Udha e mundimshme drejt lirisë


Ai tërhoqi karrigen e, pasi bëri të kërkëllejnë nga pesha e trupit të katër purtekat mbështetëse të saj, hodhi në tavolinë, si të hidhte kartën e fatit të tij, një zarf të fryrë.
– Lexoje në shtëpi, – tha me zë të vendosur. Bëj me të në daç roman, në daç komedi, në daç film me metrazh të gjatë. Është një copë nga jeta ime në emigracion.
Ngriti dorën lart dhe i dha urdhër në shqip kamerierit që të sillte tre raki Përmeti…
E lexova dhe e rilexova. Ai tha: “Është një copë nga jeta ime”. Edhe ju, kur ta lexoni, jam i sigurt se kështu do të thoni:
“Një copë nga jeta ime…”.
Dhe do të merrni lapsin e do të shkruani, do të shkruani derisa copat të mblidhen bashkë, duke formuar të tërën: romanin, komedinë, tragjedinë, elegjinë emigratore…

* * *
…Tre herë kam hyrë në Greqi. Herën e parë ndoqa malet. Të ashpra malet tona, më të ashpra malet e grekut. Them më të ashpra se veç borës dhe akullit ata na ndillnin edhe frikën e ushtarëve, që siç kishim dëgjuar të rrihnin pa i numëruar shkopinjtë e gomës. Nuk arrita të zbres në tokë të zezë. Një djalë i ri, tek të tetëmbëdhjetat, pasi qe lagur deri në palcë duke kaluar lumin, ngriu natën në kasollen e barinjve ku u ulëm për të dremitur. U ktheva me trupin e tij pa jetë…
…Herën e dytë bleva një vizë. Dhashë njëqind e pesëdhjetë mijë dhrahmi nën dorë. Viza ishte një mujore…Punova gjashtë muaj tek një inxhinier grek që ndërtonte shtëpi në një ishull afër Athinës me paratë që i jepte gruaja e tij mjeke. Manolis, kështu e quanin, kishte një parullë të vetën: “Gurë – xhaba, shqiptarë-xhaba, pse të mos bësh vila e pallate xhaba?”. Gurët ai i merrte qyl nga një gurore, betonin e çimenton nga punimet që bënte për llogari të bashkisë. Shqiptarëve u jepte aq para sa të hanin bukën thatë. – Të tjerat, – u thoshte, – do t’i merrni kur të mbarojnë punimet. Disa ditë përpara mbarimit të punimeve ai lajmëronte policinë dhe…
Kështu më ndodhi edhe mua. Më kapën befas tek platia në bregun e detit në Selina, tek po i jepja dorën e fundit një muri me gurë. Më kopanisën mirë e mirë dhe pas disa ditësh, xhepgrisur, më shkarkuan në Kakavi, siç shkarkojnë makinat rabël zhavorrin e lumit…
…Herën e tretë ia futa nga Maqedonia. Në Bllatën matanë kufirit na priste një taksi që, pasi kaloi Dibrën e Madhe, luginën e Radikës, pak përpara Gostivarit mori djathtas e na shkarkoi në Gjevgjeli. Kufirin e kaluam natën. Rrugën e dinim me të thënë. Duhej të ecnim gjithë natën pa pushim, derisa të takonim një lum dhe shinat e trenit. Një natë e errët, me shi, me bubullima e vetëtima, një udhëtim që as në Ferrin e Dantes nuk gjen krahasim…
Këtë radhë u vendosa në Marus, një lagje krah e lagjeve të pasura. Në fillim u strehova në një apothiq, një si lloj depoje nën katin përdhes. Këtë radhë u tregova më i kujdesshëm. Greku që më mori në punë kishte qenë vetë emigrant. U soll me njerzillëk. Paratë, pak ishin, por m’i jepte rregullisht. Që t’i shpëtoja goditjes së parë të policisë, një ditë shkova në rrugën Zinonos dhe me pesëmbëdhjetë mijë dhrahmi u bëra “vorio-epirot”, “vorio-epirot prej Lume” kur thonë. Atëherë Athina qe mbushur me zyra që, pasi të rrjepnin mirë e mirë, të jepnin një kartë në ngjyrë jeshile, me fotografi, firma e vula. Karta ime mban numrin protokollar 306 dhe është lëshuar më 19 shtator 1996. E ruaj akoma atë kartë, e ruaj si kujtim për ditët e vështira…
