Turi i liqeneve akullnajore


Përshkrimi i turit të 17 liqeneve
akullnajore të Lurës dhe Kacnisë

Janë 17 liqene akullnajore në parkun kombëtar të Lurës (7 liqene) dhe në zonën e Kacnisë, që është pjesë e territorit të Selishtës dhe Klosit, 10 liqene.
Gjatë këtij itinerari ke mundësi të eksplorosh fshatrat e Njësisë Administrative Lurë, Parkun Kombëtar të Lurës dhe fshatrat e Njësisë Administrative Selishtë dhe pyjet e Balgjait, Kacnisë, Mbas Dejës, që janë vazhdim i Parkut të Lurës.
Përveç natyrës mahnitëse, vlerat etnografike të kësaj zone janë unikale në llojin e saj, me kullat e larta me gurë të gdhendur, oboret e rrethuara me furda druri, mikpritja dhe prodhimet e veçanta të malësorëve që nga bulmeti, mjalti, gatimet tradicionale akoma të panjohura, ia shtojnë bukurinë dhe interesin për eksplorimin e kësaj treve.
Udhëtimi është 3 ditor, me makinë 4×4 dhe për pasionantët e ecjes në këmbë janë programuar shëtitje në pjesët më interesante dhe atraktive të 17 liqeneve.

Shijo Zonjën Lurë,
një nga mrekullitë alpine të Shqipërisë

10:00 Eksploro natyrën e parkut kombëtar të Lurës,
në pllajat e Lanë Lurës
Pas dy orë udhëtimi nëpër luginën e Drinit të Zi, ku ke lënë pas kanionet e Setës dhe bukuritë e fshatrave, arave dhe staneve të Çidhnës, të shfaqet magjishëm pllaja e Lanë Lurës, pjesë e Parkut kombëtar të Lurës.
Lanë Lura është një nga zonat më të mbrojtura me livadhe të gjera, pyjet të gjelbëruara, stane dhe burime ujore të shumta. Këtu ke mundësi të shijosh edhe grykën e malit të Gjargjishtit dhe Gurë Lurën, stanet, bimësinë e shumëllojshme dhe mund të shikosh zogj të ndryshëm. Pas 2.5 orë eksplorim në Lanë Lurë, dreka te Kroi i dhenve.
12:30 Dreka në stanet në Lanë Lurë ose me vete e paketuar
14:00 Nisja për në fshatin Fushë Lurë
14:20 Vizito fshatin turistik të Fushë Lurës
Fushë Lura ka një pamje panoramike me luginë alpine, që rrethohet nga malet me pyje të Lurës nga të gjitha anët, duke krijuar një diversitet natyror të mrekullueshëm. Ndalesa e parë te rruga në Borie Lurë. Ndalesa e dytë është në hyrje të fshatit për të vizituat kullat karakteristike, oboret e rrethuara me furda druri dhe gjelbërimin e livadheve, duke filluar nga kullat e Gjokolajve, Tolleve, që është monument kulture, dhe shumë kulla të tjera. Ndalesa tjetër është në qendër të fshatit, ku njihesh me vlerat historike tradicionale dhe natyrore të krahinës.
17:00 Akomodimi dhe darka tek Hotel Lura

Eksploro natyrën e 7 liqeneve akullnajore të Lurës (me makinë 4X4)

7:30 Mëngjesi i bollshëm në hotel
8:30 Nisja në Liqenet e Lurës me makinë
10:00 Eksploro dhe shijo bukuritë e 7 liqeneve të Lurës
Udhëtimi me makinë nëpër rrugë mali në gjendje të mirë përmes pyjeve të Parkut të Lurës, pas 1 ose 1.5 ore të shfaqen liqenet e Lurës. Udhëtimi për të shijuar të 7 liqenet do të bëhet me shëtitje në këmbë dhe zgjat 3 orë.
Dreka pas 3 orë shëtitje do të jetë në Fushën e Pelave, që është një nga perlat alpine të kullotave dhe lëndinave.
13:00 Dreka është e paketuar dhe e marrë me vete
14: 00 Nisja për në Selishtë, fshati Lukan
16:30 Mbëritja dhe akomodimi në fshatin Lukan
Udhëtimi zgjat 2.5 orë nëpër Zhurin e Pllaut. Rruga është malore dhe kalohet vetëm me makinë 4×4. Aventura është e pranueshme për çdo natyrë vizitorësh.
18:30 Darka në shtëpinë pritëse, kampingje ose
në lokalin e minierave

