Arsimi në rrjedhën e viteve për qëndresë dhe përparim


Këtë muaj, fshati i Grevës dhe fshatrat rreth e qark,së bashku me nxënësit e mësuesit, kujtojnë një ngjarje të rëndësishme për arsimin,edukimin dhe kulturën e kësaj zone,pasi në mars të vitit 1927 u hap për herë të parë shkolla e shqipe e Grevës, e cila për 92 vitet e funksionimit të saj,ka lënë gjithsesi gjurmë në historikun e arsimit në Dibër.
Të evokosh ngjarje që zanafillën e kanë në fillimet e viteve të shekullit të kaluar është paksa e vështirë,sidomos për ngjarje e evenimente që kanë të bëjnë me përhapjen e diturisë dhe dijeve në gjuhën amtare shqipe. Historia e arsimit tonë është një histori luftash, përpjekjesh, histori e një populli të vogël në numër, por të madh në botën e tij shpirtërore , në vullnetin e tij për të qenë i lirë dhe i pavarur. Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare çështja e arsimit dhe shkollës shqipe u vu në qendër të vëmendjes së rilindësve tanë. Ato përcaktonin: ”Në ka gjë për të cilën shqiptarët duhet të përkujdesen më tepër,ajo padyshim është DITURIA”. Nuk ka më keq ,nuk ka fatkeqësi më të madhe për një komb nëse nuk komunikon e shkruan gjuhën e tij, sepse ai komb shumë shpejt shkërmoqet e shuhet. Për ta mbajtur të nënshtruar, Bizantinët dhe Osmanët në më shumë se 5 shekuj,jo vetëm nuk u interesuan për zhvillimin e brezave të ardhshëm të shqiptarëve por u munduan me të gjitha format për të shuar gjuhën kombëtare,traditat,zakonet ritet që ky popull kishte trashëguar që në kohën e Ilirishtes. Pra shtrohej problemi: Do të bëhej shtet Shqipëria apo do të zhdukej në vorbullën e historisë,duke u përpirë nga lukunia e fqinjëve.Pra një komb kursesi nuk mund të bëhet nëse nuk ka gjuhën e tij,kulturën e tij, shkollën e tij. Ndaj ishte pikërisht gjuha dhe shkolla ,ato që u bënë idhulli i shpresës,sofra e parë që do të bashkonte shqiptarët e do ti përgatiste ato njëherazi edhe për betejat e ardhshme.

Gurthemelet e shkollës shqipe…
Falë të parëve tanë, gjysh pas gjyshi e brez pas brezi me guximin dhe fanatizmin më të madh ruajtën dhe trashëguan gjuhën , zakonet e traditat shqiptare. Në trojet shqiptare,tek tuk, tinëz hapej ndonjë shkollë ,mejtep ku mësohej turqisht dhe shqip pa lejen e autoriteteve turke ,por ato mbylleshin sapo të merrej vesh nga qeveria osmane.Pas viteve 1800,filluan përpjekjet për identifikimin e gjuhës shqipe.Identifikimi i shqipes kishte të bënte me identifikimin e kombësisë. Pikërisht pas këtij fakti u kapën fort patriotët tanë. Lanë mënjanë dasitë fetare,krahinore,bindjet,idetë,u benë një për çështjen më të madhe të kombit për hapjen e shkollave shqipe në mbarë Shqipërinë. Kështu u krijuan mjaft organizata patriotike, si federata:”Atdheu”, “Lidhja e mësuesve”,e më vonë shoqëria “Bashkimi” etj., veprimtaria e tyre u fokusua përveç çështjes së formimit të shtetit shqiptar edhe përhapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në këtë kuadër u bënë përpjekje dhe u botuan një varg abetaresh; si ajo e Naum Veqilharxhit (1844, 1845), e Konstandin Kristoforidhit (1867, 1868), e Daut Boriçit (1869), “Allfabetarja e Stambollit” (1879) etj. Një kontribut të rëndësishëm zhvillimit të arsimit dhe të shkolles shqipe i dha edhe “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” e Stambollit në krye me Sami Frashërin. Edhe Luigj Gurakuqi evidentonte:
”Çështja e arsimit,ka rëndësi kryesore në rilindjen e kombit shqiptar, pse vetëm me një mësim të shëndoshë, me një arsim të vërtetë mund të ngjallet e mund të mëkëmbet kombi ynë e mund të fitojë të drejtën për me hymun në radhën e popujve të qytetëruar”,”Gjuha e ndriton kombin- thoshte Naim Frasheri- e ndriton dhe e nxjerr nga errësira”.