Më vonë, kur u sistemova pak a shumë mirë dhe mblodha një dorë para, pagova dhe solla familjen, gruan dhe tre fëmijët…
Kështu i mblodha ditët dhe netët derisa dolën dy Dekretet Presidenciale për Regjistrimin dhe Legalizimin e Emigrantëve të huaj në Greqi, dekreti për “Dhënien e Kartës së Qëndrimit të të Huajve për një Periudhë kohe të Kufizuar” dhe dekreti “Kërkesa dhe procedura për qëndrimin dhe punësimin e ligjshëm të të huajve në Greqi, të cilët nuk janë shtetas të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”. Daljen e dekreteve e mësova më 28 nëntor 1997. Ai u dha si sihariq në një takim që ambasadori i atëhershëm në Greqi Kastriot Robo organizoi me emigrantët në Karavel me rastin e Ditës së Pavarësisë Kombëtare…
…Ishte hapur drita jeshile për të gjithë. Veçse, për të arritur deri tek “jeshilja”, maratona greke nuk matej tashmë me kilometra, por me vite pa mbarim. Qindra-mijërat e emigrantëve të përfshirë në këtë “maratonë”, sapo mateshin të thonë fjalën magjike “Fitore”, u këputej zëri dhe binin përdhe pa ndjenja, për t’u ngritur të lodhur e të sfilitur për të vrapuar në të tjera e të tjera maratona…
Dhjetori i ‘97-s ishte një muaj “njohjeje”. Na duhesh të njiheshim me ligjin e ri, me rregullat, me hapat e vegjël dhe të mëdhenj që duhet të hidhnim, me zyrat e zyrtarët. E bënim paksa të gëzuar. Tashmë nuk kishim frikë të dilnim në rrugë. Fshesa e tmerrshme që na pat rënduar si “Shpata e Demokleut” mbi qafën e holluar nga ankthi e vuajtja kishte ngrirë. Janari ishte muaji i radhëve të gjata, i ngritjes para mesnatës për të zënë radhë para zyrave të OAEDH-it si një herë e një kohë në radhë të qumështit. Nuk e di se kush na kish nëmur ne shqiptarëve. Prometeun e dënuan Perënditë e Olimpit se u shpërndau njerëzve zjarrin. Kjo dihet si nga gojëdhënat dhe mitet, ashtu edhe nga tre veprat e Eskilit të lashtësisë. Sizifin dhe Gurin e tij e dimë po ashtu nga legjenda. Po ne kush na mbërtheu në shkëmb që “zogu i zi” të na hajë mushkëritë e kush na e hodhi nën këmbë Gurin e rëndë të Sizifit për të qenë tërë jetën, brez pas brezi në radhë?
Nejse, ta lëmë historinë dhe mitet, të zbresim në radhë, të vetmen pronë tonën. Mua e familjes sime më ra shorti të jem nën hijen e OAEDH-it të Patisionit, të zonës më të populluar nga emigrantët. Kështu që edhe radhët ishin pa mbarim. Një mëngjes edhe për ne lindi dielli. Arritëm të regjistroheshim në zyrat e OAEDH-it. Dokumenti im i parë legal në Greqi mban datën 23 shkurt 1998 dhe ka numrin 5584…
Këtu fillon maratona e vërtetë. Që të bëheshim të ligjshëm duhej të fillonim vrapime të tjera, duheshin zënë radhë të tjera “qumështi”. Radhë e rantevu për radiografinë e gjoksit, radhë tek mjeku për të marrë vërtetimin “klinikisht i shëndoshë”. Këtë të fundit, pasi ishte tepër e vështirë ta merrja në Athinë, me radiografinë në dorë shkova dhe e mora në Kuluri të ishullit të Salaminës. Më i forti dhe më i lodhshmi ishte takimi në polici, ku duhej t’i nënshtroheshim një hetimi dhe duhej të ngjyenim me bojë të zezë duar e gishtërinj për t’i vendosur mbi një formular ku ishte ngjitur fotografia. Nuk e harroj dot arrogancën dhe ofendimet e policit që shante si rrugaç tek më lyente duart me bojë. Ksenofobia dhe racizmi asokohe ishin shpërndarë si farat e hithrit dhe të digjnin jo trupin, por shpirtin, ta digjnin aq shumë sa zemërimi vinte në rezonancë dhe vetëm kur kujtoje se çfarë do të bëhej me fëmijët, ta mbante pështymën në gojë për të mos ua hedhë në fytyrë racistëve e ksenofobëve.
