Detyrimi


Në sistemin socialist, taksat bujqësore, quheshin detyrime. Me siguri, ky term i ri, ishte një huazim që si shumë të tjerë, hynë në gjuhën shqipe dhe e “pasuruan” atë me fjalë të “reja” që për të gjetë kuptimin e tyre, u bë i domosdoshëm fjalori.

Në vitet `50, për bujqit, u dekretua një detyrim shtesë mbi tokën. Në fakt ai ishte blegtoral dhe përfshinte mishin, leshin dhe vezët. Paradoksi për bujqit qëndronte që kjo taksë e re, i ngarkohej tokës dhe ishte llogaritur në kurriz të saj. Bujqit e patën “pranuar” detyrimin për bereqetin dhe tatim fitimin dhe u mësuan me të. Detyrimi i ri që toka duhej të paguante edhe mishin, leshin dhe vezët, u dukej absurde dhe nuk pranohej me logjikën e tyre.
Në çdo fillim viti shpërndaheshin fletët e reja të detyrimit. Atë vit që u aplikua për herë të parë detyrimi i ri shtesë, pati reagime dhe protesta nga bujqit. Kështu ndodhi edhe në krahinën malore të Brinjës. Kur i deleguari i Komitetit të rrethit erdhi të shpërndaj fletët e detyrimit, bujqit malësor, nuk pranuan ti marrin dhe kundërshtuan me plot gojën. Në asnjë mbretëri, nuk ishte parë e dëgjuar ky bidat i ri, që toka bëkërka mish, lesh dhe vezë. Hokatari Cen Roka, me fletën e detyrimit në dorë, ju drejtua të deleguarit:
-Shoku i deleguar! A mundet të na thoni se në ç`vend të botës, toka prodhon edhe drithëra, edhe mish, edhe lesh, edhe vezë? Nëse ekziston ky vend, na sillni rasatin e tyre dhe ta provojmë edhe ne në tokat tona…
Ironia e Cen Rokës, e zemëroi keq të deleguarin, i cili me t`u kthyer në Komitet, raportoi se malësorët e Brinjës, ishin kundër detyrimit të ri dhe nuk pranuan të marrin fletëdetyrimet. Ai nuk harroi të përmendi edhe ironinë e Cen Rokës. Dy ditë më vonë, hokatarit Cen Roka i vunë hekurat dhe e rrasën brenda për ta bërë si shembull.
Edhe pse shteti mori masa drastike deri në sekuestrime dhe arrestime, gjendja në këtë zonë, mbeti problematike. Komiteti i Partisë i rrethit, bëri me dije Presidentin e Republikës dhe kërkoi ndihmën e tij se Brinjasi ishte jo vetëm vendlindja, por edhe zona e tij elektorale. Kjo e solli presidentin në Brinjas.
Natën e parë që ai mbërriti këtu, i shoqëruar nga suita e tij, u bëri konak Liman Lisi që ishte edhe sekretari i partisë për zonën. Presidentin e shoqëronte edhe shkrimtari S.D, një personalitet i letrave dhe i politikës.
I zoti i shtëpisë, veç berrit që preu dhe darkës me të gjitha të mirat, pati thirrë edhe disa këngëtarë të ri me çifteli, për ta bërë darkën sa më festive. Shkrimtari S. u kërkoi këngëtarëve të këndonin ndonjë këngë të vjetër që bënte fjalë për krahinën e tyre. Ata ja plotësuan dëshirën dhe kënduan këngën e “Sufë Murrës” të vrarë nga turqit. Shkrimtarit i pëlqeu dhe i la mbresa të thella kjo këngë epike, tekstin e së cilës e hodhi në bllok. Pyeti:
-A dini të më thoni pse u vra Sufë Murra?
Asnjëri nga të pranishmit që ishin në moshë të re, nuk e dinin të vërtetën. Shkrimtarit i mbeti kalemi në dorë. Ndërhyri i zoti i shtëpisë:
-Kam komshi plakun Zenel Lokën, i cili bashkë me Sufë Murrën ka humbur edhe gjyshin e tij. Nëse nuk e keni bezdi, shkoj e jua sjellë tani.
Presidenti e njihte mirë Zenel Lokën, sepse kishte shërbyer do kohë, si roje personale e atit të tij. Urdhëroi:
-Shkoni e silleni. Miku im është i interesuar të dijë hollësirat për këtë këngë.
Zenel Loka, hyri pa u ndjerë dhe u ul në fund të odës. Shkrimtarit, i bëri përshtypje pamja e tij. Ju duk tejet i plakur, i lodhur dhe i drobitur. Nuk shpresonte që ky burrë sa një grusht do të ja plotësonte kershërin e tij. Pas përshëndetjes, e pyeti:
-A din të më thuash, pse u vra Sufë Murra?
Plaku, u mendua një hop dhe u përgjigj:
-Sufë Murrën e vrau turku, shok, se ai nuk pranonte të paguante mish, lesh e vezë!…
Përgjigja e Zenelit, ra si bombë në atë mjedis. Të pranishmit ja ngulën shikimin të shastisur, a menduan se plaku i gjori paska lajthitur. Presidenti i shfryu me inat:
-Ç’po na prrallis kështu? Mos mendon se do të mbajë krahun se i ke shërbyer babës tim? Gabohesh. Për sa thatë, nesër në mëngjez do të var me dorën time në degën e manit të Liman Lisit…
-Do ta dijë shumë për nder nëse e bën këtë- pranoi i qetë plaku.