Ashtu si në gjithë Shqipërinë në fillim të shekullit XIX, edhe në krahinën e Dibrës mori hov lëvizja arsimore me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Rezulton se shkolla shqipe në Dibër janë hapur shumë herët : si në Dibër të Madhe (Shehër), Zerqan, Bllacë e Homesh,por u mbyllen shpejt sapo u diktuan nga autoritetet turke. Dhe s’reshte së theksuari Said Najdeni ”që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku ka vetëm një rrugë: me u zgjua kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes”.
Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887, u bëri të qartë shqiptarëve se gjuha dhe shkolla shqipe ishin kërkesa reale, se rruga drejt shkollës shqipe dhe alfabetit shqip nuk ishte më një utopi, por një gjë krejt normale; e realizueshme dhe e prekshme. Në vitin 1887 edhe në Rekë(Verbian) të Dibrës u hap një shkollë shqipe, por u mbyll shpejt nga autoritetet turke.
Me inisiativën e tyre patriotët dibranë zhvilluan disa kuvende e takime për çështjen e arsimit. Më 1 nëntor 1889 Kongresi i Arsimit i Dibrës i dërgoi Sulltanit një promemorie të firmosur nga 31 vetë, ku kërkohej hapja e një shkolle shqipe në Dibër. Në këtë kërkesë ndër të tjera thuhej :”Meqenëse në qytetin tonë Dibër flitet vetëm shqip dhe fëmijët e popullatës nuk kanë patur mundësi që të marrin mësim në gjuhën tonë amtare, kërkojmë që të na lejohet hapja e një shkolle me shqipen si gjuhë mësimi,dhe të gjitha shpenzimet do ti paguajnë patriotët vetë”.
Dhe nuk vonoi, e shkollat e fshehta të Said Najdenit në Dibër të Madhe, (1888), Shaqir Daci Homesh (1893), Hamdi Ohrit në vitin 1901 lëshuan metastazat e njëherazi hapen edhe dhjetë shkolla shqipe në fshatrat e Dibrës së sipërme e të Dibrës së poshtme. Në vitin 1899, në Dibër kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë në shqip më shumë se 300 persona. Fëmijët e Dibrës Madhe, Peshkopise, Gollobordes, Zerqanit, Homeshit, Bulqizes, Kastrotit, Dohoshisht, Brezhdan, Trojak, Zogjej, Bllacë etj.,filluan të belbëzojnë e shkruajnë të bukurën shqipe. Pra hapja e shkollave në gjuhën shqipe ishte një luftë,një luftë që duhej të fitohej me çdo çmim e me çdo kusht, se përndryshe shkollat turke, greke e serbe kishin nxjerrë kthetrat për gllabërimin e shuarjen e shqipës e në çdo moment villnin helm e vrer antishqiptar,me synim asimilimin total të kombit tonë.
Shkollat e hershme shqipe edhe në Dibër ,kishin karakter fetar. Ato kishin edhe lëndë fetare dhe në to përdoreshin edhe tekste me përmbajtje fetare. Ishte ajo kohë kur konceptet gjuhë, fe, atdhe, ishin të pandara.
Arsimi shqip në Dibër mori dritën jeshile vetëm më 10 mars 1912, kur valiu i Manastirit lejoi të hapej shkollë shqipe në Dibër të Madhe.
