Vetmia e Agron Tufës!


Shkrimtari Agron Tufa iku nga shtëpia e tij dhe gjeti strehë dikund në Zvicër. Ai nuk u ndie sigurt më në shtëpinë e tij. U frikësua më tepër për fëmijët dhe gruan, se një ditë mund të ishin cak i ndonjë çmendurie kriminale.
Por, ajo që shqetëson më tepër, kur jemi te ky rast, është heshtja, ose reagimi i vonuar i shoqërisë shqiptare.
Heshtën institucionet që jetojnë nga fryma dhe shpirti i artistëve.
Heshtën shumica e shoqatave e asociacioneve të krijuesve e artistëve…
Por çuditërisht reaguan me vonesë edhe vetë shkrimtrarët… Këta të fundit madje nuk ishin me Agronin atëherë kur ai mbeti i vetëm në përballje me kopenë e cubave të dalë nga inkubatorët e (neo)komunizmit.
Çka është kjo ndërgjegje që aktivizohet vonë e shkrimtarëve artisitëve të Shqipërisë dhe pse ata bëhen gjallë vetëm sa për t’u dukur?! Vetëm sa për të hedhur firmën në reagimin e radhës?!
Po të ndodhte në Poloni, Çeki, Hungari, Suedi, kjo çka ndodhi me Agron Tufën në Shqipëri, që moti do të ishin shkarkuar (dorëhequr) disa përgjegjës zyrtarë, ishin bllokuar nga shkrimtarët dhe artistët dyert e Parlamenti, Qeverisë dhe institucioneve tjera. Reagimi atje madje do të ndodhte shumë më heret, atëherë kur shkrimtari ka nevojë më së shumti të ndjehet se nuk është vetëm.
Duhet ta themi, pra, pa frikën se po i hymë në hak dikujt, se Agron Tufa mbeti vetëm, atëherë kur kishte më së shumti nevojë për shumëfishim zërash që akuzojnë epokën e errët të komunizmit, për mbrapshtitë që ua ka bërë shqiptarëve.
Edhe në kohën e Stalinit internoheshin shkrimtarët, kurse zhdanovët mprehnin tehun e kritikës kundër ‘reaksionarëve’ në komunitetin e letrave, por tani pse frikësohemi kaq shumë nga Gullagët imagjinarë që i projektojmë për të justifikuar mosreagimin tonë kolektiv.
Agron Tufa ishte mirë me statusin e tij prej pedagogu dhe shkrimtari dhe ai gjithë këtë kauzë morale e intelektuale nuk e ndërtoi duke i shtu mirëqenies së tij ndonjë favor plus. Përkundrazi, ai me angazhimin e pandalur viteve të fundit, veç sa e prishi komoditetin e tij dhe të familjes, por a u desht që një shkrimtar i kalibrit të Tufës të bëjë gjithë këtë rrugë gati vetëm….
Vetmia e Agron Tufës një ditë do të bëhet leit-motiv i ndonjë subjekti letrar/filmik, por ajo që e shëron plagën e një shoqërie është nevoja për një katarsis moral, i cili si duket ende nuk i ka ndodhur shpirtit tonë konformist…