Në Vranjt, aty ku rrezaton drita e diturisë


 

Sapo të kalosh Kubenin e të kthehesh djathtas në sfond, të shfaqet Vranjti i Kastriotit. Fshat me plot bukuri natyrore, peizazhe të blerta mbi cilën qëndron kurora e maleve. Deshati dhe zona minerale e gipsit u japin Vranjtit e Limjanit një bukuri të rrallë. Kalaja e Volës është dëshmia e lashtësisë, qëndresës shekullore e brezave në kohërat e Bizantit, të Skënderbeut e deri në kohët e vona. Gjurmët e luftërave dhe të diturisë, traditat e besimit e të vëllazërisë tregojnë sesi malet e këtyre anëve kanë qëndruar, luftuar e jetuar duke i dhënë bukuri vendlindjes së tyre.
Vranjti dhe Limjani si krahët e një lisi të moçëm zbukurojnë trevën e Kastriotit e më gjerë. Edhe këtu ka jetë, punë, përkushtim, ka dritë e rrezatim diturie. S’ka si rrezatimi i diturisë, si drita e shpirtit dhe blerimi i djersës për vendlindjen, për kombin, për brezat…

Gjurmë jete e pune…
Cilido që shkon në Vranjt mëson shumë për gjurmët e jetës e të punës, për gjurmët e besimit. Njerëz të thjeshtë e bujar, të dashur e mikpritës, dashamirë për vlerat njerëzore, për dritën e diturisë. Me djersë e zell kanë zbukuruar vendin. Në arat e kodrinat, në rrethinat e shtëpive ka peizazhe që dëshmojnë se në Vranjt punohet dhe luftohet për jetën, diturinë. Shkolla 9-vjeçare e vendosur më hyrje të Vranjtit ka nxënës nga Vranjti edhe Limjani.
Sido që emigracioni ka bërë të tij ku janë larguar nga treva, ende këto, dy fshatra kanë galerinë e jetës, fisnikërinë e traditave shpirtin e punës duke ngulmuar për të zbukuruar vendlindjen. Mësojmë se, ndonëse kanë lëvizur në vitet e tranzicionit në Vranjt ka mbi 80 shtëpi, kurse në Limjan mbi 70 shtëpi, lagjja e Volezë ka rreth 20 shtëpi. Në këto anë cilido vete nuk befasohet me dritën e mirësisë e të bujarisë, me urtësinë dhe dlirësinë e fjalës që buron nga sinqeriteti i këtyre njerëzve të thjeshtë e shpirtbardhë. Puna zbukuron jetën, puna hijeshon fjalën dhe është dëshmia më e plotë e edukimit të brezave. Jeta dhe puna, tradita dhe dituria, bujaria dhe vlerat e fjalës, krenaria dhe thjeshtësia njerëzore janë moto e malësorëve të Vranjtit dhe Limjanit. Për bijtë e Vranjtit e të Limjanit jo një reportazh, por disa të tillë e pse jo edhe poema e tregime, novela e më gjerë nuk do të mjaftonin. Janë krenari e brezave Sheh Ismaili i Limjanit, Sheh Mehmeti, Sheh Emurllahi e djali Sefulla, teologu Xhezair Fishti e plotë të tjerë. Çdo plis dheu, çdo shteg a brezare në Vranjt e Limjan ka plot histori e gjurmë jete, gjurmë pune e besimi. Besimi për bijtë e këtyre anëve është shtylla kryesore e jetës, është promotori që u jep shtytje punëve, vëllazërimit, unitetit e harmonisë. E ku ka më të shenjtë në jetë se sa harmonia, humanizmi e vëllazërimi?! Jeta dhe puna këtu dritësojnë, shtojnë besimin, vëllazërinë.

