Tre dimensionet e tim xhaxhai dhe një kauzë e humbur për të tjerët


Hekuri, thonë rrifet sa është i nxehtë, por të nxehtë, e rref veç ai që di se ku ta kapje, ku ta mbështesë, si t’i bjerë, sa t’i bjerë, si ta shtyjë, qysh ta kthejë, e së fundmi, kur ta shqimë në ujë, pra duhet një esnaf. Por meqë unë nuk jam edhe aq esnaf, thash të ftohet fillimisht hekuri e mandej, pasi i ranë të gjithë me ç’mundën, ta kap edhe unë kur të dua e t’i bie sa të dua, pavarësisht se forma është e vështirë për t’iu dhënë.
E shoh detyrë morale, familjare dhe qytetare t’i them edhe unë dy fjalë për ikjen e Agronit. E çka mandej nëse ia fus kot, aq më tepër kur nuk po ia ndjen askujt për çfarë flitet nalt e poshtë?! Meqë më pat thënë dikur “Për ty xhaxh, i djeg të gjithë”, mendoj se ma fal ndonjë gabim nëse e bëj.
Agronin (tim xhaxha), mund ta ndaj në tre dimensione, në tre pika të mia vështrimi.
Le t’i shohim me rend:
Së pari, im xhaxha (njësoj si im atë) prej kur qe fëmijë përçmohej, përbuzej nëpër fshat e përtej sepse ishte bir gulaku, dhe sepse i dinte vjershat përmendësh, madje edhe nga ata fshatarë të cilët përmas viteve 90’ nalt e poshtë u mburrën me faktin që ai (tashmë me një rol tjetër) ishte nga fshati i tyre. Në këtë frymë u rritëm edhe ne, nipërit, duke urryer me gjak sistemin komunist. Ky ligjërim na ndiqte përditë në vegjëli dhe në netët pa drita, të cilat ishin të mbushura me histori me oficerë, me kampe, burgje, mungesë buke, vdekje, zi, përbuzje, etj.
Isha i vogël kur im xhaxha kthehej nga Moska. Përherë na sillte nganjë dhuratë, nuk harronte kënd. Ndër to më të shumtat ishin librat, duke imponuar ndoshta me vetëdije letërsinë dhe leximin mbi ne.
Mbaj mend shumë mirë kur vinin njerëz nga i gjithë fshati për të takuar Agronin, tashmë prej kohësh edhe ata që e përbuzën dikurë. Siç mund ta kuptoj tashti, servilzmi qëndronte te ata njerëz siç kishte qëndruar atë kohën e Vjetër, por tashmë pa rregulla, pa kahje e pa përzgjedhje. Kur kthehej Agroni, ishte ngjarje jo vetëm në fshat, por edhe në qytetin e Peshkopisë, sigurisht ndër ata njerëz që kishin sadopak lidhje me kulturën.
Ndërkohë, pasi u rrita dhe iu afrova sadopak çështjeve të letërsisë, gjetkë nëpër ambjente takoja njerëz, në Dibër e Tiranë, dhe sapo tregoja mbiemrin, fill niste pyetja “Çfarë e ke Agronin?”, pastaj si me breshëri fjalia e gjithëheshme “E kam shum mik të mirë”. Sigurisht, që prej asaj kohë nuk i besoj më kësaj fjale.
Në një letër të hapur që ia nisa në prill tim Xhaxhai, fola për grazhdin dhe kokën e kolegëve të tij të cilët e kanë zhytu në grazhd dhe nuk mehen kurrë mbi tagjinë e tërshërtë, e kjo nuk i lë të shohin ç’po ndodh përrotull tyre.
Ata miq nëpër holle u terën, avulluan, ndryshuan grazhde, ndryshuan kahjet e tërheqjet, ndërkohë im xhaxha është i injëjti, bash siç e mbaj mend kur kthehej nga moska, veçse tash më i thinjur, më në peshë, dhe sigurisht pa mjekërr. E gjithë shkuara e tij, nisi të ndërtojë një ndër shkrimarët më të fortë të këtij shekulli në letërsinë shqipe.
Së dyti, letërisa e tij që në zanafillë ruan një koherencë që lidhet me krizën identitare të shqiptarëve ditë e sotme, kjo e ndikuar drejtpërdrejtë nga regjimi komunist në vendin tonë. Kështu ai u bë një ndër shkrimtarët më të vlerësuar në vendin tonë, i lexuar nga pjesë e madhe sepse dashuronin manierën e tij krijuese. Një pjesë tjetër e lexonin sepse urrenin që nuk kishin manierën e tij krijuese. Një tjetër pjesë për tu munduar të arrijën të shkruajnë sadopak ngjashëm me të. Ndërsa një pjesë krejtësisht tjetër pikërisht se nuk do mund të shkruanin kurrë si ai.
Kështu pas dështimit për ta mposhtur Agronin fëmijë (njeri), u pa mundësia e mposhtjes së shkrimtarit. Kështu pas dështimit me sukeses të madh të kësaj ëndërre, shpresuan për të mposhtur Agronin si idealist (antikomunist).
Para pak ditësh, në aeroportin e Athinës në ulëse të shumta kishin lidhur libra të poetëve grekë. Teksa po shfletoja një libër me poezi të Odisea Elitis mendova: more, si ka mundësi që të tjerët i lidhin poetët e tyre që të mos i’ua marrin, ndërsa ne i degdisimi me kërcënime nëpër botë.
Së treti, sigurisht që paralelisht me idealet e një qytetari thellësisht të angazhuar, rriten edhe realietet e qenieve që parazitojnë. Thoshte im gjysh shpesh, që “i papuni merret veç me punët e tjerëve”, si edhe “i keqi ka llafe”.
Diku lexova që Agroni, me ikjen nga Shqipëria është gjunjëzuar para idealeve të veta, pra kundra komunizmit.
Në Dibër është një shprehje “I ngopmi të untin (uriturin) nuk e njeh”. Pra nëse dikush do të marrë përsipër të flasë për ideale, duher t’i ketë disa të tilla, në të kundërt leh në tym, ose së paku të jetë i vetëdijshëm që nuk ka asnjë të tillë në veten e vet.
Kështu ikja e Agronit ka dy këndvështrime të ndryshme që çojnë në një pikë: zhgënjim.
Nga këndvështrimi i atyre që e mbështetën: del në pah thërrmimi i çdo pretendimi demokracie dhe thërrmimi i çdo ideali antikomunist apo zëri opozitar. Tashmë nuk kanë me ç’ta ngushëllojnë veten, sepse statuset në facebook nuk bëjnë kurrëfar ndryshimi.
Ndërsa nga këndvështrimi i atyre që urryen (edhe në heshtje): do iu mungoje pasqyra ku herë pas here panë veten. Nga ana tjetër për ekzistuar duhet të njohësh joekzistencën, pra për të qenë duhet të mos kesh qenë dikur. Si e bardha që qëndron ballë të zezës, si e keqja që për tu vetëpërkufiuzar ka nevojë për të mirën. Pa Agronin nuk do dinë më të përkufizojnë veten. Ata i irriton më së shumti mungesa e së kundërtës për të vënë në bold veten e tyre.
Gjithsesi ekziston edhe “Shumica e heshtur”, ajo pjesë që rron veç për një copë bukë, dhe për të, është e gatshme të bëjë çmos.