Formimi i Brigadës 18 S dhe çlirimi i Dibrës- dy ngjarje të rëndësishme të historisë


Populli i Dibrës është shquar në luftën për liri e pavarësi. Kontributi i tij zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Janë të njohura luftërat e Skënderbeut kundër Perandorisë osmane, ato të luftës kundër Tanzimatit, Hajredin Pashës, mbrojtja e Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës, kryengritjet e mëdha 1910-1912 e tjerë. Nëntë vjet iu desh Dibrës të luftojë për mbrojtjen e pavarësisë kundër copëtimit të saj nga pushtuesit serbë, siç thuhet edhe në këngën:
“Në tanë Europën ka shkue fjala,
çe nëntë vjet luftojmë me krajla…”
Pas një periudhe relativisht qetësie në vitet 1924-1939 filloi një luftë e re që për humbjet e jetëve njerëzore, të pasurisë së fituar me djersë gjatë shumë brezave ishin më të mëdha se luftërat që kish përballuar Dibra nga shumë pushtues të tjerë.
Pushtimi i Shqipërisë më 1939 nga Italia Fashiste e zemëroi popullin, rininë, inteligjencën dhe mbarë shoqërinë. U përdorën të gjitha format e luftës, demostrat, njësitet guerile në qytete. U krijuan çetat partizane siç ishte ajo e Dibrës më 20 qershor 1942, batalioni i Dibrës më 26 korrik 1943 dhe brigada e 18 sulmuese më 18 gusht 1944 në Sllatinë të Dibrës së Poshtme me komandant Esat Ndreun. Ajo përbëhej nga forcat partizane të Dibrës, Martaneshit, Çermenikës, si dhe mjaft të rinj që u inkuadruan për herë të parë në radhët e forcave partizane.
Më 23 gusht ajo çliroi Peshkopinë dhe gjithë Dibrën. Formimi i brigadës 18 sulmuese dhe çlirimi i Dibrës janë dy ngjarje të rëndësishme të historisë së Dibrës.
Bashkia, Komiteti i Veteranëve të Luftës Nnacionalçlirimtare organizuan një varg veprimtarish që kulmuan në ditën e çlirimit të Dibrës më 23 gusht 2019.
Një grup veteranësh, pasardhës të veteranëve dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve prej 40 vetash u nisën nga Tirana për në Dibër. Një autobus i vënë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes e bëri më të lehtë lëvizjen në këto ditë të nxehta gushti.
Bashkë me dibranët kishin ardhur edhe Valentina Prifti nga Fieri, ish mësuese e shkollës “Ismail Qemali”, prindërit e saj partizanë të luftës nacional-çlirimtare, Ladi Taipaj nga Gjerbësi i Skraparit, Hyqmet Kupe nga Korça, Mal Halili nga Skavica si dhe Hysen Tabaku, antar i komitetit të veteranëve të luftës antifashiste Nacional-Çlirimtare, i deleguar në këtë festë jubilare.
Gjatë rrugës përveç njohjeve u bisedua kryesisht për ngjarje të luftës. Valentina vinte për herë të parë në Peshkopi dhe ishte kurioze të dinte gjithçka. Gëzim Loka kreu shumë mirë rolin e ciceronit. Afër Klosit kënga “O moj Dibra maja, maja” sikur na zgjoi nga gjumi dhe na solli emocione, pas saj kënga tjetër patriotike e Hajredin Pashës, na njoftonte se po i afroheshim Qafës së Buallit ku ndan kufirin e Dibrës me Matin.
-Këtu tek “Gurët e Skënderbeut”, nisi bisedën Shuaipi më 26 qershor 1942, çeta e Dibrës ka zhvilluar një aksion kundër postës italiane. Në Zerqan Nazmi Rushiti, tha Luan Spahiu, (nipi i Niazi Agollit) vrau në atentat oficerin fashist Stavri Jaho.
Në Bulqizë e Shupenzë me ne u bashkuan Skënder Karaj, Adem Lika, Iljaz Xhafa, Kalosh Leka, Ferat Lezi, Rustem Rusi, Petrit Lleshi, Dan Meta e Ali Alliu.
Kur autobusi la Shupenzën dhe po afrohej tek Ura e Sebinit, Xhevat Jella, kryetar i komitetit të veteranëve të luftës Nacional-Çlirimtare të Bulqizës nis e tregon:
-Në fund të luginës së ngushtë nga Veriu është fshati Zogje i Haxhi Lleshit ku u krijua edhe çeta e parë partizane e Dibrës, por më mirë i takon të flas Rushiti si bir i kësaj familje.
-Në këto male, vazhdoi bisedën Rushiti kemi ndenjur me familjen tonë e disa të fisit (Qemal e Shefki Lleshit), herë jashtë e herë në bazat partizane si në Gjuras Xhemal Teta e Hysen Markeçi, Qafë Murrë Rrahman Lala, në Prat tek Kurt Bodini, në Luzni tek Bajram Neziri, në Shpukth tek Hysni e Rrahman Skarra etj. Ishte dimër, ftohtë, borë, luftë.
Afrohemi Urës së Topojanit. Lapidari kushtuar aksionit të çetës kundër forcave italiane më 26 gusht 1942. U plagos komandanti i çetës Haxhi Lleshi. I shpjegon Besnik Lleshi Hysenit. E paskan lyer me gëlqere e meremetuar lapidarin shprehet me gëzim Izet Shezairi. Shumë mirë Dibra. Të gjithë lapidarët dhe përmendoret i ka rregulluar e meremetuar bashkia e Dibrës që nga Ura e Topojanit e deri në Sllovë. U lumtë dibranëve tha Petrit Mëcuku për respektin që tregojnë për simbolet e luftës.