E lodhshme, por shprehëse e zbatimit butaforik të ligjit, ishte pamja para Ministrisë së Drejtësisë. Sikur dikush të kishte filmuar asokohe, nga lart, ballazi, anash dhe nga mbrapa kuadratet në radhë në hapësirën e gjerë që i paraprinte Ministrisë së Drejtësisë, me siguri do të kujtonte legjionet e skllevërve të udhëhequr nga Spartaku kundër kështjellave të Romës së lashtë. Madje, ndonjë kineast, me ndonjë ndërhyrje të vogël kompjuterike mund t’i montonte në filma të lashtësisë pa pas rrezik se ndonjë do ta hetonte ngjarjen. Edhe atje arrita të depërtoj, siç arritën të gjithë. Këtu paguam 500 dhrahmi për shpenzimet postare mbasi thuhej se dokumentet tona do të kalonin kufirin dhe do të ktheheshin përsëri në Greqi. Kjo maratonë, më e gjata, zgjaste të paktën një vit dhe ishte vënë në radhë si e fundit dhe më kryesorja për të marrë kartën e gjelbër.
Kishte edhe maratona të tjera me radhë të gjata “qumështi” si ajo për përkthimin dhe legalizimin e certifikatave familjare dhe të fëmijëve, certifikata që asokohe nuk kalonin paraprakisht nëpër verifikime e vula ambasadash, sigurimi i numrit të amzës dhe marrja e kartonëve në zyrat e IKA-ve, regjistrimi dhe marrja e AFM-së në Eforia. Një dimër, një verë dhe një vjeshtë vazhdimisht në radha të gjata, me humbje të tëra ditësh pune, me shpenzime nën dorë e mbi dorë, “dhoro” të detyruara për zyrtarë e avokatë. Erdhi një moment që duheshin patjetër pesëdhjetë ditë siguracione. Po ku t’i merrnim ato kur ende nuk kishim marrë kartonët e IKA-ve, kartonë të cilët thuhej se do të dilnin për tre muaj e nuk dilnin as për pesë? Ku t’i merrnim kur padronët na shihnin si skllevër të lirë pune dhe as morali e as shteti nuk i detyronte të jepnin ditë sigurimi? Në fund u gjet një rrugë. Një letër nga OADH-i më sugjeronte që të paguaja 15.000 dhrahmi në një bankë bujqësore si shenjë se jam siguruar në OGA. Kjo pagesë më dha mundësinë që më 21 tetor 1998 të marr “Kartën e bardhë”, kartë e cila kishte vlerë deri më 31 dhjetor 1998. Karta kishte numër 101209-5584. Që të merrja “kartën jeshile” duhej “karta e pastërtisë” e Ministrisë së Drejtësisë, kartë e cila do të arrinte në dorën time në maj të vitit 2000…Më 4 maj të vitit 2000 do të merrja për herë të parë në dorë “KARTA PARAMONIS-PERIORISMENIS HRONIKIS DIARKIAS në të cilën ishte shkruar numri serial i saj, numri i regjistrit dhe i amzës, adresa e banimit, emri i gruas dhe i fëmijëve si dhe koha e mbarimit të saj, 3 maj 2001. Karta e parë e lirisë kishte vlerë si leje qëndrimi për mua, gruan dhe fëmijët. Ajo ishte edhe leje pune. Në të njejtin dokument ishin ligjëruar edhe leja e qëndrimit edhe leja e punës.
