Bulqizë, menaxhimi i mbetjeve urbane, një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme


Vëzhgimi në terren ka konstatuar se mbledhja e mbetjeve realizohet në mënyrë të përditshme në qytetin e Bulqizës, ndërsa më rrallë në njësitë administrative. Ndërsa në Trebisht nuk mblidhen fare, duke i lënë mbetjet të hedhura në mjedis të hapur, rrjedhimisht duke sjellë ndotje në tokë, ujë dhe në ajër.
Duhen marrë masa për mirëfunksionimin e landfillit në Qafën e Buallit si dhe ndalimin e djegieve të tyre. Duhet të hartohet plani i menaxhimit të mbetjeve urbane për të gjithë territorin e bashkisë, duke u bazuar në planin kombëtar, fillimi me ndarjen e mbetjeve në burim, rehabilitimi i vend-depozitimit aktual, dhe ndërtimi i një landfilli të ri, ku të trajtohen mbetjet e territorit të Bulqizës. E gjitha kjo duhet të shoqërohet me rritjen e buxhetit, transparencë financiare, projekte dhe programe, me qëllim rritjen e cilësisë së këtij shërbimi.
Pa kontributin e banorëve, përpjekjet tona për një mjedis të pastër e të shëndetshëm do të bëhen gjithmonë e më të vështira
“Menaxhimi i Mbeturinave Urbane në Bulqizë është një ndër problemet kryesore që sot përballet Bashkia Bulqizë, duke u kthyer në një burim te ndotjes së mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit. Në të shumtën e rasteve kontenierët janë të tej mbushur dhe përreth tyre ka mbeturina. Banorët ankohen shpesh për mbetjet që nuk pastrohen përditë, numrin e pakët të kontenierëve dhe mungesa e hapësirave të veçanta për hedhjen e mbetjeve. Gjithashtu gjendja e kontenierëve është në kushte jo të mira. Në qytetin e Bulqizes nuk ka një plan të mirëfilltë për menaxhimin e mbetjeve urbane».
Këto janë disa nga konstatimet e organizatës mjedisore “Ekspertët e Rinj Mjedisor” – SHERM, e cila gjatë periudhës 1 gusht 2018 – 30 prill 2019 realizoi projektin “Monitorimi dhe vlerësimi i ofrimit të shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane në Bashkinë Bulqizë”, mbështetur financiarisht nga Lëviz Albania.
Organizata ka marrë kontakte me drejtues lokalë, qytetarë dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, të cilët janë të interesuar për një mjedis të shëndetshëm. Në trajnimet e zhvilluara dhe takimet në terren janë marrë mendime nga më shumë se 200 persona.
Drejtuesi i organizatës, Daniel Bica, thotë se “kemi evidentuar se nga ana e strukturave të bashkisë Bulqizë ka mangësi të theksuara për sa i përket planifikimit, menaxhimit, transparencës, edukimit, ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit në menaxhimin e mbetjeve urbane. Këtë shërbim bashkia Bulqizë e ofron nëpërmjet Ndërmarrjes së Shërbimit Publik, e cila është në vartësi të saj, pra përgjegjëse për cilësinë e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane”.
Projekti, i cili u mbyll muajin e kaluar, synonte të monitorojë dhe vlerësoje bashkinë Bulqizë për ofrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane, diferencimin e shërbimit në zonën urbane kundrejt asaj rurale, gjenden e menaxhimit të mbetjeve në zonat rurale etj.
Menaxhimi i mbetjeve urbane është një ndër problemet kryesore të ditëve të sotme në të gjithë vendin si pasojë e mosfunksionimit si duhet të sistemit të menaxhimit të mbetjeve, detyrë kjo e përcaktuar në bazë të legjislacionit shqiptar për qeverisjen vendore.
Nga studimet e kryera ka rezultuar se llojet e disponueshme të mbetjeve urbane në Bulqizë janë kryesisht mbetje si: organike,dru, letër, plastikë, qelq, tekstile, metale, mbetje nga shëndetësia, goma, inerte, produkte sanitare, elektrike, pajisje elektronike, bateri dhe produktet nga kafshet etj.
“Problematikat e ndryshme të mosfunksionimit të këtij sistemi për bashkinë e Bulqizës janë identifikuar dhe paraqitur në mënyrë të shkurtuar në raportin e realizuar, thotë Danjel Bica. Gjatë monitorimit në terren grupi i punës ka ndeshur një sërë problematikash. “Ndërmarrja e Shërbimeve Publike” nuk e ka kapacitetin e nevojshëm teknik dhe financiar, për shkak të terrenit të vështirë, infrastrukturës së dobët, largësia nga qyteti i Bulqizës e bën shumë të vështirë menaxhimin e mbetjeve në 7 Njësitë Administrative sidomos në kohën e dimrit”.
“Bashkia e Bulqizës është e përbërë nga 7 njësi administrative: Krastë, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren, Trebisht. Objektivi i parë i projektit ka qenë “realizimi i një monitorimi qytetar për cilësinë e shërbimit të pastrimit në bashkinë Bulqizë”. Për realizimin e këtij objektivi janë zhvilluar aktivitete në funksion të realizimit të tij, duke bërë bashkë të gjithë aktorët lokalë, administratën e njësive administrative, shoqërinë civile, grupet monitoruese, përfaqësuesit me influencë politike, anëtarët e këshillit bashkiak si dhe grupe të tjera interesi. Aktivitetet janë realizar sipas planifikimit dhe nuk është gjykuar dhe s’ka patur arsye për ndryshimin e planifikimit të aktiviteteve. Grupi i punës është trajnuar për mjetet, metodat, raportimet, praktikat gjatë monitorimit”, shkruhet në raportin final të organizatës SHERM.
Për të bërë monitorimin në 7 Njësitë Administrative dhe në Bashkinë Bulqizë janë angazhuar një grup qytetarësh prej 25 personash, të cilët kanë monitoruar për një periudhë kohore 5 muaj situatën reale në terren kanë bërë foto, video, marrjen e kordinatave për pikat e nxehta ne terren dhe raportimin e tyre pranë institucioneve vendimmarrëse.
“Nga monitorimi i realizuar ka rezultuar se sasia e mbetjeve urbane të prodhuara në Qytetin e Bulqizës është 0.5-0.6 kg/banorë në ditë”, thotë Bica.

