Zgjuarsia lindi në Shkodër, hëngri drekë në Mirditë


Tregohet ndër dibranë se Hoxhollët e Dibrës përbënin një fis të madh e të dëgjuar në ato anë, të cilët në kohën e pushtimit osman i kishin kërkuar Vezirit të Shkodrës vajzën për nuse në fisin e tyre. Kishin shkuar disa muaj që ishte rënë në ujdi dhe kishin bërë adetet e rastit që i takonin një fejese. Pritej vetëm fjala e Vezirit si babai i vajzës për të caktuar ditën e dasmës. Madje ishte lënë fjala që më pare, se brenda tre muajve do të bëhej martesa, por nuk ishte prerë data e saktë. Me që nuk po merrej përgjigje dhe kjo pengonte masat për të përgatitur dasmën, Hoxhollëve po u soste durimi.
Mirëpo, Veziri i Shkodrës siç kuptohej kish ndërruar mëndje. Duke e quajtur veten si Derë më lartë se Hoxhollët, paskej menduar për ta dhënë vajzën në një Derë “më të fisme”. Për këtë shkak ai po e zvarriste fjalën. Kjo situatë pritmërie, i kish shtyrë Hoxhollët e Dibrës të dërgojnë një përfaqësi të tyren tek Veziri i Shkodrës, duke i kërkuar fjalën për herë të fundit. Përfaqësia përbëhej nga 11 dibranë, të gjithë me rroba shajaku (siç e kish zakon zona e tyre), kish në krye një që quhej Demir, i cili ishte me shtat të shkurtër dhe me hundën paksa mënjanë, veçse njihej si i zoti i fjalës. Porosia për ta ishte që nuk duhej larguar nga Veziri pa e marrë fjalën të prerë.
U ulën dibranët në konakun që priste Veziri, por ky as që u ngrit nga vendi për t’u dhënë dorën. E mbante veten rëndë-rëndë jo vetëm me këta, por me çdo lloj miku që i shkonte në shtëpi. Në këtë rast u tregua akoma më fodull nga që nuk i pëlqeu nga shtati dhe pamja, njeriu që ishte në krye të dibranëve. Sigurisht edhe veshja e tyre me rroba shajaku. Megjithatë, këmbyen llafet e para dhe dibrani Demir, foli:
-Vezir i Madh! Më kanë çue me të thanë se kemi dasmë këtë vit. Do marrim cucën tande nuse për djalin tonë. Na thuj një fjalë, kur e ke ndërmend…?
Veziri i dëgjoi me indiferentizëm fjalët e tjetrit, shkundi llullën e duhanit (nargjilenë) tek takëmi përkatës dhe si pa përfillje por edhe për ta tallur dibranin që foli, tha:
-Na vajti dëm kripa, na është prishur e tëra dhe s’po dimë si do veje puna për kripë këtej e tutje.
Në fakt kripa nuk kish si prishej, por Veziri desh t’i shihte mendjen atij që ishte në krye të dibranëve, Demirit. Mendonte se ai duke qenë me trup të vogël, e ca i shëmtuar, edhe mendjen do ta kish të mangët.
-Mos kij gajle madhëri,- ia kthen Demiri,- kripa rregullohet me qumësht mushke…!
U desh kjo përgjigje që Veziri të ngrinte sytë që deri atë kohë i mbante ulur. Nuhati që dibrani që foli nuk qenka budall, por mendjehollë, sepse mushkat përderisa nuk pillnin, s’kish si të kishin qumësht. Por me këtë “kunj” të Demirit, shpërfillej fodullëku i Vezirit.
Mbas kësaj Veziri ndërroi taktikë. Thirri ordinancën e vet dhe e porositi për t’i veshur dibranët me kostume të mira, nga ato që mbante qyteti, sepse sipas tij rrobat e tyre prej shajaku i quante “alldupshe”, fshatarake. Gjithësesi, dibranët i veshën kostumet dhe nuk e kursyen falënderimin për këtë “kujdes” të Vezirit. Por ai nuk e la me aq.
-Kam dëgjuar se ju dibranët jeni ndërtues të mirë, por mesa di, shtëpive ua bëni oxhakun të shtrembër…
Nënteksti qe për hundën jo të drejtë që kishte Demiri si i Pari i dibranëve në konakun e tij.
-Ashtu asht,- ia ktheu me një herë Demiri,- por edhe kur oxhakët i bajmë shtrembër, tymin e heqin drejt, o Vezir aga…
Kjo do të thoshte, “mos më shiko hundën, por mendjen”.
Tashmë Vezirit po i mbushej mëndja se ai dibrani që nuk e përfilli në fillim, po i dilte ndryshe, nuk i mungonte mençuria. Por deshi të bënte edhe një provë tjetër. I kërkoi Demirit, nëse i dinte cilët ishin Vilajetet e Shqiptarëve. Një pyetje me ligësi e Vezirit, që sipas tij me siguri dibrani nuk do kish haber dhe do t’i bënte me turp ardhësit. Por, edhe kësaj pyetje Demiri ia doli.
-Ai i Kosovës, është për luftë e besë,- tha Demiri. I Manastirit, për mëndje. I Janinës, për diplomaci. Ndërsa ky i Shkodrës ku jeni Ju, është për salltanet e kapardisje…
Mbas kësaj, Veziri nuk kish ç’të thoshte më. Thuajse mbeti i “dorëzuar”.
-Hë,- vazhdoi Demiri,- më thuj, a t’i kam gjet ato që më pyete?
Veziri kish ulur kokën dhe po dukej disi ”i vogël” para dibranëve që nuk ia kishin mbushur syrin.
-Për tre javë,- ia preu Demiri, tashmë si ngadhnjimtar,- do vijmë të marrim cucën. Ndryshe do kesh punë me ne dibranët…
Veziri, mbas kësaj nuk luajti më me llafe, por ra dakord.
-Tash po çohemi, por desha me më përcjellë sipas zakonit deri jashtë oborrit të shtëpisë tate,- iu drejtua Demiri, Vezirit,- se kam dhe do fjalë të tjerë për të të thanë.
Ja tha këto që ta shkulte nga vendi ku Veziri rrinte ulur rëndë-rëndë e që në asnjë rast nuk e kish prishur atë rregull. Ia tha që t’ia ulte më tej fudullëkun. Deshi, s’deshi,Veziri, u ngrit dhe në përcjelljen deri tej shtëpisë së tij, Demiri i përsëriti edhe një herë fjalët që tha tek konaku:
-Për tri javë, jemi këtu për të marrë nusen…Ja këtë desha të të them…!
I habitur Veziri me zgjuarsinë e dibranit Demir, ndonëse e quante të shëmtuar,tha:
-Zërin ta dëgjofsha or dibran, por me sy mos të pafsha më…
-Epo,- tha shkurt Demiri,- thonë se zgjuarsia lindi në Shkodër, hëngri drekë në Mirditë dhe qëndroi në Dibër…
U ndanë pa ia dhënë dorën njëri-tjetrit.

(Shkëputur nga libri “Ngjesh e qesh” -101 rrëfime me realitete,
qesëndi e humor- i autorit Gëzim Voda)