Lura dhe feja, disa përkufizime


. Ajo që quhet nga tallavaistët e historisë si “harmoni fetare” apo “tolerancë fetare” është togfjalësh pa kuptim.
Lura nuk është Jeruzalemi dhe çështja se si do ta lëmë punën e Biblës me Kuranin, apo të katolicizmit me muslimanizmin nuk vendoset, as nuk vlerësohet në Lurë. Pra, ka qenë e është punë e feve katolike dhe muslimane, jo e lurasve.

2. Togfjalëshi i pakuptimtë i dhënë më sipër duhet zëvendësuar me togfjalëshin “tolerancë njerëzore”.
Pra, fakti është, që pavarësisht instalimit të fesë muslimane, lurasit nuk konsideruan fare dasinë që mbillej me këtë rast, pra konfliktin fetar dhe bënë sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe vazhduan të jetonin në paqe dhe harmoni, ose pothuajse në harmoni.

3. Toleranca njerëzore, pavarësisht dasisë fetare ishte kryesisht meritë e shumicës së konvertuar në muslimane.
Lurasit u konvertuan të fundit në Dibër nga katolikë në muslimanë. Megjithatë, lurasit braktisën kishën, por jo besimin e krishterë. E kësisoj, pavarësisht se ishin një shumicë (rreth 85%), kurrë nuk e vunë në përdorim forcën që mund të prodhonte kjo shumicë. Sot e kësaj dite festat kryesore, që festohen janë ato të krishtera.

4. Lura ishte një nga epiqendrat e qytetërimit ilir. Kështu që, kisha romake ishte me rrënjë shumë të vjetra në Lurë.
Mendohet që, 5 nga kishat e para katolike në Ballkan ishin në Lurë. Kështu që, doktrina muslimane e importuar ishte kulturalisht shumë më e dobët se kultura ekzistuese. Për shkak edhe se sekti musliman i instaluar, ai bektashian, ishte shumë liberal, nuk bëhej realisht ndonjë konkurim mes feve, në mënyrë që të kishte konflikt.

5. Toleranca dhe bashkëjetesa njerëzore, pavarësisht feve, në Lurë ishte vërtet unike, por jo për atë arsye që përmendin lart e poshtë tallavaistët e historisë.
Shembuj të tolerancës pavarësisht feve kemi shumë nëpër Shqipëri. Promotori i kësaj ishte rilindja kombëtare shqiptare. At Gjergj Fishta e mbushte me stringla rrugën prej kishës ke xhamia në Shkodër ditën e Bajramit. Etj, etj shembuj domethënës. Por këto ishin vepra dhe sjellje të njerëzve të shkolluar. Në Lurë ishin vepra të krejt popullsisë, e cila ishte në fakt analfabete.

6. Bashkëjetesa pavarësisht dasisë fetare është një fenomen që ka lënë shumë pak gjurmë në trashëgiminë kulturore të lurasve.
Deri njëfarë kohe kjo u ndoq me fanatizëm dhe ishte vërtet për t’u respektuar. Ka ndodhe që katoliku nuk e ka mbajtur derrin në shtëpi veç për hatër të bashkëfshatarëve muslimanë dhe ka shkuar puna që familja muslimane e ka ruajtur derrin në shtëpi (disa familje e kanë bërë) dhe katoliku vazhdon të mos e mbajë. Por, siç u tha më lart, toleranca njerëzore nuk është ndjekur si shembull. Ka 20 vjet, që demokratët pinë kafe në lokalet poshtë rrugës dhe socialistët në lokalet sipër saj. Me fjalë të tjera, paraardhësit nuk janë ngatërruar për Krisht e Muhamed, kurse brezat e sotëm ngatërrohen për Fatos e Sali e kollankusur. Ky është një fenomen që do të marrë fund shumë shpejt.

7. Historia nuk është tallava, ajo është shkencë.
Historia e Lurës është pasuri kombëtare. Si e tillë duhet të trajtohet, duke filluar në fillim nga intelektualët lurjanë.

8. Larg duart nga historia e Lurës të gjithë tallavaistët.
Lurasit nuk do të lejojnë që me historinë e Lurës të bëhet gallatë. Do denoncohen të gjitha tallavatë me historinë e Lurès. Ky denoncim fillon që këtu me dy emisionet e Marin Memës dhe Alma Çupit për Lurën, që janë kryevepra të historisë tallava.