe vlerësimi i shërbime sociale dhe kërkimi për çështje të ndryshme sociale.
Ajo ka një përvojë të pasur në aktivizimin e shoqërisë civile, kryesisht për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e grave. Është drejtore Ekzekutive e “Strehëzës për Gra dhe Vajza të Dhunuara në Tiranë”.
Ajo është autore dhe bashkautore e disa teksteve universitare, e shumë artikujve në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, drejtuese e projekteve kërkimore në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
Ka botuar “Dhuna në familjen shqiptare”, “Sjellja njerëzore dhe mjedisi social”, “Rolet dhe steriotipet gjinore”, “Mitet dhe realitetet e dhunës në familje”, “Dhuna ndaj fëmijëve dhe pasojat në zhvillimin e tyre”.
Ajo ecën në këmbë dhe bën intervalin e përditshëm, shtëpi-fakultet, por edhe ndalon gjatë rrugës dhe i takon të gjithë miq, shokë, studentë e ish studentë të saj. Ndien kënaqësi dhe vlerësim kur e ndalojnë dhe e përshëndesin të gjithë. Prof.Edlira është gjithmonë vetvetja, nuk lëviz nga e saj. Çfarë mendon? Një Zot e di, përgjigjet një proverb gjerman. Ajo kurrë nuk mendon të vjedhë, siç bëjnë shumë elitarë ulur në bangot majtas apo djathtas.
I lumtur është ai njeri që gjatë jetës së tij bën më të mirën e mundshme dhe mbetet i nderuar e i kërkuar nga ata që e njohën. Edlira Haxhiymeri është një e tillë, intelektuale emërmirë dhe pa dyshim e përmasave kombëtare. Dhe për këtë nuk pret vlerësime e nderime nga qeveritë, nga institucionet. Vlerësimin ia kanë dhënë ata mijëra e mijëra studentë të saj që sot punojnë e drejtojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, brenda e jashtë vendit, dhe vlerësime të tilla nuk janë pak.

Familja
Edlira është e martuar dhe ka një djalë. Bashkëshorti i saj është pedagog në fakultetin ku Edlira ishte vetë studente. U njohën që në vitin e parë të studimeve. Ka qenë një zgjedhje e tij, që e tërhoqi Edlirën pas. Si në ditët e para të njohjes, vazhdon të vlerësojë dashurinë pa kufi, sinqeritetin, guximin, drejtësinë, që në fakt është edhe refreni i jetës së tij. E siç thotë me shaka Edlira “ka një fije nervi prej tosku, që është i lexueshëm në karakterin e tij dhe që e bën të veçantë, të paktën për mua. Ai ka qenë dhe është një mbështetje dhe nxitje për arritjet e mia. Ndonjëherë vlerësoj se mbështetja e tij ka qenë domethënëse për mua. Ne debatojmë vazhdimisht. Asnjëri prej nesh nuk hap rrugë lehtë. Biem dakord me njëri-tjetrin, vetëm kur kemi argumente të mjaftueshme. Kjo e bën jetën tonë vërtet interesante dhe na ka ndihmuar të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Im shoq është rritur në një familje me shumë fëmijë dhe me një rreth të gjerë familjar. Babi i tij është ndarë herët nga jeta dhe atij i është dashur të kujdesej edhe për vëllezërit dhe motrat më të vogla. Kjo e ka pjekur para kohe, por edhe e ka ndihmuar ta njohë më mirë jetën. Në këtë pikëpamje, argumenti me të më ka ndihmuar të jem gjithmonë me këmbë në tokë. Përgjithësisht, nuk mbajmë inate me njëri-tjetrin. Debati mbaron, kur njëri prej nesh ka dhënë më shumë argumente. Pas kësaj fillon mirëkuptimi. Më besoni, debatojmë shumë kur vjen puna për të mbrojtur vlerat e krahinave nga vijmë. Këtu mua më duhet të jem më luftarake, pasi ndjej që Dibra nuk ka marrë asnjëherë atë që ka merituar dhe mua më pëlqen që im shoq, pas debateve të gjata, të pranojë që unë kam të drejtë. Në pozicion më të vështirë në këto raste më duket se është djali ynë, që nuk di nga t’ia mbajë dhe gjen zgjidhjen: të dy keni të drejtë”.
