Vendi i Dibrës në Kongresin e Lushnjës
Nga Prof. dr. Bajram XHAFA *


Kur flasim për Kongresin e Lushnjës (janar 1920) kemi parasysh ngritjen e shtetit të parë shqiptar, shtetit kombëtar. Kjo e bën rëndësinë e kësaj ngjarjeje të pakrahasueshme me simotrat e saj dhe e klasifikon atë si më të madhen në historinë e shqiptarëve. Që këtej, pyetja sugjestionuese: Kush e bëri atë Kongres? Përgjigja edhe më sugjestionuese dhe paksa provokuese: Nisesos Kongresi i Lushnjës ka qenë vepër e Zogut, vepër e përkryer e Ahmet Zogut, e kurrkujt tjetër. “Zogu qe shtylla ushtarake e politike e Kongresit të Lushnjes (nënvizimi B Xh) shkruan Miftar Spahija…Klika, një grup terrorist dashti me e zhdukë me plum…”. “Ky njeri i habitshëm kishte lemë me sunue…” Edhe sundoi deri më 1939-n.
Karakteri: Kongresi i Lushnjës ishte një kongres mirëfilli kombëtar dhe “shteti i dalë nga Lushnja ishte një shtet mirëfilli kombëtar, ndryshe nga krijesa e Fuqive të Mëdha në vitet 1912-1914”, shkruan prof. Arben Puto. Në Lushnje Shteti Shqiptar u ngrit, nuk u ringrit.
“Pa Lushnjën nuk do të kishte ndodhë mrekullia e Vlorës…1. Janë të lidhura në mënyrë kauzale. Edhe kjo ishte vepër e Zogut. Ekskluzivisht. S. Delvina ishte “kryeministër nominal”, ndërsa në krye ishte Zogu”, shkruan Mustafa Kruja.2
Pyetje: Po “shoq”, mik apo aleat kush iu bë Shqipërisë? Kush e kurdisi zemrekun e sahatit? Përgjigje: Britania e Madhe. Misionarët e saj: Konsulli Eden i Inteligjenc Services, që i ranë kambët duke i rënë rrotull Shqipërisë. Gjenerali Filips, ish komandant i trupave aleate në Shkodër më 1913-14 dhe vjen si aleat në Shkodër më 1919. Vetëm ky mund t’i ujdiste punët në Shkodër. “Luani britanik” është edhe i frikshëm. Ishte dhe një tjetër: Josef Haven, delegat (nga Presidenti Ëilson) për të bërë hetimet e nevojshme në Shqipëri. Austro – Hungaria nuk ishte më në sofrën politike, kishte vdekë. Këta misionarë i “këshillonin” shqiptarët të bënin një kongres, të ngrinin një qeveri kombëtare, të rrëzonin qeverinë proitaliane të Durrësit dhe të çlironin Vlorën. Të tjerat pastaj i bënin vetë.
Në Lushnje fryma e mbledhjes ishte katërcipërisht lundëritaliane, shkruan Eqrem bej Vlora, një filoitalian e proteksionis i thekur. Ishte një kongres kryengritës. Pa Kongresin e Lushnjës, “Pavarësia do të kishte qenë një akt iluzor, i paqendrueshëm”, ashtu siç, pa Lushnjën nuk do të kishte pasur as Mbretëri Shqiptare, as shtet shqiptar. Edhe Lushnjën (Kongresin), edhe shtetin, edhe Mbretërinë i bëri Zogu, Ahmet bej Zogu.
Nëse rrëzoheshin kërkesat italiane për Vlorën dhe protektoratin italin mbi Shqipërinë, binin poshtë edhe pretendimet e fqinjëve të tjerë, të Jugosllavisë dhe Greqisë. Prandaj ky është quajtur edhe Kongresi i Shpëtimit.
Më 1920 shqiptarët ndodheshin para detyrës së vendosjes së pavarësisë (më 1912 ajo vetën se qe shpallur) dhe sigurimi i tërësisë tokësore brenda kufijve të 1913-s. Këtë detyrë e mori përsipër Kongresi i Lushnjës në janar 1920 dhe e zgjidhi Lëvizja Çlirimtare e shqiptarëve, hallka të së cilës ishin Lufta e Vlorës, Lufta e Dibrës dhe ajo e Koplikut, të vitit 1920, të cilat ishin shprehje e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Të gjitha lidhen me një emër: Ahmet Zogu.
Pyetje: Vendi i Dibrës në Kongresin e Lushnjës.
Kur përmendim Dibrën na vijnë në mendje dy përcaktime në trajtë deduksioni:
1. Më 1908 konsulli i Austrisë në Manastir August Kral i shkruante Vienës: “Sytë e gjithë shqiptarëve janë drejtuar nga Dibra, dhe në të vërtetë këtu gjendet pika e gravitetit të situatës së Shqipërisë”.
2. Statisti i shquar Ferit Pashë Vlora, ish – kryeministër i Perandorisë Osmane (1903-1908) shkruan: “Në dy Dibrat është zemra e Shqipërisë, Porta e vërtetë e Shqipërisë është atje, Kurdoherë”3.
Delegatët e Dibrës në kongres kanë qenë: Ramiz Daci, ndërsa nga paria nacionaliste ishin Dine Dema e Dine Maqellara (Nasufi).4
Dibranët iu bashkuan me zjarr e me shpirt idealit të “Lushnjës”. Por edhe me forca. Pushkën e mbanin në krahë. Nga qytetaria e Dibrës: Ramiz Bej Dibra i Iliaz Pashës, (kështu e quan vazhdimisht I. Strazimiri në “Kujtimet…” e tij), bejlerët e Maqellarës, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara, Fiqiri Dine; Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri (Dibër), sheherlinjtë e Dibrës së Madhe grumbulluar në Tiranë, Elbasan e Peshkopi: Myftiu i Dibrës Vehbi Dibra (Agolli) e Hafiz Sherif Langu, Abdurrahman Dibra e Shefki Shatku, Izet Dibra (Shatku) e Faik Shatku, vëllezërit Selim e Riza Rusi, Zenepe Çoku ( e shoqja e Dervish Himës) e Aziz Menzelxhiu, Hasan Ballanca e Sheh Latifi, e patriotë të tjerë dibranë: Kadri Fishta e Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri e Abdullah Tërshana, Ibrahim Jegeni e shehlerët e Peshkopisë, etj. etj.
Përveç vokacionit kombëtar, me platformën e Lushnjes sheherlinjtë e Dibrës i lidhte edhe një miqësi familjare me Zogun që në fillimet e shekullit XX kur Xhemal Pasha shërbente në Dibër të Madhe (alias Sheheri i Dibrës) si funksionar i Perandorisë Osmane. Miqtë e vjetër të babës u bënë edhe për të birin. Shkulur e shpërgulur me dhunë ushtarake prej trollit të tyre shumëshekullor nga soldateska serbe dhe, shumica grumbulluar në Tiranë, në “Rrugën e Dibrës”, dibranët përbënin ajkën e qytetarisë së kryeqytetit.