Ekplorimi i 10 liqeneve akullnajorë të Kacnisë.

7:30 Mëngjesi me ushqime të vendit te shtëpia pritëse
8:30 Vizitë në bjeshkën e Balgjait dhe 10 liqenet akullnajore të Kacnisë
Nisja nga fshati Lukan për në bjeshkën e Kacnisë bëhet vetëm me makina 4×4 dhe arritja në destinacion kërkon 2-3 orë. Me ecje dhe shëtitje në këmbë për rreth 3 orë shijohen dhe eksplorohen 10 liqenet akullnajore, peizazhi i bukur dhe pyjet përreth liqeneve dhe stanet.
13:30 Dreka është e paketuar dhe marrë me vete, shijohet buzë ujit të ftohtë burimi dhe lëndinës me lule
14:30 Nisja për në Peshkopi
Përgjatë rrugës malore të Qafë Murrës vizitorët kanë mundësi të shikojnë fshatrat e Selishtës dhe të shijojnë peizazhe të mrekullueshme të Katër Grykëve dhe kanionit të përroit të Murës.
16:30 Akomodimi te shtëpitë pritëse
Sugjerohen:
Guest House “Konaku” 0692053492 hsalkurti@gmail.com
Agro-turizëm Dashe Zerja 0699377337 fabianzerja@gmail.com
Guest house “Uka” 0673625835 udhetomegresin@gmail.com
Kampingu “Kapxhiu” 069-2258182 campingpeshkopi@gmail.com
Hotelet e qytetit: www.visitdiber.al
17:30 Darka në shtëpinë pritëse ose restorantet e qytetit

Opsioni i dytë
Eksploro 7 liqenet e Lurës me ngjitje dhe ecje në këmbë

7:30 Mëngjesi në hotel me ushqime të vendit
dhe larmi produktesh
8:30 Nisja në Liqenet e Lurës me ngjitje në këmbë (variant 2).
10:00 Eksploro dhe shijo bukuritë e 7 liqeneve të Lurës:
Udhëtim me këmbë përmes pyjeve të parkut të Lurës, ku pas 1.5 orësh të shfaqen liqenet e Lurës. Eksplorimi i 7 liqeneve zgjat 3 orë. Vizitorët njihen me karakteristikat e liqeneve, emrat, natyrën dhe legjendat. Dreka pas 3 orë shëtitje do të jetë në Fushën e Pelave, që është një nga perlat alpine të kullotave dhe lëndinave.
13:00 Dreka është e paketuar dhe e marrë me vete
14:30 Shijo diversitetin natyror të parkut të Lurës
Kthimi për në hotel në Fushë Lurë do të kryhet nga Gurë Lura. Vizitorët kanë mundësinë të shijojnë diversitetin natyror të parkut të Lurës, duke u kënaqur me bukuritë e natyrës së malit të Runjës dhe pamjen magjepse të Gjallicave të Gurë Lurës, si dhe kanionin e Setës nga pjesa e sipërme.
Në këtë itinerar njihen me legjendat, historinë, kulturën dhe traditën e lurjanëve, si zona më e pastër ilire, nga ku kanë marrë edhe emrin, si dhe tregohet rrënojat arkeologjike te kepi qytetit.
Udhëtimi zgjat 2 – 2.5 orë me ecje normale.
17:00 Akomodimi dhe darka te Hotel Lura