Unë kam qenë dhe jam me Agron Tufën!


Unë kam qenë dhe jam me Agron Tufën! E kam njohur qysh kur ishte nxënës në gjimnazin e Kastriotit. Kur punonte gjithë ditën në fushë dhe shkollën e vazhdonte natën. Se hienat e komunizmit nuk e lejonin të vijonte mësimet ditën, si gjithë të tjerët! Megjithatë, me një vullnet të hekurt dhe etje të pashterrshme, ai studionte shumë dhe përpinte çdo libër që i binte në dorë. Sot Agron Tufa është më tepër se një institucion kulturor, është një erudit me dije të thella shkencore, është një aset i çmuar dhe diamant i kulturës dhe historisë sonë kombëtare, është një monument i saj. Për më tepër, flet vepra e tij e gjithanshme, flet trimëria dhe guximi i tij për të zbardhur krimet monstruoze të kmerëve të kuq!
Nuk po përmend në këto pak rrjeshta arritjet e shumta letrare dhe studimore që me kohë i kanë kaluar kufinjtë e ngushtë të Shqipërisë. Për të gjithë fosilet dhe rreptilët e komunizmit sllavo-ortodoks që ende frymon, po përmend vetëm një shkrim studimor të Agron Tufës mbi Kosovën të titulluar “Fallsifikimi i historise-shkas për spastrime etnike” botuar në shtypin rus në mars 1999 dhe ribotuar në “Rilindja Demokratike” në numrin e datës 4 korik 1999: shkrimi është botuar me titullin: “Agron Tufa-shqiptari qe shkaktoi termet ne shtypin rus”. Pas botimit të këtij artikulli në revistën “Tatjanin denj”, kryeredaktori i saj u shkarkua nga puna, per “simpati” ndaj shqiptareve, ndërsa autorin e saj, studentin Agron Tufa për këtë arsye, u munduan ta përjashtojnë nga Instituti “Gorki”, masë që u zbut në “paralajmërim përjashtimi”. Këtë studim përmbajtësor nuk e ka hartuar Akademia e Shkencave (që do të ishte dashur ta bënte (!), por një student letërsie i Institutit “Gorki”! I lindur dhe i rritur në një familje të thjeshtë patriotike dibrane! Në fshatin Sohodoll të Dibrës së Poshtme, një fshat me rrugë të shtruara me kalldrëm dhe avlli të lyera me gëlqere, që sipas Hahnit(1864), i ngjante një qyteti. Që bashkë me fshatrat e tjerë të krahut lindor të Drinit të Zi, ishte djegur 3 herë nga serbët në vitet 1913-1921! I mëkuar që në vogëli me dashuri të pamasë për vendin e tij dhe tokën e të parëve! Le ta lexojnë dhe rilexojnë atë të gjithë patriotët” e ppv-ve dhe trustit të lulelakrës dhe të shohin njëherë të vetme veten në pasqyrë, në se u ka mbetur ende ndonjë cep i pathyer! Edhe të gjithë meskinët, cinikët dhe gjithollogët, që duhet të skuqen kur përmendin emrin e Agron Tufës! Edhe ndonjë shkrimtar i vetëshpallur “disident”, që në kohën e diktaturës mbante poste të larta në aparatin shtetëror! Të gjithë ata, që me bëmat e tyre lirisht do të përfshiheshin në kategorinë sociale të turpit, krijesë e ppsh,”homo albanicus”!

Për të gjithë ata, edhe një poezi një poezi të Agronit të vitit 1988:

I ndiej ca sy tinëzarë pas shpine…
I ndiej ca sy tinëzarë pas shpine
që më gjurmojnë në fshehtësi,
që i janë qepur rrugës sime
si Mefistofeli – qen’ i zi.
Gjithë ç’kam bërë dhe bëj përditë,
ata e tjerrin fije-fije;
trillojnë, përsosin ligësitë
dhe m’i lidhin rrugët nyje.
Por ëndrrën që ngroh – frymë e shpirt,
askush s’do mundet të ma presë;
atë s’e ndryjnë dot sytë tinëzarë
në laboratorët e tyre të zes…