Shërbëtori dhe zotëria


Një djalë u pajtua shërbëtor. Paga ishte e vogël, por nuk kishte ku të gjente punë tjetër. Shërbëtori u pajtua të punonte në derë e jashtë. Por zonja, shpeshherë, meqë kishte lindur dy binjakë, e fuste midis dy djepave që t’i tundte derisa t’i zinte gjumi. Po kjo ishte punë e vështirë se, sa zinte gjumin njërin, zgjohej tjetri me të lebetitura.
Shërbëtori një ditë iu ankua zotërisë për tundjen e djepave dhe tha se duhej t’ia shkruante në kartë të gjitha punët që kishte për të bërë. Zotëria vetëm nuk i tha se “je i pushuar”, por inat e mori. Shkroi në një letër një vandak punësh që kishte shërbëtori, deri në hollësi, si fjala vjen, të mbante kalin për t’i hipur zotëria.
Djali e mori letrën dhe e futi në xhep. Pothuaj i dinte përmendësh punët që kishte për të kryer, megjithatë letrën e mbante me vete. Kur zotëria shkonte në bjeshkë për të parë bagëtinë në stane, shërbëtori i hiqte para kalit. Në një nga këto ditë, kali u tremb dhe e zuri zotërinë nën vete. Kishin rënë në vend të keq, si punë grope, dhe kali nuk mund të ngrihej.
Zotëria ia bënte me shenja shërbëtorit që të vinte dhe ta shpëtonte, se kali po e mbyste.
Shërbëtori nxori letrën ku ishte shkruar vandaku i punëve që duhej të bënte dhe pa se nuk kishte punë të tillë: ngritje të kalit kur ai zë poshtë zotërinë. Shkoi afër dhe i tha:
Unë kam për detyrë të ndihmoj zotërinë tuaj të hipë në kalë, por nuk kam detyrë të ngre kalin kur ai u hipën juve.