Për lirinë e Agronit dhe humbjen e lirisë tonë


Agroni gjeti mënyrën për të ekspozuar para opinionit vendas dhe europian rrezikun që na kanoset ne që jetojmë këtu nga një e ardhme pa liri, sepse institucionet e quajtura demokratike të këtij vendi, në fakt, janë kthyer në institucione të dhunës.

1.
Kjo foto është në një nga netët e fundit në Tiranë me Agronin dhe Elvanën. Ndenjëm deri vonë – si kurrë më parë – dhe nuk ndaheshim dot. Pas një darke me poeten Kira Mantsu, ku kujtuam e folëm për poetët më të mirë bashkëkohorë europianë, morëm rrugëve të Tiranës për të gjetur një kafe… Kafe në mesnatë? Asnjërit nuk i pihej kafe, por askush nuk thoshte që duhet të ikim në shtëpi. Me sa duket ishin orë bisede e malli mes “miqve më të mirë, për zemër, që na i ka falë Zoti”, siç do të shkruante një natë më pas në dedikimin e librit të ri të sapobotuar…
Kontaktuam mesnatën e 26 nëntorit, pas tërmetit, për t’u pyetur sesi po e përballonin situatën…
“Jam në merak për ju, – tha, – sepse ne jemi jashtë shtetit”.
Kur mora vesh lajmin se kishin kërkuar familjarisht azil politik, isha duke lexuar tregimin e radhës nga libri “Kur këndonin gjelat e tretë”…

2.
Prej asaj dite kam dashur të shkruaja diçka, në shenjë solidariteti me Agronin, Elvanën dhe fëmijët e tij, por fjalët nuk i gjeja dot. Prej gati një viti dhe veçanërisht nga 1 prilli, sulmet ndaj tij personalisht, për shkak të detyrës (e theksoj: vetëm për shkak të detyrës) ia kishin prishur qetësinë. Për t’i treguar një shenjë solidariteti sa herë kisha pak kohë, e pinim një kafe së bashku. Një kafe që ftohej, sepse na rrëmbente biseda, rreth punës, sulmeve ndaj tij, por edhe për sigurinë e familjes dhe fëmijëve. Sidomos ai ishte i shqetësuar për ta, pasi Agroni, ndryshe nga “ajka” e pushtetarëve tanë gjatë këtyre 20 viteve, i shkollon fëmijët e tij në shkolla publike, jo në ato privatet, ku paguhet siguria më shumë se mësimdhënia.
Çdo herë që e takoja, mësoja prej tij, se ai ishte gjithmonë e me më pak shokë në misionin e tij. Në detyrën e tij, më saktë.
“A se lë fare atë punë? – i thashë njëherë? – Pse ore, ti i vetëm do t’ia dalësh fitimtar kësaj lufte?”
“Nuk po bëj luftë, – më tha. – Po bëj detyrën që më ngarkon ligji. Po të mos e bëj, atëherë po këta “monstra” do më turren e do më sulmojnë se pse nuk po zbatoj ligjin”.
“Sepse ata dinë të trashin vetëm shtresat e gënjeshtrës” (1)

3.
Këto ditë kam lexuar çdo gjë që shkruhet për të. Edhe ata që kanë shpikur a shpifur kundër tij, me një gjuhë armiqësore që edhe regjimi i Enver Hoxhës do t’i kishte zili. Me një gjuhë armiqësore që e has në vëllimin e fundit me rrëfime të Agronit “Kur këndonin gjelat e tretë…”
Një pjesë e komenteve janë rrekur të shpjegojnë se “ikja” apo “arratisja” e tij ka qenë për shkaqe familjare dhe se ai është ndjerë i rrezikur e i frikësuar. Në fakt, unë mendoj se ai ishte i rrezikuar më shumë prej “tradhtisë” që atij i bënë institucionet e këtij vendi, qeveria dhe institucionet e drejtësisë, opozita dhe “miqtë e tij të idealit”, bashkëvuajtësit dhe të persekutuarit e regjimit komunist.
“S’kam asgjë personale me ty, Atë. Është thjesht çështje detyre… (2)