Shkolla e Vranjtit
S’ka si rrezatimi i diturisë, si dija, si mençuria e urtësia për njeriun. Populli thurte urtësinë shekullore. S’ke dëm kurrë prej atij që din e prej atij që ka… Dituria çon përpara punët, harmoninë, ajo dëshmon për vlerat, për peshën e njeriut në jetë e në shoqëri. Ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, thoshte: “Për të vlerësuar një fshat, shikoi shkollën, mullirin, rrugët”.
Në Vranjt shkolla 9 vjeçare ka plot histori drite, veprimtarish plot prova diturie, emra që nderojnë Vranjtin, zonë e Kastriotit Dibrën e më gjerë. Përkushtimi, takti dhe zelli reformues janë tre veçori, është trinomi i punës për mësim dhe edukim në Vranjt. Mësues të pasionuar, të lidhur ngushtë me profesionistin me përvojat bashkëkohore. Kjo bie në sy qysh në hyrje të shkollës, tek lëndët model, tek veprimtaritë e deri tek ajo më themelorja orët e mësimit, tek puna me nxënësit e vështirë e ato me prirje. Në këtë shkollë ku mësojnë fëmijët e Vranjtit e të Limjanit janë 149 nxënës e tre kopshte. Është sa e arsyeshme edhe mision e detyrim njerëzor që në këtë reportazh të thjeshtë të gdhenden emrat e të përkushtuarve edukatoreve Nurie Shehi, Alltane Muça. Në pedagogjinë suedeze mësuesit e ciklit fillor konsiderohen heronj. Me të vërtetë këto përballojnë sakrificat e sfidat më të mëdha, më humane, më të lodhshme, për të futur në udhët e diturisë fëmijët që mësojnë. Janë në ditarin e diturisë mësuesit e ciklit fillor si Fatmira Elezi, Rrezarta Shahini, Rufat Cara, Zeqir Elezi, Shejdi Shehi. Këta janë dëshmia e qartë se si rritet autoriteti nëpërmjet mësimit, taktit e përkushtimit. Shkolla e Vranjtit ka arritur rezultate si rrjedhojë e shpirtit reformues të kuadrove dhe e mjeshtrisë e zotësisë së drejtimit. Në arsimin e mëson të ulët (ciklin e lartë) shërbejnë me devotshmëri Gëzim Fishti, Veli Xhediku, Mandarine Kaca, Ermira Zollumi, Mirian Tafa, Elton Iskurti, Naxhi Zuna. Tek secili, çdokush mëson për përvojat, dritësimin e veprimtarive, për shembullin në mësimdhënie e veprimtari.
Naxhie Zuna punon me zell në mësimin e edukimin e nxënësit tetraplegjik, Jurgen Riçku.

