Agron Strazimiri, mjeshtri që mban gjallë cirkun në Dibër


Ekisha të vështirë të shkruaja për Agron Strazimirin, mjeshtrin e cirkut dibran. Ai kishte lënë gjurmë kudo, në gazeta të ndryshme, në emisione televizive, pse jo dhe në libra që i kushtoheshin këtij sporti të bukur dhe këtij mjeshtri të madh. A do të shtoja ndonjë gjë interesante, apo do të përsërisja të tjerët para meje? Nuk u tërhoqa. Në historinë e një mjeshtri të madh si ai gjen plot vlera, që flenë si minerale të pazbuluara akoma, apo të tjera spektakle që ai na dhuron për çdo ditë, javë e muaj.
Kisha dëshirë ta ndjek nga afër një ditë pune të mikut tonë të palodhur. Aty në krahun e majtë të shkollës së mesme të Peshkopisë, ishte një derë që të çonte te salla e cirkut. Ora dy pasdite. Nxënës që sapo kishin lënë mësimin afrohen tek kjo sallë, tek ky mjeshtër cirku, tek ky sport që u ka pushtuar zemrën e do të bëhet bashkëudhëtar i përhershëm në jetën e tyre. Nga dhjetra grupe që ka përgatitur maestro Agroni gjatë karrierës së tij të gjatë, ky është më i riu. Vetëm disa javë stërvitje kanë bërë. Nxënësit dhe trajneri i pasionuar sapo kishin filluar stërvitjen për atë ditë. Lenë për një moment stërvitjen, sa për tu përshëndetur, një prezantim të shkurtër dhe prapë në stërvitje. Shumica janë vajza. Që nga klasa e tetë e deri tek Orkide Qoka, në klasën e dytë, që mban dhe emrin e një luleje të bukur. Xhesika Mani, Klarisa Rizani, Artiola Derti, Gabriela Murrja, Eklivia Rustani, motrat Milani dhe Amaerta Lusha e më pas tre vajza me mbiemrin Selami: Anxhela, Blerina dhe Liljana. Këta janë vetëm disa emra, pasi grupi është i madh, me afër 25 veta.
Pasi kanë bërë pak vrap në palestër dhe disa pjesë të tjera të nxemjes, grupi punon me rrathët gjimnastikor. Vërtetë që është një sport i magjishëm, që të rrëmben fort e të bën për vete. Vetëm pak ditë më parë, kur profesori mundohej tu mësonte ushtrimet me rrathë, vajzave u dukej e pamundur. Të vesh njërin rreth në mes dhe dy të tjerë në duar e të tre rrathët të lëvizin në frekuencë të njëjtë. Por tani ata qeshin me frikën dhe mendimin e parë dhe po e ndjejnë dhe vetë që po bëhen mbretëresha të skenës. Rrathët u binden ideve të tyre, bile dhe lëvizjet e gjithë grupit janë në një perfeksion të plotë.
Pak minuta më vonë grupit i bashkohet dhe një djalë në klasën e tetë, por me një trup të gjatë e të bukur. Quhet Mario Mandri. Pasi bën nxemjen, demonstron disa ushtrime të mrekullueshme të kapërdimjeve në tavolinë, ushtrime në formë T- je, apo një ushtrim kinez me cilindrin plastik, që e realizon bashkë me profesorin dhe disa të tjerë. Dhe një djalë i vogël, Ernest Kunesha, në klasën e dytë, ka mësuar të lëvizë rrethin në mesin e tij dhe kjo gjë e kënaq pa masë.
Ata janë vetëm në hapat e parë, nuk kanë dalë akoma në shfaqje, në performanca dhe aq më pak në konkurrime, por jemi të sigurt që shumë shpejt këto do të ndodhin. Do të ketë konkurrime dinjitoze, por shpresojmë që të ketë dhe medalje të varura në qafat e tyre, siç kanë bërë grupet pararendëse vite më parë.

