Kënga dibrane jehon në Korfuz…


Dibranët në ishullit të bukur grek kanë bërë emër të mirë me punë, djersë, ndershmëri e sakrifica…

Në Korfuz në fakt nuk ishte hera e parë që shkoja, por këtë herë kishte një tjetër qëllim udhëtimi. Së bashku me mikun tim Musa Riçku, njëherësh nënkryetar i LID dhe bashkëshorten e tij Hasien, ishim të ftuar në një mbrëmje të bukur dibrane në një qytet buzë detit, në Sidar, ku jetojnë shumë dibranë së bashku me familjet e tyre.
Trageti ndaloi rreth orës 16-të të së premtes dhe aty një grup miqsh ishin bëre bashkë duke na pritur. Vërtet ndonjëherë të duket se je në tokën dhe shtëpinë tënde, kur dëgjon togfjalëshin: “Mirë se erdhët” që në takimin e parë me ta. Sadik Laçi, Ali Krrashi, Habedin Hasi, Robert Manarkolli dhe mjaft të tjerë na presin në stilin shqiptar dhe pastaj ndalojmë në një kafe ku diskutojmë për itinerarin e lëvizjes dhe qëndrimit tonë. Mbrëmja muzikore është të shtunën në darkë, ndaj pjesë e kohës deri atëherë duhej menaxhuar.
Një vizitë në kalanë e qytetit dhe sheshin më të madh të Korfuzit, ia vlen për të fiksuar kujtimet e para në këtë ishull kaq të vizituar prej turistëve nga e gjithë bota. Më pas afroi mbrëmja dhe darka ish rezervuar tipike si në shtëpitë tona në Dibër tek miqtë tanë që dhurojnë vërtet një respekt të veçantë. Trokitjet e gotave na shoqërojnë dhe sytë e tyre janë të buzëqeshur, sepse secili prej tyre vuan shpirtërisht mungesën e gjuhës shqipe dhe njerëzve të gjakut.
E ndërsa mbrëmja kalon me miqtë tanë, dita e nesërme nis bukur duke u ngjitur në majën më të lartë të Korfuzit, aty ku qëndrojnë të gjitha antenat, qofshin këta të kompanive celulare, por edhe ato të televizioneve e radiove. Shqipëria duket si në pëllëmbë të dorës me Sarandën e bukur që të ngjan me një sy blu. Fotografitë dhe videot shoqërojnë qëndrimin tonë aty në një ditë të bekuar edhe nga Zoti me diellin që shndriste dhe ngrohte si në një ditë pranvere. Musai ecën më shumë se ne të tjerët dhe duket se rikthen rininë e tij.
Më pas bëjmë disa vizita në familjet dibrane në qytet dhe fshatrat e Korfuzit, si tek Shaziman Meda, Miri Çaushi, Ali Krrashi, Irakli Gjika, Destan Sina dhe mezi kapim orën e ndeshjes, ku ishim të ftuar të shikonim dy vëllezër dibranë nga fshati Laçes i Fushë Alies, konkretisht Klodi dhe Eri Bardhi, me numrat 7 dhe 11. Stadiumi i Ankaravit kishte më shumë shqiptarë se grekë dhe vërtet ishte kënaqësi kur spikeri komentonte lojën e tyre. Skuadra e Ankaravit luante në kategorinë e tretë me një ekip të ardhur nga Janina dhe fitoi 1-0. Por loja e Klodit dhe Erit binte në sy dhe pas ndeshjes trajneri grek foli me superlativa për dy vëllezërit Bardhi. Klodi në vitin 2019 ishte shpallur edhe futbollisti me i mirë në Korfuz nga të huajt. Kjo vërtet përbënte lajm për ne dibranet qe ndiheshim krenar. Pas ndeshjes u futëm në fushë dhe festuam bashkë me ta. Realizuam foto dhe inkurajuam këta djem kaq të rinj dhe të talentuar. Njëri ishte 22 dhe tjetri 20, por pjekuria në lojën e tyre dhe teknika bënte diferencën. Pasi u takuam edhe me stafin e skuadrës së Ankaravit, morëm edhe pëlqimin e tyre për një ndeshje miqësore të këtij ekipi me “Korabin”, skuadrën dibrane që militon në kategorinë e parë në futbollin shqiptar dhe është në katër më të mirat për këtë sezon që po mbyllet.
Post ndeshjes, rikthehemi te shtëpitë e vëllezërve dhe miqve tanë dibranë. Gatimet tradicionale dhe mikpritja të kujton odën dibrane dhe aromën e gjellëve të nënave tona dikur. Fatbardha është një kuzhiniere duarartë, ndërsa bashkëshorti i saj Habedin Hasi është kuzhinier profesionist dhe punon në hotelet më luksoze të Korfuzit. E gjithë ajo zonë është populluar nga dibranët, që më së shumti ishin nga Muhurri, Sina, Arrasi, Kastrioti, Brezhdani, Zall-Dardha, Fushë – Alia, Blliçja dhe plot fshatra të tjerë të Dibrës. Secili prej tyre kishte marrë familjet dhe jetonin e punonin me djersën dhe ndershmërinë e tyre duke fituar besimin e pronarëve grekë, madje shumë prej tyre ishin edhe sipërmarrës, si Sadik Laçi, Luan Karriqi, Habedin Hasi, Selim Gjoni, Miri Çaushi e plot të tjerë që nuk arritëm dot t’i takonim.
Afroi ora e spektaklit dhe aty do të takonim qindra njerëz. Mbi 99 përqind e tyre ishin dibranë dhe të veshur bukur së bashku me gratë dhe fëmijët, erdhën dhe mbushën sallën e lokalit të madh “Olympic Palac”, një sallë që oshtiu nga fillimi në fund me këngën dhe fjalën e bukur shqipe.
Këngëtarët brilantë të muzikës dibrane Vera Laçi dhe Dritan Jashari, së bashku me muzikantët virtuozë Dash Skarra dhe Leonard Gjoka, mbajtën peshë atmosferën që nuk u ul për asnjë sekondë. Pas përshëndetjes së organizatorit Sadik Laçi dhe shokut të tij bashkorganizator Artan Kaca, nisi vallja e bukur shqiptare, e cila ftoi në pistë mbi 200 pjesëmarrës që ishin të etur për të dëgjuar këngët tona dhe për të kërcyer valët e bukura shqiptare.
Si moderator, shpeshherë m’u desh të ndërhyj edhe në sallë, sepse edhe aty kishte mjaft talente të spikatur si Muharrem Elezi dhe Dritan Bradhi, por edhe një zonjë me mbiemrin Haraçiu, të cilët fituan edhe çmimet përkatëse si valltarët dhe këngëtari më i mirë, çmime që janë dhuruar nga Big Market dhe zoti Musa Riçku si administrator i këtij supermarketi tashmë edhe në qytetin e Peshkopisë të këtij rrjeti kaq të fuqishëm të tregut ushqimor.
Ora kalonte pa u kuptuar aspak dhe një tjetër moment interesant dhe emocionues ishte ditëlindja e Selim Gjonit, e cila u festua nën ritmin e këngës së kënduar nga të gjithë pjesëmarrësit dhe një tortë të përgatitur enkas nga organizatorët. Emocionet s’kishin fund edhe pse ora kish kaluar 3 e mëngjesit dhe njerëzit duhet të ishin të nesërmen në punë.
Një vend të veçantë patën edhe valët dhe nderimi që ju bë atyre që nuk ishin dibranë në sallë, duke respektuar kësisoj edhe një traditë të odës dibrane dhe traditave të saj. Më në fund, këngët e vjetra dhe patriotike e tradicionale ulën këmbëkryq te burrat e asaj mbrëmje duke rikthyer kohët e dikurshme dhe duke i kënduar së bashku me ritet e Dibrës në raste të tilla.
Kështu si pa kuptuar kishim kaluar orën 4 dhe na duhet ta mbyllnim këtë natë ku flitej dhe këndohej vetëm shqip, duke i bërë ata njerëz të harronin hallet e ditës dhe të kishin një copë Dibër në një vend të huaj.
Mbrëmje të tilla natyrisht duhet të organizohen më shpesh dhe ne morëm edhe zotimin e vëllezërve tanë në Korfuz për t’i shtuar takime të tilla kaq të vlefshme edhe në njohjen e njerëzve, por edhe zakoneve e traditave të bukura që ka Dibra dhe dibranët kudo ku ata jetojnë.
E nesërmja na gjeti sërish tek porti, aty ku do të ndaheshim me njëri-tjetrin, duke premtuar për një rikthim tjetër aty, si një detyrim për dibranët e Korfuzit, të cilët kanë bërë emrin e mirë dhe kanë fituar kaq shumë respekt dhe besim në një vend të huaj si Greqia.