Mbështetja për blegtorinë e imët, mundësi zhvillimi
Osman Xhili
Maksim Hajrullaj


Projekti “Menaxhimi i fermave blegtorale,qendrueshmeria dhe sipëmarrja nga te rinjtë – Bashkia Dibër” , financohet nga Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), duke mbështetur bashkitë në zhvillimin e mekanizmave transparente të financimit për OSHC-të, në mënyrë që të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët në komunitetet lokale.

Objektivat kryesore të projektit janë:
Krijimi i kushteve për zhvillimin e fermave ekzistuese dhe shtimin e fermave të reja me sipërmarrjen e brezit te ri në bashkinë Dibër.
Menaxhimi i qëndrueshëm i fermave blegtorale duke ndaluar shpopullimin dhe emigrimin në funksion të zhvillimit ekonomik rural.
Mbrojtja dhe shërbimi ndaj mjedisit në zonat ku shmanget largimi i banorëve nëpërmjet zhvillimit të fermave blegtorale.
Sektori i blegtorisë ka qenë sektori bazë në prodhimin e produkteve ushqimore blegtorale të nevojshme, si bazë e të ushqyerit të popullatës për nevojat në qumësht dhe nënproduktet e tij, mish, lesh, vezë, mjaltë etj. Vlerësohet që blegtoria përbën 52% të vlerës së prodhimit të përgjithshëm bujqësor. Prodhimi blegtoral ka njohur rritje të ndjeshme dhe luan rolin kryesor në të ardhurat e fermerëve. Ata sigurojnë 70% të të ardhurave nga shitja e prodhimeve blegtorale.

Kullotat verore për të imtat

Asnjë sektor tjetër në Shqipëri, nuk ka një ndikim kaq të rëndësishëm mbi popullsinë rurale të prekur nga varfëria, se sa sektori i blegtorisë dhe kullotave. Numri i krerëve në blegtori (të dhëna nga ARSHVMB) janë në rënie si në numër krerësh dhe në tufë. Karakteristikë e dallueshme është që zona fushore mbarështon më shumë gjedhin dhe zona malore, delet dhe dhitë. Kjo për arsye të kushteve mjedisore, sepse kullotat janë më të shumta në zonën malore dhe mbarështimi stallor është më i përshtatshëm në zonën fushore. Sipërfaqja e tokës lejon që ky numër të jetë disa herë më i madh, duke shkuar deri në dyfishimin e numrit të krerëve.
Përpunimi i qumështit është një tendencë e investimeve në zonën e Dibrës. Zhvillimi i blegtorisë, kryesisht në zonën malore dhe kodrinore, me orientim drejt bagëtive të imëta, duke shtuar numrin e krerëve dhe rritur prodhimtarinë është një potencial plotësisht i realizueshëm. Për zonën e vargmalit Deshat-Korab duhen më shumë të leshta, sepse ka më shumë kullota alpine dhe për zonën e malësisë Reç-Lurë, Selishtë, më shumë nevojiten të dhirtat, pasi bimësia është më e favorshme. Rritja e numrit të krerëve dhe sasisë së prodhimit ndihmon ekonominë e përpunimit të qumështit dhe ngritjen baxhove të reja.

Perspektivat e trashëgimit
të fermave nga të rinjtë.

