Kronikë e disa jetëve të humbura


Nga Sulejman Mato

Sapo mbarova së lexuari një libër me disa tregime befasuese dhe mendova të hedh sa më parë në letër mbresat e mia të para. Tregimet e këtij libri, siç thotë dhe vetë autori, janë mbresa të ruajtura gjatë në memorie e që na jepen me një freski dhe profesionalizëm admirues.
Libri hapet me tregimin “Kolevica kundërshton diktatorin”, kushtuar inxhinier Kolevicës, mikut tim poet, me një hije të vjetër trishtimi në sytë e tij të kaltër… Ata që nuk e kanë njohur inxhinier Petraqin, le të lexojnë tregimin e Orhan Sakiqit, i cili trajton një çast ku personaliteti i tij shfaqet në përballje me diktatorin e kohës.
“Mendova që këto tregime t’i përmbledh në një libër për t’i pasur personazhet e mi së bashku, – thotë autori, – pasi vitet shkojnë dhe brezat e rinj duhet të mësojnë nga e kaluara e hidhur”. Personazhet e tregimeve janë të vërtetë, – thotë autori, aq të vërtetë, sa ai i ka hedhur në letër jo vetëm kujtime, por edhe emrat e tyre janë të vërtetë. “Nuk kam shtuar asgjë për ta bërë më tërheqës ndodhinë, – thotë autori,- fjalët e tyre të thjeshta janë më bindëse se çfarëdo ilustrim që mund të bëja.”
Tregimi që pason, “Ne i heqim, ju i merrni”, sipas autorit është nga të paktët tregime bazuar në fjalët e nënës. Ajo e përsëriste shpesh këtë ndodhi, si më e vështira e jetës.
Tregimi “Veza me dy të kuqe” ka një dramë e vërtetë. Të punoje me shpirt, në atë kohë, në respekt të profesionit dhe të kolegëve, dhe më pas të shpërblehesh me frazën. “Sado të punosh, ‘biografinë’ nuk e përmirëson.’’
Personazhi tjetër, është Grigor Zaharia, një i burgosur politik, i urtë dhe i dashur me të gjithë, i cili mbeti në morgun e spitalit derisa doli bamirësi Lulzim Brahja për t’i bërë shpenzimet e varrimit.
Varri i Jorgji Memës gjendej në oborrin e shkollës “Kristoforidhi”, shkruan autori. Atje, pranë kufomës së tij, kemi luajtur e mësuar. Atje ai u vra dhe u varros në një kohë me babanë e autorit.
Enveri dhe Skaharim Beqiri ishin dy miqtë e autorit. Njëri intelektual, djalë beu dhe patrioti, tjetri fshatar, ish partizan dhe ish komunist. Bisedat e tyre gjithë humor tregojnë falsitetin e regjimit.
Rexhep Jella dhe Fehmi Beshiri, njëri politikan karriere, tjetri politikan, të dy patën një përfundim tragjik.
Të tillë janë dhe personazhet e tjerë të tregimeve të Orhan Sakiqit, të vërtetë gjer në detaje.
Nganjëherë realiteti është më ireal se fantazia e poetëve, thotë një shkrimtar. Personazhet e këtij autori, edhe pse realë gjer në imtësi, i bën irealë koha ireale, kur kanë jetuar dhe punuar.

* * *
Orhan Sakiqi vjen nga fusha e inxhinierisë, kështu që nuk ka reminishenca, as eksperiencë nga shkollat letrare. Temat që ai trajton , personazhet dhe konciziteti i të treguarit na jep të drejtën të themi që Sakiqi futet në letërsi me një origjinalitet të vet. Sakiqi i qëndron besnik idesë se M. Kunderës kur thotë: “Çdo shkrimtar pi ujë në pusin e vet”. Pusi ku e mbush kovën Orhan Sakiqi gjendet në Tiranën e vjetër, në Tiranën e viteve të para të çlirimit. Atje ai i ka njohur personazhet e tij dhe temat që ai trajton në këtë libër, modest për nga faqet por i rëndësishëm për nga prurjet e atyre viteve nga burojnë.
Një ndër tregimet më të bukur është “Koha e triksave”. Në këtë tregim të bën përshtypje përshkrimi i imët i personazheve dhe dhënia me besnikëri e atmosferës së kohës. Autori, edhe pse shkruan thjesht, personazhet i vizaton me tiparet më të qenësishme. Kjo gjë vjen nga njohja e personazheve. Këtë veti e gjen te shkrimtarët me përvojë, të cilët nuk i anashkalojnë ato detaje të rëndësishme që përbëjnë karakterin e personazhit, as disa hollësi që tregojnë njohjen e lëndës
Ja si e përshkruan autori Hamdiun.