Një vit më vonë, duke respektuar ligjin, pesë ditë përpara se të mbaronte leja e qëndrimit u paraqita përsëri në OAEDH. Tashti e tutje, për rinovimin e lejes së qëndrimit procedurat ishin tepër të thjeshta. Duhej paraqitur një kopje e lejes së qëndrimit, një deklaratë përgjegjësie ku të thoje se gjithçka ishte e vërtetë, një fotokopje e ditëve të siguracionit që nuk duhet të ishin më pak se 150 dhe tre copë fotografi. Në moment merrje një vërtetim dhe pas dy muajsh merrje leje qëndrimi për dy vjet. Pas gjithë asaj maratone të lodhshme erdhi një moment kur menduam se “radha e qumështit” ishte vetëm një legjendë, një mit si legjendat dhe mitet e lashta greke.
Nuk ndodhi kështu. Grekët janë të lidhur shumë ngushtë me legjendat dhe mitet e tyre të lashtësisë. Edhe ne shqiptarët siç duket qenkemi të lidhur këmbë e kokë me radhët e produkteve të blegtorisë…
Nuk ishte tharë akoma boja e vërtetimit dhe nuk ishte shuar shpresa se pas dy muajsh do të merrja leje qëndrimi dyvjeçare kur një ligj i ri bëri krye në parlamentin grek. Ligji u trumbetua si bashkëkohor dhe që ishte sinkron me ligjet e Bashkimit Evropian. OAEDH-i me rikthimet e kartës së gjelbër (të skaduar) të prerë deri në gjysmë me gërshërë u çlirua nga detyrimet tashmë simbolike që kishte. Struktura të tjera morën lokale me qira në lagje të ndryshme të Athinës e në të gjithë Greqinë.
Veprimi i parë i detyrueshëm ishte marrja e një vule në periferia, diku afër një kishe në afërsi të rrugës Ermu në Sintagma. Vula e shtynte lejen e qëndrimit deri më 30 qershor të vitit 2002. Ajo vulë ishte krisma e pistoletës për maratonën e re.
Në rrugën Qefalonias u hap një njësi e re regjistrimi e dorëzimi dokumentesh . E reja e ligjit dhe vlera e vërtetë e tij, ishte se personat që nuk kishin arritur të regjistroheshin në vitin 1998, ose që nuk kishin marrë dot gjatë kësaj periudhe kartën e gjelbër për mungesë ensimash, si dhe personat e tjerë që kishin ardhë më vonë por që vërtetonin se para daljes së ligjit ishin në Greqi, mund të regjistroheshin. E keqja e madhe e ligjit ishte se leja e qëndrimit me lejen e punës ndaheshin dhe se bashkimi familjar kalonte nëpër vrimë të gjilpërës. Aplikantët, pasi kishin dorëzuar më se një duzinë dokumente të ndryshme merrnin një leje provizore gjashtëmujore qëndrimi…
Kësaj kohe i takon edhe lindja e detyrimeve financiare që lidheshin jo vetëm me pagimin e siguracioneve, por me taksa që nën sebepin e përballimit të shpenzimeve si rezultat i shumëfishimit të personelit tashmë të ndarë në tre parti, partinë e lejes së punës, partinë e vërtetimit nga bashkia se ke dorëzuar dokumentet dhe partinë e prefekturës që do t’i shqyrtonte dokumentet dhe do të jepte nëpërmjet bashkisë pullën e lirisë. Taksa ishte 147.5 euro për person. Kësaj periudhe i takon edhe hyrja në valle e ambasadave. Për të vërtetuar se një certifikatë familjare apo individuale është e saktë duhej të ngriheshe që me natë e të zije radhë para ambasadës, të prisje në diell apo shi me orë të tëra dhe (në qoftë se ishe fatlum) pasi të paguaje 30 euro të merrje firmën dhe vulën. Prej këtu duhej të paraqiteshe në Ministrinë e Jashtme ku pasi paguaje 15 euro merrje vulën e dytë mbi dokument. Më tej, pasi paguaje përsëri para në shërbim të zakonshëm apo urgjent, pas disa ditësh merrje dokumentin e përkthyer në greqisht, dokument që tashmë ishte i pranueshëm në bashki. Këtu maratona ndërpritej përkohësisht për të ndjekur një degëzim tjetër të saj, degëzimin e “lejes së punës”. Edhe këtu shumë dokumente midis të cilëve kryesori ishte kontrata e punës dhe ditët e sigurimeve shoqërore e libri i shëndetit. Këtu takoheshe me absurdin më të madh të ligjit. Që të merrje leje pune duhej të kishe një punë, një kontratë pune, 150 ditë siguracione. Fëmijë që kishin mbaruar gjimnazin apo liceun dhe donin të futeshin në punë nuk mund të merrnin leje pune sepse “nuk kishin qenë në punë”. Gratë që gjenin një punë me siguracione nuk mund të hynin në punë sepse nuk kishin “leje pune”…
Absurd në fuqi infinit.
