Si e kam njohur Moisi Murrën?


Moisi Murra u përkushtua 30 vjet për të përfunduar studimin e historisë së Dibrës dhe shumë punime e studime të tjera, duke lënë pas një trashëgimi me shumë vlerë për të gjithë trevën e Dibrës. Dibranët e mendjes dhe të pushkës e bënë historinë e Dibrës. Ai e gjurmoi, e mblodhi, e shkroi dhe e përjetësoi historinë e Dibrës.

Për shokun tim Mois Murra! E njoha si nxënës në shkollën 7-vjeçare, Shupenzë, Shtator 1954. Moisi erdhi në klasën e 5-të, unë në të 6-tën. Pas mbarimit të shkollës takoheshim rastësisht, përshëndeteshim si të njohur. Në vitin 1961 të dyve na dhanë të drejtën për të kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerave. Sipas njoftimit më 17 Gusht ora 08:00 u paraqita në Shupenzë. Tek mani para shtëpisë së tij takova Moisin së bashku me familjarët e tij që kishin dalë për ta përcjellë. Pas pak ndaloi një makinë ushtarake, oficeri shoqërues doli nga makina me një listë në dorë. Pasi verifikoi emrat tanë, zumë vend në makinë pranë njëri-tjetrit, e së bashku me shokut që vinin nga Peshkopia vazhduam rrugën për në Shkollën e Bashkuar. Nga ai moment unë dhe Moisi do të ishim të pandarë pranë njëri-tjetrit. Në kohën e lirë dhe në çdo rast të mundshëm bisedonim për çdo problem që kishim, shpesh dhe me humor që nuk na mungonte asnjëherë. E kuptonim dhe e respektonim shumë njëri-tjetrin qoftë dhe pa folur. E derisa vdekja do të na ndante, asnjëherë nuk u pamë shtrembër, kritikat i pranonim qoftë dhe vetëm me buzëqeshje.
Moisi ishte i zgjuar, serioz, kritik, me një humor që jo çdokush mund ta kapte. Gjatë bisedës Moisi të vlerësonte, kur nuk i pëlqente e kthente në humor. Gjatë bisedës, shpesh fliste për Dibrën, për traditat, zakonet, të veçantat me krahinat e tjera, ngjarjet që kishin lënë gjurmë, personazhet e njohura dhe gjithçka lidhej me historinë e Dibrës ishin tema e preferuar. Çdo detaj e analizonte me hollësi. Shpesh shkruante poezi, por nuk i ekspozonte, recitonte, komentonte. Më pëlqenin shumë, ishte mjeshtër i fjalës. Moisi ishte dhe mbeti deri në fund “dyshues”. Ai nuk pranonte asgjë pa faktuar dhe pa referenca. Grupi mësimor (klasa e Moisit) dhe pedagogët e vlerësonin për zgjuarsinë e tij. Pasi dhamë provimet përfundimtare, me 28 Korrik 1964, pas 3 viteve stërmundimesh u titulluam Oficer me gradën Nën/Toger. Pas ceremonisë na komunikuan emërimet në detyrë. Përsëri bashkë me Moisin, në Korpusin e Burrelit K7K. Në një repart në brigadën e Burrelit. Fillimisht komandant togash në Shtabin e Brigadës. Shumë shpejt jo vetëm oficerët por edhe ushtarët e dinin që ne ishim shumë shokë sa ndonjëherë na ngatërronin emrat me njëri-tjetrin. Moisi ishte oficer i përgatitur, mjaft i kujdesshëm dhe i përkushtuar në detyrë. Lëndët kimike nuk të lejonin të gabosh, ishte autoritar dhe korrekt. Eprorët e vlerësonin për zgjuarsinë dhe korrektësinë në punë. Edhe atyre u duhej të ishin korrekt me Moisin, se nuk ishte shabllonist, i paaftë e as servil. Me vartësit, korrekt u qëndronte pranë kujdesit si prind për çdo hall të tyre. Por askush nuk mund t’ia bënte fjalën dysh, gëzonte respekt.
Me Moisin më mirë të ishe vartës sesa epror i tij. Pas 2 vitesh si oficer Moisi u përzgjodh me një grup oficerësh që shkuan në Vietnam për eksperiencë në arenën e luftës. Para se të nisej më porositi: Të mos e dijë askush se ku ndodhem. Ata u nisën si specialistë të profesioneve të ndryshme. Pas disa javësh u takova me babin e tij Feritin, ishte i shqetësuar për të birin. Nuk e dinte ku është më tha. I hodha dorën në qafë dhe me të qeshur i thashë: Moisi është mirë. Pasi u kthye më tregonte për tmerret e luftës që kishte përjetuar atje. Për Moisin ishte një eksperiencë.
Në marrëdhënie me rrethin shoqëror ishte i kujdesshëm, shpesh protagonist me humorin e tij karakteristik dhe ngacmues. Ishte gjithmonë i vlerësuar. Moisi njihte mirë situatën politike në kohën që përjetonim. Pasi dilnim nga mbledhjet e format e edukimit ku propaganda ishte kryefjala, pasi veçoheshim më fliste: Jemi populli më i “lumtur”.
