Minatorët e Albchrom në protesta, kompania krenohet me investimet


Pamje nga protesta e minatorëve. Foto: © Sami Curri

Nga Bujar Karoshi

Dhjetëra minatorë të Bulqizës protestuan më 26 janar në Tiranë, në një përpjekje për tu dëgjuar zëri i tyre nga institucionet qeveritare dhe kompania Albchrom. Ata u tubuan përballë Ministrisë së Financave ku bënë edhe njëherë publike kërkesat e tyre. Në një pankartë të madhe kishin shkruar kërkesat kryesore, mes të cilave është negocimi i kontratës kolektive më Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, rritjen e pagë, rishikim të normave të punës, njohjen e vështirësisë dhe vjetërsisë, dëmshpërblim për aksidentet në punë, ndalje presioneve dhe rikthimin e drejtuesve të sindikatës në punë, të pushuar padrejtësisht.
Protesta kaloi edhe në fushën e sportit të stadiumit të ri Air Albania. Në ndeshjen e Partizani – Kukësi, tifozët shpalosën banderolën me shkrimin “Me Minatorët e Bulqizës”.
Raportimet mbi grevën e minatorëve i kanë raportuar pak disa media, përfshirë Birn Albania, Deutche Welle dhe Zëri i Amerikës, por media kryesore në vend ka heshtur për to. Sindikata akuzon kompaninë Albchrome se ka ndikuar me reklama ndaj këtyre mediave për ndaluar raportimin. Madje në dy emisione më të rëndësishme në vend, Opinion dhe Fiks Fare u shfaqën raportime nga terreni që dukshëm flisnin pro kompanisë.

* * *
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMMB) është njohur nga Gjykata e Tiranës me 15 tetor 2019, por qysh kur ajo shpalli themelimin e saj në qendër të qytetit të Bulqizës më 17 nëntor 2019, përplasjet mes kompanisë Albchrom dhe drejtuesve të saj kanë ardhur gjithmonë e në rritje.
Një javë pas tubimit themelues, më 23 nëntor 2019, kryetari i sindikatës Elton Dobreshi u pushua nga puna me argumentin se kishte shkelur etikën e punës dhe nuk e kishte respektuar orarin. Pas këtij veprimi, më 25 nëntor minatorët nisën grevën.
Pas kësaj kohe ndaj punëtorëve dhe anëtarëve të sindikatës ka pasur presione nga kompania dhe Federata e Sindikatave të Industrisë, anëtare e Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë, e cila deklaron se është ajo që ka nënshkruar kontratën kolektive më kompaninë Albchrom. Ata u bëjnë presion punëtorëve që të mos anëtarësohen me sindikatën e re dhe të mos bëhen pjesë e grevës.
“Sindikata e vjetër në bashkëpunim me kompaninë Albchrome, kanë nisur një presion të pashembullt ndaj minatorëve, duke i kërcënuar deri në pushim nga puna nëse nuk rianëtarësohen në radhët e tyre. Kjo fushatë terrori ka nisur me qëllim që kjo sindikatë të legjitimojë negocimin e kontratës së re kolektive me kompaninë. Kjo sindikatë e korruptuar, që gjithmonë ka mbrojtur interesat e pronarëve dhe të partisë, sot po vazhdon aleancën kundër minatorëve!”, shkruajnë në një reagim të tyre drejtuesit e sindikatës së re.
Sindikata e re e minatorëve pretendon se deri më tani ka të anëtarësuar mbi 320 minatorë dhe është sindikata më e madhe në kompani, ndaj duhet të jetë ajo që duhet të nënshkruajë kontratën e re me kompaninë.
Pas pushimit nga puna të kryetari të sindikatës, kompani Albchrom ka pushuar nga puna edhe tre drejtues të tjerë të sindikatës me të njëjtën akuzë. Një kontroll i Inspektoratit të Punës nuk ka gjetur shkelje ligjore, dhe kjo i ka acaruar marrëdhëniet mes sindikatës dhe kompanisë.
“Galeritë e kromit në Bulqizë dhe Martanesh kanë shkaktuar vdekjen e 27 minatorëve në pesë vitet e fundit dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Ndërkohë në dy vitet e fundit, vetëm në galeritë e kompanisë AlbChrome janë raportuar 12 të plagosur. Në harkun kohor të 7 viteve në galeritë e Albchrome kanë humbur jetën 8 minatorë” raporton media online “Bulqiza ime”.
Një aksident ndodhi edhe me 6 janar të këtij viti, ku u plagosën dy minatorët Altin Kola dhe Mentor Gjeta. SMBB akuzoi kompaninë për shkeljen e rregullave të sigurisë, por nga ana tjetër Albchrom deklaroi se “aksidenti kishte ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor nga një tjetër minator dhe se po jep mbështetje maksimale për dy punonjësit dhe po bën maksimunim që ata të rikthehen në shëndet të plotë sa më parë”.