Qeveria e Vlorës për kushtet dhe rrethanat e saj, bëri përpjekje modeste fillestare për ligjshmërinë arsimore. Gjuhën shqipe e shpalli gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar, shkollës i dha karakter shtetëror, bëri përpjekje për arsim fillor të detyruar etj.
U hap shkolla shqipe e lejuar nga autoritetet shtetërore në qytetin e Peshkopisë, më 14 prill 1914 në shtëpinë e Sheh Besimit, me mësues të parë Haki Sharofn, dhe shkolla e Trebishtit në Gollobordë më 15 prill 1914, nga mësuesi Ramiz Qatja.
Golloborda është krahina që ka dhënë edhe tre martirë të gjuhës e të arsimit shqip: Vasil Mlladen Pleushku, Haziz Lila dhe Hoxhë Moglica, të cilët vunë jetën e tyre në themelin e arsimit e të gjuhës shqipe.
Në vitin shkollor 1915- 1916 u hap shkolla në Dohoshisht me mesues Kamber Spahiu. Më 1916 u hap shkolla në Trojak të Sllovës nga Haki Sharofi. Shkolla e Sohodollit u hap në vitin 1916 me mësues Aqif Pasholli. Në vitin shkollor 1916-1917 u hap shkolla në Allajbegi me mësues Hebip Bajram Golja. Në Homesh shkolla u rihap në vitin 1918. Në po këtë vit shkolla u hap edhe në Sopot . Shkolla e Okshtunit u hap në vitin 1922 me mësues Osman Muglicën. Shkolla e Sllovës, te Kepi i Gjatë (Depoja e vjetër) është hapur në vitin 1922-23 me mësues të parë Abdulla Çangën. Më 1922 u hap për herë të parë shkolla shqipe në Lurë, në shtëpinë e Dali Koçekut nga Musa Kuqi (Shehu). Shkolla në Kala të Dodës u hap në vitin 1922 nën kujdesin e patriotit Hasan Prishtina. Shkolla e Luznisë u hap me 1923 me mësues Shaban Ostrenin.
Me shkresën datë 5/XI/ 1924 kërkohet hapja e një shkolle në Herbel, ku të mësonin fëmijët e Popinarës, Erebarës, Grazhdanit, Dovalanit, Trepçës, Pjeçës e Pejkës.

Pragshkolla e Grevës…
Fshati ynë, Greva,ndër vite e në breza ka evokuar histori,ka luftuar për identitet,dinjitet,përparim e shkollim. Grevasit gjithmonë kanë qenë krenar e kryelartë(vetë emri Grevë është mjaft sinjikativ). Kanë qenë tepër kompakt, të panënshtruar e tepër luftarak ndaj pushtuesve të huaj.
Akoma ruhen në kujtesën e etërve tanë qëndresa ndaj turqve. Selë Daci u vra në përpjekje me turqit në Ravna. Thirrjes së turqve për tu dorëzuar(lidhur) iu përgjigj me nagant, por turqit të shumtë në numër e vranë, ndërsa Hasan Fidën e internuan dhe e burgosën në Manastir. Dy herë fshati ynë është djegur e bërë shkumb e hi nga shkjatë serb. Vlen të theksohet qëndresa heroike të gjithë fshatrat e Grevës ndaj serbëve, në vendin e quajtur ”Kepi Shehut” ku thyen taboret serbe dhe nuk u lejuan që të futeshin në fshat.Gjatë këtyre luftimeve ra në fushën e betejës : Alush Bunguri, u kapën dhe u ekzekutuan: Tufik Baruti,Shqir Korumi,Karahman Hoxha, u plagosën Maliq e Dalip Kryemadhi. Për trimëri u dalluan: Hasan Fida,Rifat Rexhepi etj.