Ndërhyri shkrimtari me të butë:
-Ta marrim shtruar Zenel! Unë ju pyeta për kohën kur u vra Sufë Murra, se kjo këngë ka vlera historike. Unë desha të mësoj arsyet që e çuan në këtë vrasje, prandaj të munduam sonte.
Fjalët e këtij burri të urtë që fliste shtruar, e “zbutën” Zenelin, i cili ndjeu respekt për të. U përgjigj:
-Sufë Murra u vra se nuk pranoi ti paguante turkut detyrimet: xhelepin, vergin, të dhjetën… dhe nuk ja dha djemtë nizam.
Shkrimtari u mor një copë herë me Zenelin rreth kësaj kohe dhe mbeti i kënaqur me të dhënat që i dha ai. Shkrimtarin e habiti ky plak i drobitur, por mendjen e kthjellët dhe me një memorie për të ja patur zili.
Presidenti, kur vuri se Zeneli mbaroi punë me shkrimtarin, ju kthye përsëri shpotis së Zenelit për detyrimin. E pyeti:
-Si e pate atë muhabetin shpotitës për mishin,leshin e vezët? A e din se për atë punë kam ardhë deri këtu?
-Po më ardhka keq për mundin që paske bërë- e ironizoi Zeneli. -Ky detyrim na ka bërë të flasim me vete, ta shohim në ëndërr, se nuk na mbushet kaptina për këtë bidat të ri.
Presidenti ngriti tonin:
-Lerini ëndërrat, shlyeni detyrimin ndaj shtetit. Unë nuk kam ardhë këtu t`u lutem e t`u bëjë rixha dhe as të ju mbushi kaptinën tuaj se toka nuk prodhon mish, lesh e vezë. Jam këtu që ju detyrimisht duhet të shlyeni këto detyrime.
Zenel Loka nuk pati dëshirë t`a zgjasi më tej muhabetin. Sapo bëhej gadi të ngrihej, kryetari i Komitetit të rrethit e pyeti:
-Ti Zenel a ke ndër mend të shlyesh detyrimet?
-Jo shoku kryetar!
-Pse nuk dashke? – vazhdoi kryetari.
-Jo se nuk dua, por nuk kam me se ti shlyej.
Presidenti ndërhyri përsëri:
-Mos na u shtir si shpirt i keq. I ke mundësitë për ti paguar, bile me një këmbë dhe qysh nesër.
Ky plak i vogël sa një grusht, kishte një kurajo që të habiste. Shkrimtari, shihte tek Zeneli, përfaqësuesin tipik të malësorit trim e të palodhur, siç kishin qenë personazhet e këngës. Zeneli, duke ju shmangur presidentit, ju drejtua kryetarit:
– E lamë fjalën në gjysëm pse nuk kam mundësi të paguaj. Po jua rrëfej: Kam gjashtë dynym tokë në të thatë, dy dhi, një gomar dhe tri pula. Kjo është pasuria ime. Në fletën e detyrimeve që ju keni sjellë, unë i detyrohe shtetit 220 kg bereqet, 60 kg mish, 10 kg lesh, 58 kokrra vezë dhe 4800 lek tatim fitim. Të gjitha këto janë në shpinë të tokës, e cila nuk më siguron as bukën e përditshme, jo më të prodhojë mish, lesh e vezë. Ta zëmë se do ti paguaj. Dy dhitë e mia nuk i kanë 40 kg mish. Kërkoni lesh. Po të qethi dy dhitë e mia dhe gomarin, nuk i mbushin as dy okë. Sa për vezët, ato tre pula të flamosura, që kur kanë marrë vesh se toka bëka vezë, janë zemëruar dhe nuk pjellin më…
– Mjaft na përrallise…e ndërpreu presidenti, detyrimi është ligj dhe do t`a paguash se s`bën.
– Po sikur të mos e paguaj?- pyeti plaku.
Presidenti e humbi durimin.
– Nuk kam ndër mend të merre gjithë natën me ty. Zgjidh: o detyrimin ose burgun. Me ty do ta nisi i pari që të bëjë shembull për gjithë zonën. Me atë llapë helm që ke e me ato mendime armiqësore që ke në kokë, në burg do të përfundosh…
Debati, mori kthesë keq. Zenel Loka, pa e prishë gjakun, i qetë, futin kutinë e duhanit në xhep, u ngrit dhe që nga dera, ju drejtua kryetarit të shtetit:
– Burgu për burra është. E ke lënë një fjalë peng, mbaje: jep urdhër që nesër në sabah të më varin në degën e manit të Liman Lisit. Shembull më të mirë për të mbledhë detyrimet nuk do të gjeni. Si të keni mbaruar punë me mua, shkoni në Tiranë e merruni me punët e shtetit, se është duke më ardh’ keq që Presidenti i Republikës, paska ardhë të mbledhi mishin, leshin dhe vezët…
– Dil jashtë, shporru që këtej- u çua i tërbuar presidenti.
Plaku doli pa u ndjerë nga dhoma.
Të nesërmen, para popullit i vunë prangat.