Duart e florinjta të Ramazan Miftarit


Ramazan Miftari nga Çereneci i Dibrës e nisi që herët shtegëtimin nëpër veprat e kohës që ndërtonte Shqipëria. Sapo kishte mbaruar klasën e tetë, kur filloi punë me ndërtimin në Krumë të Kukësit. Po hidheshin themelet e pallatit të kulturës dhe disa objekte të tjera, që do të formatonin Krumën si një qytet të ri, në listën e shumë të tjerëve të kohës. Në fillim si punëtor, që ndihmonte specialistët e ndërtimit, por shumë shpejt ai do të bëhej vetë një ndërtues i talentuar. Inxhinjerët e pikasën dëshirën dhe aftësitë e tij në këtë drejtim dhe kështu fluturoi ai nëpër veprat e kohës, si një zog shtegëtar, gjithnjë në migrim. Ai la gjurmë në Turizmin e ri të Kukësit, në fabrikën e Kalimashit, më pas në disa vepra në qytetin e Bajram Curit, në Mirditë e shumë qytete të tjerë.
Do të kishte vazhduar akoma dhe për shumë vite të tjerë, por zëri i vendlindjes e thërriste dhe ai nuk nguroi ti bindej. Sërish me ndërtime të kohës, gjithnjë para viteve nëntëdhjetë. U bë mjeshtër i ndërtimit të furrave të bukës, që kërkonin një teknologji mjaft të lartë. Më pas u fiksua në përpunimin e drurit, si mjeshtër në kombinatin e sharrës në kooperativën bujqësore dhe kështu vazhdoi deri në prishjen e sistemit, në vitin 1990.
Pak vite të tjerë, deri në 1996, Ramazani punoi si privat në përpunimin e drurit, me përpunimin e dërrasës, me dyer, dritare e të tjera si këto.
Më vonë mori një vendim për të shkuar në Greqi, siç bënë dhe shumë shqiptarë të tjerë. Fillimisht në Selanik e më pas në Athinë, ai u ndje shumë komod me punën e re. U muar kryesisht me punime dekorative, gdhendje guri, gdhendje druri, punime me mermer, të cilat greku i përfshinte me emrin kozmetiko. Mësoi gjuhën dhe u pajis me të gjitha dokumentet e nevojshme në një kohë shumë të shkurtër.
Ndoshta do të kishte vazhduar gjatë të punonte atje, por në vitin 2002 i ndodhi një incident i vogël në kufi. Teksa prisnin për të kaluar në shtetin fqinj, një fëmijë i vogël qante dhe dridhej nga i ftohti dimëror. Ramazani ndërhyn pranë autoriteteve të kufirit, që të paktën me fëmijën ti përshpejtonin proçedurat. – A do të bësh rolin e avokatit?- i thanë policët e shërbimit dhe kur i erdhi rradha Ramazanit, i vunë një kryq në pashaportë, për të mos kaluar më për disa vite. Sidoqoftë ai ka kujtime shumë të mira për popullin grek, akoma i ruan lidhjet me ta dhe shkon atje për vizita pune.
Tani Ramazani ishte bërë një mjeshtër i vërtetë. Jo vetëm gurin e drurin që i punonte me shumë merak, por po kaq mirë e njihte dhe mjeshtërine e saldimit dhe çdo lloj pune me hekurin. E thënë shkurt, më mirë duhej të vrisje mendje për diçka që nuk e punonte në ndërtim, se sa të përshkruash vlerat dhe aftësitë e tij në këtë sektor kaq të bukur.
Dituria e tij shtrihej dhe në një fushë tjetër, me shumë vlerë si mjekësia. Ramazani kishte mbaruar një kurs për infermjeri dhe e kishte pasur shumë për zemër. Mësoi të gjitha mënyrat e mjekimit të plagëve, bile dhe hapjen e abseseve.