Zhvillimi ekonomik i zonave rurale varet në një shkallë të gjerë nga gjendja e rezervave natyrore dhe sipërmarrja nga brezi i ri në zhvillimin e fermave blegtorale dhe shumëllojshmëria e tyre në prodhimet e kërkuarar nga tregu aktual. Përmirësimi i përgjithshëm i gjendjes së tyre, të varfër aktualisht, kërkon investime të rëndësishme me afat të gjatë. Shumë të anketuar, individë dhe organizata presin që kushtet në menaxhimin e burimeve blegtorale dhe kullotave të përmirësohen. Pas përfundimit të projektit, duhet të theksohet që optimizmi i përfitimeve në të ardhmen bazohet së pari në shpresën që investimet, që aktualisht sigurohen nga banorët, duhet të sigurohen edhe nga shteti nëpërmjet mbështetjeve me financime të fermave blegtorale. Në të njëjtën kohë, shumë kontaktues e konsiderojnë përdorimin e financimit të pa mjaftueshëm nga buxheti i shtetit, një nga faktorët frenues në zhvillimin e blegtorisë. Kjo shifër është mjaft e vogël, e krahasuar me vendet fqinje kufitare ku mbështetja është ne nivele shume më të larta. Blegtorët paraqitën shkurtimisht mënyrën se si ata organizojnë kullotën e tufës së tyre dhe ngritën disa problematika rreth përdorimit të këtyre kullotave. Shqetësimet më të rëndësishme të tyre ishin:
Vështirësitë për tu përshtatur me ndryshimet klimatike që kanë efekte mbi burimet foragjere dhe shëndetin e kafshëve;
Mungesa e burimeve ujore në disa zona, gjë që ul mundësinë e largimit nga fshati në mënyrë të veçantë gjatë verës;
Lidhja midis cilësisë së burimeve foragjere dhe cilësisë së veçantë të produkteve (qumësht, dhe mish);
Dëshira për të zgjeruar tregjet e shitjes së mishit, me tregje të reja më interesante dhe pse jo drejt eksportit.
Dëshira për të jetuar në mënyrë më të qëndrueshme, por duke ruajtur cilësinë aktuale të jetës, këtë organizim familjar, këtë zanat në kontakt me blegtorinë dhe natyrën;
Vëzhgimi se hapësirat po mbyllen si pasojë e një ulje globale të numrit të blegtorisë në Dibër.
Sigurimi i financimeve në nivel më të lartë, për të motivuar brezin e ri në sipërmarrje dhe eliminimin e braktisjes të resurseve natyrale që afrojnë zonat rurale.
Ndjen vërtetë një kënaqësi e optimizëm, kur sheh dhjetëra fermerë të rinj, që e quajnë nder dhe privilegj të merresh me profesionin e bukur të blegtorit dhe në mënyrë të veçantë me të imta. Vetëm në katër komunat, që përfshin projekti, ne patëm takime e shkëmbime përvojash me shumë prej tyre. Do të veçonim fermerët Blerim Datja, Ervin Kallçishta në Maqëllarë, Astrit Elezi, Jusuf Vranezi në Tomin, Romeo Voka, Gentian Lleshi në Muhur dhe Ambri Fida, Qerem Shqefni në Melan. Ata vlejnë shumë më tepër se ky emër i përmendur, vlejnë të falënderohen, të ndihmohen dhe të financohen për punën që bëjnë dhe për shembullin që japin.

ECURIA E NUMRIT TE KRERËVE
TË BLEGTORISË IMËT 1938-2019

Në censusin e realizuar në dhjetor 2019 -janar 2020 numri i krerëve është në një nivel më të ulët dhe kjo shifër lëviz me – 30 % më e ulët, ku numri i krerëve në bashkinë Dibër është në kufijtë 50 000 krerëve, nga këto 38 000 të leshta dhe 13 000 të dhirta.
Grafiku i ecurisë së blegtorisë imët
në vitet 1938-2020

Grafiku i ecurisë së blegtorisë imët
në vitet 1938-2020

Problemet:
Shpopullimi i zonave rurale të përshtatshme për mbarështimin e blegtorisë se imët.
Largimi blegtorëve me eksperiencë dhe traditë nga zonat kullosore rurale drejt zonave urbane.
Tkurrja e blegtorisë dhe rënia e interesit për mbarështimin e tufëve të imta.
Rinia ka përparësi për emigracionin dhe i janë larguar sektorit të blegtorisë.
Mosha e blegtorëve që shërbejnë është mbi 60 vjeç.
Mbështetja dhe financimet janë të reduktuara dhe me kufizime rajonale.
Sipërmarrja për hapjen e pikave të grumbullimit të qumështit dhe e përpunimit është në nivel të ulët.
Shërbimi veterianar jo i shpërndarë sipas territoreve dhe mungesë e specialisteve veterinarë.
Mungesë e degëve në shkollat e mesme teknike – profesionale për zhvillimin e fermave bujqësore dhe blegtorale.
Njësitë vendore nuk kanë burime financiare për të mbështetur blegtorët si në fermat e tyre ashtu dhe në përmirësimet e kushteve në stanet, lerat dhe kullotat verore.

Menaxhimi i fermave blegtorale kërkon:
Fermerë të pregatitur profesionalisht dhe që zbatojnë teknologjitë e reja.
Të njohë politikat e shtetit për sektorin e blegtorisë.
Të zgjedhë rracën dhe të plotësojë dokumentacionin teknik.
Të njohë nevojat ushqimore të tufës, të zbatojë higjenën e tufës.
Të plotësojë treguesit e stallës, të njohë sëmundjet kryesore.
Të njohë faktorët që maksimizojnë prodhimin.
Të njohë të drejtat mbi pronësinë dhe qiramarrjen.
Të vlerësojë kapitalin financiar që disponon.
Të plotësojë dokumentacionin bazë të fermës, si shpenzime, të ardhura, blerje, shitje etj.
Të njohë tregjet e prodhimeve blegtorale, kreditimin dhe financimet.
Të mbajnë lidhje me organizmat e shërbimit dhe informacionit bujqësor-blegtoral.
Të afrojë në tregje produktet blegtorale të standartizuara, sipas kërkesës së tregut.
Të njohë ofertat dhe çmimet e shitjes.
Të planifikojë prodhimin dhe vendin e shitjes.
Të përsosë lidhjen midis prodhuesit dhe konsumatorit për cilësinë dhe çmimin.

PRITSHMëRIA.

Rritja e njohurive ndërmjet banorëve dhe brezit të ri në zonat rurale për kapacitetet e mundshme të zhvillimit të blegtorisë dhe krijimit të tufëve të reja, si mundësi për përmirësimin ekonomik familjar.
Identifikimi dhe mundësitë e zhvillimit të ekotipeve të imtave në zonë si mundësi në krijimin e fermave blegtorale të qëndrueshme.
Nxitja e mundësive të zhvillimit të blegtorisë, duke përfituar nga tradita dhe përvoja e trashëguar në shekuj.
Përmirësimi i të ardhurave dhe nivelit të jetesës nëpërmjet rritjes së prodhimit në fermat blegtorale, marketimit, shitjes të produkteve jashtë fermes.
Rritja e bashkëpunimit me donatorët dhe institucionet që mbështesin zhvillimin e blegtorisë nëpërmjet aplikimeve dhe financimeve për fermat blegtorale.
Rritja e kontaktit me AREB dhe ARSHVMB ne Dibër si mundësi bashkëpunimi, informacioni dhe zhvillimi të fermave dhe shkëmbimit të eksperiencave në zona më të zhvilluara.
Krijimi i mundësive të bashkëpunimit midis fermerëve blegtorë, grumbulluesve dhe përpunuesve në një grup të përbashkët, që plotësojnë të njëjtin qëllim, rritjen e nivelit ekonomik familjar dhe rajonal.
Bashkëpunimi mes operatorëve të agro–turizmit duke i kthyer fermat e tyre edhe si burim kontakti nga turistet për konsum dhe përvojë me ndikim edhe në ekonominë e fermave blegtorale.

Ky material është prodhuar ose publikuar në kuadër të projektit “Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD)”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Përmbajtja e këtij publikimi, si dhe gjetjet e paraqitura në të, janë përgjegjësi e “Agro Eko Dibra” dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian (BE) ose Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).