Hamdi Dizdari ishte komshiu ynë. Kishte qenë tregtar i suksesshëm, me dyqane e shtëpi, sigurisht të shtetëzuara mbas 1944. Tani ishte kthyer në karrocier, që na sillte drutë e zjarrit. I jepnim triskat e druve dhe ai me karrocën e tij na i sillte në shtëpi. Kjo na kursente kohën për të shkuar në fushën e baltosur të druve. Z Hamdi, – siç i thërriste nëna, ishte një burrë i gjatë, i shëndoshë, faqekuq, mbante një kapele të vjetëruar republike, rripin poshtë barkut të fryrë, xhaketë të shkurtër meshini dhe çizme gome të Durrësit, që i jepnin një pamje groteske midis një karrocieri dhe një tregtari.
Me karrocë e kam filluar tregtinë, thoshte, dhe tani përsëri erdha te ajo, dhe qeshte me gjithë zemër. Kalin e mbante ‘dritë’, i shndriste qimja me zilka dhe mburojë sysh ai dukej si kalë garash sportive.
Mbasi sillte drutë Hamdiu, vinte Selmani. Një burrë i imët, me mollëza të dala, i parruar dhe i pafjalë, me sa lehtësi e çante trungun e madh duke i dalur damarët. Pazari dihej 100 lekë dhe dreka. Punoj thoshte dhe jo keq. Kishte hallin e triskave …
Triska ka qenë një fletë e vogël e ndarë në lata, ku shënohej sasia e ushqimeve, e druve, e qymyrit, e artikujve të veshmbathjes etj. Fjala triskë nuk na u nda gjithë jetën.
Me të në dorë paraqiteshim çdo dite te dyqani i bukës, një herë në dy javë te dyqani i ushqimeve, një herë në muaj në fushën e druve, diçka me rrallë te ai i veshmbathjes. Triska e bukës ka qenë një fletë me përmasa 7x7cm, sipër shënohej emri dhe poshtë ishin datat e muajit, që quheshin lata. Radha për burrat mbahej për një dhe fillonte nga Teatri Popullor gati 150 m. Nga ana tjetër ishin gratë, në mes hynin pa radhë familjet e dëshmorëve.
U zgjata pak me citimin e këtij përshkrimi, pasi shumë prej nesh i kanë harruar ato kohë ku njeriu varej nga triska. Ka qenë një kohë e vështirë, në të cilën, nëse humbisje triskën, përfundoje në rrugë.
Një portretizim tjetër, tepër origjinal dhe i besueshëm, i është bërë E.Hoxhës te tregimi “Skaharimi dhe Enveri”. Enveri, një njeri i thjeshtë, punëtor, i cili shërbente si ndihmësbanakier. Ishte i gjatë, me faqe e hundë të kuqërremtë, me flokë të rëna, ku mezi dalloheshin disa fije, me mustaqe si të Taras Bulbës. Nga hunda e kuqe dallohej se nuk ishte pijetar, por pijanik i thekur, edhe për vetë sjelljen e tij. Mësuam se shërbente aty vullnetarisht, për të kthyer ndonjë gotë ose kur nuk i jepej kjo mundësi të thithte erën e alkoolit.
Po kaq interesant është dhe Skaharimi, rulisti…
Në këto tregime të bën përshtypje moria e detajeve jetësore dhe lakonizmi. Autori shkruan shkurt, fare shkurt. Sikur të kishte parasysh thënien e Çehovit: ”Shkruaj e shkurto! Shkruaj e shkurto!”
Autori shkruan jo vetëm shkurt dhe saktë, por edhe qartë, ai hedh në letër vetëm më të rëndësishmet, të tjerat ia lë lexuesit t’i mendojë … Duke vazhduar leximin e tregimeve të tjera si, “Veshi te dera”,”Ali Ndroqi…””Dy shokë” “16 nëntori”, ”Koha as vjen as shkon”, “Bariu” etj., bindesh se te tregimet e Orhan Sakiqit të gjitha këto veçori nuk janë një rastësi, por një kërkesë e brendshme, e kuptuar me intuitë, lexuesi do vetëm fakte dhe jetë, personazhe të veçantë, por edhe thënie të autorëve të huaj, të cilat hidhen në letër në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Historia e fëmijës Sakiqi ishte e projektuar qysh paralindjes, Tregimi “Krushqia me familjen Sakiqi” e ilustron më së miri këtë ide. Tregimet e Orhan Sakiqit sjellin ca të vërteta të thjeshta e të qenësishme. Janë kujtime të ruajtura në memorie, të cilat i lidh fakti që personazhi i tregimeve ka lindur në një familje intelektuale, e që ka njohur peshën e diktaturës qysh në vitet e fëmijërisë. Kudo ndjehet kjo shije e hidhur. Jeta pa baba do të rëndonte mbi supet e një fëmije me prirje të veçanta intelektuale.
