Reagime nga shkrimtarët shqiptarë


Bardhyl Londo:

Termeti i dyte ndodhi: Agron Tufen, nje nga shkrimtaret me te talentuar shqiptare e detyruan te braktise atdheun e tij te dashur per te cilin ka bere aq shume. Shqiperia thyen keshtu nje tjeter rekord famekeq: nje shkrimtar nga me te njohurit ne periudhen postdiktatoriale detyrohet te kerkoje strehim politik ne nje vend tjeter per te siguruar jeten e femijeve te tij. Tani le te dale kryeministri dordolec dhe shakaxhi dhe te deklaroje: e cfare ka ketu? Kjo ndodh dhe ne Kroaci dhe ne Bullgari… Per cudi pas ketij termeti te dyte heshtin shkrimtaret, heshtin organizatat e tyre, hesht. PEN KLUBI.Po kur do te ndjeheni dhe organizoheni o njerez?

Flurura Açka:

Liria dhe AntiLiria e Agronit

Gjatë ditëve të panairit të Librit, me Agronin na u desh të shkonim në promovimin e një autoreje të re shqiptare. Me qetësinë e tij, me një kujdes të admirueshëm profesional, Agron Tufa i bëri një analizë të hollësishme librit poetik që na kishe mbledhur, e tillë, që nuk mund të ishte e një njeriu që ishte në nxitim e sipër për të ikur. Ajo ishte edhe hera e radhës kur u rrokëm përqafe, por jo e fundit. Ne e përzumë Agronin me heshtjen tonë. Tani po flasin shumë, dhe mirë bëjnë, por kur Agroni kërcënohej, fyhej, poshtërohej nga po ata njerëz që nuk kursejnë askënd, nga po ato puseta me imunitet shtetëror shpesh, ku ishim ne? Agron i dashur, bëre shumë mirë, ne jemi mësuar ta përzëmë me shkelma “Mendjen” nga Shqipëria. Europa është atdheu i Lirisë, Shqipërinë më parë duhet ta pastrojmë nga AntiLiria, por kur?

Arber Ahmetaj:

Agron Tufa, mik i dashur, autor i talentuar: ti ishe në listën e pushkatimit. Po t’afrohej dita! I ke lënë duarthatë vrasësit! Por, ata do kalojnë tek emri tjetër në listë! Ata e realizojnë planin! Ty t’mbetet tu dalësh zot, siç bënë me ne ata që shpëtuan para nesh! Mos u ndal! Duke shpëtuar veten, mund të shpëtosh edhe të tjerë! Jeta jote këtu do mbrohet! Ti nga këtu, mund e duhet ta ngresh zërin për të shpëtuar të tjerët! Kam kaluar asaj rruge! E di sa vështirë do ta kesh! Por për ty, vështirë, s’do të thotë e pamundur! Të njoh e të kam lexuar! Ti përbën brezin e tretë, fëmijët tu, të katërtin, që dhunuesit e Shqipërisë sonë, deshën ta eleminonin! S’duhet ta harrojmë vullnetin e tyre për t’na vrarë! Do ua kthejmë ndryshe, do i turpërojmë per ligësitë e tyre për dhjetë breza! Me dritën tonë, me letërsinë tonë!

Adil Olluri:

Agron Tufa është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë. Ai i dha letërsisë sonë vepra letrare, si “Dueli”, “Mërkuna e zezë”, “Tenxherja”, “Gurit të varrit ia rrëfej”, që për nga ana stilistike, tematike e narrative janë vlera të tejzakonshme letrare. Ai do t’i japë letërsisë sonë edhe vepra të tjera të arrira. Si lexues i vëmendshëm i veprës së tij letrare, them që jemi me fat që e kemi një shkrimtar të tillë. Andaj, lajmi se ai është larguar nga Shqipëria për të kërkuar strehim politik në Zvicër më pikëlloj shumë.
Shpresoj që në një kohë më të mirë, ai do të kthehet sërish në Tiranë dhe ky kthim të jetë triumfal. Agron Tufa i duhet Shqipërisë edhe me praninë e tij fizike. I duhet për ta vazhduar krijimtarinë artistike dhe veprimtarinë intelektuale në vendin e tij. Ndaj plotësisht mendimin me mikun tonë të përbashkët, shkrimtarin po aq të rëndësishëm sa Tufa, të nderuarin Virion Graçi, se “do të donim ta kishim këtu mes nesh, jo vetëm me shkrime”. Shqipëria është më e fuqishme kur i ka pranë vetes njerëzit me integritet moral e profesional, si Agron Tufa.
Në bisedën tonë të fundit i thash se do të të shkruaj në çastin e parë që do të jem në Tiranë, për të pirë kafe dhe për të bërë llafe miqësore e letrare, si shumë e shumë herë. Kështu që, kafenë me të u dashka ta shtyj për një ditë më të mirë. U dashka ta shtyj deri në kthimin triumfal të Agron Tufës.
T’ju rikujtoj se aktiviteti i fundit letrar shqiptar që mori pjesë Agron Tufa ishte festivali i prozës artistike “FICTION FEST”, që organizohet nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, të cilën e drejtoj unë. Është privilegj të bashkëpunosh me Agron Tufën
Njashtu, është nder dhe krenari të kesh miqësi letrare me Agron Tufën.
Paç shëndetin, begatinë, rahatinë e pasosur për vete e për familjen!
U pafshim sa më shpejtë që do të jetë e mundshme!

Balil Gjini:

Trishtim i madh për këtë vend. Agron Tufa, njeri dhe shkrimtar i rrallë, e ka braktisur këtë vend. E ka braktisur sepse, siç thoshte në një nga statuset e tij, ndihej i kërcënuar mes sehirit të madh shtetëror.
Gjithë skota e kuqe e komunistëve iu turrën atij që, me një grup shokësh, u përpoq të nxirrte në dritën e diellit të vërteta kutërbonin era tmerr. Ndërkohë, skota të tëra sharlatanësh, puthatorë e lavire të pushtetit, flasin për demokraci dhe të drejta të njeriut. Turp! Turp! Turp!