Mësuesi MENSUR LELA, gjithnjë i lidhur ngushtë me mësimdhënien dhe nxënësit


Zakonisht apo më troç, që në krye të herës të themi, shkruhet për të dekoruar, për intelektualë që shuhen nga jeta apo shtetarë të lartë. Sigurisht edhe kjo duhet, nuk mund të quhet e gabuar. Por e vërteta, provat e punës e të jetës dëshmojnë se edhe në bazë, edhe larg kryeqytetit apo qyteteve “të mëdha” ka plot intelektualë, bij e bija që jetojnë me kohën, që kanë dëshmi përkushtimi e përvoja, që rrezatojnë kulturë e kanë plot gjurmë diturie e tradite, plot prova që u rrezatojnë kohës edhe brezave. Puna e njeriut ngjan me atë të galerive të thella që mbartin minerale të çmuara. Minerali ndodhet në thellësi, vetëm inxhinieri i talentuar gjen mineral të çmuar.
Mensur Hysen Lela i pasionuar i thjeshtë e kurdoherë kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve. Me të drejtë karari i çidhnakëve të mençurisë thotë: “Lum kush mban me vete tre armë: Pasqyrë, peshore dhe gërshërë…”.

***

Mensur Hysen Lela u lind më 20 qershor 1963 në Vakuf të Kastriotit. Prindërit e nderuar Hyseni dhe Xhibja e rritën dhe edukuan më së miri, me virtytet e kulturën e familjes, me zellin e dashurinë për mësimin, për vendlindjen, në respektin për fisin, për shokët e miqtë. Mensuri u rrit dhe edukua me dritën e diturisë. Nxënës e studentë i përkushtuar, i interesuar për udhët e dijes, për shtigjet e bukura, por tepër të vështira të mësuesisë.
Më 1982-1986 Mensur Lela mbaron Institutin e Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” në Shkodër për Bio-Kimi. Më 16 gusht 1986 deri më 15 shtator 1993 shërben mësues kimie në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” në Kastriot.
Më 16 shtator 1993 deri më 10 janar 1994 shërbeu mësues Kimie në shkollën e mesme Muhurr. Në vitin 1994 shërbeu ekspert policie (antidroge) komisariati i policisë Delvinë.
Kurdoherë korrekt, i matur e vendosur, i përkushtuar për detyrën. Nga 1 shtatori 1994 deri më 16 shtator 2001 Mensur Lela drejton shkollën 8-vjeçare Vakuf, të komunës së Kastriotit. Me takt, pasion e shpirt krijues udhëheq kolektivin pedagogjik shembullor si drejtues, mësimdhënës, organizator e veprimtar i kudondodhur.
Nga 16 shtatori 2001 deri më 2 dhjetor 2005 punon mësues në shkollën 8-vjeçare Kastriot. Nga 3 dhjetori 2005 deri më 31 gusht 2007 shërbeu drejtor i shkollës 9-vjeçare “Irfan Hajrullai” në qytetin e Peshkopisë.
Si kudo shërbeu me përkushtim durim e shembull personal, duke ngulmuar tek mësimi reformues, tek puna me talentet dhe model i përgjithësimit të përvojave në kolektiv e komunitet. Provat e ndihmesës organizative, kërkesat rigoroze ndaj vetes e më pas ndaj të tjerëve bëjnë që Mensur Lela nga 1 shtatori 2007 deri më 9 janar 2012 të drejtojë shkollën 9-vjeçare “Myslim Shehu” të qytetit të Peshkopisë. Nga janari 2012 deri në 31 dhjetor 2013 shërbeu përgjegjës i SKC DAR-Dibër.
Mbresëlënëse është edhe puna si mësues në shkollën “Shehat Halili” Shimçan më 1014-2016. Nga 13 shtatori 2016 e në vazhdim Mensur Lela shërben mësues në shkollën 9-vjeçare Koben (me portal të MAS).