4.
Agroni gjeti mënyrën për të ekspozuar para opinionit vendas dhe europian rrezikun që na kanoset ne që jetojmë këtu nga një e ardhme pa liri, sepse institucionet e quajtura demokratike të këtij vendi, në fakt, janë kthyer në institucione të dhunës.
(a) Qeveria dhe parlamenti: Gjatë gjithë këtij viti individë të veshur me pushtet e kanë sulmuar Agronin me fyerje, sharje, shpifje, duke mos kursyer asgjë nga fjalori kriminal. Dhe kjo qeveri dhe kjo mazhorancë nuk mori guximin t’i thoshte ndal këtij revanshi kriminal të veshur me pushtet. Kjo mazhorance përjashtoi një deputet nga radhët e saj thjesht se ai guxoi të kritikonte një shef policie, por nuk e ka gjetur akoma guximin, edhe sot, të largojë nga radhët e saj një deputet që kërcënon një qytetar të këtij vendi “se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…”
“Heq pushkën prej supit dhe më merr shenjë. “Shaka do të jetë”, mendoj dhe e ndjek krejt i qetë, pa treguar asnjë grimë frike. Deri në grimën kur papritmas buçet krisma.(3)
(b)Opozita: Gjatë gjithë kësaj kohe sulmesh ndaj njërit prej institucioneve të pavarura që merret me studimet e krimeve të diktaturës, opozita nuk është treguar asnjëherë instituconale në reagimet e saj. Përveç disa zërave brenda saj të vetmuar, që kanë dhënë deklarata personale, institucionalisht ajo nuk mori asnjë nismë publike për t’i thënë ndal këtij revanshi. Ndërsa “opozita” e re në parlament, ndërkohë që në foltore diskutonte e mbronte Agronin dhe ISKK, kur erdhi puna te vota, e hodhi kundër. Dhe pastaj kërkonin rrugë miqësore për të pirë një kafe me Agronin dhe të shpjegonin se “nuk e kanë personale, por ashtu e donte puna”…
“… “kuajt” kanë mbaruar kush një e kush dy universitete në Europë. Por janë të rrallë “kalorësit” që kanë mbaruar klasën e katërt fillore”. (4)
(c)Të persekutuarit politikë: Agroni dhe ISKK janë tradhtuar nga ai brez shqiptarësh dhe pasardhësit e tyre që vuajtën në burgjet e regjimit komunist. Ata nuk zhvilluan qoftë edhe një proteste të vetme ku të kërkonin të ndalonte ky sulm ndaj Agronit dhe familjes së tij. Por, ndoshta nuk kishin mundësi, pasi kanë zënë radhët në zyrat e gjendjes civile për të marrë certifikatat familjare që vërtetojnë trashëgiminë nga të vdekurit e të vrarët në burgje komuniste dhe pastaj nxitojnë te zyra tjetër për të marrë këstin e radhës.
“Para meje qëndron Irena. Vështrimet tona ndeshen. Nëse më flet, kjo do të jetë hera e parë… në këto rrethana… Befas ajo ngrihet në majë të gishtave, barazohet me nivelin e syve të mi dhe… më pështyn fort në fytyrë. Madje është e vetmja, që shoqëron pështymën e saj me një fjalë të artikuluar kumbueshëm në rrethin e përsosur të dhëmbëve të saj të dëbortë:
– Re-ak-sio-nar!
Pështymat e tjera s’më bëjnë më përshtypje. (5)

5.
Po e mbyll me kaq për sonte. Duke i uruar Agronit, Elvanës dhe fëmijëve gjithë të mirat.
Dhe duke ju lutur, të luten për ne. Të luten për Atdheun tonë.
“Ju nuk do të vdisni, Atë Josif?
– Jo, biri im… Ju do të dilni! Jeni të rinj! Do të jetoni të lirë.. Veç mos e shani, mos e përbuzni e mos e urreni Atdheun tonë të shkretë. Ai sot gjendet në ditë të zeza. (6)

Shënim: Citimet e këtij shkrimi janë marrë nga tregimet e përfshira në librin e ri të Agron Tufës “Kur këndonin gjelat e tretë”, botimet Onufri, 2019.
(1) Nega Totum!
(2) Kur kënduan gjelat e trete.
(3) Varri i dyqindtë
(4) Argëtimi
(5) Pështymat
(6) Vdekja e Atë Josif Papamihalit