Ndërron jetë Veli Bici, Doktor i Shkencave Filologjike


Në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave Veli Bici u inkuadrua shumë shpejt në jetën shkencore në fushën e terminologjisë. Ai ka marrë pjesë si gjuhëtar në komisionet e hartimit të fjalorëve terminologjikë, në hartimin e disa veprave të rëndësishme të leksikografisë terminologjike. Ai ka bashkëpunuar në hartimin e një vargu fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, përfshirë edhe ato të terminologjisë ushtarake. Gjatë viteve të punës në Institut ai ka marrë pjesë dhe në mjaft ekspedita gjuhësore në terren për mbledhjen e terminologjisë popullore të fushave të ndryshme. Në vitin 1980 ka dhënë mësim në kurset verore tek arbëreshët i Italisë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke shkëmbyer dhe përvojat e tyre me ato të kolegëve arbëreshë. Me kujdesin e tij, u krijua mbi baza shkencore kartoteka e emërtimeve në shkallë vendi. Tezën e doktoratës me titull Zhvillimi i terminologjisë së gjeografisë në gjuhën shqipe deri në vitin 1944, e mbrojti me sukses në vitin 1996 dhe mori dhe gradën shkencore “Doktor i shkencave”.

Më 16 dhjetor të vitit të kaluar vjen nga përtej Oqeanit në Tiranë një lajm i hidhur e tronditës. Kishte mbyllur sytë jashtë atdheut njëherë e përgjithmonë, në mënyrë të papritur e të parakohshme, kolegu ynë, mësuesi e bashkëpunëtori shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, dr. Veli Bici.
Veliu lindi më 2 korrik të vitit 1938 në fshatin Strikçan të Dibrës. Arsimin fillor e shtatëvjeçar i kreu në fshatin e tij të lindjes dhe në Shupenzë, ndërsa arsimin e mesëm e mbaroi në viti 1958 në Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë. Me përfundimin shkollës së mesme ndoqi drejtpërdrejt arsimin e lartë në vitet 1958-1962, në degën gjuhë shqipe e letërsi në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Në vitet e shkollimit parauniversitar e universitar u dallua për rezultate shumë të mira në të gjitha lëndët shkollore.
Sapo mbaroi studimet e larta u emërua mësues e drejtor në shkollën 7-vjeçare të Maqellarës në rrethin e Dibrës, ku u dallua jo vetëm si mësues e metodist i aftë, por dhe si organizator i zoti në një shkollë me tradita ku jepnin mësim mësues me përvojë të gjatë pedagogjike e që atë vit punonin nën drejtimin e këtij mësuesi të ri, që vinte në drejtim të shkollës së tyre drejtpërdrejt nga bankat e universitetit, ku kishte marrë një përgatitje solide shkencore, por edhe e pedagogjike, në sajë të lëndëve përkatëse dhe të praktikave pedagogjike nëpër shkollat e Tiranës, që në atë kohë ishin të detyrueshme si pjesë e përgatitjes për mësuesit e ardhshëm. Ç’e shtynte mësuesin e ri të punonte me aq zell në profesionin për të cilin ishte përgatitur në auditorët e universitetit? Thjesht pasioni për të hyrë në të fshehtat e këtij profesioni, që përgatiste brezat e ardhshëm me dije e me kulturë sa më të gjerë, përpjekja për të vënë në jetë dijet e fituara nga shkolla, ndërgjegjja e dëshira për t’u dhënë nxënësve të tij më të mirën në lëndët e gjuhës dhe të letërsisë, duke i bërë orët e mësimeve sa më të larmishme e interesante.
Një vit më vonë Seksioni i Arsimit dhe i Kulturës i Rrethit, duke parë aftësitë dhe përgatitjen e tij, e tërhoqi në gjirin e tij si inspektor metodist. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në vitin 1969. Gjatë 6 viteve që punoi në Seksionin e Arsimit e të Kulturës të Peshkopisë, ai inspektoi e udhëzoi thuajse të gjitha shkollat e Dibrës e të Bulqizës. Gjatë këtyre viteve u shqua për kompetencë të dallueshme në fushën e arsimit, ku me përgatitjen e përvojën e tij dhe me njohuritë e pasura gjuhësore, solli një ndihmesë të mirë në mbarëvajtjen e arsimit në Dibër dhe në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, nëpërmjet udhëzimeve që jepte gjatë inspektimeve të shumta e kontrolleve pothuajse në të gjitha shkollat e Dibrës e të Bulqizës. Të mos harrojmë se Veliu, ashtu si dhe gjithë aparati i arsimit në atë kohë, kanë përfituar shumë, në mënyrë të jashtëzakonshme, nga shefi i Seksionit të asaj kohe, Mësuesi i Popullit, Selim Alliu, përgatitja profesionale, pedagogjike e metodike e të cilit ishte e një shkalle shumë të lartë. Selim Alliu ishte një nga pedagogët, në kuptimi e mirëfilltë të termit, i cili dijet dhe përvojën e grumbulluar nëpër vite, nuk i mbante për vete, por me dashamirësi të jashtëzakonshme ua kalonte jo veetëm bashkëpunëtorëve të tij në aparatin e arsimit në qendër, por dhe çdo arsimtari që takonte në vëzhgimet e shpeshta nëpër shkolla. Në këtë kuptim, në ngritjen e aftësimin e mëtejshëm të punës së Veliut dhe kolegëve të tij si specialistë të arsimit ka lënë gjurmë dhe përkujdesja e vazhdueshme e këtij mjeshtri të profesionit të mësuesisë.