Pasi kishe marrë lejen e punës, me dokumentet të gjitha në dy kopje, paraqiteshe në rrugën Sofokleus (tani në Psaron) dhe pasi arrije më në fund të gjeje një vend në radhën e pambarim merrje një vërtetim. Me atë vërtetim në xhep nuk dëbohesh, por as nuk mund të ikësh në vendin tënd për të mirë apo për të keq. Ai vërtetim hyri në fjalorin e emigrantëve si vërtetim i “të burgosurit pa faj”. Ai të jepte dhe të jep të drejtën që për festa të caktuara fetare greke mund të udhëtosh në kohë rigorozisht të kufizuar drejt vendit tënd.
Vërtetimin e parë e mora më 10 qershor të vitit 2002, plot 20 ditë para se të më mbaronte leja e shtyrë e qëndrimit. Prita një vit të tërë të marr lejen e qëndrimit dhe nuk e mora. Shkoja dhe vija në vendin tim kur na jepnin leje.
Kur mbaroi afati i bëra përsëri dokumentet nga e para, duke përfshirë lejen e punës dhe mora vërtetimin. I imi mban datën 8 shtator 2003 kurse i gruas për bashkim familjar 11 shtator 2003. Edhe këtë herë si radhën e parë na u tha që për 2-3 muaj do të marrim kartën jeshile.
Kur nuk kishim ndonjë problem të ngutshëm familjar nuk e çanim kokën të shkojmë në radhë për të pyetur në se ka dalë apo jo leja e qëndrimit. Mua, një nevojë e ngutshme familjare më detyroi të trokasë disa herë në veshë të mbushur me pambuk. Shkova disa herë në bashki, atje ku kisha dorëzuar dokumentet dhe në të gjitha herët kompjuteri i tyre jepte shenjë heshtjeje. Shkova në periferi. Arrita me mundime të ngjitem në katin e 7-të dhe të takohem me përgjegjësen. Më dëgjoi, më mori fotokopjet e vërtetimeve dhe më tha se do të më telefonojnë. Shkova në tetor 2003. Shkova në nëntor 2003. Shkova në dhjetor 2003…Në shkurt 2004 e ngrita zërin fort. E ngriti edhe zonja. Më tha se dokumentet tuaja nuk kanë ardhë në prefekturë. Shkova i inatosur në Sofokleus ku kisha dorëzuar dokumentet dhe mësova se dokumentet e mija, që i kisha dorëzuar më 8 shtator kishin ikur nga bashkia më 12 dhjetor 2003 kurse të gruas e të djalit që ishin dorëzuar më 11 shtator 2003 kishin ikur më 21 nëntor 2003. Me dokumentin në dorë shkova e zura radhë përsëri para zyrës në katin e 7-të. Një punonjës, që priste të takohej me përgjegjësen e tij, para derës, mbasi sheh numrat e dokumenteve të mija më thotë “Këto dokumente akoma nuk i kemi futur në kompjuter”. Ishte fundi i shkurtit 2004. Unë dhe gruaja nuk i morëm edhe lejet e dyta të qëndrimit. Djali e mori pasi kishte skaduar…
Maratona e tretë filloi më 9 korrik 2004. I dorëzova, pas maratonës së njohur një për një të gjitha dokumentet e mija dhe të gruas për bashkim familjar, shoqëruar edhe me 600 euro për dy vjet leje qëndrimi. Në gusht shkova në Shqipëri nga “lirimi me kusht” që na u bë. Po ashtu edhe për Vitin e Ri. Më 15 janar 2005 u mbyllën përsëri kufijtë për hyrje e dalje. Para një muaji, një nevojë e ngutshme familjare kërkonte që unë dhe gruaja të shkonim në Shqipëri. Kishin kaluar 10 muaj. Trokita në dyert e bashkisë dhe mësova se dokumentet e mija kishin ikur prej zyrave të saj pas 166 ditësh (!). Në pamundësi që të futesha në zyrat e prefekturës për arsye të radhës së gjatë që kishte zanafillë dymujore, zura një avokat i cili u fut tak e fak dhe më solli lajmin se dokumentet akoma nuk ishin futur në kompjuter. Dokumentet pasi kishin ndejë më se pesë muaj në bashki pa u nisur ishin në vijim të pesëmuajshit të dytë tashmë pa u regjistruar. Pagova përsëri avokatin dhe pas tre javë kërkimesh ishin gjetur të dy dosjet, ishin regjistruar në kompjuter dhe ishte shtypur pulla e lejes së qëndrimit afati i së cilës mbaronte pas 4 muajsh. Shkova në bashki në ditën që më thanë dhe në pasaportën time dhe të gruas vendosën “pullën e lirisë”…
Atë ditë, qeveria greke miratonte projektligjin e ri për emigracionin.