Dëshmi drite

Nderimet që njeriu gëzon janë vërtet krenari, urtësi, thjeshtësi, por mbi të gjitha janë dëshmi drite. Mensur Lela në vitin 1988 dekorohet me Distinktivin e MA të Republikës së Shqipërisë “Mësues i dalluar” për kontributin e dhënë në ngritjen e kabineteve të kimisë në shkollat e mesme. Plot certifikata trajnimi “Legjislacioni dhe Negocimi” (2003) “Microsoft Ëord, Excel, Programet Ëindoës, QEK, Peshkopi (2003). Dëshmi kualifikimi, kategori e parë (2007), certifikatë trajnimi “Paketa e Gjelbër”, Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Lindore (REC) (2007), Certifikatën Linkoln, Certifikimi bazë për kompjuter dhe internet IC3, (2007), Certifikatë vlerësimi “Për objektivat e nxënësve nga Instituti i Kurrikulave të trajnimit Tiranë (2008), Certifikatë vlerësimi “Plani vjetor i shkollës”, nga Instituti i Kurrikulave dhe trajnimit Tiranë.
Midis shumë e shumë vlerësimeve për mësuesin e punëtorin e drejtimit arsimor Mensur Lela (punëtor, ndonëse s’është titull, por hijeshon titullin, gradën, dekoracionit (autori M. B.) është certifikata e vlerësimit 2011 “Për përdorimin pedagogjik të laboratorëve” në lëndën Kimi, arsimi bazë nga MASH. Ngas qershori 2014 – qershor 2018 mori certifikatën “Kurrikula me bazë me kompetencat dhe risitë e saj”.
Gjithnjë i lidhur ngushtë me mësimdhënien me nxënësit, kolegët e prindërit gjithnjë këmbëngulës, i respektuar dhe shëmbëllim i korrektësisë. Edhe bashkëshortja Flora Lela (Krosi) shëmbëllen në mësimdhënie në shkollën “Myslim Shehu” të qytetit të Peshkopisë. Fëmijët: Arlindi inxhinier elektrik, Olsi (emigrant mbaruar për menaxhim biznes dhe Edi nxënës i klasës së 8, tre djem, tre fëmijë si yje drite, të rritur e të mirëedukuar nga këta dy prindër punëtorë, shembullorë të mësimdhënies, me dëshmi e prova të diturisë, të reformimit në frontin e nderuar të arsimit. Dëshmi diturie, dëshmi drite.

Trinomi i kushërinjve Lela

Pasion, takt dhe reformim, ky është trinomi i kushërinjve Lela të Vakufit: Mensur e Ramiz Lela. Në fakt Ramizi ish mësuesi, drejtori e shefi i arsimit Dibër është me moshë më i madh se Mensuri. Me zemër në dorë, si i thonë, mendova të gdhend pak fjalë edhe për shokun e bashkëmoshatarin tim, gen selishtjan Ramiz Elez Lelën. Nisur nga provat, arritjet në frontin e arsimit e të kulturës Ramiz Lela është e mbetet ndër shefat më të suksesshëm të arsimit krahas Selim Alliut, Shemsi Manjanit, Beqir Shehut, Elmaz Lalës e plot të tjerëve. Pas 51 vitesh nga Durrësi, kur i telefonova nga Lukani, në prezencë të bashkëshortes time më bëri një vërejtje shoku, dashamirësie: “I shtrenjti Mevlud si ka mundësi që nuk ke shkruar sadopak për punën tonë para 50 viteve kur unë isha mësues në Kacninë e thellë të Katër-Grykëve e punonim bashkë me shpirt vetëmohimi, së bashku me shokët bënim atë që donte detyra, mësimi, kultura. Si nuk u shkrove pak radhë për këto gazetës tonë të nderuar “Rruga e Arbërit”?!
U zura shumë ngushtë. E pranova me çiltërsi kritikën e shokut tim të shkollës e shokut tim të shkollës Normale e të punës Ramiz Lela. Sidoqoftë për Ramiz Lelën do të kemi objekt një shkrim tjetër, fakte e prova prej modeli të mësimdhënies e të drejtimit, intelektualit që vlerëson e nderon brezat që krenohet me të kaluarën, të sotmen e atë që pret të vijë. u mundova, meditova dhe pendova.
Pse? Vërtet para më shumë se 50 vitesh me ish nxënësit dibranë të Normales së Elbasanit bënim epokë, gati çdo dy a tri herë në javë shpërfaqen emrat para gati 1 mijë nxënësve që merrnin veç nota 10 si Ramiz Lela, Mensur Murrja, Elmaz Lala, Qemal Begu, Rustem Murra, Mehmet Hasani, Iljaz Bande, Islam Meçe, Ilir Tola e plot të tjerë.
Altoparlanti që përgjithësonte provat e zotësisë kumbonte për nxënësit e dalluar dibranë, të cilëve u printe Ramiz Lela me shokë…
Një faqe e ndritur historie, një faqe rrezatuese pedagogjie trinomi i kushërinjve Lela: Pasion, takt, reformim; tri shtylla që lartësojnë punën e përvojat arsimore. Lum kush bën pronë të shpirtit e të veprimtarisë arsimore trinomin e kushërinjve Lela.
Pasion, takt, reformim.

***

Një peng i kahershëm, për të shkruar për të thjeshtin, të përkushtuarin, punëtorin e mësimdhënies e të drejtimit (pra, punëtor titulli e posti më i çmuar, autori M.B) Mensur Lela. Ai ka një “Ma” me punë, një shëmbëllim prej mësuesi e drejtuesi të palodhur, të përkushtuar me pasion, takt e reformim e meriton me çiltërsi atë që e karakterizon: Mensur Lela dëshmi e përkushtimit dhe e përvojave arsimore.