Mbresëlënës dhe origjinal është dhe përshkrimi i drejtorit të shkollës te tregimi “Fëshfëshet”, kur e thërret për të hetuar se nga i kishte ardhur ajo fëshfëshe.
“Mbante gjyslykë me numër shumë të madh, që bënte që sytë e tij të zmadhoheshin, – shkruan autori. – I shkurtër, i shëndoshë, me flokë të rëna në ballë që qarkoheshin me flokë të bardha anash, veshë të mëdhenj, sikur donin të dinin gjithçka.”
Por, në këtë botë plot vështirësi kishte persona që u qëndronin pranë dhe u jepnin kurajë për të ecur përpara në jetë. I tillë ishte Fehmi Beshiri, djali i tezes së nënës.
“E mbaj mend, – tregon autori, – në dimër me një pallto të madhe të gjatë deri në fund të këmbëve, ndërsa në verë gjithmonë me xhaketë. Sa vinte, i hapte dollapët, shihte poshtë tavolinës se mos kishte ndonjë ‘hafije’ pastaj fillonte të shfryhej. Kishte studiuar në Bolonjë dhe në Vjenë dhe kishte një ide të qartë se çfarë është dhe çfarë përfaqëson në thelb teoria dhe praktika komuniste.”
Këto bindje të tij nuk e shpëtuan nga burgu, së pari në vitin 1950, për agjitacion dhe propagandë, së dyti, në fillim të viteve 60-të.
Një vend më vete zënë tregimet nga jeta e autorit si inxhinier ndërtimi. Me një modesti të veçantë autori tregon disa punë të tij ndërtimore, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e kryeqytetit. Është rasti këtu të kujtojmë se Tiranën tonë të bukur e kanë projektuar disa inxhinierë të zot, por në ndërtimet e saj kanë derdhur djersën dhe kanë lënë jetën të burgosurit politikë.
Te tregimi ”Historia janë ata”, autori tregon se si në dhjetëra vepra ka qenë dora, djersa dhe sakrifica e të burgosurve. Le të kujtojmë: Aeroportin e Rinasit, dy stadiumet (“Q.Stafa” pjesërisht) dhe kompleksin sportiv Dinamo, Kombinatin ushqimor, Kombinatin e mishit dhe të qumështit dhe qindra apartamente banimi.
Duke lexuar tregimet e këtij autori na dalin para sysh shumë intelektualë të njohur të luftës dhe të jetës ndërtimore, dhe të tjerë, njerëz të thjeshtë, të përshkruar me dashuri dhe kujdes, të gjithë të përkushtuar në punët e tyre, të cilët i harroi koha, por nuk i harron kujtesa e shkrimtarit.
Në një nga tregimet e këtij libri, “Komandanti”, ku autori flet për punën ndërtimore në Elbasan, ai tregon se midis nesh kishte dhe trima si Mehmetaliu, i cili e mori vdekjen në sy, duke treguar të vërtetën për E.Hoxhën, por ishte dhe solidariteti i atyre që nuk e hapën gojën për ta denoncuar.
Pa dashur të zgjatem në analizën e mëtejshme edhe të disa tregimeve të tjera, duhet të them se leximi i këtij libri me tregime ishte për mua një surprizë e këndshme. Autori Orhan Sakiqi, që pas viteve nëntëdhjetë do të bëhej një personalitet i politikës shqiptare, me profesion inxhinier. Ka dhe një talent të spikatur në letërsi dhe është pikërisht mundi dhe përkushtimi i tij për të na dhënë të gjalla mbresa të jetës së të tij dhe të njerëzve që i ka njohur.
Ka qenë një detyrim i heshtur i autorit, për të mos u harruar ato ngjarje dhe fakte nga jeta në diktaturë… E them me bindje se autori këtë detyrim të heshtur e ka realizuar me sukses. Edhe sikur një milion fjalë demaskuese të themi për diktaturën, ato nuk do të na linin mbresat e thella të një kohe mizore, e cila përbuzi, persekutoi dhe syrgjynosi qindra e mijëra intelektualë të ndershëm e patriotë të përkushtuar ndaj atdheut, të cilët e kuptuan qysh në gjenezë të keqen komuniste.
S’më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj autorin për ndriçimin e një kohe, qëllimi i saj është, siç thotë dhe vet autori në parathënie, “brezi i ri duhet të mësojë diçka nga kjo e kaluar e hidhur.”
Janar 2019