Greva është bombarduar nga gjermanët ,nga Moranica e Dibra së Madhe, dhe nga gjylet e topave është vrarë Riza Kryemadhi,Shahin Merdani. U plagos Hajrullah Kaba. Si baza të strehimit të partizanëve në fshatin Grevë duhet të përmendim : Fiqiri,Ilmi,Fuat Baruti, Zeqir e Shahin Bunguri, Zabit Hoxha, Rifat Rexhepi, Sami Deshati, Rushem e Alush Tifeku etj. Për çlirimin e vendit nga ky fshat rrokën armët e luftuan mbi mbi 30 djem e burra. Në këtë luftë dhanë jetën për liri,dy djem të kësaj shkolle;Mustafa Bunguri e Haki Zerja .
Të parët tanë janë përpjekur për progres,zhvillim, dije e kulturë në ndërtimin e një jetese sa më të mirë. Si fshat shumë afër qytetit të Peshkopisë, Greva kishte jo vetëm lidhje miqësore por dhe ndikime nga jeta dhe formimi arsimor e kulturor qytetar.
Në Dibër,Greva është njohur e njihet si fshat me tradita jo vetëm me tradita patriotike atdhetare,por edhe për mënyrën e jetesës,me bujarine, mikpritjen, besën,ndihmën e ndërsjelltë me mjaft njerëz të shkolluar e intelektuale.
Qysh në kohrat e hershme,mjaft nga djemtë më të mirë të fshatit, në përpjekjet e tyre për përparim e zhvillim, filluan të emigrojnë në dhera të huaja, Atje filluan të njihen me kulturën e Evropiane e më gjerë.Lindi nevoja e komunikimit e letërkembimit,me familjarët dhe të afermit e tyre.
Më tregonin të moshuarit: Zabit Hoxha,Tosum Fida, Qazim Daci, edhe ato pak letra që mund të dërgonin kurbetlinjtë e fshatit ishin në gjuhën turke,arabe e familjarët duhej të ecnin me ditë të tëra me gjet ndonjë njeri që dinte për ta përkthyer e lexuar diku letrën.Kushtet dhe rrethanat evoluan, lindi nevoja e leximit dhe shkrimit të gjuhës shqipe.
Ja çfarë shkëputa nga kujtimet e plakut Adem Fida. ”Bashkë me Hysen Zeren e Muharem Shabanin shkuam në Peshkopi, në prefekturë. Krahas shumë problemeve të fshatit u interesuam edhe për ndonjë mësues për të hapur shkollen shqipe në Grevë. Falë fatit,rastësisht muarëm vesh se në fshatin Herbel ishte caktuar një mësues nga Kosova, por herbelasit ishin pishman për hapjen e shkollës. Rasti na erdhi kubalem në derë, shpejt dhe papritur. Aty për aty vendosëm menjëherë e iu drejtuam autoriteteve të prefekturës, me lutjen që këtë mësues ta sillnin në fshatin tonë ,pasi ne ia siguronim fëmijët,strehimin etj. Mirë na thanë. Shkoni në Herbel, bisedoni me fshatarët atje, dhe nëse bini dakord na njoftoni dhe merreni mësuesin. Po atë ditë vajtëm në Grevë, mblodhëm fshatin dhe kryepleqësia ngarkoi: Rifat Iljazin(Rexhepi), Riza Kryemadhin dhe mua ,Adem Fidën që të shkonim në Herbel. Shkuam në Herbel- vazhdon tregimin-Ademi- . Jo vetëm që na pritën me shumë respekt por dhe me shumë kënaqësi pranuan kërkesën tonë. Na sajdisën me një drekë të mirë e na përcollën duke u shprehur nën zë me shprehjen; shyqyr që na e hoqët mësuesin qafe, (fshati ishte me dy fe,myslimane dhe ortodoks),se duke hapur shkollën fëmijët do t’na beheshin kaur”.

 

Kështu në mars të vitit 1927, merr udhë shkolla e parë shqipe e Grevës në një dhomë pranë xhamisë me mësues të parë z.Qamil Luzha nga fshati Luzhë i Gjakovës. Sipas Teki Selenicës, në këtë vit,Greva përbëhej nga 317 frymë.