Profesoreshë Edlira përgjithësisht është tip i qetë, shumë e vëmendshme dhe e kujdesshme. I do dhe respekton njerëzit. Nuk lëndon askënd. I merr gjithmonë seriozisht punët dhe përgjegjësitë e ngarkuara dhe vlerëson çdo arritje. Ajo flet për të tjerët, për njerëzit me vlera që ka njohur në rrugën e jetës, flet për të gjithë, por kurrë për vete.
Edlira ka shumë dëshirë dhe vullnet të fortë për të bërë shumë gjëra. Edhe kur gabon, gjë që ndodh rrallë, gjen forcë për të vazhduar. Di të thotë më fal. Vlerëson njerëzit që bëjnë të njëjtën gjë. Nuk bindet lehtë. Është gjithmonë e papërtuar për të bërë më të mirën. Është mjaft tolerante. Pëlqen dhe vlerëson shumë sinqeritetin. Është mjaft këmbëngulëse në gjërat e mira. Shquhet për profesionalizëm, personalitet, thjeshtësi, bashkëpunim, korrektesë. Ka shumë cilësi të tjera dhe virtyte të larta që spikatin në portretin e prof.Edlirës, por një vend të rëndësishëm zë pa dyshim përkushtimi i madh i saj karshi profesionit, të cilit si pedagoge i ka kushtuar mbi tridhjetë vite.

Angazhimi në politikë
Angazhimi në politikë për prof.Edlirën erdhi krejt natyrshëm, së bashku me rritjen e saj profesionale. Avancimi në karrierën profesionale e bëri më të ndjeshme ndaj problemeve dhe realiteteve të vështira në shoqërinë tonë. Me dëshirën për të kontribuar në përmirësimin e realitetit social në shoqërinë shqiptare u afrua në politikë. Besonte dhe ende vazhdon të besojë se në fakt profesionistët e mirë janë dhe politikanë të mirë. Edlira e ka ndjerë si përgjegjësi, për të dhënë kontributin e saj në fushat që i njeh mirë.
Fillimisht ka qenë e angazhuar si eksperte e më pas si kandidate për deputete në një nga zonat e Tiranës, si zv.ministre e Arsimit, si prefekte e Tiranës dhe më pas si sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në Partinë Socialiste.
Pavarësisht nga problemet që krijohen nga politika, nuk është penduar asnjëherë për angazhimin e saj në politikë. Madje, pikërisht ky angazhim e ka bërë më të fortë dhe më këmbëngulëse, në mendimin se është përgjegjësi qytetare për të kontribuar sot në politikë.
Si grua, beson se i ka shërbyer dhe do të vazhdojë t’i shërbejë politikës, edhe për të zbutur maskilitetin ekstrem që e karakterizon politikën.
Prof. Edlira u njoh mirë me jetën, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë nga hiçi për të arritur më vonë shumë në formimin e tij, do t’i falnin “mëvetësinë” për të ndërmarrë më pas veprime që në fund të fundit do të ishin si një shtrëngatë për t’i dhënë vetë jetës drejtimin e duhur.
Je i virtytshëm kur ndërmarrjen e guximshme e bën vetiu e jo kur ta kërkojnë të tjerët. Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme të Edlira Haxhiymerit, gjen njeriun e bindur për të kryer veprime të guximshme, pa e ditur se ajo ato i bën nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist.
Prof.Edlira Haxhiymeri i bëri të gjitha punët me shpirt dhe zemër. Ajo u tregua kaq e aftë sa investoi që të ishte jo vetëm një sukses, por të mbetej edhe një vlerë, për vete dhe shoqërinë.
Janë vetë sfidat ata që e bëjnë jetën interesante e këto sfida nuk munguan as në jetën e Edlirës.
Ajo nuk është vetëm një ëndërrimtare për t’i kryer punët ashtu siç duhet. Ka edhe bindjen se brenda vetes fshihet forcë, durim dhe pasion për të gjetur fjalën me të gjithë, si me të rinjtë, ashtu edhe me të moshuarit, si me studentët, ashtu edhe me kolegët.