HISTORI SUKSESESH

Kanë kaluar shumë vite, që atëherë, kur Agron Strazimiri, vetëm gjashtë vjeçar do të debutonte në këtë sport, që do ta thithte përjetë në brendësinë e tij. Palestra e tij kishte qenë toka e paanë, tapeti i tij kishte qenë livadhi me bar e me lule. Ashtu e filloi karrierën e tij, pa ditur dhe pabesuar, që diku nga viti 1978, ai jo vetëm do të bëhej një aktor i mrekullueshëm cirku, por dhe drejtues i trupës së këtij sporti për Bulqizën, që e kishte ngritur Riza Gjeta vite më parë. Aktiviteti i tij lëkundej mes Bulqizës dhe Peshkopisë, për tu instaluar përfundimisht në qytetin e blireve. As vetë ai nuk e beson se si e ka kryer një volum të tillë pune. Ndoshta dhe njëmijë vetë mund të ketë stërvitur deri tani. Disa prej tyre e kanë lënë këtë sport, disa të tjerë e vazhdojnë akoma, por vlerat kënaqësinë dhe autoritetin që u dha ky sport, nuk do ti harrojnë kurrë.
Aktivitetet e kësaj trupe janë të shumta e të shumëllojta. Interpretimet e saj kanë qenë si në nivel fshatrash e komunash, brenda qarkut, në qytete të ndryshme të vendit, por pse jo dhe jashtë shtetit. Krasta, Martaneshi, Ulëza, Maqëllara, Kastrioti, janë disa nga stacionet brenda rrethit, kurse qytetet e Shqipërisë janë të shumta. Bulqiza, Peshkopia, Laçi, Tirana, Durrësi, Vlora, Kruja, Shkodra dhe shumë e shumë të tjera. Gjithandej spektakël, emocione, adrenalinë për spektatorët e shumtë.
Kur shfaqja kishte mbaruar në Shkodër dhe njerëzit përpiqeshin kush e kush ti takonte akrobatët e vegjël, njëri prej tyre, që e kishte pasion të shkruarin dhe humorin, siç e kanë gjithë shkodranët, i afrohet profesor Agronit dhe i dhuron një kartolinë. Kartolina ishte shumë e thjeshtë, tipike si ato që dërgonim dikur për Vitin e Ri te njerëzit tanë të dashur. Pak rreshta të shkruar në të. Agroni i lexon me një frymë dhe përlotet:
“Profesor, më fal një fije, / Ti lëvdatat i ke hak, / Duke i ba kta fëmijë yje, / Ja shton Dibrës një bajrak. – nga Qemal Hykaj.”
Ajo kartolinë e thjeshtë e një artisti shkodran vlente shumë më tepër se medaljet e dekoratat e ndryshme, pasi buronte nga populli dhe jepej prej tij.
Profesor Agroni dhe ata fëmijë, plot shije, art e talent i kishin shtuar Dibrës një bajrak në sytë e shkodranëve të shquar. Po dhe sa bajraqe të tjerë i kanë shtuar ato Dibrës? Atje në Pallatin e Kongreseve, kur debutuan para katër mijë dibranëve të mbledhur për Rrugën e Arbërit, i’a shtuan një tjetër bajrak, aty në “Top Channel”, kur doli në finalen e madhe dhe ai me katër akrobatët u vlerësuan nga publiku si fitues moralë të aktivitetit, u shtua një tjetër bajrak. 13 javë pa humbur, si një Skënderbe që koleksionoi aq shumë fitore në një çerek shekulli. Presjada Kacani, Aurel Istrefi, Fabiola Neli dhe Rubin Kacnia u bënë sundimtarët e vetëm të skenës. Sa shumë i dhanë Dibrës dhe sa pak Dibra u dha atyre. Ndoshta do të kishte mjaftuar ai sukses i madh tek “Ti vlen”, që Agroni të kishte fituar titullin “Qytetar Nderi i Dibrës”. Por ai nuk e ka atë akoma sot e kësaj dite. Jo se ai punon për tituj të tillë, por do të ishte një gjest minimal i mirënjohjes tonë kolektive për të.
Si për ta mbyllur këtë historinë e bajraqeve, po përmendim një tjetër rast në Fushë Krujë. Ka vite që aty organizohet festivali mbarëkombëtar i këngës për fëmijë. Ishin ftuar kolosët e artit shqiptar, Rexhep Çeliku, tashmë i ndjerë, Margarita Xhepa, Edit Mihali, Irini Qirjako. Ishte i ftuar dhe maestro Agroni me një grup prej tetë akrobatësh të vegjël. Kur interpretuan dibranët e vegjël, Irini Qirjako ngjitet dy herë në skenë dhe po qante nga emocionet që dhuruan talentet dibranë. Të tjerë artistë të mëdhenj u shprehën me superlativa për aktorët e vegjël.