Mësuesi erdhi së bashku me familjen e tij dhe menjëherë iu vu punës. Nisi pastrimin e dhomës,ndërtoi ca stola të gjatë,një si dërrasë të zezë dhe filloi rregjistrimin e nxënësve. Nga dëshira e madhe e vetë fshatarëve dhe të vetë fëmijëve për të mësuar në klasën e parë u regjistruan 28 nxënës ,të gjithë djem te moshës 8-12 vjeç.
Në këtë shkollë erdhën të vijojnë mësimet edhe fëmijë nga fshatrat: Melan e Trenë. Kështu 19 nxënës ishin nga Greva si: Iljaz Rexhepi,Liman e Avdulla Deshati ,Baftjar e Mustafa Bunguri,Hysen,Baftjar e Shaqir Ferruku,Qazim Daci, Daut,Qazim e Xhelil Kryemadhi,Nesim Baruti,Adem e Nezir Tifeku,Ferit Zerja, Shuaip Spahiu,Tosum e Met Fida. Pesë nxënës ishin nga Trena: Shaban Spahiu, Baftjar e Ramadan Fisniku, Rasim Kaja, Haxhi Xhajku. Katër nxënës ishin nga Melani: Mirvet Rama, Rasim e Eqerem Elezi, Haxhi Shkreta.
Mësues Qamili shumë shpejt hyri në zemrat e fshatarëve, i bëri për vete me babaxhanllëkun, thjeshtësinë ,kulturën e horizontin e tij. Megjithëse banonte së bashku me familjen e tij në shtëpinë e Selman Nuzit, pak i binte të rrinte në shtëpinë e tij, pasi fshati e respektonte dhe e ftonte që të ishte i pranishëm në festat ,gëzimet e hidhërimet e tyre. Afria që krijoi mësues Qamili u dha mundësi dhe disa djemve shumë të rritur në moshë që të vazhdonin shkollën si të jashtëm,ndonjëherë dhe si dëgjues në orë të veçanta, kur ato kishin kohë të lirë, pasi liroheshin nga punët e shtëpisë.
Kështu si nxënës të jashtëm mësuan shkrim e lexim shqip: Zabit Hoxha, Osman e Isa Fida etj. Mjaft nga ish nxënësit e shkollës shqipe të Grevës që përmendëm më sipër, me 4 klasë që mbaruan , përballuan mjaft detyra të rëndësishme në atë kohë si në: tregti, ekonomi, ushtri, mjeksi etj. Edhe mësues Qamili ruajti një respekt të veçantë për fshatin e Grevës e për ish nxënësit e tij të parë.
Me rastin e 60 vjetorit të kësaj shkolle në vitin 1987,mësues Qamili solli një letër falenderimi për mësuesit dhe fshatarët dhe fotografinë e tij . Në letër kërkon falje pasi atë e ka shkruar mbesa meqë ishte në moshë shumë të madhe dhe i dridheshin duart. Mësuesi Qamil Luzha qe një atdhetar i flaktë,një figurë me përmasa kombëtare.Atdhetarizmin e tij ai e tregoi gjatë tërë viteve të vepritarisë së tij si mësues,si edukator i brezit të ri. E ndoqëm me dhimbje të madhe një emizion për Kosovën që dha TVSh para disa vitesh kur njoftonte mbi vdekjen në moshën 93 vjeçare të mësuesit të parë të Grevës Qamil Luzha.
Mësimet shqip të fëmijëve të Grevës, pas trasferimit të mësues Qamilit në Muhur,erdhën të tjerë mësues të nderuar si: Adem Sharofi, Sabri Abulja, Adem Shehu etj. Këta mësues me punën e tyre edukuan tharmin atdhetar në masën e fshatarëve. Greva u bë çerdhe e rezistencës antifashiste, ku mbi 30 djem e burra rrokën armët për liri dhe dy ranë dëshmor. Edhe gjatë luftës, falë kontributit të vetë fshatarëve shkolla nuk u ndërpre.