Biblioteka
Veli Xhediku ka bërë model bibliotekën, ka pasqyruar përvojën e korifenjve kombëtarë si edhe veprat e veprimtaritë e shkrimtarëve, poetëve e studiuesve dibranë. Puna e mësues Veliut dëshmon si duhet të jetë mësuesi reformues bashkëkohor. Ai ka bërë një punë lavdëruese, pasiononte dhe humane që u shërben nxënësve, lartësimit të vlerave njerëzore, intelektuale. Në stendat e fotografitë na shfaqet epopeja e shkrimtarëve si Haki Stërmilli, Hazis Ndreu, Xhafer Martini, Agron Tufa, Naim Plaku e plot të tjerë. Mësues Veli Xhediku i ngjan një blete që e mbledh nektarin lule më lule. Shembulli e puna e tij në mësim, veprimtari e mbi të gjitha me bibliotekën është një model për kohën, për ecurinë cilësore në mësimdhënie, në edukimin e brezave, në nderimin e pasqyrimin e vlerave të komunitetit.
Në Vranjt, mësojmë se si punon intelektuali e drejtori i talentuar Indrit Fetah Shehi. Ai ka mbi 5 vite që e drejton këtë kolektiv modest e të lidhur ngushtë me shkollën, me prindërit, me veprimtaritë. Drejtor Indriti, pa mëdyshje, të bind se është një krijues, mjeshtër i drejtimit, durues, veprues e mbi të gjitha kuadër i etur për dije, për ndryshim, për pasqyrimin e vlerave. Ai është sa korrekt e veprues, aq edhe kërkues e dashamir. Pra, çelsi i suksesit është komunikimi, lidhja e sinqertë me kolektivin, nxënësit e komunitetin. Shembulli i tij rrezaton, si është drejtori e kuadri është edhe shkolla. Tek Indrit Shehi mëson vetitë e drejtuesit e të punëtorit të palodhur të dijes, mëson thjeshtësinë, përkushtimin, zellin e studimit, respektin për kolegët, nxënësit, prindërit e mbi të gjitha shpirtin e punës e reformës, dëshirën për profesionin. Arti i drejtimit, puna këmbëngulëse për të udhëhequr me shembullin personal, pasqyrim i përvojave janë moto e drejtor Indritit. Ai flet me taktin e veprimin, me durimin e rolin organizativ, me nderimin për kolegët, me rreptësinë pedagogjike aty ku e di puna. Nga drejtor Indriti mësojmë për provat e humanizmin e Musa Riçkut, i cili i ka dhuruar bibliotekës librat e botuar të autorëve dibranë, mësojmë Wordl Vizion, për Majlinda Hoxhën, të cilët kanë dhuruar e nderuar shkollën 9-vjeçare të Vranjtit. Sot kanë ardhur edhe Sadedin Jashari, drejtues i shoqatës “Ardhmëria”, Albert Kojku e Bedri Reçi, të cilët dhuruan 5 kompjutera.
Takti dhe puna e drejtor Indritit dhe e secilit mësues në Vranjt i ngjan një magneti që tërheq veprimi, këmbëngulja, shëmbëllimi në punën me nxënësit ekselencë e ato me dobësi, puna me këndet e mjedisin flet, dëshmon për provat në frontin e diturisë. Nga drejtor Indriti mësojnë emrat e shumë nxënësve të dalluar, midis të cilëve që do t’i rrezatojnë kohës në të ardhmen në shkallët e dijes janë Blerta Kera (kl. IX) Gëzime Shehi (kl. VIII), Arbër Gjapi (kl. VII), kurse në ciklin fillor dallohen Rabie Riçku (kl. II), Klevisa Fishti (kl. II), s’duhen harruar edhe Esmeralda Muça (kl. VIII) e Kristina Riçku (kl. IX). Një kolektiv me dashuri e respekt për punën, për nxënësit, për traditat, një provë që flet. Të lënë mbresa këndet model si “Mësuesit e fshatit”, “Këndi i historisë”, “Turizmi në Dibër”, “Teologët e fshatit” (Limjan e Vranjt), këndi i letërsisë, krijuesve të vegjël, i piktorëve (letrari i ri, piktori i vogël) e të tjerë janë vërtet dëshmi e punës reformuese të përkushtuar. Dashuria për mësuesinë, mësimin e veprimtaritë, lidhja me prindërit, përvojat bashkëkohore të zbatuara me shpirt krijues janë provat e qarta që tregojnë se përse dallohet shkolla 9-vjeçare e Vranjtit në Dibër. Simbol i dijes e i krenarisë, shëmbëllim i dinjitetit pedagogjik, rrezatim diturie, këto mëson në Vranjt të Kastriotit.

Avdi Shehi dhe drita e brezave
Kur isha në Vranjt në fundvitin e sapombyllur me ftesë të drejtorit e kolektivit të nderuar; pas gati tri dekadash takova, të nderuarin, mësuesin e drejtorin veteran, Avdi Shehi. Ai na priti në hyrje të shkollës. U përqafuam e përfalem me përmallim. Ndonëse, pensionist pak më i ri nga unë Avdi Shehi, si lis kurore për nga mirësia e zelli arsimor na shoqëron në bibliotekën model e tek këndet, klasat kabinete. Plot 43 vjet shërbeu në arsim nga këto 14 vite drejtor, punoi 16 vjet në Blliçe, 7 vite në Vranjt deri gjithçka për shkollën e Vranjtit si mësues e drejtor, la gjurmë që u flasin brezave. Avdi Shehi ka një përvojë të çmuar në arsim si mësues e drejtues, si mjeshtër i mësimdhënies dhe i drejtimit arsimor në bazë. Puna e mirë, takti drejtues, shembulli në veprimtari, dëshmojnë zotësitë, nderimin për punën, dashurinë e respektin për nxënësit, komunitetin, rrezatimin e dritës profesionale. Dituria ka prova, ka dëshmitë e arritura, ka mbi të gjitha rrezatimin në sy të kolegëve, nxënësve e të brezave. Avdi Shehi ka plot përvoja, gjurmë veprimtarish e shembullin në drejtimin e shkollës. Me dashamirësi e thjeshtësinë që e karakterizon na tha: vura nxënësit në punë krijuese. Njëri prej tyre më tha: Mësues a ka mundësi që të na krijoni edhe ju një poezi për Kosovën? Unë, – thotë Avdiu, – e falënderova nxënësin dhe e bëra poezinë. Avdi Shehi i Vranjtit është një “poet” (krijues) i mësimdhënies, i adrejtimit, kuadër i vlerave për Kastriotin, Dibrën e më gjerë. Nga ky intelektual virtuoz mësojmë edhe brezat fisnikë të drejtorëve të shkollës Vranjt. Ata dritësojnë, ata janë gdhendur në kujtesën e brezave të komunitetit arsimdashës. Koha dh ejeta do t’u jenë mirënjohës, ish-drejtorëve të shkollës në Vranjt të Kastriotit si: Ahmet Çaushi, Xhafer Merdini, Ismet Abdia, Xhetan Shehu, Tahir Çela, Ymer Xhediku, Gëzim Fishti e Indrit Fetah Shehi. Breza drejtuesish, të urtë e të palodhur.
Vërtet është sa e lashtë aq edhe aktuale thënia filozofike ruse: “Njeriu më i lumtur në jetë është ai që kur kthen kokën pas nuk i skuqet fytyra nga e kaluara e tij”.
Avdi Shehat Shehi, ka një mal me punë, një jetë me shpirtbardhësi e përkushtim në arsim, një jetë që rrezaton dituri, që rrezaton dritën e brezave. Jetë të gjatë e mirësi Avdi Shehi, veterani i mësuesisë dhe i drejtimit arsimor!