Problematikat

Grumbullimi i mbetjeve realizohet nëpërmjet depozitimit të tyre në kontejnerë. Pjesa më e madhe e mbetjeve janë mbetje urbane dhe mbetje inerte dhe një sasi e vogël të mbetjeve spitalore. Kontejnerët janë të një kapaciteti prej 800-1000 litrash, me ngjyrë jeshile dhe nuk funksionon as sistemi i mbylljes dhe as sistemi i frenimit.
Një element shumë i rëndësishëm është edhe prezenca e kafshëve, kryesisht qen, të cilët shkatërrojnë qeskat me mbetje duke përbërë një rrezik real për popullsinë e zonës dhe duke qenë se në asnjë rast nuk bëhet dezinfektimi i kontejnerëve nga ana e bashkisë.
Të gjithë mbetjet, sidomos mbetjet e qytetit, shkojnë në venddeponinë e qytetit, i cili ndodhet në Qafë të Buallit dhe është ndërtuar në fillim të viteve 2000. Aty derdhen në mënyrë të pakontrolluar dhe nuk sistemohen në parcela, me qëllim sistemimin, ngjeshjen dhe mbulimin e tyre. Në shumë rast ato digjen, duke u kthyer kështu në rrezik për shëndetin e banorëve.

KONKLUZIONET e projektit

“Shërbimi i grumbullimit dhe menaxhimit të mbetjeve funksionon vetëm për qytetin e Bulqizës në mënyre të rregullt, por pa u bërë ndarja e mbetjeve në burim, mbetjet grumbullohen së bashku në një kontejner”, thotë Danjel Bica.
Në konkluzionet e raportit shkruhet gjithashtu se “ky shërbim ofrohet në qendër njësi dhe në disa fshatra përreth, jo në gjithë njësitë dhe cilësia e shërbimit është e dobët. Aty ku ofrohet shërbimi rezulton që të ketë kontejnerë grumbullimi pa kapakë, pa sistem frenimi, sistemi i lëvizjes funksionon me vështirësi dhe në asnjë rast nuk bëhet dezinfektimi i tyre”.
Vëzhgimi në terren ka konstatuar se mbledhja e mbetjeve realizohet në mënyrë të përditshme në qytetin e Bulqizës, ndërsa më rrallë në njësitë administrative. Ndërsa në Trebisht nuk mblidhen fare, duke i lënë mbetjet të hedhura në mjedis të hapur, rrjedhimisht duke sjellë ndotje në tokë, ujë dhe në ajër.
“Duhen marrë masa për mirëfunksionimin e landfillit në Qafën e Buallit si dhe ndalimin e djegieve të tyre, thotë Bica. Gjithashtu është e nevojshme një komunikim më i mirë mes banorëve dhe qeverisë lokale, për të bërë të mundur një mirëmenaxhim të mbetjeve në të ardhmen”.

Si të përmirësohet situata?

Drejtuesi i projektit, Danjel Bica, thotë se për në mirëmenaxhim më të mirë duhet në radhë të parë një informim më i mirë dhe më i qartë i publikut. Duhet të bëhet ndarja e shërbimit të pastrimit nga shërbimet e tjera, ofrimi i këtij shërbimi në të gjitha njësitë vendore sipas ligjeve në fuqi, shtrirja e menjëhershme e shërbimit në ato fshatra ku infrastruktura është ë mirë, shtimi i kontejnerëve dhe vendosja e taksës për këtë shërbim, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e tij dhe të mbajmë pastër mjedisin etj.
Bica thotë se emergjenca është një pastrim i menjëhershëm i mbetjeve në ato fshatra që janë buzë lumenjve dhe rrjedhave ujore. Situata është alarmante në disa njësi vendore, pasi mbeturinat hidhen në lumenj, digjen, ose dekompozohen në natyrë, duke u kthyer në vatra infeksioni.
Gjithashtu, duhet të hartohet plani i menaxhimit të mbetjeve urbane për të gjithë territorin e bashkisë Bulqizë, duke u bazuar në planin kombëtar, fillimi me ndarjen e mbetjeve në burim, rehabilitimi i vend-depozitimit aktual, dhe ndërtimi i një landfilli të ri, ku të trajtohen mbetjet e territorit të Bulqizës. E gjitha kjo duhet të shoqërohet me rritjen e buxhetit, transparencë financiare, projekte dhe programe, me qëllim rritjen e cilësisë së këtij shërbimi.
Danjel Bica thotë se më 31 nëntor 2018, organizata “Ekspertët e rinj mjedisor” i është drejtuar këshillit bashkiak të Bulqizës me një raport ku evidentohen problematikat e këtij shërbimi dhe një sërë rekomandimesh për përmirësimin e tij. Ne shpresojmë shumë se bashkëpunimi me Bashkinë do të japë frytet e veta. “Por, më e rëndësishme, thekson Bica, është që gjithçka të kryhet përmes bashkëpunimit me komunitetin. Pa kontributin e banorëve, përpjekjet tona për një mjedis të pastër e të shëndetshëm do të bëhen gjithmonë e më të vështira”.

KOMENTI JUAJ