Qyteti i Dibrës së Madhe duket si në pëllëmbë të dorës nga kodrat e Maranicës. Në kujtesë na vjen kënga: “Dibra e Madhe qëndron si kalaja, e rreh topi, e rreh mortaja…” Heroizmi i Hibe Palikuqit, Hamdi Lleshit, Jashar Kolës, Irfan Hajrullait, Demir Gashit, Liman Kabës etj, na bën që të ndjehemi krenar për gjakun e këtyre martirëve që sot gëzojmë lirinë dhe pavarsinë e atdheut.
Nga lartësia e kodrave të Begjunecit duket qyteti panoramik e mjaft i bukur i Peshkopisë. Autobuzi qëndroi para prefekturës. Pranë pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” na pritën ngrohtësiht qytetarë të Peshkopisë e fshatrave përreth bashkë me kryetarin dhe nënkryetarin e veteranëve të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Dibrës, Alush Stojku dhe Ilmi Cani. Me shamitë e kuqe në qafë “75 vjet çlirimi i Dibrës” ndoqëm një veprimtari kulturore patriotike me këngë partizane e valle popullore të Dibrës.
Të pranishmit i uroi mirëseardhjen kryetari i komitetit të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare zoti Alush Stojku.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i bashkisë Dionis Imeri. Midis të tjerave ai theksoi: “Populli dibran, patriot e liridashës krenohet sot me veprën e lavdishme e të pa vdekshme , ku bijtë e tij, partizanët trima i dolën zot Atdheut, pavarësisht pasojave deri në sakrifikimin e jetës në emër të lirisë.Me respekt të thellë sot kujtojmë heronjtë e popullit Haxhi Lleshi, Gjok Doçi, Nazmi Rushiti, Hibe Palikuqi, Liman Kaba si dhe dëshmorët Isak Metalia, Ramadan Veliu, Jashar Kola, Hamdi Lleshi,, Riza Doda,, Stefan Luarasi, Spiro Velko, Hamza Shehu, Tahsim Shehu, Irfan Hajrullai, Demir Gashi, Musa Agolli, Rukie Roshi, Ahmet Cami, Elez Mena, Ferit Xhajku, Rifat Manjani, Bajram Cara, Mustafa Bunguri, Aqif Konesha, Mehdi Topuzi, Xhemal Lita, Asllan Tanushi,, Asllan Kosiqi, Jaçe Hormova, Myrteza Zuna, Bilal Kanxholli etj, që dhanë jetën në emër të lirisë dhe atdheut.
…Dibra heroike i dha luftës antifashiste nacional-çlirimtare mbi 2000 partizanë, 5 heronj populli, 33 dëshmorë, 230 shtëpi janë shpallur baza të luftës Nacionalçlirimtare etj. Lufta dhe vepra e tyre do të kujtohen e respektohen brez pas brezi”.
Përshëndetjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Gramoz Ruçi për 75-vjetorin e Brigadës 18 dhe çlirimit të Dibrës e përcolli deputetja e Dibrës Almira Xhambulla.
Në emër të prefekturës përshëndeti Donika Hyseni.
Ilmi Cani lexoi letrën përshëndetëse të veteranëve të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare që banojnë në Tiranë por në pamundësi për të marrë pjesë si Hajri Hoxha, Atli Dibra, Pali Carapuli, Selim Pira, Dilaver Murra, e Hysen Laçi.
Sipas programit pjesëmarrësit e tubimit nën tingujt e bandës iu drejtuan varrezave të dëshmorëve ku u vendosën kurora me lule në emër të prefekturës, bashkisë, komitetit kombëtar të veteranëve, komitetit të veteranëve të rrethit, familjeve të dëshmorëve etj.
Pas kësaj ceremonie u drejtuan për në Sllovë. Pranë lapidarit kushtuar brigadës 18 sulmuese u organizua një takim tjetër ku miqtë dhe të ardhurit i përshëndeti kryetari i njësisë administrative Sllovë Ardian Gjoka.
Për historikun e brigadës 18 sulmuese foli zoti Shuaip Methasani, i cili vuri në dukje luftën pa kompromis të partizanëve të brigadës 18S dhe të gjithë popullit të Dibrës kundër fashistëve gjermanë dhe tradhtarëve të vendit për çlirimin e Dibrës, Kukësit, Martaneshit, Çermernikës etj. Në emër të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare përshëndetjet i përcolli Hysen Tabaku. Edhe këtu u vendosën kurora me lule.
Për nder të festave jubilare, bashkia shtroi një drekë në një nga restorantet e qytetit të Peshkopisë. Shumë nga të pranishmit ngritën lart bujarinë, mikpritjen e dashurinë e popullit të Dibrës për bijtë e saj në luftën për çlirim e përparim.
U larguam nga Peshkopi me urimet më të mira për bashkinë, deputeten e Dibrës Almirën, sekretaren e prefekturës D. Hyseni, që gjatë gjithë ditës shoqëruan veprimtarinë kushtuar 75 vjetorit të brigadës 18S dhe çlirimit të Dibrës.
Rrugës për në Tiranë, Petrit Mëcuku, nip i familjes madhe patriotike të Minxhozëve të Matit na ftoi për një kafe në Burrel. E përgëzuam për nderin dhe respektin që na rezervoi.
Ministria e Mbrojtjes meriton falenderime të posaçme për dhënien e një autobuzi komod së bashku me ambulancën e personelin e vënë në shërbimin tonë, në mënyrë të veçantë shoferin, Agimin, doktoreshën Shpresa Koçi. U përshëndetëm midis miqve me urimin: “Mirë u pafshim në përvjetor të tjerë”.