Gjurmë që flasin për sot edhe nesër
Puna dhe shembulli i mirësisë dhe i diturisë i ngjan mineralit, kurrë nuk tretet as nuk vyshket, por rrezaton. Për Vranjtin e Kastriotit të Dibrës për mësuesit, nxënësit e njerëzit e mirë të kësaj treve flet shpirti, flet puna e përkushtuar, provat e diturisë e të besimit, nderimi e dashuria për traditat e vendlindjes e më gjerë. Janë 32% nxënës cilësorë, 3 nxënës ekselentë, 9 klasa kabinete, kënde e mjedis që dëshmon kulturë, vizion dhe dituri. Një konkurs model, Libri apo kompjuteri midis dy grupe nxënësit i drejtuar nga mësuesi i palodhur Mirian Tafa. Pyetje, argumente, debat, recitime etj. Gjithçka për t’u admiruar, gjithçka që flet e dëshmon sei ndrit pasioni, zelli për mësim e veprimtari. Drejtori i talentuar e masovik Indrit Shehi, i cili ka hobi vallet dhe aktrimin. Së bashku me shokët e shoqet e punës demonstrojnë nderin, reformim e përkushtim për mësimdhënien, veprimtaritë dhe mirëmbajtjen e mjedisit shkollor duke u përgjigjur kërkesave bashkëkohore.
Një kolektiv me prova e shëmbëllim për detyrat mësimore-edukative, me dritësim ndaj traditave e veprimtarive. Këtu flasin gjurmët e mjaft kuadrove, të cilët nëpër vite bënë epokë me shpirtin krijues për dituri, flet humanizmi i Musa Riçkut për pasurimin e bibliotekës model, të cilën e ka shndërruar në vatër diturie mësuesi shembullor Veli Xhediku. Një dhimbje e thellë na preku shpirtin sepse mësuam se ishte ndarë nga jeta, ish-drejtor i kësaj shkolle e mësues i dalluar i matematikës Ymer Xhediku. Ai sikur na thotë: Ecni përpara, jeta është e shkurtër, por kërkon dritë, djersë e gjurmë pune, për të dritësuar brezat. Koha dhe shembulli, fjala e vërtetë dhe vlerat rrezatojnë si drita, si dielli.
Dituria dhe sinqeriteti, kararet e dheut dhe traditat e komunitetit, zelli e nderimi për to e bëjnë shkollën vatër të dijes, vatër të kulturës. Vranjti e Limjani fshatra me shkollë 9-vjeçare të përbashkët, një komunitet me tradita diturie e besimi me prova, vëllazërimi dhe uniteti dëshmojnë sesi blerojnë vlerat në demokraci. Është madhështi dhe pasuria më e çmuar kur gjurmët flasin për sot edhe për nesër. Këtë e garantojnë provat e dijes, provat e punës e të vëllazërimit. Këtë trinom jete, këtë trinom hyjnor – dije, punë, vëllazërim – e gjen në Vranjt të Kastriotit ku rrezaton drita e diturisë.