Në kërkim të fatit


Dy vëllezër jetonin të ndarë. I vogli punonte shumë, kurse i madhi jetonte “ku rrafsha, mos u vrafsha”.
Pasurinë e bëri rrush e kumbulla për një kohë të shkurtër. Tokën e la djerrë. Mori gruan dhe fëmijët, ia çoi në derë vëllait të vogël, dhe i tha:
Do të bëj një rrugë. Derisa të kthehem, mbaji ti.
Po ku do të shkosh?
Do të kërkoj fatin.
Ç`fat, more! Fatin e ke te puna , por ti nuk punon.
Po ai nuk dëgjonte nga ai vesh.
Kaloi krahinë më krahinë duke kërkuar fatin. Kurrkund nuk e gjeti. Një ditë, ndërsa kishte marrë kotsëkoti një udhë malore, takoi një plak të vjetër, të cilin e pyeti:
Or plak, mos di ku është fati im? Jam njeri pa fat dhe kam dalë ta kërkoj.
Mos iu ndaj kësaj udhe, që të çon në Pyll të Zi. Aty ndodhet Fatthënësi. Ai ta tregon me siguri.
Burri falënderoi plakun dhe mori udhën për në Pyllin e Zi. Nuk kaloi shumë kohë dhe në udhë takoi një ujk. Ky ishte kockë e lëkurë.
Ku po shkon? – e pyeti ujku njeriun.
Njeriu i tregoi ku shkonte.
Pyet edhe për fatin tim, – i tha ujku, – se edhe unë pa fat jam. Shiko si jam bërë kockë e lëkurë. Ha çfarë të dua, por nuk shëndoshem…
Do të pyes, – premtoi burri dhe u nis për rrugë.
Pak më tej ishte një rrap i madh, degëgjerë që kishte filluar të thahej. Ky, kur mori vesh se ku shkonte njeriu, iu lut:
Pyet edhe për fatin tim, se ja, rrënjët i kam në ujë e në tokë të mirë dhe po thahem.
Do të pyes, – i dha fjalën edhe rrapit.
Mbas një ore u kthye dhe i tha rrapit:
Ti ke te rrënjët një kazan të madh me flori. Kush e nxjerr kazanin, të shpëton nga e keqja, ndryshe do të thahesh fare…
Po ç`pret!? Nxire ti kazanin, për vete bëhesh i pasur, unë gjelbëroj si më parë. Një udhë e dy punë, i thonë kësaj. Nuk ka ku vete më mirë.
Jo, jo. Unë kërkoj fatin tim. E kam rrugës teposhtë…
Nuk ka fat më të madh se sa të marrësh një kazan me flori, – i tha rrapi. Kështu mendonte edhe ujku që e dëgjoi bisedën e tyre.
Po kujt t`i thoshte! Njeriu ishte i vendosur në të vetën. I erdhi radha ujkut për të marrë vesh ku e kishte fatin. Burri i tha:
Ti duhet të hash një njeri budalla. Sado të hash kafshë të egra si sorkadhe e të tjera, nuk do të shëndoshesh.
Më budalla se ti, që nuk nxore kazanin me flori, nuk kam ku të gjej, – i tha ujku dhe iu hodh në grykë e ia shqeu gurmazin.