Albchrom: Greva, një përpjekje për të destabilizuar Minierën e Kromit në Bulqizë

Që nga nisja e grevës kompania Albchrom ka shpërndarë njoftime të ndryshme për median, edhe në faqen zyrtare të saj në Facebook.
Kompania e ka quajtur grevën e minatorëve një përpjekje “për të destabilizuar veprimtarinë minerare në Minierën e Kromit Bulqizë”. “Pavarësisht se në rajonin krommbajtës të Bulqizës zhvillojnë veprimtarinë 36 leje minerare disa subjekte të ndryshme, lëvizjet e këtij grupimi rezultuan të fokusoheshin vetëm në veprimtarinë e Albchrome”, komenton kompania mbi grevën e minatorëve.
Sipas Albchrom, edhe pse “ka pësuar ulje çmimi i ferro-kromit në tregun botëror prej mëse 1 viti dhe pasojave që ka sjellë një gjë e tillë në shitje dhe prodhim për disa kompani, AlbChrome nuk e ka shkurtuar stafin në Bulqizë dhe vazhdon me kapacitet të plotë prodhimin falë menaxhimit efikas dhe investimeve”.
Albchrom thotë se kontrollet e imtësishme nga Inspektoriati i Punës nuk kanë zbuluar asnjë shkelje minimale. Ajo deklaron se “është i vetmi subjekt që operon në industrinë minerare në RSH që ka lidhur Kontrata Kolektive me Sindikatat në mbrojtje dhe përforcim të kushteve të punës. Dhe pikërisht për këtë Minierë ka një kontratë kolektive në fuqi, kushtet e së cilës Palët vazhdojnë ti përmbushin me korrektësinë maksimale”.
Kompania deklaron se investimet në vitin 2019 në minierën e Bulqizës kapin vlerën 27.3 milionë USD dhe së fundmi ka nisur funksionimin i një vargu të tërë investimesh, Pusi numër 9, investimi më i madh në sektorin minerar në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, një investim që nuk gjen të ngjarë as në epokën e komunizmit.
Kompania deklaron se është një punëdhënës mjaft i madh. “Që kur AlbChrome mori në zotërim minierën kryesore të Bulqizës, numri i punonjësve të saj është shtuar me mbi 400, kryesisht me të punësuar të rinj nga qyteti i Bulqizës”.
Aktualisht janë të punësuar mbi 1200 punonjës, nga 841 që kanë qenë më 2013, dhe pritet që numri i personelit të shtohet me të paktën 200 profesionistë të tjerë në subjektet e Minierës së Kromit në Bulqizë, në Traverbankun e Klosit, në Impiantin e seleksionimit në Klos, në Uzinën e Ferrokromit në Burrel, dhe në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan.
Gjithashtu kompania ka bërë publike edhe për financime të tjera jashtë minierës, si mbështetje me bursa, investime në infrastrukturën shkollorë, krijime laboratoresh etj.
Kompania ka bërë të ditur edhe nisjen e projektit të hapjes dhe zhvillimit të vendburimit të Qafë Buallit, ku për hartimin e projektit të zhvillimit dhe projekteve teknike është kontraktuar një kompani kinezë nga më të njohurat në botë.
Sipas kompanisë, kosto totale e investimit do të jetë rreth 25 milionë dollarë dhe periudha e realizimit të këtij investimi shkon në rreth 2 vite. Jetëgjatësia e këtij vendburimi është përllogaritur për rreth 12 vite me një kapacitet prodhues 100.000 ton/vit.

***

Kur kanë kaluar dy muaj nga nisja e grevës, palët duket se nuk janë të gatshëm të bisedojnë me tyre. Ndërsa institucionet qeveritare duket se e vëzhgojnë situatën në heshtje. Një nga premtimet kryesore të kësaj qeverie, miratimi i statusit të minatorëve, mund të jetë një çështje që mund ti ulë palët në bisedime dhe të gjendet një zgjidhje aftagjatë.