Pas 8 vitesh bashkë jeta bëri të sajën e u ndamë. Në Shtator 1969 unë shkova për studime në Akademi për ndërlidhje. Sapo u ktheva në Burrel, 1971 shkoi Moisi në Akademi dhe pas përfundimit u transferua në Peshkopi. Gjatë kësaj kohe takoheshim sipas mundësive që na krijoheshin, në mbledhjet e përbashkëta ose me pushime. U bashkuam përsëri pas 10 vitesh. Më 1983 u transferova në Peshkopi. Tani Moisi merrej me historinë. Më fliste me pasion për punime të ndryshme që kishte në dorë, për mospërputhje mendimesh që kishte me studiues të tjerë. Ai ishte këmbëngulës, nuk e quante të përfunduar një punim që nuk kishte referenca, krahasimi i të dhënave (fakteve) është si bilanci i llogarisë që duhet të kuadroj, thoshte Moisi. Tregonte raste që nuk i dokumentonte pasi kishin vetëm një burim informacioni.
Në vitin 1992 u liruam nga Ushtria, dolëm në reformë. Moisi iu përkushtua plotësisht punës si historian së bashku me Shoqatën e Historianëve të Dibrës. E thelloi punën në gjurmimin e objekteve që përmbanin të dhëna historike të trevës së Dibrës. Studiuesi Adem Bunguri tregonte për punën dhe këmbënguljen e Moisit, që nëpërmjet objekteve të arkeologjisë të zbulonte të dhënat e historisë. Ndërsa njeri nga dibranët e Dibrës së Madhe Jakup Markja shprehet: Nga Dibra, në Rekë, Gostivar, Tetovë e deri në Strugë, nuk kemi lënë kala e vend që ka gjurmë të historisë pa shkelur me këmbë me historianin Mois Murra.
Krahas punës për historinë e Dibrës Moisi më fliste për figurat e njohura që kanë lënë gjurmë në historinë e Dibrës. Kishte studiuar e shkruajti libra për disa prej tyre, duke pasqyruar me realizëm veten dhe veprën e tyre për kohën që jetuan e u aktivizuan në veprimtarinë patriotike. Por nuk shkruajti për ata figura që veprimtarinë e tyre e patën të dyshimtë. Aftësitë e tij dhe puna e palodhur e vendosën Moisin në krye të Shoqatës së Historianëve të Dibrës.
Meritë të madhe në arritjen e Moisit si historian ka bashkëshortja, Xhari. Një grua e urtë, e mençur dhe shumë e përkushtuar. Moisi me Xharin u martuan në vitin 1990. Në dasmën e Moisit isha i ftuar nderi edhe unë. Nuk ishte e lehtë të qëndroje në krah të Moisit, Xhari e njihte mirë dhe ja doli. Ajo u muar me të gjitha problemet e familjes dhe Moisin e la të merrej me historinë. Moisi me Xharin lindën dhe rritën 2 djem të bukur Eridin dhe Denisin. U bënë djem të mirë e të zotët e vetes. Vitet e fundit erdhën në Tiranë për të nisur një jetë më të mirë. Moisi me Xharin vinin shpesh pranë fëmijëve. Takoheshim e u gëzuam se mund të kalonim pleqërinë sëbashku. E atëherë kur fëmijët u rritën jeta mori kthesë. Xhari u sëmurë e pas 4 muajsh ndërroi jetë (6 Janar 2017). Moisi e përjetoi me shumë dhimbje, sa herë përmendej Xhari përlotej. Gjatë kësaj kohe Moisi u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme. Moisi filloi të rëndohej fizikisht, kishte vështirësi në ecje. Fillimisht ecte me vështirësi, çdo ditë ngadalësohej hapi, shkurtohej distanca e lëvizjes. Pinim kafe e lëviznim bashkë derisa u ndal fare. Për një farë kohe e nxirrnin fëmijët me makinë deri te lokali i tyre. Pastaj zuri krevatin derisa më 18 Korrik 2018 mbylli sytë. Vuajti por nuk i mungoi shërbimi i të dy fëmijëve, Eridi dhe Deni i qendruan te koka për çdo nevojë. Në kushte të vështira, shtëpi me qera vetëm 3 meshkuj në shtëpi.
Çdo ditë takoheshin bisedonim deri ditët e fundit kur u rëndua shumë dhe së bashku me fëmijët shkuan në Peshkopi por nuk zgjati shumë. Që kur erdhi në Tiranë bisedonim për librin, e kam bërë gati, më thoshte, por më duhet ta ndaj. Është mbi 1000 faqe. E ndau në 2 pjesë: pjesa e pare “Dibra nga Antikiteti ne Monarki” u fut për botim dhe u botua. Pjesa e dyte: “Dibra nga Monarkia në Demokraci” mbeti gati për botim. Promovimi i librit “Dibra nga Antikiteti në Monarki” u bë nga Shoqata e “Grykës së Vogël” por salla te Muzeu Kombëtar u mbush plot nga gjithë treva e Dibrës.
Moisi Murra u përkushtua 30 vjet për të përfunduar studimin e historisë së Dibrës dhe shumë punime e studime të tjera, duke lënë pas një trashëgimi me shumë vlerë për të gjithë trevën e Dibrës. Dibranët e mendjes dhe të pushkës e bënë historinë e Dibrës. Ai e gjurmoi, e mblodhi, e shkroi dhe e përjetësoi historinë e Dibrës. Ndihem i nderuar që për 57 vite pata shok dhe mik historianin e Dibrës MOISI MURRA.