Në këtë periudhë gjurmë lanë mësuesit: Naim e Lirie Babameta, Agim e Nigjare Shqerra, Liman Deshati etj. Ata e ngritën më lart cilësinë mësimore, përgatitën dhe ngjallën dëshirën te nxënësit e tyre që të vazhdonin edhe më tej shkollën 7 vjeçare në Peshkopi, ndonëse kjo ishte jashtë çdo detyrimi.

Në vijim…

Pas vitit 1946 filloi masivizimi i arsimit në zonën tonë. Përreth fshatit Grevë, në vitin 1946 u hapën shkollat fillore në: Pjeçë me mësues Destan Agën, në vitin 1948 në Ilnicë me mësues Besim Fisnikun, në vitin 1951 në Trenë me mësues Ndoc Gazin nga Shkodra, pastaj në Trepçë.
Në vitin 1958 u hapën shkollat edhe dy në fshatrat e zonës: në Pejkë e në Melan, duke kompletuar të gjithë zonën me shkollat fillore shqipe. Në këtë kohë shkolla e Grevës është qendër e zonës ku drejtohej tërë puna kualifikuese, ndihmëse e kontrolluese. Duke parë kërkesat e vazhdueshme në rritje të fshatarëve për të rritur shkallën e arsimimit të fëmijëve të tyre, pasi në këtë kohë qe bërë dhe kolektivizimi (Kooperativa bujqesore u formua në vitin 1956 me 12 familje, dhe në vitin1957 u fut gjithë fshati). Në vitin 1959, (pas 42 vitesh nga hapja e shkollës së parë shqipe në Grevë) u hap shkolla e parë shtatëvjeçare në Grevë me drejtor ish nxënësin e kësaj shkolle Avni Fidën. Nxënësit në klasen e 5-të filluan të vijnë edhe nga shtatë fshatrat e tjerë përreth Grevës që nga Trepca, Pjeça, Pejka, Melani, Ilnica, Trena, Begjuneci.
Si nxënës të kësaj klase mund të përmendim: Nexhat Bungurin, Hajri Baruti, Xhide e Hajrie Fiden, Festime Kryemadhin, Shaban Xhajkun, Eshref Fida, Durmish Ferukun, Miftar Balliu, Sulejman Kata, Naim Fida, Rakip Poci etj. Mësuesit e parë të kësaj klase dhe të tërë ciklit të lartë (5-7) ishin: Skender Shatku, Hysni Çipuri, Mirush Mati, Fari Hysa, Myrteza Baboci.
Këto mësues dhanë mësim për rreth 15 vjet edhe në klasat e mbrëmjes e duke mos qenë nga fshati , banonin te shtëpia e Zeqir Bungurit. Banimi i mësuesve në fshat i lidhi dhe integroi ato më mirë me jetën .Jo vetëm rritën cilësinë e arsimit por gjallëruan dhe ngritën më tej edhe jetën kulturore, artistike e sportive të fshatit. Deri në vitin 1966 për vështirësi lokali mësimi zhvillohej me dy turne. Në po këtë vit u shkëputën shkollat e zonës së Melanit në një drejtori më vete (Melan,Pejkë,Pjeçë e Trepçë) dhe u liruan ambjente mësimi.
Drejtori M.Xhembulla,mësuesi S.Muglica, D.Shehu me rrethin e biologëve dhe kimistëve te rinj.

Në vitin 1969 drejtoria e Grevës (krahas Grevës, përfshihen dhe ciklet e ulta të Ilnicës,Trenës dhe Begjunecit ) me një popullsi prej 1326 frymësh kishte 248 nxënës. Më vonë cikl ulët Begjunec kaloi në vartësinë e drejtorisë së shkollës 8 vjeçare “Irfan Hajrullaj”(Peshkopi),ndërsa më vonë edhe cikli ulët Ilnicë kaloi me drejtorinë e Melanit).
Me ndërtimin e godinës së re të shkollës së Grevës (viti 1983, në pronën e Zeqir Bungurit),u krijua mundesia që mësimi të bëhej me një turn .U rrit shumë numri i klasave me hapësira më të mëdha, u krijua mundësia dhe u ndërtuan një sërë kabinetesh ,laboratorë ,si dhe një biblitekë shumë funksionale me një fond të admirueshëm librash.
Në vitin e mbrapshtë të 1997-tës ,ku me qindra objekte social kultore u dëmtuan dhe shkatërruan, në shkollën e Grevës nuk u dëmtua asnjë kabinet apo laborator, nuk iu thye qoftë edhe një xham. Dëshmi që tregon se populli i fshatit Grevë është mjaft arsimdashës dhe i kulturuar.
Në vitin 1999 pranë shkollës së Grevës vijuan mësimet 206 nxënës(109 në kl. I-IV, 97 në kl. V-VIII si dhe 49 fëmijë në kopshtet Grevë dhe Trenë). 66 nxënës ose 33 % e tërë nxënësve të shkollës që vijonin mësimet u vlerësuan me notat 9 e 10, tregues që flasin për kontigjent nxënësish shumë të mirë,dhe që motivonin mësuesit për një përkushtim dhe punë më cilësore me ta. Në këtë vit në këtë shkollë jepnin mësim 17 mësues,të gjithë me arsim përkatës (4 nga Peshkopia dhe 13 të tjerët vendas) të cilët punonin me mjaft pasion e përkushtim. Në këtë periudhë shkolla u përfshi në projektin e AEDP “Dibra 2000”, ku morën udhë shumë projekte si:
– kualifikimi i drejtuesve të shkollës.
-testimet në lëndën e matematikës.
– agjitacioni figurativ në shkollë
– rrethet jashtëshkollore ,ku rrethi letrar i shkollës përgatiti dhe botoi librin me poezi (30+1), etj.
Shkolla shqipe e Grevës në vitin 1987,perkujtoi 60 vjetorin e saj, ndërsa në vitin 1999 u festua në mënyrë madhështore 70 vjetori (u spostua prej v.1997), me shumë aktivitete e pjesmarrje shumë të madhe nga i gjithë komuniteti i fshatrave të zonës .Krahas të ftuarve nga institucionet e Qarkut, arsimit të rrethit, Komunës,mori pjesë dhe ish Ministri i Arsimit z.Et’hem Ruka, i cili përgëzoi jo vetëm kolektivin e mësuesve e nxënësve por dhe komunitetin për përpjekjet dhe arritjet e kësaj shkolle. Vlen të falenderojmë për kontributin financiar, për organizimin dhe festimin e 70 vjetorit të shkollës: SNV Peshkopi dhe të gjithë familjet e fshatit Grevë.
Ja vlen të theksohet se në vite shkolla e Grevës, ka realizuar 100 % planin e edukimit dhe se asnjë nxënës nuk është shkëputur nga kjo shkollë pa e mbaruar atë. Një tregues kuptimplotë është se nxënësit e Grevës dallonin për përgatitje të lartë dhe zinin vende nderi nëpër aktivitete të ndryshme kulturore, artistike, sportive në shkallë rrethi (të cilat me thënë të vërtetën ishin të shumta e të larmishme).
Ndërsa në konkurset në shkallë rrethi, apo në konkurset e pranimit në shkollat e mesme, nxënësit e shkollës sonë kanë zënë pothuajse gjithmonë vendet e para.
Nga shkolla e Grevës kanë mbaruar në sistemin me dhe pa shkëputje nga puna, apo me korespondencë mbi 2000 nxënës klasën e shtatë, tetë e të nëntë.(sipas sistemeve të kohës).
Nga nxënësit e dalë nga kjo shkollë kanë vazhduar e mbaruar shkollën e mesme mbi 500 nxënës. Nga këto kanë mbaruar arsimin e lartë në degë e profile të ndryshme afro 100 ish nxënës: mësues 25, inxhinier 20,ekonomist 15, oficer 10, mjek 10 ,agronom 8,veteriner 7, etj).