Atë ditë, një njoftim ministerial njoftonte se të huajt mund të udhëtojnë në vendin e tyre nga 15 prilli deri më 15 maj me vërtetimin që kanë dorëzuar dokumentet dhe lejen e punës…
Atë ditë, një qeveritar i lartë grek, jepte “sihariqin” se brenda muajit maj të gjithë ata që kanë aplikuar për leje qëndrimi dyvjeçare do të marrin “pullën e lirisë”.
Unë e dëgjova dhe tunda kokën mendueshëm. Nervat e mija janë në rezonancë. I ruajt Zoti nga këputja.
Po Ju si unë mendoni? Nuk kam dyshim. Kjo nuk është një histori imja, është histori e të gjithëve.
(Marrë nga libri “Rrëfimet e komshiut”, Botimet M&B, Tiranë 2011)

Nostalgji për kohë e njerëz

Një letër që më solli mall dhe se mbaj dot

Më vijnë shumë letra valëve të internetit, letra që më sjellin shëndet e gëzim, letra që ma ndezin mallin e dua të vrapoj ta shuaj burimesh e lëndinash të vendit tim, Dibrës që e dua.
Kësaj radhe më erdhi një letër nga shoku im, nga miku im, nga Luan Kaba me të cilin na ka lidhur, midis të tjerash e mbi të tjerat, profesioni; ai telekronist i Radio-Televizionit Shqiptar dhe unë gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Vite të shkuara, viteve shtatëdhjetë. Mundohem të kujtoj rrugëtimet në këmbë me Luanin në kërkim të njerëzve të punës, “njerëz mbi male” siç i kam pas vënë titullin një reportazhi.
Një fotografi (që po e përcjell, foto ku është edhe Fredi, redaktor i RTSH) më ngacmon kujtime në ngjitjen maleve të jashtëzakonshme për nga bukuria dhe begatia, maleve të Kalasë së Dodës, udhëtimit nëpër Radomirë, luginës që merr kryevend tek “Shpellasi” ku thonë se uji ka marrë ngjyrë kur në bjeshkën e Ponairit hodhën bojë për të parë ku humbet e ku del uji për ta prerë “berrin e varur në çengel” për kurrizi, Shqipërinë, njëqind vjet të shkuara. Më kujton liqenin e Preshit e pak më sipër burimin ku kam mbushur grushtet njëri pas tjetrit për të shuar etjen e ngjitjes në këmbë. Më kujton Sorokolin e pamjen që zbret në njërin krah nga Përroi i Lushe e nga krahu tjetër në Fushën e Korabit. E tej e tej në veri, bjeshkë pas bjeshke, “Kthesën e Koke” ku misionaret e Evropës u detyruar para pushkëve të rrotullohen rreth vetes në detyrimin “Të lënë kokën apo tu lënë tokën shekullore fisit trim të Kokeve”.
Eh more Luan Kaba, djali i mikut tim të viteve të rinisë, mjeshtrit të bujqësisë dibrane, Sabri Kabës, kujtimet e të cilit më vijnë e më zënë supin e pesë viteve kur ishim bashkëmësues në shkollën e mesme bujqësore “Nazmi Rushiti”.
