Dilemat e Shpendit


 

Ashtu si shpendët që nuk ndalen në fluturimin e tyre, ashtu dhe Shpendi Qoku, djaloshi nga Kllopçishti i Maqellarës, nuk di të ndalet në rrugëtimin e tij drejt suksesit. Pasi mbaroi shkollën e mesme, si të gjithë të rinjtë e tjerë, ai qe larguar drejt Italisë, në kërkim të një jete më të mirë. Punoi plot 15 vjet, kryesisht në zonën e Bolzanos, aq të njohur për kultivimin e mollës. Puna e mjeshtrave italianë e mrekulloi dhe mendoi se dhe ai kur të kthehej në Shqipëri, do të bënte diçka të ngjashme me eksperiencën e tyre.
Shpendi ka dhe një lokal të tij, në qendër të Maqellarës, por tundimit për të provuar magjinë e kulturave bujqësore, nuk i rezistoi më. Nuk u mor me mollën. Shërbimet e shumta, krasitjet, spërkatjet e shumta, rezistenca e dobët e frutit, ishin faktorë që duheshin marrë në konsideratë. Por jo vetëm lodhja, se ai nuk i trembej punës, por më shumë i trembej mungesës së tregut. Shihte dhe fermerë të tjerë në Maqellarë, që përpiqeshin të shisnin mollët e tyre gjithë vjeshtës e dimrit dhe prapë nuk arrinin rezultat.
Kësisoj, ai mendoi të investojë tek arrorët. Kishin si familje rreth një hektarë tokë, që e jepnin me qira. Vendosi të mbjellë, gështenja, arra dhe lajthi. Gështenjën e mori vetë në Greqi, në zonën e Verias. E zgjodhi varitetin Maronia, duke sjellë 280 fidanë. Distancat ishin gjashtë me gjashtë, kurse në gropa kishte futur pleh të kalbur mirë. Përveç tyre shtoi dhe 50 rrënjë arra dhe 100 rrënjë lajthi.
Arrat ishin të shartuara dhe me origjinë nga Turqia. Parcelën e ka të rrethuar dhe me vaditje me pika. Kanë kaluar vetëm tre vjet dhe rezultatet duken premtuese. Ai po shijon prodhimet e para dhe ato duken shumë cilësore. Në pak vite të tjerë Shpendi shpreson që të marrë një prodhim të atillë që të mbajë një familje, pa u marrë me punë tjetër.
Një vit më vonë, Shpendi nisi një aventurë të re. Një mik i tij, në Korçë i sugjeroi një tjetër biznes, prodhimin e çajit. Ai i tha se çajin e prodhuar do ta shiste me 7-8 euro kilogramin, se tregu për këtë është tepër i sigurt. I tha se po ta mbjellësh vitin e parë, ai prodhon për shtatë tetë vjet, pa pasur ndonjë kosto shtesë të dukshme.
E gjithë kjo panoramë argumentesh ishte mjaft bindëse dhe goxha e lakmuar për ta bërë realitet. Mori shtatë dynymë tokë me qira dhe e bëri gati me punime, në mënyrën më të mirë të mundshme. Shkoi në Korçë dy vite më parë dhe mori farën e çajit. Sipas llogaritjeve i duheshin 700 gram farë çaji, që kushtonin jo pak, por 700 mijë lekë.
I përgatiti farishtet me kujdes, në mes të muajit mars dhe dy muaj më vonë çdo gjë ishte gati. Fidanët i mbolli me shkop në fushë të hapur, në distanca 70 cm mes rreshtash dhe 40 – 50 cm bima nga bima.
Vitin e parë nuk dha prodhim, por vetëm rritje të bimës. Ishte një rritje e bujshme e kërcejve, që mund të shkonin mbi 50 të tillë për çdo rrënjë. Në vitin tjetër, prodhimi qe shumë i mbarë. Ai e korri, e thau në hije dhe e ambalazhoi me kujdes. Lagështira dhe dielli ishin jo të pëlqyeshëm për një tharje cilësore. Rezultati qe vërtet shumë i kënaqshëm. Masa e korrur dhe tharë në hije, rezultonte të qe jo pak, por 12 kuintal.
Po nëse një vit më parë çmimi kishte qenë 7- 8 euro, këtë vit ajo ka rënë ndjeshëm dhe po bie akoma më shumë, deri në kufirin e 2 mijë lekëve të vjetra. Kështu i ndodh gjithnjë fermerit shqiptar. U trumbetua sherebela si mbjellja e shekullit dhe shumë shpejt çmimi ra në mënyrë drastike, aq sa nuk pyeste më njeri për të.
U mbollën mollët me shumicë dhe ata vitin e kaluar u kalbën dhe nuk u interesua kush për to. Ndoshta dhe arrorët, që duken pak më tërheqëse për momentin, mund të kenë të njëjtin fat pas dy tre vitesh. Si nuk u interesua shteti për fermerët e shkretë, ti drejtojë drejt suksesit, ti udhëzojë në kaosin e tregut, ti ndihmojë me subvencione, në mos më shumë, të paktën sa fqinjët tanë, Kosova dhe Maqedonia.
Këtë vit Shpendi mendon se do marrë 15 kuintalë nga parcela e mbjellë me çaj, por çe do. Nëse nuk shitet ai mund të shërbejë vetëm si shtresë për bagëtinë. Në lokalin e tij serviret ky lloj çaji që ai prodhon vetë. Vërtetë shijon shumë dhe siç thuhet lufton diabetin, shërben për dobësim dhe shton forcën imunitare të organizmit. Por kjo mënyrë konsumimi është shumë e paktë dhe e papërfillshme. Nëse gjërat nuk ndryshojnë për mirë, Shpendi do ta shkulë çajin e mbjellë me aq mund e shpenzime, ose do t’ja dorëzojë pronarit të tokës, pasi nuk ka asnjë lloj interesi. As më pak e as më shumë, sikur shkuli parcelën me mollë Sakip Dançja në Allejbegi, Hamit Abazi në Hobok dhe fermerë të tjerë në Korçë.
Shpendi mendon të bëjë lëvizjen e radhës dhe po kështu mendojnë gjithë fermerët e Dibrës. Të dalë nga vallja apo ta vazhdojë atë?