DOBITE E KËTIJ SPORTI

Ato janë kaq të shumta, saqë nuk i numërojmë dot. Po të llogaritësh metrat e kilometrat që bën fëmija në një seancë stërvitore, është një shifër goxha e lartë. Ndoshta është sporti unik, që i përfshin të gjitha gjymtyrët e trupit në një masë të barabartë. Ushtrimet e belit dhe të qafës luftojnë si problemet reumatizmale, mbipeshën dhe sëmundjet e qafës. Kalitja fizike, durimi, largimi nga celulari, nga veset dhe injoranca, janë të tjera vlera që i dhuron njeriut ky sport i bukur e kreativ. Njohja me njerëz të rinj, me vende të reja, ku ato performojnë, është një tjetër vlerë e shtuar e cirkut. Megjithatë, duke u larguar nga pjesa teorike ne po e ilustrojmë me tre shembuj që flasin qartë.
Para disa vitesh vjen një nxënëse, Markela Çiku, për të filluar stërvitjen. Trupi i saj ishte pak mbi peshë, ndaj vajza qëndronte si e ndrojtur. A do të mundej trupi i saj ti bindej një disipline që kërkonte, forcë, shpejtësi e shkathtësi. Mjaftuan pak javë dhe gjërat po shkonin në rrugën e duhur. Muskujt po fitonin terren mbi yndyrnat e tepërta dhe muaj më vonë askush nuk mund ta besonte ndryshimin drastik. Trupi i vajzës fitoi bukurinë dhe forcën, që çdo vajzë do ta kishte dëshiruar. Për më tej ajo arriti të bëjë ushtrime të një shkalle të lartë vështirësie. Në ushtrimin në tavolinë, ajo kapte lulen nga prapa, të vendosur te këmbët e saj.
Rasti i dytë vjen nga një tjetër vajzë, Presiada Kacani. Emrin e saj e përmendëm pak më parë si debutuese dhe finaliste e programit televiziv “Ti vlen”. Ajo erdhi fillimisht si një fëmijë shumë i dobët. Më e keqja ishte se kjo dobësi përfshinte dhe skeletin e saj e kockat rrezikonin thyerjen, në përplasjen më të vogël. Në një rast i bëjnë një injektim për të përballuar programin. Në pak kohë trupi i saj fiton kondicionin normal, duke arritur të bëjë ushtrime force dyshe, mbi këmbët e drejtuesit. Ndoshta këtu ka vend që mjekët e kockave dhe onkologjia të studiojnë e të eksperimentojnë dobitë që sjell ky sport në rehabilitimin e trupit në përgjithësi dhe skeletit kockor në mënyrë specifike.
Shembulli i tretë, por jo i fundit, i dobive të këtij sporti të magjishëm është vetë profesor Agroni. Mosha është ndalur te trupi i tij. Lëvizjet dhe shkathtësia e tij janë si të një njëzet vjeçari, por dhe në fytyrë tregon gjysmën e viteve që ka. Ai ka mbushur 64 vjet dhe si moshë po i drejtohet pensionit. Por duket se dhe pension nuk do të ketë për të. Ky sport i ka rinuar jo vetëm trupin, por dhe shpirtin e jetën. Ndaj ne i themi Agron Strazimirit, se ti vlen, se Dibra ka shumë nevojë për ty, se ajo kërkon që t’ja lartësosh akoma më shumë emrin në piedestale të larta.
Do të desha ta mbyll këtë shkrim për Agronin dhe yjet e cirkut dibran me fjalët e një intelektuali të njohur dibran, që shprehet: Ata vlejnë me të vërtetë. Ata vlejnë shumë, më shumë se mosha! Ata vlejnë më shumë se gjithë zyrtarët e shtetit në Dibër, të marrë së bashku. Ata vlejnë, jo vetëm se na bëjnë të ndjehemi krenarë, por se na tregojnë se mes nesh ka akoma njerëz që ruajnë vlera njerëzore, ruajnë përkushtimin dhe vullnetin për t’i bërë gjërat me dashuri dhe zemër!