Në shkollën e Grevës kanë dhënë kontributin e tyre mbi 140 mësues.Gjatë do të mbahen mend në kujtesën e ish nxënësve drejtuesit: Avni Fida, Muhamet Xhembulla, Xhevrije Kackini, Kimete Kata, Hysni Çipuri, Gani Hoxha, Nehat Daci, Behar Hoxha, Laugjen Bunguri, Lazim Fida, Agron Çenga, apo mesuesit: Qamil Luzha, Adem Sharofi, Lirie e Naim Babameta, Kibe Lleshi, Shqipe Fida, Skender Shatku, Arian Kadiu, Selami Muglica, Ajet Fida, Idriz Bulku, Bedri Shehu, Sabah Shehu, Durmish Shehu, Ahmet Caushi, Enver Zeneli, Mirush Mati, Xhevdet Tusha, Kujtim Neli, Shahin Lazri, Shpresa Bunguri, Lushe Bunguri, Premtim Kryemadhi, Suzana Daci,Teuta Qosja, Sevdije Fida, Nimet Fida,Burbuqe Barut, Aferdita Kryemadhi etj.
Përulemi me respekt për të gjithë ato mësues apo nxënës që mësuan dhe kontribuan në këtë shkollë por që nuk jetojnë më. Mbi 250 nxënës nga kjo shkollë kanë mbaruar 8 vjeçaren me rezultate të shkëlqyera. Mund të përmendim: Hajri Sula, Adem Bunguri, Setki Bunguri, Qemal Fisniku, Jahe Fida, Shaban Alija, Qazim Nurçja, Sulejman Alija, Shime ,Danjiela e Fatbardh Bunguri,Mentas ,Qeram ,Edlira Daci, Dritan Korumi, Muharem Baruti,Ylber e Elena Ferruku, Fetah e Hamza Kazia,Eduart Ferruku, Shyqyrie Hoxha, Klodiana e Dorjan Daci, Klotilda Fida, Elona Tifeku, Fisnik Spahiu , Avdulla Kaja Silva e Sovjeta Kryemadhi, e shumë e shumë të tjerë.Të na falin të gjithë ato ish mësues që nuk kemi patur mundësi për ti përmendur(ndonëse nuk janë dhe të paktë). Po ashtu dhe të gjithë ato nxënës shembullor në mësime që mund ti kem harruar apo ata nxënës që janë dalluar edhe në fusha të tjera të krijimtarisë, artit, sportit etj…që mund ti kem harruar.

Sot …

Lokali tashmë ku zhvillohet procesi mësimor në Grevë është një lokal cilësor i rikostruktuar dhe falë përkushtimit të mësuesve e nxënësve është mirëmbajtur. Shpërngulja e familjeve nga fshati i Grevës që filloi pas viteve ‘90 ,e që u bë pothuajse masive pas vitit 2000 bëri që të ulet shumë numri i familjeve ,gjithësesi dhe numri i nxënësve.Dikur të gjitha klasat e V-VIII ishin me nga dy paralele,sot klasat janë teke dhe me një numër mjaft të reduktuar nxënësish, madje dhe dy klasa të bashkuara bashkë.
Në Trenë funksionon një kopësht me mbi 10 fëmijë ku jep mësim një edukatore.Cikël të ulët në Trenë nuk ka, pasi të gjithë nxënësit nga I-IX vijojnë në Grevë. Në Grevë ka një kopësht me 20 fëmijë ,me një edukatore, 8 klasa teke nga kl .1-9 me përjashtim të kl.VI dhe VII që janë të bashkuara. Pranë kësaj shkolle vijojnë mësimet 89 nxënës,ku japin mësim 14 mësues.
Ndaj mund të thuhet pa mëdyshje se rruga 92-vjeçare e arsimit shqip në shkollën e Grevës, është një rrugë suksesi në procesin e qëndresës ,arsimimit, përparimit, është një rrugë e mbushur me arritje cilësore në të gjithë procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies.

Nehat Daci
Ish nxënës dhe drejtor i shkollës Grevë.