Lidhur fort pas atdheut dhe besimit, ata u bënë bashkidealistë e bashkluftëtarë të çështjes kombëtare dhe të projektit të Zogut në sendërtuartimin e platformës së Lushnjës. Njëherazi ata ishin burra të kultivuar bukur mirë dhe esnafë në punët e qeverisë e të njerëzisë. Nuk është e rastit që ata më vonë u ngritën në detyra të larta e me përgjegjësi në administratën e Shtetit të parë Shqiptar. Nga Shehërlinjtë e Dibrës ka protagonistë të shumtë si administratorë të zotë e burra shteti. Ata u bënë shtylla të shtetndërtimit dhe të kombformimit shqiptar. Një përcaktim të saktë dhe me kompetencë për këtë fenomen na e japin dy personalitete në kohë të ndryshme: Terenc Toçi i viteve ‘20 kur për Zogun thotë se, ishte ai që i bëri fiset komb dhe kombin shtet. I dyti është historiani amerikan Bernd Fischer: “Pavarësisht se ç’farë mendojnë për Mbretin Zog, ai qartazi ishte një figurë vendimtare në zhvillimet (ngritjen) e shtetit dhe kombit shqiptar”. Në këtë proces historik dibranët kanë rol të dorës së parë në të gjitha drejtimet, politik, ushtarak, shoqëror e kulturor. Kjo fillon me Kongresin e Lushnjës. Me të drejtë dy presidentët e fundit (Nishani dhe Meta) disave prej tyre u kanë akorduar titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Duhet përgëzuar këtu edhe puna e kujdesshme e Shoqatës “Bashkimi Dibran” me drejtues prof. Bujar Kapexhiu dhe Saimir Shatku. Peng i shoqatës duhet të mbesë vlerësimi i Abdurrahman Dibrës dhe sidomos i të birit të tij, Qenanit, të cilin diktatura e pushkatoi në lulen e rinisë si monarkist i bindur dhe i ndërgjegjshëm. Qenan Dibra është nacionalisti e antikomunisti më i panjollë.
Nga pjesa e krahut të armatosur të lëvizjes së shtetndërtimit dhe kombformimit në Dibër kanë qenë sidomos shtresa e mesme, agallarët si: Demet e Homeshit, Dine e Shaqir Dema, Selim Dema etj; nga dera e Selman Alisë, pasardhës të Salë Demirit, Dine Hoxha e Ali Tahiri (Pira)- Muhurr, Maliq Kërçishti (Agolli), Dan Cami (i Sepetovës) dhe Camet e Viçishtit, Kaloshet e Sinës e të Kandrit, Ndretë e Elezit Isufit e Suf Xhelili në Sllovë, Riza e Dervish Lusha (Arras), Murat Kaloshi e Selim Noka (Kandër), Haxhi Noka (Grykë Nokë), Sali e Selim Kaloshi (Sinë), Selman e Hakik Mena (bajraktari i Lurës), Selë Bajraktari (Arras) e Lita i Ploshtanit, Shehu i Zerqanit e Duriçi i Bulqizës, Kazihani i Selishtës (Tafa) e Llan Destani – Ndregjoni (Lukan), Kurt e Dik Spata (Grykë Nokë), Mehmet (Dedja) Skepi e Daci i Kalisit, etj., etj. Një ansambël figurash e Dyersh të fuqishme, vërtet ashtu siç i quante Edith Durhami, “Tigrat e Dibrës”. Këta bënë Kryengritjen antiserbe të shtatorit 1913, Kuvendin e Arrasit, Kryengritjen antiserbe të 15 gushtit 1920 dhe, të gjithë bashkë, Dibra e Madhe e Dibra e Vogël, Malësia e Topalltia, paria e halia (vegjëlia), më mend e me kuvend, me krisma e me pushkë, me gjak e me djersë materializuan vendimet e Lushnjës për pavarësinë dhe integritetin e Shtetit Shqiptar dhe u bënë shtylla të shtetndërtimit e të kombformimit shqiptar në vitet 1920-1939.
P.S. Edhe Tiranën kryeqytet e bëri Zogu. Në fillim, “të përkohshëm, se ashtu e solli puna” dhe më pas të “përhershëm” e me rrugë e rregulla Kushtetuese. Kongresi i Lushnjës nuk di të ketë diskutuar problemin e kryeqytetit dhe të ndryshimit të tij. (Shënim: Mosmirënjohja është kryevesi i veseve).

Shkodër, 10. 02. 2020
* Mbajtur në veprimtarinë shkencore të organizuar me 11 shkurt 2020 në sallën e Teatrit Kombëtar Tiranë organizuar nga Shoqata “Bashkësia dibrane” me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.