Në vitin 1969 Veli Bici u përfshi në programet dhe projektet shkencore të departamentit të Terminologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Gjatë viteve që punoi në Peshkopi ai ka qenë një bashkëpunëtor i jashtëm i rregullt i Institutit, duke mbledhur dhe shpjeguar me qindra fjalë të rralla, që sot gjenden në Kartotekën e Leksikut të Shqipes të këtij Instituti. Në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave ai u inkuadrua shumë shpejt në jetën shkencore në fushën e terminologjisë. Ai ka marrë pjesë si gjuhëtar në komisionet e hartimit të fjalorëve terminologjikë, krahas emrave të njohur të kësaj fushe si Lirak Dodbiba, Ferdinand Leka, Emil Lafe, Sofika Morcka e Hëna Pasho, në hartimin e disa veprave të rëndësishme të leksikografisë terminologjike. Ai ka bashkëpunuar në hartimin e një vargu fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme të tilla si Fjalor i termave të histologjisë dhe të embriologjisë, Fjalor i termave të ekonomisë politike, Fjalor i termave statistikës, Fjalor i termave financës dhe kontabilitetit, Fjalor i termave të së drejtës, Fjalor i termave të tregtisë së jashtme, Fjalor i termave të planifikimit, Fjalor i termave të gjeografisë, Fjalori i termave të anatomisë, Fjalori i termave të obstetrikës dhe gjinekologjisë, Fjalori i termave të stomatologjisë etj. Ka qenë në të njëjtën kohë dhe anëtar i redaksisë në veprën Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë. Veli Bici u përfshi edhe në komisionet për hartimin e disa fjalorëve terminologjikë ushtarakë nën drejtimin e prof. Hasan Çipurit. Gjatë viteve të punës në Institut ai ka marrë pjesë dhe në mjaft ekspedita gjuhësore në terren për mbledhjen e terminologjisë popullore të fushave të ndryshme.
Në vitin 1980 bashkë me prof. Emil Lafen ka dhënë mësim në kurset verore tek arbëreshët i Italisë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke shkëmbyer dhe përvojat e tyre me ato të kolegëve arbëreshë.
Në vitet 1983-1991 ai transferohet në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, si kryetar i Degës së Emërtimeve, degë që merrej me studimin e emrave të fshatrave, të rrugëve, institucioneve etj. Për këtë qëllim, edhe me kujdesin e tij, u krijua mbi baza shkencore kartoteka e emërtimeve në shkallë vendi, e cila në vitet e mëvonshme u bë pjesë e kartotekave të Institutit.
Ndërkohë që punonte bashkë me ekipet e gjuhëtarëve dhe të specialistëve për hartimin e veprave të ndryshme, nuk la pas dhe kualifikimin e tij duke dhënë me sukses të gjitha provimet e kualifikimit pasuniversitar, por dhe duke punuar në mënyrë sistematike nën drejtimin e prof. Emil Lafes për tezën e doktoratës me titull Zhvillimi i terminologjisë së gjeografisë në gjuhën shqipe deri në vitin 1944, të cilën e mbrojti me sukses në vitin 1996 dhe mori dhe gradën shkencore “Doktor i shkencave”.
Ndërkohë emri i Veli Bicit shfaqet dhe në shtypin shkencor dhe në atë periodik, ku ka botuar artikuj shkencorë e divulgativë, recensione etj. në revista shkencore, në shtypin e përditshëm ose në përmbledhje të ndryshme, si në revistat Studime filologjike, Gjuha jonë e në shtypin e përditshëm, në gazetat Mësuesi, Zëri i popullit etj.
Veliu ishte në të njëjtën kohë dhe një bashkëpunëtor i zellshëm e një shok e mik i dashur me të gjithë kolegët dhe në të gjitha institucionet ku ka punuar ai ka lënë përshtypjet më të mira. Për ne që kemi punuar e jetuar aq shumë me njëri-tjetrin humbja e një miku e kolegu të vlefshëm ishte një dhimbje e madhe, ashtu si dhe për familjen e tij, që humbën në dhe të huaj njeriun e tyre më të dashur.
V. Bici krijoi familjen e vet duke u martuar me mësuesen e dalluar Hatixhe Gjoka-Bici. Të dy rritën e edukuan dy djem, që e kanë mbajtur lart emrin e mirë të prindërve të tyre.
Veliu do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje për punën e vyer që ka lënë, për kujtimet që na lidhin me të jo vetëm ne si kolegë e shokë, por dhe shumë arsimtarë e bashkëpunëtorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ai do të mbetet si shembull i një arsimtari pasionant e i një bashkëpunëtori modest e kokulur që punoi me përkushtim kudo që u angazhua gjatë gjithë jetës së tij.

Prof. Enver Hysa
Prof. Emil Lafe
Prof. Remzi Përnaska