Tërmeti që ka rënë në Durrës, ka bërë që të tronditet Shqipëria e madje mbarë shqiptaria.


Humbja më e madhe ishte në familjen Lala në Durrës, me origjinë nga Dibra. “Tetë anëtarë të familjes Lala u shuan nën rrënojat e vilës së tyre katër katëshe në zonën e ish-kënetës në Durrës. Ata u përcollën në banesën e fundit më 29 nëntor.
“Lalajt ishin një nga familjet që pësuan goditjen më të fortë të tërmetit me jetë të humbura. Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër.Vila ku jetonin bashkë familjet e tre vëllezërve u kthye në mort, pasi u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit. Bashkëshorti i Marjeta Lalës që humbi të katërt fëmijët ishte në Itali, ashtu edhe vëllai tjetër i cili në këtë tragjedi humbi vajzën, Griselda Lalën, 22-vjeç. I vetmi që doli gjallë nga rrënojat ishte Ramë Lala 17 vjeç”, raportonte shqiptarja.com më 29 nëntor.
Por kjo tragjedi pati edhe anën tjetër, atë të solidaritetit. Lajmet raportuan nga terreni për vullnetarë që iu bashkuan ekipeve të shpëtimit si dhe makina me ndihma ushqimore dhe rroba. Grupe vullnetarësh nga Dibra e Madhe mblodhën ndihma dhe u angazhuan në Durrës duke ndihmuar. Bashkia e Dibrës së Madhe ndau 300 mijë denarë për të prekurit, duke vërtetuar se pavarësisht se kufijve, shpirtërisht gjendet afër Shqipërisë.

ARBEN FIDA: Më thirri gjaku i të parëve të mi

Zjarrfiksi nga Dibra e Madhe. që vuri jetën e vet në rrezik për të shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit të datës 26 nëntor 2019
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte një tmerr i vërtetë. 51 të vdekur dhe 900 të plagosur. Lajmi hapet si vetëtimë. Si vetëtimë vrapojnë shpëtimtarët, atdhetarët, shqiptarët anë e mbanë botës.
Një nga këtë shpëtimtarë ishte Arben Munir Fida nga Dibra e Madhe, i trajnuar si zjarrfikës dhe shpëtim jetësh në rast fatkeqësie natyrore. Arbeni nuk priti as urdhër, as porosi, as leje, por vrapoi drejt shtetit Amë, drejt Shqipërisë, drejt Durrësit.
U bashkua me skuadrën e zjarrfikësve të Rumanisë dhe me të u bashkua edhe një mik i tij zjarrfikës nga Kavaja. Shpëtuan jetë njerëzish, nxorën kufoma nga gërmadhat, vunë jetën e tyre në rrezik.
Televizioni Report TV e interviston në vendin e ngjarjes.
“Kush jeni ju?”
“Jam Arben Fida nga Dibra e Madhe.”
Paradoksi qëndron se ka akoma shqiptarë, akoma nxënës shkolle që nuk e dinë se ku bie Dibra e Madhe, se Dibra e Madhe që nga viti 1913 është shkëputur nga trupi amë nga vendimet famëkeqe të fuqive të Europës.
Kush është Arben Fida ? Është pak të thuash hero. Është i biri i Munir Fidës, profesorit të historisë në Gjimnazin e Dibrës së Madhe, historianit që derisa vdiq shkroi për Dibrën dhe Shqipërinë. Muniri është nip në trojet brenda Shqipërisë, tek fisi Cami në Viçisht të Dibrës dhe vetëm pas viteve 90 arriti që të bashkohet me dajat e tij dhe të afërmit.
Arbeni është vëllai i Argëtim Fidës, mjekut që për dy legjislatura drejtoi komunën e Dibrës së Madhe. Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe. Ky atdhetarizëm i mbrujtur në shekuj tek të afërmit e tij si të nënës dhe të babait, u ngrit në piedestal në një rast të tillë epokal siç ishte tërmeti i 26 nëntorit.
Në internet nga Durrësi Arbeni nxori një lajmërim: “Kush ka nevojë për strehim dhe ushqim nga Shqipëria le të shkojë në Dibër të Madhe tek Hotel Restoranti i tij modest. Ushqimi dhe fjetja ofrohet falas. E ç’mund të bëjë më njeriu i mirë përveç se kaq?
– Ku e gjeni forcën për t’u futur në rrënoja? – e pyet gazetarja e Report TV.
– Është obligim shpirtëror kombëtar, profesional, – përgjigjet Beni. – Ne zjarrfikësit jemi njerëz të betuar. Aq më tepër për këtë rast. Oj Shqipëri të qofshim falë, na ke bij, të kemi nanë, – e mbyll bisedën Arben Fida, heroi zjarrfikës nga Dibra e Madhe.
Sakip Cami