I njeh të gjitha llojet e injeksioneve, shtuar dhe atë intravenoz. U shërbeu dhe akoma u shërben banorëve të komunitetit, në raste kur kërkohet ndihma e tij Në vitin 1982 ai punësohet si infermjer i fshatit, por vetëm për pak kohë. Një “ kleçkë” në biografi, bëri që të mos vazhdojë gjatë në këtë shërbim dhe ti kthehet sërish fushës së ndërtimit.

INVESTIMET E REJA.
Që kur ishte në Greqi, Ramazani ishte habitur me mënyrën si therrej e përpunohej mishi, kushtet higjeno sanitare dhe sigurinë ushqimore. Një dëshirë flinte brenda tij, që të tilla standarte ti aplikonte dhe në Shqipëri. Në vitin 2012, nipi i Ramazanit, që ishte pronar i thertores së Shupenzës, largohet për një jetë më të mirë. Ndoshta kishte ardhur momenti për të bërë hapin e rradhës. Jo vetëm pse ishte daja i tij, por dhe për faktin se e kishte ndërtuar vetë thertoren, në vitin 1996, kohë që shënonte dhe hapjen e saj. Tani që do ta kishte të tijën, mund të bënte gjëra të tjera, akoma më të bukura. E filloi punën me idenë se gjatë kohës do të ndryshonte shumë probleme që linin për të dëshiruar. Vetëm një javë vazhdoi me punën e re, pasi A.K.U ja konstatoi një sërë mangësish, të cilat duheshin rregulluar e korrigjuar. Nuk kishte rrethim, nuk kishte çengela, qentë lëviznin lirshëm. Inspektorët lanë një çek listë dhe tre muaj afat për rihapjen e objektit
Ramazani punon intensivisht për të plotësuar boshllëqet. Bën shtresa të reja të dyshemesë me llustër, bën suvatim të mureve dhe lyerje me bojë plastike, vendos impjantin e therjes manuale, penxhere, rrjeta dhe rrethim. Ndan vendin e therjes me atë të tregëtimit të mishit. Tre muaj më vonë, drejtori i atëhershëm, Maks Hajrullai, i gjen të plotsuara vërejtjet e bëra dhe i jep liçensën për të rinisur punën. Kështu kaluan pesë vite të tjerë, me pune, lodhje, por dhe eksperiencë, që nuk e kishte pasur më parë. Ishte viti 2017. Një urdhër i ministrisë së bujqësisë për të mbyllur të gjitha thertoret që nuk plotësonin kushtet në gjithë republikën, i kalohej autoritetit të A.K.U së për zbatim. Sërish një çek listë e re, që kërkonte një plan të ri masash për zbatim. E përkthyer në gjuhën teknike do të thoshte një sistem që garantonte maksimalisht sigurinë ushqimore të qytetarëve, kurse në gjuhën ekonomike, disa dhjetra mijra euro investime të reja. Për një moment Ramazan Miftari vihet në udhëkryq. Të ecte me guxim përpara, ashtu siç kishte bërë gjithë jetën e tij, apo të shpallte falimentin dhe të vinte një tabelë, ku thuhej “Objekti shitet”, duke vënë pak më poshtë numrin e celularit të tij. Nuk ishte thjeshtë ana ekonomike e problemit, por dhe ajo morale. Ramazani kishte qenë gjithnjë një sfidant serioz dhe i pamposhtur. Nuk mund të ulte kokën para një vështirësie, aq më tepër që nuk ishte thjeshtë krenaria për veten e familjen, por dhe për Shupenzën, Bulqizën e Dibrën. Bashkë me familjen përmblodhi dhe njëherë tjetër forcat. U tur një vrap, duke vëzhguar thertoret e tjera në Lezhë, në Shkodër, Tiranë, Librazhd, e të tjera rrethe. Bashkoi dhe njëherë në mendje eksperiencat e tyre, të tijën, ato që kishte parë në Greqi dhe krijoi modelin përfundimtar. Gati nëntë muaj përpjekje për ta vënë planin në zbatim dhe më gjashtë qershor të vitit 2018 e rihapi thertoren dhe ja tek është kjo që, që tashmë e kemi para syve tanë.

THERTORJA SOT
Ndoshta si nëpër dhëmbë, Ramazani i shau në fillim ata që i mbyllën thertoren, por sot i falenderon me gjithë shpirt. Këtu ke të bësh me një model farmacie, saqë të vjen turp nga vetja të hysh brenda me një veshje të parregullt, që kontaminon ambjentin. Habitesh se si aty therret një bagëti dhe nuk sheh asnjë lloj papastërtie. E gjithë procedura është bashkëkohore, që nga pranimi i kafshëve për therje e deri në përfundim të proçesit. Kafshët duhet të kenë patjetër numrin e matrikullit dhe çerifikatën veterinare, që tregon vaksinat e kryera dhe të gjitha masat e tjera teknike, që janë aplikuar në të. Më pas, ajo kalon nën vëzhgimin teknik të mjekut veterinar të thertores dhe lihet për disa orë në observim. Më pas lahet dhe kalon te dhoma e therjes, ku proçedura është normale, pra me thikë, siç ka urdhëruar Zoti dhe jo me shok elektrik, apo mjete të tjera jo hallall. Në mënyrë të rrufeshme para teje hapen disa dyer, që përfundojnë në dhoma të fshehta. Gjaku kalon në njërën nga pesë gropat septike, lëkurra rrjepet dhe përfundon në dhomën e vet. Të brendshmet ndahen në një seksion tjetër, plënci pastrohet dhe mbeturinat bien poshtë në gropën e tyre septike. Karkasa e mishit, e ndarë në katër pjesë, lëviz përpara dhe ventilohet për mpiksjen e gjakut, para se të futet në frigorifer. Mishi vuloset, pajiset me dokumentacionin përkatës dhe është i gatshëm për të lëvizur në dyqanet e zonës, apo më larg akoma, sipas kërkesave të bëra. Një kampion i vogël mishi ruhet në një frigorifer tjetër, për shtatë ditë, për efekte krahasuese, për ndonjë problem që mund të lindë. E theksojmë se transporti përbën një pikë të fortë të thertores së Ramazan Miftarit. Deri në dyqanin e mishit ai përcillet me një mjet frigoriferik të liçensuar, që plotëson të gjitha kushtet higjeno sanitare. Ai e ka dhe vetë një dyqan mishi sipër thertores. E ka të pajisur me të gjithë elementet, që garantojnë sigurinë ushqimore dhe klienti ndihet vërtet si në perëndim, kur kërkon të blejë disa kilogram mish, apo nënprodukte të tij. Duke qenë krejt në rregull me ndërgjegjen e tij dhe me rregullat e shtetit, Ramazani nuk ka më frikë ligjin e shtetit, por përkundrazi, do që ai të jetë akoma më i fortë, që asnjë kokë bagëti të mos theret në rrugë, totalisht jashtë rregullave elementare të higjenës dhe të etikës profesionale.
Tashmë Ramazani është nisur në një rrugë pa kthim në biznesin e tij. Aty poshtë thertores shtrihet deri tek zalli një pyll i bukur me dushk dhe me akacje, që është gati për të shfaqur pranverën. Shumë pranë është dhe rruga e Arbërit, që do ti hapë mundësi dhe perspektiva të paimagjinueshme të gjithë komunitetit dibran. Biznesmeni sheh alternativa të reja. Fare ngjitur, në anën tjetër të rrugës është tregu i Shupenzëa, apo pazari, siç e quan populli për më shkurt. Kafshë të çdo lloji, kuaj, mushka e gomerë, të trasha e të imta hyjnë e dalin nga të katër anët. Produkte ushqimore, pa asnjë lloj çertifikate trgëtohen fare përtokë, apo në tezga që janë të mbuluara me një gisht pluhur. Disa mejhane, pa asnjë lloj liçense e bëjnë akoma më mjerane pamjen e këtij tregu, që rrezikon të shpërthejë sëmundje në çdo rast. Ramazani ka bindjen që mund ta disiplinojë dhe atë, ashtu siç bëri me thertoren e tij në pak kohë. Nëse jo ai, le ta bëjë dikush tjetër, mjafton që gjërat të ndryshojnë e të vihen në rrugë të mbarë.