Sindikata e re, lëvizje që duhet mbështetur përballë interesave dritëshkurtër


“Shikoni…menojeni vetë, kur nuk e çajnë kokën për Bulqizën që punon hala, si po menokan për ne?”. Gjen fuqi të thotë fjalinë e fundit minatori i vjetër.
Mirditori me gjasë nuk jeton më. Silikoza atij dhe shumë kolegëve ja kishte ngrirë mushkëritë nga thithja e kristaleve të pluhurit që lëshonin shkëmbinjtë sa herë shpoheshin në kërkim të mineralit. Lë mënjanë librin e mjeshtrit të reportazhit të gazetarisë shqiptare, të ndjerit Fatos Baxhaku dhe rrëmoj në kompjuter.
Gjej një fotografi të shkrepur në galeritë e Minierës së Bulqizës. Një minator i zhytur në pluhurin që lëshon shkëmbi, proporcionalisht me nivelin e zhytjes së martelit në të. Të punosh në minierë nuk është thjesht një rutinë që nis e mbaron në një orar të caktuar, çdo ditë, me një pagë, e ku nuk ke shumë kokëçarje.
Pasi minatorët humbin kontaktin me dritën e diellit, mbeten ata, elektriku mbi kokë dhe brendësia e malit. Fëmijët presin me ankth orarin e kthimit të babait, shpesh lajmi i kobshëm ka mbërritur në familjet bulqizake dhe qytezat minerare. Prej 6 vitesh në Bulqizë humb jetën në minierë mesatarisht një punëtor në çdo 2 muaj. Nuk di të ketë ndonjë profesion tjetër në vend me këtë bilanc.
Sot minatorët e Bulqizës, me kominoshe të dala boje, kasketa të gërvishtura nëpër cepat e shkëmbinjve, të lagur nga shiu, zgjodhën të zbresin në mejdan, përpara Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe zyrave të Kompanisë Albchrome. Ky i fundit i preu në besë!
Sindikata e re e minatorëve të Bulqizës, zgjodhi të ftonte shumicën e minatorëve që t’i bashkoheshin asaj. Kompania Albchrome do të detyrohej të lidhte “kontratën kolektive të punës” me të dhe jo me sindikatën aktuale (shhhht! Se mos e zgjojmë nga gjumi letargjik sindikatën ekzistuese). Por në këtë pikë, Albchorme shkarkon kreun e sindikatës së re dhe 3 anëtarë të këshillit sindikal.
Në mënyrë të pabesë, atje midis maleve, merren veçmas minatorët dhe vendosen përpara presionit për largim nga puna nëse i bashkohen sindikatës së re, nën emrin Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Kam dëgjuar mjaft “internime”. Kryefamiljarë që u degdisën në skajet e fronteve të punës së kompanisë Albchrome, si në Klos, për të shtypur zërat që kërkonin rritje të pagës, rishikim të normës apo njohjen e vështirësisë dhe vjetërsisë në punë.
Inspektorati Shtetëror i Punës duhet të hetojë me seriozitet çdo largim nga puna të minatorëve që kanë aderuar në sindikatën e re, kompania Albchrome duhet të hap derën e hekurt të minierës, që sindikata e re të zhvilloj takime me anëtarësinë dhe të reflektojë, duke u ulur në tavolinë për të negociuar kërkesat e SMBB.
Miniera e Bulqizës u zbulua rastësisht nga italianët, u shfrytëzu nga shteti socialist, u mor me koncension në vitet e demokracisë dhe do vijojë të mbetet pasuri kombëtare, nga e cila çdo vit gjeneron miliona euro fitim. Njerëzit janë të vdekshëm, pasuria kombëtare jo, ajo duhet trashëguar tek brezat që do rrojnë në këtë vend!