Nuk mund të lë anash një rrjedhë gjaku gjenetik. Fëmijët e Luanit kanë gjak nga kushëriri i parë i babait tim, Azem Poçi, njeriu që nuk ia gjeje shokun në vend për punëtor e zemër flori.
Faleminderit Luan Kaba. Letrën tënde plot ndjenjë e dashuri nuk mund ta mbyll “zarfeve kompjuterikë. Po e përcjell me mall për të shuan paksa mallin e një ikanaku larg e larg vendlindjes, Dibrës tonë.
Shënim: Po të përcjell edhe një fotografi, të tre, midis teje e Sami Bulkut, diku në një lokal të vogël në pritje të kafes…

I RILINDUR BASHKË ME “RILINDËSIT E KOHËS SONË”

Nga Luan Kaba

Përshëndetje Abdurahim Ashiku!
Lexova librin tënd të fundit ”Rrëfimet e komshiut”.
Edhe pse me këmbët e mia nuk kam shkelur rrugëve të karvanëve të mërgimtarëve, ikanakët, siç i quan, me kokën pas Fushës së Korabit (O e mjera unë…), a Lëndinës së Lotëve, nga përshkrimet me aq ndjenjë, bëre që të më dukej vetja se po përplasem dallgëve të Adriatikut bashkë me Eduardin e të përlotem për djalin e tij dyvjeçar që e përpiu deti i trazuar i 28 marsit 1997.
Bëre të ndjehem se po dridhem nga acari në kapërcim të maleve të Gramozit, Konicës e Pindit bashkë me komshiun tënd e me të burgosurin në “Ahuret e Avgjisë”, të më dukej se po sfilitem sporteleve të burokratëve komunar, zyrave të O.A.E.DH-it për një “Kartë kazerme” bashkë me atë “Vorioepirotin nga Luma”.
Me rrëfimet më çove e më gëzove atje ku “Gjaku nuk bëhet ujë”, mes arvanitasve të Thivas, në Kaskavelin e autorit të “Gjuhës së Perëndive” Aristidh Kolën e madh, më prezantove me Kiço Bllanin shokun e vjetër të klasës në shkollën e mesme…
Vërtet më bëre të trishtohem për rininë e humbur të Valbonës, të ligështohem për fatin e “Gjeneralit akull” por edhe për atë zogun shtegtar tek tavolina 15.
Më bëre të përbuz edhe afendikonjtë nursëzë , avokatët e ftohtë gjakpirës, ikonat mashtruese por më bëre edhe më shumë të ngazëllehem me mjekun Panajotis, gazetaren Magda, pronarin Spiro që Shpëtimin nuk e thërrisnin Jorgo por me emrin e nënës-Shpëtim.
Siç me ndjenjë, rrokshëm e përshkruan, edhe unë do të desha të isha dëshmitar në “Gjyqin e Shqipes” e të përshëndesja me gjithë zemër mësueset Stela e Denada.
Por do të desha të shihja edhe kur i përmalluar takohesh me Gurjonin, mjaltin e mjaltit. Pse jo edhe të filmoja me kamerën time, si gati 30 vjet më parë në Sorokol, liqenet e Lurës a Kacnisë. Është një galeri e vërtetë personazhesh realë, që frymojnë, mbijetojnë, gjallojnë por edhe lulëzojnë në atë klimë. Me një gjuhë të thjeshtë, origjinale, të pastër, me emrat e vet, ata i ke përjetësuar në histori, në një nga faqetë e trishtueshme të saj, në ata të tranzicionit alla shqiptar, që na bën të ndjehemi ngushtësisht keq.
I nderuar Abdurahim Ashiku!
Me a pa dëshirë, me a pa sakrifica, me apo pa peng të lënë pas, kapërceve mes “Gurëve që lëvizin”…dhe vërtet të shoh të rilindur, bashkë me “Rilindësit e kohës sonë”.
Edhe njëherë dua shumë të të uroj shëndet e jetë, për të vazhduar “qilizmën”, se me siguri ke edhe të tjera, e të tjera për të na thënë.
Urime nga Luan Kaba

* ish telekronist, drejtor i Arkivit të Shtetit-Peshkopi