 

Mirënjohje ekipit kosovar të kërkim-shpëtimit

Nga Halil RAMA

Të premten në darkë, më 29 Nëntor (ditën e jubileut të lavdishëm të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut), pas katër ditë kërkimi intensiv, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, në funksionin si zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura nderoi me Çertifikata Mirënjohje ekipin kosovar të kërkim shpëtimit, të kryesuar nga Kapiten Kreshnik Nimani. “Mirënjohja, si shprehja më e bukur e karakterit të Njeriut është më kuprimplote në këto ditë të veshtira për të gjithë ne. Ajo ju takon Ju që si ekip kosovar erdhët të parët dhe dhatë një kontribut të veçantë në shpëtimin e disa jetëve dhe në nxjerrjen e disa të pajetëve nga gërmadhat. Në këto ditë të vështira Ju u bëtë shembull frymëzimi edhe për forcat tona të armatosura”, u shpreh ndër të tjera numri dy i Forvave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Vetë gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me këtë gradë madhore dhe në një funksion kaq të rëndësishëm ishte vetë bashkë me ekipipin kosovar në ndihmë të personave që u ndodhen nën rrënoja, si pasojë e tërmetit që shkatërroi një qytezë të tërë në Thumanë ku mori jetën e 24 personave (24 viktima te tjera në Durrës dhe 2 në Kurbin) dhe shkatërroi dhjetra pallate e shtëpi banimi. Në përfundim të këtij misioni ajo i falenderon përzemërsisht dhe shpreh mirënjohje për heronjtë ekëtyre ditëve të paharrueshme dhimbjeje kombëtare.
Vlerësimi maksimal i gjenerales shqiptare është për këtë trupë të shkëlqyer djemsh e vajzash, të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, si produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme…
Efektivët e skuadrave të kërkim-shpëtimit të ardhura nga Kosova, ekipet e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës ishin të parat që mbërritën, duke u përqëndruar në Durrës dhe Thumanë, në punën për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe personave që humbën jetën nën rrënoja. Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu i ka falenderuar njësitet e specializuara nga Kosova, duke nënvizuar mirënjohjen për solidaritetin e treguar si dhe duke evidentuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e lartë, si dhe kurajon e pashembullt që ata dëshmuan, duke na bërë krenarë të gjithëve.
“Ekipi kosovar i kërkim shpëtimit ishte ndër të parët, që në orën 4.30 të mëngjezit pas tërmetit të 26 nëntorit në ndihmë të viktimave në Thumanë. Me një angazhim maksimal mbresëlënës vetëm më 26 Nëntor, në bashkëpunim me forcat shqiptare dhe ato greke shpëtuan në Thumënë 17 jetë njërëzish”, pohon gjeneral Brigade Manushaqe Shehu. Ajo është e vetmja grua shqiptare që mban këtë gradë. Numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (Nga data 16 janar 2018 e në vijim kryen detyrën e Zëvendësshefit të SHP të FA) vjen në këtë funksion mjaftë të rëndësishëm pas një karriere të shkëlqyer në të gjitha nivelet e Ushtrisë Shqiptare.
Veçanërisht, dibranët krenohet me profilin e vajzës së tyre, doktore e shkencave, gjenerale dhe juriste. Mbi të gjitha tek ajo spikasin vlerat njerëzore që i demonstroi përkrah vëllezërve tanë kosovarë edhe në këto çaste tragjike për kombin tonë. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare.